Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Mos Harroni!
E diele, 19.04.2015, 12:04 PM
Mos Harroni!*
Nga Reshat Kripa
Duke dëgjuar fjalët e bashkëvuajtësve të mi, më dalin para syve, si në një ekran, portretet e paharruara të dy të përndjekurve politikë, Xhemal Mustafarajt dhe Fadil Ndreut që, megjithë kërcënimin e forcave të sigurimit të zi të shtetit, që ende ishte në fuqi, më 27 nëntor 1991, hipën në shtizën e flamurit, grisën yllin e urryer të komunizmit dhe ngritën lart flamurin e kuq me zhgabën dykrenore, ashtu siç e kishte ngritur dikur edhe Plaku i Urtë i Vlorës. Më dalin pamjet e ditës kombëtare të 28 nëntorit të po atij viti, kur ish-të përndjekurit politikë të Vlorës i thanë:
- Ndal! - kryetarit socialist të Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Rrethit, komunistit
Mezan Malaj, duke mos e lejuar të ngrinte flamurin e Skëndrbeut.
- Duart e atyre që kanë ngritur flamurin e komunizmit, nuk do të ngrenë flamurin e
Ismail Qemalit – i thanë atij dhe flamurin e ngritën duart e pastra të Altin Kokoshit, birit të ish- të burgosurit politikë, Burim Kokoshi dhe nipit të nënshkruesit të Aktit të Pavarësisë dhe drejtuesit të Luftës Patriotike të Vlorës më 1920, Qazim Kokoshit.
Më dalin këto pamje dhe nga zemra më shpërthen një thirrje:
- Mos harroni! Mos harroni të rënët tanë, por mos harroni edhe ata që i vranë, pasi
pinjollët e tyre janë ata që sot ndodhen në krye të shtetit për të ringjallur përsëri figurën e diktatorit të përmbysur dhe një nga këta është edhe Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryeministri, Edi Rama, ati i të cilit, Kristaq Rama, ishte ai që firmoste, pa nguruar aspak, dënimin me varje të poetit Havzi Nelaj në gushtin e vitit 1988, në një kohë kur komunizmi në botë kishte filluar të merrte rrokullimën. Mos harroni të burgosurit dhe të internuarit tanë politikë, por mos harroni edhe ata që i burgosën dhe i internuan, pasi ata vetë dhe pinjollët e tyre sot janë mbledhur rreth Partisë Socialiste për t’i bërë gropën demokracisë në vendin tonë, për të restauruar kohën e përmbysur.
Mos harroni vitin e zi 1997 të organizuar dhe drejtuar nga falangat social-komuniste. Mos harroni martirët e rënë në ato ditë të zeza. Mos harroni Bujar Kaloshin, Lekë Çokun, Besnik Hidrin, Bashkim Shkurtin, Fredi Shehun, Besim Manolin, Gëzim Shabanin, Gjergj Mehmetin, Valter Harrizin, Lutfi Rapajn, Besim Çerën, Adem Shehun dhe plot të tjerë bij nënash të familjeve të përndjekura politike dhe demokrate, një masakër e vërtetë që pasoi me nxjerrjen nga burgu të autorëve përgjegjës të dhunës komuniste dhe dëmshpërblimin e tyre, anullimin e ligjit të lustracionit të miratuar dy vjet më parë, i cili nuk i lejonte këta persona të merrnin pjesë në administratën shtetërore, pushimin nga puna të mijra të përndjekurve politikë e të tjera.
Zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës është shprehur
:
Nuk ka asnjë vend ku komunizmi ka ardhur në pushtet dhe të ketë qenë demokratik. Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar rregjimet ish-komuniste të qëndrojnë në këmbë.
Vini veshin!
Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar rregjimet ish-komuniste të qëndrojnë në këmbë, - thotë zoti Benesh.
Ndaj ju bëj thirrje: Rruhuni nga thirrjet e kobshme të këtyre korbave të zinj që na kanë rrethur nga të gjitha anët. Ata i dëgjojmë të këlthasin për gjoja tmerret që paskan jetuar në të kaluarën, në një kohë që ishin ata që i shkaktuan, për të drejtat e njeriut në të sotmen, për liri dhe barazi në një kohë që jo shumë vjet më parë çirreshin, kush më tepër t’ia kalonte shokut, për “sukseset e socializmit”, dhe për “mësimet e Partisë dhe të shokut Enver”.
Ndodhemi
në prag të çeljes së fushatës për zgjedhjet vendore. Mos harroni këto që
përmenda më lart. Dilni në zgjedhje dhe votoni për të ardhmen tuaj.
Filozofi Friedrich Nietzsche, qysh në vitin 1906, shkruante në librin “Vullneti për pushtet”:
“Kam fatin që kam gjetur, pas mijra vjetësh aberacioni dhe konfuzioni, rrugën që të çon te një “jo” dhe te një “po”.
Unë ju mësoj që ti thoni “jo” gjithçkaje që ju bën të dobët, që ju ezauron.
Unë ju mësoj që t’i thoni “po”çdo gjëje që të jep forcë, që grumbullon forcë, që justifikon ndjenjën e forcës.”
Ndaj, t’i themi “Jo” pushtetit të kriminelëve që kanë zaptuar shtetin. T’i themi “Jo” korrupsionit që mbizotëron në vendin tonë. T’i themi “Jo” mashtrimit dhe hipokrizisë shtetërore. T’i themi “Jo” blerjes dhe vjedhjes së votës së lirë.
Le t’i
themi “
Ndaj, le t’i flakim tutje të gjitha mospërputhjet e mendimeve që mund të kemi me njeri-tjetrin dhe të bashkuar le të përsërisim 28 nëntorin e vitit 1991, të votojmë për kandidatin e Partisë Demokratike dhe partitë e koalicionit të djathtë, sepse vetëm kështu mund ta bëjmë realitet ëndrrën tonë shekullore për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe moderne. Përndryshe, nesër do të jetë shumë vonë.
Mos harroni!
*Mbajtur në konventën e organizuar në Vlorë nga Departamenti i të Përndjekurve Politikë i Partisë Demokratike dhe Shoqatat e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë me famil,jet e përndjekura nga regjimi komunist.