Mendime
Dibran Demaku: Një takim i paharruar
E hene, 13.07.2015, 07:04 PM
NJË TAKIM I PAHARRUAR…
Nga Dibran Demaku
Vite më parë, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës gjithësesi po qëndroja për ca javë në Kosovë. Dhe gjatë atyre ditëve e javëve(gjithësesi kurrë të mjaftuara) kisha takuar shumë familjarë e të njohur. Kisha takuar edhe shumë ish shokë e kolegë të punës si dhe shumë krijues e gazetarë me të cilët dikur kishim ndarë gëzime e hidhërime të përbashkëta, për gjithçka kishte ndodhur në Kosovën e kohës sonë. Dhe naytrisht se duke e kujtuar të kaluarën tonë rinore, domosdo se edhe kishim qeshur me „bëmat“ tona të atëherëshme. Si të rinj që kishim qenë, atëherë ne kishim menduar se ishim ata që mund ta rrokullisnim botën dhe atë jo me ndonjë mjet të fuqishëm teknik, por me ndonjë tregim apo poezi, që për ne atëherë kishin vlerën më të madhe se milionat e milionerëve të tashëm të Kosovës!Atëherë ne bënim gara se kush do të shkruante tregimin apo poezinë më të bukur, tregim apo poezi ajo që do të rrokulliste fatin e Kosovës andej nga ëndërronim ne!Me poezinë e njohur të Ali Podrimjes“Zgjohu Kosovë“, të cilën secili nga ne e kishim të skalitur në mendje e në zemër, ëndërronim lirinë e vendit tonë!. . .
Dhe do të vinte një ditë, kur për shkaqe historike që dihen, ne ëndërruesit e mëdhenj, ishim shpërndarë gjithandej meridianeve e paraleleve të Planetit, pa e realizuar ëndrrën tonë! Do të vinin të tjerë(fatlumësisht)që do të realizonin ëndrrën tonë, e që ishte liria dhe Pavarësia e vendit tonë-Kosovës! Dhe tash, kur vendi ynë është i lirë dhe i pavarur, ne ëndërruesit e dikurshëm, tash me ca vite të ngarkuara mbi shpinë, me flokë të rralluara e të mbuluara me borë, gjejmë nganjëherë kohë e para dhe kthehemi për ca ditë e ca javë në Kosovë!
…dhe kur
kthehemi në Kosovë dëshirojmë e shpresojmë që të takohemi me ish të njohurit
dhe miqtë tanë të vjetër! Dhe kur takohemi, pas çdo përshëndetjeje, domosdo se
i kujtojmë edhe ëndrrat dhe dëshirat tona rinore!Dhe flasim e qeshim me
naivitetin tonë rinor!Ndonjëri nga ne, që ka kujtesë të fortë, reciton diçka
nga krijimtaria jonë e“ famshme“ e kohës rinore, krijmitari me të cilën ne
ëndërronim se do të ndërronim fatet tona dhe të atdheut tonë!. . . Kështu ishte
edhe në një takim, me ca miq të vjetër, që kishte ndodhur verën e vitit të
kaluar!
…dhe kështu teksa po flisnim e po e kujtonim të kaluarën tonë, një mik yni që kurrë nuk ishte marrë me shkrime, por që kishte adhuruar shkrimet tona do të na drejtohej:-„Çfarë u ka mbetur tash të shkruani, kur vendi ynë i dashur, tashmë është i lirë dhe i pavarur?!Me çfarë simbolesh dhe metaforash të pakuptuara do t`i qëndisni tash poezitë tuaja“?!. . . Pyetja e papritur sikur për ca çaste na kishte zën si të thush në befasi! Asnjëri nga ne nuk e kishte ëndërruar një pyetje të tillë!. . . Pastaj ishte dëgjuar një zë sa dashamirës aq edhe i qetë:-„Eh, more miku ynë!Jeta e njeriut është më e komplikuar se sa e mendojmë ti dhe unë! Liria dhe pavarësia e atdheut është njëri nga segmentet(dhe atë ndër më të rëndësishmet) e jetës së njeriut!Por, nuk është e vetmja! Jeta e njeriut, siç të thash është me shumë kundërthënie e kontradikta! Është diçka që shkon edhe përtej lirisë!. . . Pastaj liria e individit është krejt tjetër nga ajo e atdheut!. . . Varet nga individi se si e koncepton lirinë e vetë dhe të vendit të vet!. . . Përveq kësaj, krijuesi do të gjejë edhe tema brenda lirisë, për të cilat do të shkruaj!. . . Dihet botërisht se krijues të mëdhenj botëror kanë shkruar vepra monumentale kur vendet e tyre kanë qenë krejtësisht të lira dhe të pavarura“!. . .
-„Ma bëtë mendjen krejt çorbë“!-do të shtonte pastaj miku ynë jo krijues. -„Unë kam menduar se me agimin e lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë, ju do të pushoni së shkruari, sepse nuk do të keni as tema e as frymëzime për shkrime“!-dhe do të qeshej në mënyrë krejt të sinqertë…
Po binte mbrëmja e bashkë me të po përfundonte edhe takimi ynëi paharruar! I paharruar sigurisht do të mbetej edhe në mendjen e mikut tonë jo krijues i cili kishte menduar se krijuesit, qofshin ata poetë e shkrimtarë apo të çdo lëmie tjetër krijuese, do të pushonin veprimtarinë e tyre krijuese, sapo vendi i tyre të fitonte lirinë?!. . . Sikur të ndodhte ashtu siç mendonte miku ynë jo krijues, atëherë, çfarë vlere do të kishte Liria në jetën e njeriut?!. . .