Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Le të hapen dosjet!
E merkure, 25.02.2015, 08:50 PM
Le të hapen dosjet!
Nga Reshat Kripa*
Këto ditë një miku im më dha një poezi që sapo e kishte shkruar. E lexoj:
“Le të hapen dosjet, gjithë po thërrasin,
Kush e kush më shumë, korbat po kërrasin,
Korbat e pabesë, korbat shpirt të zi,
Thua të jenë engjëj, apo faqezinj?”
Lexoj dhe para syve më dalin këta “shakaxhinj të përparimit”, Siç i quante Noli, që në një kor të përbashkët po këlthasin për hapjen e dosjeve të regjimit komunist. Madje përgatisin edhe disa projekt-ligje që ia paraqesin Kuvendit të Shqipërisë. Por nuk e dimë nëse përpiluesit e tyre kanë vuajtur nga pasojat e këtyre dosjeve apo, ndoshta, janë nga zbatuesit e dikurshëm? Sepse në këtë botë absurde ku jetojmë më tepër ndihen zërat e korbave të dikurshëm se sa viktimave të tyre.
Kjo është Shqipëria jonë sot. Një vend ku nuk merret vesh se kush ishte paditësi dhe kush i padituri, kush ishte krimineli dhe kush viktima. Pothuajse të gjithë hiqen “të paditur” dhe “viktima”. Në këto çaste më kujtohet shprehja e zotit Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës:
- Unë nuk kam frikë as nga nazizmi dhe as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar këto regjime të qëndrojnë në këmbë.
E pra, janë pikërisht lakejtë e komunizmit ata që sjellin këtë kaos ku ndodhet vendi.
Le të hapen pra dosjet! Le të hapen dhe të publikohen të gjitha dosjet e sistemit totalitar. Është e drejta e qytetarëve të mësojnë mbi gjithçka që ka lidhje me to. Le të hapen dosjet për të mos lejuar që vendet në parlamentin shqiptar, qeverinë, sistemin e drejtësisë dhe administratën shtetërore dhe vendore të zihen nga të korruptuarit e sistemit të përmbysur. Kështu do të kemi një parlament të pastër, një qeveri të pastër, një drejtësi të pastër, një administratë të pastër, një shtet të pastër. Në rast se sot flitet për një shtet të korruptuar, kjo vjen edhe si rezultat se në të bëjnë pjesë edhe të korruptuarit me dosje që sjellin frymën korruptive të sistemit që i degradoi deri në atë gjendje.
Le të hapen dosjet që të mos kemi më në krye të partive politike apo shoqatave njerëz që ruajnë në ndërgjegje gjynahet e kohës së përmbysur.
Le të hapen dosjet që të mos kemi më gazetarë, analistë, komentatorë e të tjerë që me artikujt, analizat dhe komentet e tyre shtrembërojnë në mënyrë flagrante të vërtetat e këtij kombi..
Le të hapen dosjet që të mos kemi më mësues e këshilltarë gjynahqarë që helmojnë ndërgjegjen e fëmijve tanë apo të mbarë popullit.
Le të hapen dosjet që të mos kemi më “të përndjekur politik” që natë e ditë i dëgjon të dërdëllisin për heroizmat e tyre.
Le të hapen dosjet të gjitha dhe të përlyerit të hiqen nga detyrat shtetërore që mbajnë. Këtu nuk bëhet më fjalë për ndëshkim, pasi tani është shumë vonë për këtë. Një gjë e tillë duhej të ishte bërë shumë vite më parë, kur ishin gjallë një pjesë e mirë e fajtorëve të katastrofës së kaluar. Le të merren me tregti apo çfardo aktiviteti tjetër privat, por të mos kërkojnë të bëjnë karrierë duke spekulluar me detyrat që mbajnë.
Vetëm atëherë do të kemi një Shqipëri të pastër, një Shqipëri dinjitoze. Vetëm atëherë do ta meritojmë të jemi vend anëtar i Bashkimit Europian, të jemi të barabartë me kombet e tjerë.
Jemi i vetmi vend i Europës Lindore që nuk i kemi hapur. Jemi me shumë vonesë, por një fjalë e urtë thotë: “Më mirë vonë, se kurrë!” Mos u mundoni të kopjoni modelin gjerman. çek apo të ndonjë vendi tjetër pasi asnjë prej atyre vendeve nuk mund te krahasohet me krimet e kryera ne Shqipëri. Shqipëria ka një specifikë të veçantë në lidhje me vendet e tjera të lindjes Më lejoni t’ju tregoj një shembull:
Në prillin e vitit 2009 në Tiranë u zhvillua Kuvendi i XVIII-të i Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, ku merrte pjesë edhe një delegacion i shoqatës tonë. Në këtë kuvend përfaqësuesi i shoqatës së të burgosurve politikë të Sllovakisë, Peter Bielek, deklaroi:
- Në Sllovaki dënimi i fundit me vdekje u ekzekutua në vitin 1956.
Ju lutem, krahasimin bëjeni vetë, kur ekzekutimi i fundit, ai i poetit Haczi Nela, është
bwrw mw 10 gusht 1988, pra në një kohë kur komunizmi kishte marrë rrokullimën.
Dua të theksoj gjithashtu edhe një çështje tjetër mjaft të rëndësishme. Në rast se miratohet një ligj i tillë, kush do të jenë zbatuesit e tij? Këtë pyetje e bëj pasi kam frikë se ata do të jenë nga përpiluesit ose zbatuesit e tyre, siç ka ndodhur edhe herë të tjera në rastet analoge në sektorin e drejtësisë e të tjera. Mos një ligj i tillë do të përdoret nga njëra apo tjetra palë për të bërë presione politike mbi palën kundërshtare ose individë të ndryshëm? A do të jetë një proces i ndershëm dhe i hapur?
Sipas zërave që qarkullojnë në dy projektet e paraqitura në kuvend, njëri i shoqërisë civile dhe tjetri i qeverisë shqiptare, theksi është drejtuar vetëm mbi ish-bashkëpuntorët e Sigurimit të Shtetit. Them sipas zërave pasi, deri më sot, asnjëherë nuk janë pyetur ata që i paguan më tepër se kushdo pasojat e sistemit totalitar, ish të dënuarit politikë. Jo vetëm qeveria por edhe shoqeria civile, që hartoi projekt-ligjin e paraqitur, jo vetëm që nuk u konsultua më parë me shoqatat e të përndjekurve politikë por, për më tepër, i përjashtoi ato nga diskutimi paraprak. Një gjë e tillë është e papranueshme për shumicën e kësaj shtrese. Mos vallë ligji kërkon t’i dënojë përsëri këta persona?
Një fenomen i tillë ndodhi edhe para disa vitesh kur diskutohej për ligjin e dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë. Një ditë paraqitet në zyrën e shoqatës gazetarja e gazetës “Telegraf”, Anilejda Gjeta dhe më kërkon një intervistë. Midis të tjerave më pyet:
- Cili është neni më i kontestueshëm sipas jush?
Dhe unë i përgjigjem:
- Neni më i kontestueshëm është neni 6, sipas të cilit nuk përfitojnë dëmshpërblim
ish-anëtarët e byrosë politike, ish-punonjësit e Sigurimit të Shtetit, ish-prokurorët, ish-gjykatësit, pra të gjithë ata që kanë qenë pjesë e nomenklaturës së diktaturës komuniste. Ndërmjet tyre kanë futur edhe ish bashkëpuntorët e sigurimit. Te kjo e fundit ne kemi shumë rezerva, sepse duhet të kujtojmë gjithnjë se çfarë presioni është ushtruar mbi ata persona. Duhet të kemi parasysh torturat që kanë kaluar në hetuesi, duke filluar nga ato fizike deri tek torturat psikologjike. Ka patur raste kur i kanë përdhunuar vajzën apo gruan në sytë e tyre, thjeshtë për t’i detyruar të bashkëpunojnë. Atëherë ne shtrojmë pyetjen se a është e drejtë që këta njerëz të mos marrin dëmshpërblimin? Për më tepër këta kanë përfituar Statusin e të Përndjekurit Politikë nga ligji i miratuar në vitin 1993. Ndaj një ligj i ri nuk mund të jetë serioz nëse bie në kundërshtim me një ligj tjetër paraardhës.
Intervista u botua në gazetën Telegraf Nr. 399 (428) datë 28 prill 2007. Në të unë kisha
parasysh subjektin e romanit “Shkallët e Ferrit” që sapo e kisha botuar, të nxjerrë nga eksperienca e jetës sime.
Nuk kishte kaluar më shumë se një javë, kur më erdhi një letër pa autor dhe pa adresën e dërguesit. Ishte një letër e shkurtër, vetëm një faqe fletoreje. Midis të tjerave autori i saj shkruante:
Edukata, kultura dhe veçanërisht humanizmi i një bashkëvuajtësi, mund të shfaqte një largpamësi të thellë dhe një ndjenjë të paarritshme për ata fatkeq të nenit mbi të drejtat e përfitimit të dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politikë. Jam edhe unë një nga ata fatkeqë të këtij neni. Jam intelektual dhe në një ose tjetër rrethanë gabova dhe pas dhjetë vjet burg po vuaj persekutimin e atyre dhjetë vjetëve dhe më tepër të atij neni, sepse nuk kam çfarë t’u them fëmijëve të mi përse nuk e përfitoj dëmshpërblimin. Është e tmerrshme dhe nuk di si t’u shpjegohem juve dhe fëmijëve të mi. Dëshiroj që para jush të mbetem një bashkëvuajtës anonim.
U preka tepër. Përmbajtja e asaj letre më zgjoi disa kujtime të tjera, të harruara. Ata një pjesë nuk janë më, kanë ndërruar jetë dhe ndoshta kanë bërë mirë për të mos dëgjuar se si kërkojnë t’i diskreditojnë. Të tjerët që janë ende gjallë shohin punën e tyre dhe nuk kërkojnë të bëhen as deputetë, as këshilltarë ose kryetar bashkie dhe komune. As qeveritarë ose punonjës të rangjeve të larta të administratës shtetërore. As prokurorë ose gjykatës. As kryetarë partish politike ose shoqatash të ndryshme dhe as drejtues të mediave. Në rast se duhej pastruar, e para duhej të ishte politika që duhej të jepte shembullin. Duhej të ishin të pastra presidenca, parlamenti, qeveria, organet e drejtësisë, të zgjedhurit vendorë, administrata shtetërore, mediat e shkruara dhe ato vizive. Për këtë është miratuar edhe një rezolutë përkatëse që për çudi ka mbetur për kalendat greke zbatimi i saj. Le t’u hapen atyre më parë dosjet. Mos vallë trembeni për përmasat që mund të marrë largimi i tyre? Para syve më dilnin disa raste të tilla që ishin detyruar të nënshkruanin një deklaratë të tillë. Më kujtohej heroi i romanit tim, inxhinier Agroni, që përfaqësonte një peronazh të njohur timin, në kohën kur ishim së bashku në burg. A mund të ndëshkoheshin tani për këtë vepër? Më parë duheshin ndëshkuar ata që i detyruan të nënshkruajnë. Lërini të qetë këta gjynahqarë që u detyruan forcërisht për të bërë një veprim të tillë. Dhe hipokrizia qëndron në atë që sot, këta qyqarë, do t’i rigjykojnë përsëri po ata punonjës të Sigurimit të Shtetit dhe komiteteve të partisë ose bijtë e tyre. A mund të ketë moral një veprim i tillë? Ky do ishte në kundërshtim edhe me konventat ndërkombëtare mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të nënshkruara edhe nga shteti ynë. Dua t’i drejtohem Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe Ministrave përkatës, Opozitës, deputetëve, organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediave të shkruara dhe vizive, opinionit publik në përgjithësi dhe t’u them: - Kujtoni rrugën nëpër të cilën kanë kaluar këta fatkeq! Mos ua lëndoni më plagët e tyre që ende nuk janë tharë! Mos i detyroni të turpërohen para fëmijëve, të afërmve dhe miqve të tyre! Kujdes për ata që janë rrëzuar! Në rast se keni vendosur të bëni një gjë të tillë, atëhere hapuani më parë atyre që i detyruan të bëjnë një veprim të tillë! Hapuani edhe atyre që duan të ngjisin shkallët e karrierës!
Ndaj mendohuni mirë para se të vendosni!
*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës