E merkure, 16.10.2024, 05:10 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Nënë Tereza rrezaton humanizëm edhe në Singen

E diele, 28.06.2015, 12:12 PM


Nënë Tereza nga bronzi rrezaton humanizëm edhe në Singen

Në përurim kishte ardhur vetë kryebashkiaku i qytetit, Bernd Heusler bashkë me funksionarë të tjerë, nga ana gjermane ndërsa nga pala kosovare aty ishte konsulli i Kosovës në Shtutgart, Faket Kajtazi

Marash Gojani dhe Mal Myrtaj me një grup miqsh e dashamirësh kishin arsye për ta quajtur veten e tyre me fat të shtunën që shkoi. Këtë ditë u kurorëzua me sukses një angazhim disavjeçar i nismëtarëve për ngritjen e bustit të Nënë Terezës në Singen të Gjermanisë. Mundi i Gojanit me shokë si iniciatorë dhe bartës të projektit po shpaguhej pasi që përurimi i bustit po bëhej me gjithë solemnitetin dhe respektin që e meriton një figurë si ajo e Nënë Terezës.

Në përurim kishte ardhur vetë kryebashkiaku i qytetit, Bernd Heusler bashkë me funksionarë të tjerë, nga ana gjermane ndërsa nga pala kosovare aty ishte konsulli i Kosovës në Shtutgart, Faket Kajtazi. Të dy këta përshëndetën në emrin e institucioneve të tyre këtë eveniment dhe falënderuan komunitetin shqiptar të Singenit e më gjerë për realizimin e një projekti të tillë, të qëlluar. Busti i Nënë Terezës përveç që shkon në të mirë të integrimit të shqiptarëve të këtushëm, jep edhe një mesazh paqeje e mirëkuptimi mes popujve e religjioneve, në frymën e humanizmit që e ka përshkuar veprën e Nënë Terezës, thanë ata.

Aksioni ka filluar 3 vjet më parë

“Më 4 prilli 2012, në kohë të Pashkëve, me një grup miqsh patëm biseduar që të nisim një aksion për ngritjen e një busti për Nënë Terezën diku në Singen. Fillimisht kishim dronë se si do të pranohej kjo nismë nga qyteti, nuk kishim ndonjë përvojë në këto punë, mirëpo ne vendosëm. Dhe, siç thuhet, ja arritëm qëllimit para se të kishim kohë për tu menduar ose frikuar më shumë”, e përshkruan Gojani rrjedhën e nismës nga ideja te realizimi.

“Ideja në fakt u prit shumë mirë nga autoritetet e qytetit. Ato, duke e vlerësuar lart figurën humaniste të njohur botërisht të Nënë Terezës u shprehën të entuziazmuar dhe treguan gatishmëri të plotë për të na ndihmuar”, thotë Marash Gojani për albinfo.ch. Ai saktëson më tutje se ndihmat nga bashkatdhetarët dhe të tjerët nuk munguan. “Në listën e donatorëve i kam rreth 120 veta. Ata kanë dhënë, nga shumat më të vogla deri në 2000 euro, për të bërë bashkë kështu, pak nga pak, 16 mijë euro sa ka kushtuar e gjithë puna rreth bustit. Kanë dhënë jo vetëm shqiptarët e të dy feve dhe jo vetëm katolikët. Ka pasur një numër të madh gjermanësh dhe të huajsh nga përkatësi të ndryshme fetare që nga admirimi për Nënë Terezën kanë dhënë kontributin e tyre”, thotë Gojani. Në mesin e tyre ka pasur edhe hindusë, saktëson ai.

I pari i Singenit falënderon komunitetin kosovar

Kryebashkiaku i Singenit, Bernd Heusler me një fjalë spontane para të pranishmëve të shumtë, vendosjen e bustit të Nënë Terezës në Singen e ka quajtur nderim të madh që po i bëhet qytetit. Ai ka falënderuar bashkëqytetarët e tij me prejardhje nnga Kosova për nismën e tyre të madhe e të çmuar. “E kam parasysh momentin kur na erdhi lutja për të lejuar ngritjen e bustit dhe për të caktuar vendin e përshtatshëm për këtë. Kemi hulumtuar në shumë vende dhe në fund kemi ardhur në përfundimin se sheshi më i përshtatshëm është ky, para spitalit të fëmijëve, që lidhet më së miri me natyrën humane të Nënë Terezës”, ka thënë Heusler.

Ai ka theksuar se “jo vetëm busti i Nënë Terezës që i bën nder Singenit por edhe autori i saj, skulptori akademik, Mal Myrtaj, i njohur për veprën e tij edhe jashtë vendit, na nderon me veprën e tij të realizuar me përkushtim”. Heusler ka thënë po ashtu se e gëzon fakti se qytetarët e Singenit me prejardhje nga Kosova, që sipas tij janë rretj 400, janë integruar mirë në këtë qytet dhe e kanë gjetur aty “atdheun e tyre të dytë”.

Edhe konsulli i Kosovës, Faket Kajtazi u është drejtuar të pranishmëve me një fjalë falënderimi. Ai ka falënderuar autoritetet e qytetit dhe ato të spitalit të Singenit që kanë lënë në dispozicion një ambient kaq të bukur për vendosjen e bustit të Nënë Terezës. Ndërsa me mirënjohje u është drejtuar edhe iniciatorëve dhe donatorëve si dhe në veçanti autorit të skulpturës, artistit Mal Myrtaj. Kajtazi nuk ka lënë pa përmendur me këtë rast edhe përkrahjen e madhe që shteti dhe populli gjerman i kanë dhënë Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve për të fituar lirinë dhe për të ngritur shtetin e pavarur.

Autori Myrtaj: Ia ka vlejtur

Autori i bustit të Nënë Terezës, skulptori akademik Mal Myrtaj, dukshëm i lodhur por edhe i lehtësuar nga përmbyllja me sukses e një cikli krijues, thotë për albinfo.ch se ia ka vlejtur i gjithë mund dhe angazhimi. “Si autor i veprës sigurisht që kam emocione por ajo që e patë edhe ju është se organizimi u kurorëzua me sukses të plotë. Këtë e tregon edhe ardhja e shumë bashkatdhetarë tanë jo vetëm nga Singeni por edhe regjione më të largëta të Gjermanisë mandej nga Zvicra, Austria etj. U pa këtu edhe prania e lartë e autoriteteve të qytetit që tregon për rëndësinë që i jepet këtij evenimenti nga mikpritësit. Prandaj u jam mirënjohës të gjithëve edhe në cilësinë e autorit, pasi që më kanë dhënë mundësinë që një vepër imja të vendoset në një ambient të tillë kaq fisnik. Edhe shkrirja në bronz është bërë në mënyrë shumë cilësore dhe kjo i siguron veprës një jetëgjatësi të madhe, me shekuj”, ka përfunduar Myrtaj.

Aktin e zbulimit të bustit e kanë bërë së bashku kryebashkiaku i Singenit, Bernd Heusler, konsulli i Kosovës, Faket Kajtazi, autori, Mal Myrtaj dhe boksieri i njohur shqiptar Luan Krasniqi.

Ndërsa një prift i Kishës Katolike të Singenit e ka bërë bekimin e bustit dhe e ka udhëhequr ceremoninë fetare që shkon me një rast të tillë.

I pranishëm në solemnitetin e përurimit ka qenë edhe ambasadori i parë i Kosovës në Gjermani, Vilson Mirdita.

21 Qershor 2015 - www.albinfo.ch

Për ZSH: Tahir Shabani



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora