E shtune, 12.10.2024, 01:44 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Përparim Hysi: Reshat Kripa - "Dhimbje"

E marte, 12.05.2015, 06:30 PM


Reshat Kripa që shkruan vargje me "kripë"

Libri me poezi "Dhimbje"

(esse)

Nga Përparim Hysi

Jo  më larg se para dy-ditësh në "auditorin made in Vlora" në Tiranë u ndodha para një befasie të bukur. Ky "auditori" që unë e quaj "made in Vlora"  ndodh tri herë në javë.Tri herë në javë mu tek kafe "Ulqini". Kuptohet që pjesëmarrësit e këtij auditori,që të gjithë janë nga Vlora. Unë jam pak i këndellur,që, sado që jam nga Fieri, jam bërë pjesëmarrës i këtij "auditori". Pas kësaj, në këtë auditor, u bë prezent dhe inxhinieri nga Lushnja, Vangjel Ndrio. Auditori nuk është vetëm i tillë: dalim, pimë  ndonjë filxhan kafe dhe "thyejmë" monotoninë. Jo. Ky" auditori" ynë është nga më të lakmueshmit dhe, sikur të kesh fatin që qoftë dhe njëherë të ulesh në të, mezi pret që të shkosh përsëri. Bëhemi gati njëzet dhe deri njëzet e pessë veta (kush futet së pari, kur na sheh, na merr për krushq që po shkëmbejmë "tepsitë" e marrveshjes), dhe, megjithëse kaq shumë, sado që ziejmë nga mendimet pluraliste  (edhe nga mendësitë të tillë jemi), nuk ka kurrë qoftë dhe pak ngritje zëri, Se në krye të tavolinës qëndron si një URTAK, AKADEMIKU Bardhyl Golemi dhe, kur mungon ai, po një URTAK tjetër, Luan Çipi që veç si ekonomist, është dhe poet dhe prozator. Dhe, për mos e zgjatur, befasia  e bukur ( vërtet u emocionova) qe Reshat Kripa. Unë mbrrita me pak vonesë tek "Ulqini" dhe, sa u përshëndeta me miqtë e mi, pashë Reshat Kripën që e kishte bërë gati dhuratën: më dhuroi katër libra njëherësh. Dhe jo vetëm mua. E falnderova Reshat Kripën, por falnderimi i tij do të ishte krejt i  mangët, sikur të mos shkruaja përshtypjet mia qoftë dhe për një nga librat e tij.

*   *  *

Për Reshat Kripën  ia vlen që të shkruash, jo vetëm se ai më dhuroi librat e tij, por se ka dhe një jetë  të pagëzuar mes privacioneve dhe persekutimeve. Është dëbuar si familje "non grata" nga Tirana në kohën e regjimit të kaluar, por, ç'është që e bën dhe më të prekshme, vet Reshati është burgosur qysh në moshën 15-vjeçare. Pra: ia  vranë adoleshencën, ia vranë rininë dhe ia sakatuan jetën. Nuk dua që të ndalem më gjatë në dramën e tij të jetës dhe të familjes së tij, por ajo që të bën ta duash Reshat Kripën, është fakti shumë domethënës: ai reflekton një urtësi proverbiale ( unë në intimittet i drejtohem me "baba Reshati") dhe, sado që po troket tek  tetëdhjetat, mbahet mirë dhe duket sikur ato "prangat" që zgjatën goxha, të kenë qenë veç prej "mëndafshi".

Tek po shkruaj për një nga librat e tij ( faktikisht, për librin me poezi "Dhimbje"), dua të  bëj nja dy digresione që më ravijzohen para syve. Së pari, më vjen ndërmend, ish-nxënësi im, me profesion agronom dhe poet lirik shumë i bukur, i ndjeri Spiro Sota, që më thoshte:- Profesor, po të kisha para. do  të botoja vetëm libra dhe do bëja piktura. I ndjeri Spiro Sota nuk u bë kurrë me para dhe iku i ri. Dhe digresioni tjetër: më vijnë para sysh ato vargjet lapidare të të pavdekshmit, Viktor Hygo,atje tek "Çuni grek" që tek i servirnin përpara bukurira, ai kish  vetëm një përgjigje:- Dua plumba dhe barot!

Dhe Reshat Kripa, në vetevete, kishte atë "sëmundjen" e të ndjerit Spiro Sota:- Po të kem para, i kthej në libra. Dhe, sa mori këstin e burgut, Reshat Kripa botoi katër libra njëherësh: dy romane, një monodramë dhe një me poezi ( për  këtë të fundit dhe do flas).

*    *   *

Po t'i hedhësh një sy biografisë letrare të Reshat Kripës, të bie në sy një fakt shumë domethënës: ka filluar të botojë vetëm në vitet e demokracisë. Ka filluar në moshë të vonë, jo se  nuk kishte muzë apo i mungonte përgatitja letrare, por në lulëzim të talentit të tij: e burgosën.  Kur them kështu, mjafton të shohësh poezitë e tij që fillesën e kanë qysh nga viti 1951 dhe, pastaj, ka një pauzë të gjatë: një maratonë e vërtetë dyzetvjeçare, për të dalë në fushën e letrave. Në krijmitarinë e tij, dominon proza,se në prozë jepen me përmasa më të matshme vuajtjet dhe mundimet në  burgjet dhe në kampet e  internimeve.

Sado vonë në fushën e letrave,por,"baba Reshati", si për të fituar kohën e humbur, ka shkruar në prozë: katër romane dhe dy vëllime me tregime; një monodramë dhe një vëllim me poezi (të gjitha që nga viti 2004 e këtej), dhe nuk ke se si mos e futesh në një penë që duhet patur zili. Këtu nuk duhen harruar se është një publcist që nuk ka javë mos ia bëj ferk me artikuj me shumë vlerë.

*   *   *

Pse po filloj nga vëllimi me poezi? Së pari, kam një shkak shëndetësor dhe, së dyti, libri me poezi m'u imponua si një aperativ  pas një "mundimi" që e kërkova vet. Sapo u ndava nga një libër pak të "vështirë", ndieja nevojën për pak relaks: me sy ma bëri libri i "baba Reshatit"-"Dhimbje".

"Dhimbje" titullohet libri, por veç dhimbjes atje gjen mall; gjen dashuri dhe të duket që pas leximit, përfton që "mund t'i gjerbësh" vargjet sa herë që ke nevojë. Unë e jetova këtë përftim dhe ua rekomandoj kujtdo që mund t'ju bjerë në dorë ky libër. Thashë kisha nevojë për  relaks,se, sapo u ndava me  Fridrih Niçen,  me Frojdin dhe gati në ato momentet epsikoanalizës së tyre, sikur vajta në "Pavijonin shtatë" të Çehovit. "Qau Niçja", po më keq e pata unë. Pikërisht, aty mbi tavolinë, më "shkeli synë "baba Reshati". E mbarova me një frymë dhe, nën efektin e këtij "ilaçi" po shkruaj.

Po shkruaj, po nuk  di nga ta zë. Poezitë janë aq të thjeshta dhe aq të kapërdishme për çdo "stomak" lexuesish, sa të bëjnë që t'i kesh pranë. Duke menduar, se gjatë shkrimit mund të harroj shumë  gjëra, sa jam i freskët, po e filloj "vallen" nga bishti.Po sjell para jush "arkitraun" e krejt librit, poezinë "Dhimbje" që autori e ka vendosur në fund. Sikur vetëm atë të lexosh dhe ke gjithë jetën e "baba Reshatit",me vuajtje e privacione në kohën e diktaturës dhe, veprimtar i orëve të para në proceset demokratike dhe zëri imperativ dhe i kudogjendur i shtresës së persekutuar. Ajo që të bën përshtypje,se nuk ka nota urrejtjeje dhe shfrime  agresive, por me vargje demaskon dhe vë para gjykimit e ligjit gjithë masakrimet e dhunimet e kohës së diktaturës.

Lexoni, ju lutem:"Vargu im-një pikëloti/ që kullon nga zemra ime/jeta ime kot së koti/ brenga, dhimbje e mjerime/..." ... e, kështu, vargjet e mia/ lulëzuar në rini/ prisnin të lindte liria/ të shpërthenin përsëri/.../ tash ajo po lulëzon/ në çdo skaj për bukuri/ zemra ime bellbëzon/për liri e dashuri/.

Ja, pra: ia vranë lirinë. talentin  dhe çdo gjë  të bukur, por nuk i vranë optimizmin dhe ja tek shfaqet i bukur,si një blerim pas një acari. Apo a nuk janë shumë sinjifikative qoftë dhe me katër vargje  të thjeshta, futur nën singlën"Këngë të harruara".

Më ndiqni:" I shkrova me zjarr/ në vitet skëterrë/ Tani plot mall/ Në dritë po i nxjerr/

Po vallë si mund të thotë me shumë? A nuk  janë si një "fshat që duket, që nuk do kallauz?". Peshën e luftës së klasave, poeti, e ka ndjerë qysh në moshën 12-vjeçare,se qysh në atë moshë  familja  e tij, u"damkos" me nofkën "borgjez". E ka përjetuar atë me poezinë "Bogjez?!" të shkruar qysh në vitin 1948. Nuk di sepse kjo  poezi seç më bie një tregim me titull "Ruhu,se të kafshon!!!". Damka "borgjez" yrnek made in bolshevizëm.

Në vëllim ka momente që vërtet relaksohe: të tilla janë ato kushtuar familjes, fëmijëve dhe, mbi të gjitha, nipërve dhe mbesave. Po kështu qan me derte shpirti ndonjë çast lirik apo  dhe ndonjë dashuri të "vrarë",që, nën "lentet e "baba" Reshatit,seç vjen vërdall si një flutur rreth dritës, një Nerë  që është Venerë dhe ka plot poezi ku bota shpirtërore e "baba Reshatit" të rrëfehet si në rontgen.

*   *   *

Parë nën optikën time jo vetëm si lexues, por dhe pakëz si poet, nuk kam se si mos e quaj "baba Reshatin" pak  aristetolian. Them se, edhe në mos  e njeh thënien e Aristotelit:"Pa miq askush nuk do të zgjidhte të jetonte, edhe sikur të kishte gjithë të mirat e kësaj bote", ai në vëllim ka kënduar për aq miq,sa  ia rrit vlerat vëllimit. Librin ia kushton,sivëllait të persekutuar, të ndjerit,Izet Shehu, dhe jo vetëm kaq: ka disa poezi kushtuarr miqëve,si:vargu i miqëve që u thur vargje poeti,është jo vetëm i gjatë, por emra që kanë një peshë relevante që të mbeten në kujtesë,si:DR.Isuf Hysenbegasi,Gjon Shllaku,Patër Mushkalla,Avokat Xhevdet Kapshtica,Engjëll Kokoshi dhe mund të vazdoja dhe me të tjerë.Por... Meqë nuk po vazhdoj më tutje, si mbyllje ja tek  sjell një poezi shumë sinjifikaitve:"Mbeta njeri"  ...seç më ndoqe  hije prapa/përsëri e përsëri/ sa u plaka dhe u mpapka/po shyqyr mbeta njeri/. Tej kësaj poezie nuk kam seç them më tepër. "Baba Reshat! Pena t'u bëftë plug që të mos zëjë kurrë ndryshk,se je jo vetëm shkrimtar e poet, por ti je Njeri! Ndaj të duam dhe presim libra të tjera nga dora jote.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora