Kulturë
Maxhun Osmanaj: Vetëm sonte
E marte, 30.06.2015, 06:57 PM
POEZI NGA MAXHUN OSMANAJ
VETËM SONTE
Vetëm sonte dua ta shqelmoj pakënaqësinë
Dua të vallëzoj me kohën
S’ka gjë, edhe nëse nuk di mirë…
Mosnjohja më fal vetëm një natë
Ky është veç mashtrim i kulluar
Sonte dua të pi lëngun e jetës-kujtim
Veç sonte lë të më deh koha
Pa-fajësinë dua ta pranoj vetë
Aktet dhe skenat në vijim
Do t’i ushtroj rregullisht
në teatrin e quajtur-jetë
çka do të me thonë nesër
kur të dëgjojnë klasikët antikë
Eskili,Euripidi,Sofokliu
Ku rolet s’do t’i interpretoj
Sipas qejfit të tyre,tjetër kohë është
Veç sonte dua të bie në këtë mashtrim…
Unë jam i juaji Urim!
PASQYRË NË THINJAT E KOHËS
Kah po shkojmë në këtë kohë
Udhëkryqet e përditshmërisë na dalin para
Jetën s’e veshëm në tërësi veç me një cohë
Petkun e saj e patëm besa me njollat e lara…
Kah po na shpiejnë rrugët
Kur bregoret e fytyrës hasen në gremina
Një ditë me diell,mashtruam kohë të mugët
të ruhemi o Zot,mos koha të na hedhë në mbeturina.
Shpeshherë u bëmë kryezot pa qenë
Kohën e dhunuam si deshëm ne
U bëmë fallco,u bëmë të rremë
Sa keq që s’e kontrolluam si kali pa fre!
Na mashtruan dhe i mashtruam
Veç pse në mendje mbetem t’luhatur
më vonë kur thinjat e kohës i kuptuam
u bëmë pak më të përmbajtur.
Tani kur koha jeton jetën e vet
E ne mbesim si jetimi duke shikuar
N’mozaikun shpirtëror herë dhemb,herë vret
Por këngën e jetës,n ‘çdo skutë duhet kërkuar
Me rrezen e diellit duhet përqafuar
Se thinjat e kohës kështu deshën
Shpirtin e kohës për të na pikturuar!
NË KALENDARIN E SHPIRTIT
Në kalendarin e shpirtit
të gjitha stinët më vizituan
herë si heshtje, herë si fërfëllazë,
por secila ma sillte
nga një copë kohe-nektar
nga një peizazh dhembje-pelim
herë e shikoja vëngër,herë me zili
herë padashur i pranoja dhuratë!
Por kalanë e qendresës-kohë
Cdo ditë e murosja me nga një
Gurë- qendresë
në cakun e rrugës më priste
herë një yll,herë një flamur
eh,me këto plagëdhembjet e kalendarit
betejën s’do ta ndali kurrë
s’di cili do të jetë fitimtar?!
në këtë maratonë…
S’MUND TA LË VETUN HISTORINË
Kudo ku nisem të shtegtoj
S’mund ta lë vetun historinë
Se ndihem i zhveshur nga epika
S’i kam besë kohës,stinëve
As njerëzve plagjiatorë
që më vjedhin stuhitë
përditë na i vjedhin edhe ëndrrat
besë s’i kam as minjve…
që mund të grimcojnë
nga ndonjë skutë,nga ndonjë vrimë
e marr me vete n’rrugëtim
kthehem me të ngarkuar për në shtëpi
e ruaj me fanatizëm n’arkën e kohës
me emër e mbiemër etnik
e kam ëndërr shekujsh,shenjtëri
mos ma kërkoni as për hua
mungesa e saj,lëndon,varfëron
sa herë lindi e vdes nëpër breza
fryma e saj më mbron.