Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Hipokriti i kohës sonë
E marte, 07.04.2015, 07:34 PM
Fejton
Hipokriti i kohës sonë
Nga Reshat Kripa
Një ditë prej ditësh m’u tek të shkoja të vizitoja varrezat e qytetit. Ide e çuditshme do të thoni ju. Me të vërtetë ashtu është, por ja që mua m’u tek ta bëja një gjë të tillë. Kështu mbërrita atje dhe fillova t’i vizitoj varret njërin pas tjetrit. Mbi pllakat e mermerit që mbulonin varroshet shikoja lloj-lloj përkushtimesh. Pothuajse në të gjitha flitej për meritat e të ndjerit që prehej aty dhe në fund emrat ose lidhjet familjare me ata që kishin bërë përkushtimin.
Duke kaluar kështu njërin pas tjetrit, më tërhoqi vëmendjen një varrosh me të vërtetë madhështor që ndodhej në krye të parcelës kryesore, në hyrje të varrezave. U afrova dhe u mundova të lexoj emrin e të gjorit që prehej aty. Për çudi, vura re se nuk kishte as emër, as mbiemër dhe asgjë tjetër përveç një epitafi, të një autori të panjohur, të gdhendur në pllakën e mermerit:
Këtu prehet hipokriti
Gojëmjaltë e trupërlyer,
Që s’tha fjalë pa lezet,
Që s’u prish në muhabet,
Dhe s’e ndyri kurrë gojën,
Me ata që
Qëndrova
i habitur dhe po kundroja atë varrosh të çuditshëm.
Nga kjo fantazmagori më zgjoi një zë që dëgjova pas meje:
- Çfarë halli të ka zënë, mor mik, që e ke humbur pusullen kështu?
Ktheva kryet dhe pas meje pash një plak që po i afrohej të njëqindave.
- Jo, or mik, - iu përgjigja, - nuk kam asnjë hall, por më çuditi ky varrosh pa emër.
Plaku qeshi si me qesëndi dhe u përgjigj:
- Ky varrosh dhe ky epitaf u kushtohet atyre që, kur ishin gjallë, kishin shumë fytyra, një për të djathtën dhe një për të majtën, një për eprorin dhe një për vartësit. një për djallin dhe një për engjëllin.
Plaku nuk
foli më dhe unë nuk e ngacmova më tej.
U copëtua dhe u ropëtua i ngrati që t’i ringjallte përsëri të mjerët e përvuajtur. I ranë këmbët sa në një dikaster në tjetrin, duke bërë lutje e duva për ta. Por shumica e tyre e përcillnin ashtu siç kishte hyrë. Kjo gjë bëri që në ndërgjegjen e tij të rrënjosej një ndjenjë tjetër, ajo e inferioritetit, si pasojë e të cilit iu rrit vesi i hipokritit, shumë i përhapur në kohët tona. Kështu që arriti puna deri aty sa, kur ndodhej para ndonjë eprori, për të kërkuar diçka, harronte përse kishte shkuar dhe në fytyrën e tij dallohej vetëm një buzëqeshje skllavi dhe një përulje alla Uriah Hipi i Dikensit. Një buzëqeshje e tillë nuk i mungonte edhe kur dilte para ekraneve të televizioneve për të dhënë ndonjë intervistë ose për të shfaqur ndonjë mendim, që natyrisht nuk ishte i tij.
Një ditë, pa pritur dhe pakujtuar, e pushuan nga kjo detyrë. Ditët kalonin dhe oreksi i shtohej bandillit tonë. Mirë thonë që oreksi vjen duke ngrënë. Por, për t’ia arritur kësaj, duhej ndërruar edhe gjuha. Xhonglerit tonë një gjë e tillë nuk i mungonte. Ishte bërë mjeshtër për këtë marifetçillëk. Ai e dinte se pika e dobët e të përvuajturve ishte lëmosha që u jepte shteti dhe që shpesh herë zvarritej pa fund. Ndaj filloi të çirrej dhe të këlthiste me zë të lartë, që ta dëgjonin mirë të gjithë, se do të bënte këtë ose atë veprim deri sa t’ia arrinte qëllimit. Nuk kaluan shumë ditë dhe bandilli na doli në krye të një grupimi që e quante veten si bashkim të të gjithë shqiptarve kudo që ndodheshin, jashtë apo brenda vendit mëmë.
Në një mbledhje që organizoi ky bashkim u ndodha edhe unë me një mikun tim. Midis llafeve të tij pa fund, në mbarim të tyre xhongleri tha:
- Të dashur bashkëvuajtës! Ju premtoj se qëllimit tonë do t’ia arrijmë me çdo kusht. Ndaj mendoj se duhet të organizojmë një protestë të jashtëzakonshme, që nuk e ka parë kurrë bota, për realizimin e kërkesave tona!
- More, a nuk të duket shumë i ekzaltuar ky “heroi ynë”? – i thashë mikut tim.
- Lere, lere, - u përgjigj ai, - shpejt do ta shohim.
Çuditërisht
nuk u organizua as një protestë dhe asgjë tjetër. Në ato ditë, në vend, ishte
hapur fushata për zgjedhjet parlamentare. Kandidatët për deputet bënin
parreshtur takime me banorët e zonës për të votuar për ta. Një takim të tillë
organizoi me shtresën e të përvuajturve edhe kllouni ynë. Edhe ai ishte
kandidat për deputet i një partie opozitare. Kjo bëri që nami i këtij bandilli të arrinte qiellin.
Partitë politike u futën në garë se kush do ta afronte më tepër. Madje, asnjëra
prej tyre nuk pyeste se çfarë përfaqësonte ky inidivid në të vërtetë. Mediat
vizive dhe ato të shkruara nuk kishin ditë që të mos botonin ose shfaqnin
intervista të këtij ekzemplari.
- More, po deri kur do të vazhdojë kjo komedi? – i thashë mikut tim.
- E ç’lodhe më kot - u përgjigj ai - Do t’ia dëgjojmë më vonë avazin,
Nuk kaloi shumë dhe “heroi ynë” fluturoi nga karriket ku qëndronte si kaposh. Qyqarit i doli boja dhe nuk i vlejtën më as mbështetjet e partive politike, as lajkat e mediave dhe as buzëqeshjet hipokrite. Lumëmadhi mbeti si peshku pa ujë. Fluturoi dhe që atë ditë u end rrugëve të qytetit si një qyqar të cilit i ka humbur emri.
- Ky është fundi i hipokrizisë, - më tha miku.
Unë heshta, Nuk kisha çfarë të flisja.
Këto më dolën parasysh atë ditë që shkova në varreza. Nuk e di nëse ai varr i përkiste këtij bandilli apo ndokujt tjetër, por mendova se të tillë fund meritojnë të gjithë hipokritët dhe servilët që qëndrojnë mbi tokë. Megjithatë më bren pyetja:
“Deri kur do të mbështeten dhe të ngrihen në qiell të tilla mostra hipokrizie?”