E marte, 18.02.2025, 01:35 PM (GMT)

Mendime

Atjon Zhiti: Bota nuk është e rrumbullakët për të gjithë

E marte, 21.04.2015, 06:14 PM


Bota nuk është e rrumbullakët për të gjithë, varet nga drejtësia dhe shteti…

Nga Atjon Zhiti

I. Në Shqipëri ligji si gjithçka tjetër, është diçka tepër serioze. Besomëni! Ose më mirë jo. Principi i izonomisë, lindur në Greqinë e lashtë, dogmë morali, ndiqet me verbëri mistike në ato pjesë të botës, ku fjala e ligjit është ligj, por në mëmëdheun e gjuhës në të cilën është shkruajtur ky “artikull” ka shumë kohë që nuk zbatohet. Duket sikur ai princip aq i lartë nuk thotë se të gjithë ne jemi të barabartë përpara ligjit, por sikur të gjithë ne kemi mundësi të barabarta që të përshtatim ligjin sipas njohjeve e mundësive tona. Më shumë më ngjason me filmat noir të viteve ’40 – ’50, ku ka një drejtësi private venale sesa një shtetësi reale.

II. Ligji e ligjshmëria në këtë tokë paradoksesh, në vend që të kenë gjithmonë të njëjtin drejtim, shumicën e rasteve janë të kundërt e përplasen. Përplasja s’është kurrë konstruktive. Duhen patur si burim force e njëkohësisht “thembër Akili” vlerat e paqes e të kulturës, mbrojtjen e të drejtave civile e të lirisë dhe mbi të gjitha një shoqëri më e përbashkuar, pa harruar një patriotizëm erudit e jo një nacionalizëm të shterpët që kemi adoptuar dekadat e fundit, tipik i popujve të vegjël. Gjithsesi. Duke u endur nëpër Tiranë ngelesh gojëhapur, sheh gjithçka, disa herë je i mahnitur dhe në shumicën e rasteve të tjera i vrerosur ndaj mahnitjes karshi shëmtisë, shëmtisë jo vetëm konkrete. Tirana të josh, por si hije ka një bishë që e ka ngërthyer e nuk e lë të lirë dhe është po e njëjta hije që përçudnon atdheun…

Dy paragrafët e mësipërm duken sikur nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin dhe në fakt nuk kanë (përveç raportit të gjithësisë me gjithçkanë), por më duhen si incipit dhe njëkohësisht konkluzion. Një problem që shkaktohet nga çka shkakton. Rrethi vicioz i qytetërimit tiranak. Baltë, lypsarë, tym, mizerje, kafshë, kalldrëm, arsim, politikë, po prapë kafshë, mjegullnajë kokash, mendime shterpe, art steril, dergjje.

Padyshim që shteti i tillë meriton një lloj asgjësimi dhe çdo element i tij përbërës, pra qeveria, opozita, shtetarët, shtetasit (prej indiferentizmit), institucionet. Por le t’i hedhim një sy këtij entiteti që meriton lakun në fyt, metaforik…

Si lind shteti? Lind prej motivit se askush nuk është “autarkik”, thjesht vetja jonë nuk i mjafton vetes sonë. Pra qëllimi i shtetit është zgjidhja e nevojave tona. Dhe duke qenë se ato janë të panumërta, rrjedhimisht ka nevoje jo për një ose disa, por shumë e shumë njerëz të tjerë që përmbushin këto nevoja. Në këtë mënyrë lindin profesionet e zanatet e ndryshme, që vetëm njerëz të ndryshëm mund t’i përmbushin. Çdokush në fakt, siç e kemi të ngulitur mirë në kokë, nuk lind i njëllojtë me tjetrin dhe kështu është i kryer për të kryer punëra të ndryshme.  Drejtësia është ai princip ku çdokush bën vetëm ato gjëra që prej natyre e ligji është thirrur të bëjë. Kur çdo qytetar dhe çdo “klasë” u përmbahet funksioneve të veta në mënyrën më të mirë të mundur, atëherë jeta e shtetit kryhet në mënyrë perfekte dhe kështu kemi pikërisht shtetin e së drejtës. Me këtë kalim mendoj se bëhet i qartë kaosi i shoqërisë sonë, ku tradicionalisht thirreshin për të kryer punë të tjera ata që duhej të përmbushnin detyra të tjera, ku shumëkush nuk bënte punën e tij, ku askush bënte punën e askujt.   Shteti “i duhur/i përmbajtur/me norma” është ai ku me më të dobëtit akordohen më të fortët, inferiorët me superiorët, në një harmoni të plotë, sepse shteti nuk mund t’i lejojë vetes që vetëm një “klasë” të ketë privilegje, por duhet t’u garantojë epërsi të ndërsjellta sipas kapaciteteve. Por çfarë ndodh kur këto drejtpeshime të brishta në një shoqëri të brishtë prishen nga individë me ndërgjegje të brishtë?

Lind oligarkia, një formë qeverisjeje e themeluar mbi pasurinë si vlerë parësore, dhe esencialisht një plutokraci, ku siç e thotë vetë termi, është predominimi i jetës publike nga individë ose grupe financiare, që falë mundësisë të të paturit kapitale të majme janë në gjendje të ndikojnë e të determinojnë adresimet politike të qeverive përkatëse. Komente të mëtejshme janë të panevojshme, pasi raste eklatante kemi vite që i kemi para syve. Ndërkohë për ters, bashkëngjitur këtyre fenomeneve kemi dhe demagogjinë, tipike e klasës politike. Ky është tregues i një sjelljeje politike ku nëpërmjet premtimeve të rreme afër dëshirës së popullit gllabërohet pikërisht entuziazmi i tij. Shpesh “demagogu” bën presion mbi ndjenja iracionale dhe nevoja shoqërore parësore, duke ushqyer urrejtje kundrejt kundërshtarit politik. Politikanët shpesh bëhen “demagogë” shumë të aftë dhe kanë një talent të papërshkrueshëm për të pështirosur politikën. Gjithsesi.   Duke iu rikthyer pyetjes së mëparshme, ndjej nevojën për qartësime të mëtejshme. Tanimë, kur ekuilibrat e lartpërmendur prishen dhe krijohet një disnivel “klasor”, kapitali vetjak kthehet në vlerë, kështu duke harxhuar një jetë për të bërë para, njeriu i këtij shtetit vetëkorruptohet. Analogjikisht ekzaltohen kualitete të kundërta negative: arroganca bëhet edukatë, pseudo-anarkia shndërrohet në liri, shpërdorimi e vjedhja e parasë publike kthehen në aftësi. Shenjohet një dekadim vlerash, sepse “zotnillëkun” e virtyteve e zëvendëson materializmi.                            “Res publica”, pra gjëja publike administrohet nga kjo “shtresë e re të pasurish” (që në fakt ka vite e vite në politikë dhe falë saj është pasuruar): si pasojë vijon eklipsimi i virtyteve dhe të mirëve dhe padyshim përçmohet varfëria dhe i varfëri. Kalbet shoqëria, krimben principet. Bëhet fatal konflikti midis të pasurit dhe të varfërit, një konflikt me pamundësi mediumi prej mungesës së një vlere të përbashkët që të jetë superiore ndaj pasurisë ose varfërisë. Kjo lloj gjendjeje karakterizohet dhe nga pangopja e vazhdimtë për liri dhe ekseset në të kthehen në të kundërtën e saj, pra në skllavëri dhe kështu shkohet në një gati-tirani. Në një regjim gati-tiranik nuk është tiranik vetëm ai që është në krye të shtetit, por janë dhe qytetarët, që kanë nuancat e lirisë së shfrenuar, çlirimin e instinkteve, pra dhe një iracionalitet të theksuar. Pre i këtyre konditave, ky “qytetar” nuk ndalet më përpara asgjëje dhe ka impulsin të dominojë gjithçka, deri edhe rrjedhën e ujërave bashkë me itinerarin e zogjve shtegtarë. Më duket shumë e kristaltë pamja që në këtë fazë këta “njerëz” janë të pamundur për raporte njerëzore të kulluara dhe janë të aftë vetëm “të udhëheqin” ose të zbatojnë urdhra e guxoj të them se ndihen më mirë kur pak dhunë ushtrohet mbi ta, kanë një sindromë të shthurur ku pikërisht provojnë kënaqësi nga kjo gjë, pasi iu duket sikur “prijësi” i tyre ushtron më pak dhunë mbi ta sesa mbi “të nënshtruar” të tjerë. Kështu në këtë rast gati-tiranie, tirania nuk është asgjë tjetër veçse një shtet i servilizmit absolut, jo vetëm servilizëm i qytetarit ndaj detektorëve të fuqisë e pasurisë, por është një servilizëm total, servilizëm i arsyes ndaj instinktit dhe ky servilizëm i jashtëm nuk është asgjë tjetër veçse një shprehje e servilizmit të brendshëm.  Me regresin progresiv të racionalitetit i hapet rrugë në shtet e shpirt sëmundjes e mizerjes duke mbërritur në palumturi.                                 Shteti nuk është asgjë tjetër, përveçse një zmadhim me lupë i njeriut e shpirtit.Qeveritë e kushtetutat nuk vijnë prej lisave e shkëmbinjve, por nga morali që ndodhet në atdhe.                    Tirania luftohet me dije, gatishmëri ndaj vuajtjes, intelektualizëm dhe objektivizëm ndaj realitetit pa patur frikë.                                                                                           Platoni e quante Sokratin politikanin e vetëm që Athina ka patur. Sokrati urrente politikën dhe militantizmin. Por ai filloi një revolucion jo të dhunshëm, ku edukonte, fliste, bindte, respektonte ligjin dhe për këtë arsye, pikërisht të revolucionit jo të dhunshëm, ai piu helmin për të mos dhunuar ligjet dhe, kur Sokrati “edukonte”, tejçonte njerëzit drejt së mirës më të lartë dhe të mirës së përbashkët. Konica ynë më duket një guximtar dhe një symprehtë që s’ka patur paraardhës, kështu për mua është i vetmi “politikan” që ka patur Shqipëria këta dy shekujt e fundit, prandaj dhe dëshiroj të bashkëngjis një pjesë me pyetje të “politikës” së tij:  “E kanë guximin të rinjtë e Shqipërisë të kërkojnë një sistem ndryshe? Janë lodhur duke e parë të digjet tokën ku do të rriten frytet e tyre, a e kanë guximin sot të denoncojnë shtetin pse nuk ka qënë kurrë mjaftueshëm i impenjuar për të krijuar një rrugë për atë që do të jetojë pa e patur të nevojshme të vjedhë? A kemi kurajo paqeje dhe guxim lufte për të fituar betejat tona këtu, apo të gjithë duam të ikim diku ku asgjë nuk është si në Shqipëri për të projektuar të ardhmen larg? A ka të rinj ky vend, apo jemi lindur të gjithë pleq…?” Shtetari pa shtetasin është një hiç.

MAPO, 20/05/2014

 

_____ 

3 Përgjigjet për "Bota nuk është e rrumbullakët për të gjithë, varet nga drejtësia dhe shteti…"

1.         Drita Kertalli 21/05/20149:28 am

Shkrimi juaj i dashur student i Filozofize me pelqeu per menyren si e trajton , por sidomos Paragrafi i fundit qe keni cituar nga Konica yne , Kete Shqiperi do ta beni ju ,stunentet qe keni studiuar jasht , pa ndihmen e baballareve pushtetar , qe keni mare nje kulture ndryshe , qe vleresoni djersen qe keni derdhur per te mare dijen .Te falenderoj , sepse keto mendesi te tuat i shikoj edhe te ime bije qe ka studiun perfunduar po kete universitet.

Reply

2.         Eugjen Merlika 21/05/20145:30 pm

Pergezimet me te sinqerta djaloshit qe ka shkruar artikullin, i cili bie ne sy per nivelin befasues ne raport me moshen. Shkrimi eshte pak “elitar” dhe merr persiper te shtjelloje koncepte e parime te njohura qe nga agimet e qyteterimit. Por autori nuk gjykon “ex catedra” e, megjithese jeton me shume ne boten e leksioneve te filozofise, kur vjen n’atdhe kthehet ne nje vezhgues t’imet te realitetit, duke zbuluar paradoksin qe ende Shqiperia vazhdon te paraqese ne teresine e saj e qe atij i ben te provoje “vrerosjen ndaj mahnitjes karshi shemtise”….

Ai paradoks qendron ne faktin se ketu parimet permbysen e se konceptet e Shtetit, te se Drejtes, te jetes institucionale e publike, te ligjeruara nga teori te njohura e te vena ne jete nga kushtetuta, nga marreveshje e koventa nderkombetare, nga pervoja historike te ndryshme tjetersohen n’ate forme qe befason autorin : “te gjithe ne kemi mundesi te barabarta te pershtatim ligjin sipas njohjeve e koncepteve tona.”. Duket se kemi te bejme me nje Hamlet ne miniature, qe pa pritmas zbulon se “kjo bote u çthur….”

Fatkeqesisht eshte nje e vertete, me te cilen ballafaqohen çdo dite qytetaret e Shqiperise. Eshte nje e vertete qe ka ngulur rrenje e ka hedhur shtat 70 vjet me pare e nuk ka force qe t’a shkule. 23 vitet e fundit, qe duhet t’ishin ato te shpresave per ndryshim, u kthyen ne nje pervoje deshtimi qe vertetoi faktin se ne nuk jemi ne gjendje t’a kryejme ate ndryshim.

Padija qe i ben autori i ri ketij realiteti eshte nje shkendije qe meriton te inkurajohet, mbasi ndergjegjesimi i brezit te tij , i lindur ne keta vite deshtimi, per te keqijat e Vendit tone dhe paaftesine e mungesen e vullnetit per t’i u kundervene atyre, se bashku me guximin dhe nje doze idealizmi, per te luftuar nepermjet kultures e jo vetem asaj, jane ndoshta e vetmja shprese qe e ardhmja e Shqiperise te mund te paraqese ndonje rreze drite ne fund te tunelit te saj te erret.

“Nje shtet i tille meriton nje lloj asgjesimi…” eshte perfundimi logjik dhe emocional i arsyetimit te djaloshit, qe te sjell nder mend nje pararendes te ndritur, Migjenin, qe ankohej se nuk kishte “nji grusht te fuqishem….”

Shkrimi kthehet ne nje manifest te cilin urojme qe t’a perqafojne sa me shume bashkemoshatare e bashkestudente te kohes se tij.

Reply

3.         Petrit Kosova 21/05/201411:16 pm

T’sugjestionon ky shkrim me idena e mendime t’njipasnjishme që si vetëtimat n’bef ndriçojnë realitetin tonë, gjendje e trishtueme, por pa pesimizëm, me kritika t’mençuna, t’forta, por që ta zbusin zemrën, se napin shpresë. Të rinj të tillë na duhen, kta do ta ribajn Shqipnin, jo me mllefe, por me kulturé, jo me mni, por me dashni. Gjejeni rrugën, na i tregoni dhe na do vijmë pas jush. Faleminders Atjon për emocionin që m’dhe e besimin, qoftë dhe pér két, që asht shkrujt kaq bukur, sa po m’duket sikur po rivjen Konica e Fishta…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora