Kerko: a
Azem Parllaku: Kumanova si Bermundë
E marte, 12.05.2015, 07:27 PM
Kumanova si Bermundë
Nga Azem Parllaku
Kumanova pas ngjarjeve të ditëve të fundit më shumë se e zymtë, me shtëpi të djegura, gëzhoja plumbash, e xhama të thyer nëpër këmbë, është po kaq dhe e mistershme.
Por cfarë ndodhi realisht dhe pse në Kumanovë?
Kjo është pyetja, përgjigjen e të cilës ende e presim!
Nga kush e presim të vërtetën e kësaj ndodhie, e cila nuk kurseu jetën e 22 personave sic kanë bërë me dije raportet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë?!
Debatet janë kaq të ndezura, e në to janë përfshirë: analistë të paguar, opinionistë të frustuar, komandantë të vetëdeklaruar por pa ushtarë në taborin e tyre, folkloristë e idealistë atdhedashës, konspiracionistë, misionarë të diplomacisë, politikanë tek-tuk, e qytetarë të thjeshtë.
Nëse do të besojmë analistët e paguar, e sigurtë është që ata qasjet e tyre, i servirin si t'ua dojë xhepi i honorareve. Kjo është trishtuese, kur e mendon misionin e analistit.
Opinionistët e frustuar vijnë nga kampe të ndryshme, e nuk mundin dot, të ngrenë aq fuqishëm zërin e tyre, mbasi janë venduar midis presionit të shefit dhe zjarrit të kampit kundërshtar. A na duhen opinionistë të tillë? Gjithësesi jo!
Komandantët e vetëdeklaruar, të cilët kanë mbushur rrjetet sociale me bëmat e tyre pas betejës, komentojnë njëri-tjetrin, mbasi nuk kanë mundur dot të jenë as ushtarë në prapavijat e luftës. Këta komandantë që vetdeklarohen dhe vriten, apo kapen rob, vlejnë kaq shumë për të dëshiruar. Pse jo nga këtu duhet nisur hetimi mbi të vërtetën.
Folkloristët dhe idealistët atdhedashës, janë më të sinqertët, por vetëm në betejat virtuale.
Konspiracionistët, kjo specie e vecantë e cila pretendon se sinjalet i vijnë nga planeti Nibiru, janë kaq joshës me fantazitë e tyre, por gjithesesi duhen konsideruar.
Misionarët e diplomacisë, janë azilantët më të lumtur, që begatohen nga taksapaguesit, e qëndrojnë në parajsën mbitokësore të tyre.
Politikanët, sa shumë e do Kumanova një përgjigje nga ana e tyre. Më të artikuluar janë politikbërësit shqiptarë të Maqedonisë. E dhimbshme, kur mendon që selitë e politikbërjes shqiptare në Maqedoni, nuk janë vecse ca cajtore përballë ose ngjitur xhamive, që më së shumti tubohen të premteve.
E nëse përgjigjia do të vinte nga qytetaria e thjeshtë, me siguri që; Ajo ndien keqardhje për njollën e gjakut në fasadën e lagjes së trimave në Kumanovë. Qytetarisë që duket se hesht, Kumanova i ngjet Bermundës.
Një qytezë plot mistere, si shumatore e: interesit politik, pozitës gjeografike, kufijve administrativë, përbërjes etnike të komunitetit, besimit fetar, e së fundmi viktimë e radhës.