E premte, 08.11.2024, 01:16 AM (GMT)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Një replikë e detyruar

E hene, 29.09.2014, 05:55 PM


Një replikë e detyruar

Nga Reshat Kripa

Lexova shkrimin  me titull: - "Dimri i vetmisë së madhe”,  romani i denoncimit të krimeve në diktaturë  -  të zotit Minella Aleksi, botuar në median elektronike “Fjala e Lirë”. Një gjë e tillë më habiti. Si ka mundësi që një roman, ku diktatori ngrihet në majat më të larta që mund të arrihen, gati, gati i barazuar me një perëndi,  mund të quhet roman i denoncimit të krimeve në diktaturë? A i dini ju, mor zotni, krimet e kryera nga regjimi komunist i këtij diktatori? A e dini ju se me urdhër të po këtij përbindshmi janë ekzekutuar mbi 6000 intelektualë dhe figura të tjera të paarritshme të këtij vendi, shumicës prej të cilëve sot nuk u gjendet as varri ku prehen? A e dini se janë përdorur metodat më çnjerëzore të torturës kundër tyre, duke arritur edhe deri tek përdhunimi i familjarëve në sy të tyre, për t’i detyruar të pranojnë atë që i diktonin ata? Ku janë këto në faqet e këtij romani?

Dua t’ju pyes juve, si mund ta quani një vepër disidente, kur vetë autori i saj nuk ka pranuar asnjëherë të quhet disident? Mos vallë për ju ai është një Pasternak apo Solzhenicij shqiptar? Nga e nxorrët këtë përfundim, pasi vetë autori nuk e ka thënë një gjë të tillë. Në rast se do të kishte qenë, atëherë me të vërtetë edhe ai do të kishte fituar çmimin “Nobel” si dy të sipërpërmendurit, si një shkrimtar disident.  Mua më duket se kjo është një përpjekje për të krijuar artificialisht një model të rezistencës intelektuale antikomuniste në Shqipëri. Autori i veprës, padyshim, është kreu i shkrimtarëve shqiptarë të ditëve tona dhe unë jam i mendimit se ai nuk ka nevojë për lëvdata dhe hymne lavdie. Si gjithë shkrimtarët e tjerë, në diktaturë, ai ishte i detyruar të shkruante ashtu siç e lejonte korniza e të ashtuquajturit “realizëm socialist”, përndryshe nuk mund të gjente mundësi botimi. Atëherë, si ka mundësi që u botua kjo vepër kur, sipas jush paska qenë një roman i denoncimit të krimeve të komunizmit? Mos vallë institucionet që merreshin me verifikimin e veprave të autorëve të ndryshëm që i dërgonin për botim, ishin njerës injorantë dhe të paditur? Jo, mor zotni! Në rast se  ata do të konstatonin se një vepër ishte antikomuniste, atëherë autorin e saj, sikurse ka ndodhur edhe në shumë raste të tjera,  e priste vetëm një gjë, burgu ose internimi ne një vend të humbur.          

Në shkrimin tuaj ju shkruani se në roman shtresa e të deklasuarve politikë, është trajtuar artistikisht në mënyrën më realiste. Unë jam nje individ që i përkas kësaj shtrese dhe kam lexuar, pothuajse, të gjitha veprat e këtij autori në të kaluarën dhe mund t’ju them, se kjo shtresë, në shumicën e veprave,  është paraqitur në mënyrën më të ulët, si një shtresë e degjeneruar dhe e pamoralshme, si një shtresë që priste çastin për t’u hakmarrur në mënyrën më çnjerëzore. Mund t’ju sjell këtu dy shembuj, atë të shoferit të makinës së mishit që ëndërronte se kur të vinte dita e tij do të vriste e priste të gjithë komunistët dhe atë të Beniaminit që ngulte piketat në kufijtë e pronës së tij për t’i patur si shenjë që kur t’i vinte koha të merrte pronën. Sistemi ndërroi, por a ke dëgjuar ndonjë të përndjekur politikë të jetë hakmarrur në mënyrë makabre kundër hetuesit apo denoncuesit të tij? A ke dëgjuar ndonjë pronar të rrëmbejë pronën e tij pa ia dhënë atë ligji? Kjo është mënyra realiste e pasqyrimit të të përndjekurve politikë në roman?

Në këto çaste më vijnë ndërmend dy vargje të poetit të pavdekshëm, Ali Asllani, nxjerrë nga poezia “Hakërrimi”:

Pra, o burra, hani, pini, hani, pini, or’ e ças,

Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras!

Kjo është Shqipëria e sotme, ku pelivanët dalin në krye të mendimit intelektual shqiptar. Ndaj dhe juve, mor zotni, mos t’ju zerë meraku për shkrimtarin e madh, pasi ai e di vetë rrugën nëpër të cilën ka ecur dhe atë nëpër të cilën duhet të eci edhe sot, ndaj nuk ka nevojë për avokatinë tuaj. Në këtë mënyrë ju i bëni më shumë dëm atij dhe krijimtarisë së tij. Ndaj, ju lutem, mos na e paraqisni si roman disident një që nuk është i tillë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora