E enjte, 25.04.2024, 02:52 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Kush i tradhëtoi këta burra?

E diele, 25.01.2015, 06:50 PM


KUSH  I  TRADHËTOI  KËTA  BURRA ?

Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë...

Nga Fritz RADOVANI

JANAR 1945...

Kam pasë fatin e madh me i pa me sy e me shkelë ndër ata male madhështore! Askush pa e kerkue buken e kakinit të gatueme nder magje nga stajanicat burrnesha e pa e shoqnue ate me djathin e atyne shekeve shekullore, tue i mbyllë urimet “u lumshin duertë e u ardhëshim për të mirë” mbas mazës së çapres, nuk e di se çka bulojnë ata lisa!

Rriten e rriten sa të duket sikur majat e tyne shpojnë qiellin e vrantë!

Beja e Tyne porsa fillojnë me marrë mend asht “per Qiell e Dhé!”...

E, për këte Bé, e bajnë vdekjen si me lé!

Me 29 nandor 1944, nga Qielli ra një rrëfé e Dheu plasi... Vetem gjarpijë e kobra me yje në ballë ua mësyne Atyne Maleve! Dora e pabesë e Esad Pashë Toptanit të rij, me 8 nandor 1941, ua kishte shitë edhe njëherë ata Troje shovenistëve sllavo komunistë ashtusi në vitin 1913, kur Flamurin e Gjergj Kastriotit... deshën me e zbritë me topa... Po, Burri i Madh i Shqipnisë, që u tha: “Gjuenje, Flamuri ynë e ka per nder me u gjuejtë me topa!”, nuk ishte ma! Po, Beja e Tij ishte Betim i Atyne Bjeshkëve të Nêmuna. Burrat e Dheut të mberthyem nder çakçir dhe armët e Lirisë nuk pranuen “lavdinë e tradhëtisë”!

“Faji bjen mbi ju, se ju u lidhët me armikun tonë shekullor serbin!” E, shpellat u mbushën plot e përplot me djelmë të Maleve e të fushave, ku gjaku shkonte rrëkajë që n’ atë ditë të zezë kur Shqipnisë i ishte mohue Liria e Atdheut edhe nga Fuqitë e Mëdha.

Horrat e vagabondat do të qeverisin Shqipninë, e mbasi ta vjedhin e lajnë me gjak Nanat Shqiptare me futa mbi kokë do t’ ua shtrojnë sofrat laperave kriminelë, e kujt, bash atyne që u kanë masakrue djelmët e ua kanë dhunue nuset si mos ma keq nder kampe shfarosje e interrnimi...e djelmëve prej gjiut, ata u kanë dhanë me pij helmin e jetës, edukaten komuniste, paburrninë e tradhëtarit dhe pafëtyrsinë e antishqiptarit!

E këte dhunë e marre nuk e pranonin asnjeni nga Ata dy Burra!

Dedë Coku... nga Kelmendi e Prekë Cali, Prijës Bajraku, vendosën me vdekë!

Një fjalë goje...”Me vdekë”...

Me kohë e dinte kush janë Ata Male edhe Austro – Hungaria... Miss Durham, ua pat shpjegue mirë anglezëve dashuninë e Saj per Ata Male, po “këshilltarët e tyne” pranë Mugoshës dhe Enver Hoxhës, preferuen “gënjeshtren”... U lidhën me Titon. Ata, jo vetëm na shitën, po edhe na tradhëtuen: “Qendroni, se do këthehemi shpejtë!”

Këta rreshta që po shkruej janë një ofshamje e vertetë per Ata Burra që nuk i njoha, po njoha pinjollë të Tyne...E, edhe sot nuk mund të harroj Sytë e skuqun të një Shqipes së Selcës së Kelmendit kur doli nga kinema “Republika”, i lidhun me pranga dhe mes xhullinjëve, tue shikue mes rrypave të drrasave të një kamjoni zis, porsa i kishin komunikue dënimin me vdekje...Ishte Don Dedë Malaj! Pak kohë ma parë i kishe shterngue dorën e Tij prej burri e të Shugurueme... Ishte një mbasardhës i denjë i Atyne Bjeshkëve, ishte i daltuem bash prej Atyne Gurëve të lamë me gjakun e 118 Malësorëve, që u prenë në besë nga disa kriminelë që i rrethuen bashkë me forcat jugosllave, ku drejtonte antishqiptari i njohun krimineli Mehmet Shehu, kur llomi i atyne Malësive pat tradhëtue Prekë Calin, i cili u pushkatue tek Muri i Rrëmajit, me 25 Mars 1945.

Janë plot 70 vjetë, që në janarin e vitit 1945 disa tradhëtarë tjerë, të cilët, simbas porosisë së Beogradit, gjoja per marrveshje, mësyen Derën e njohun të Kelmendasit tjeter trim e Atdhetar, Cok Preku i njohun në kryengritjet antiturke per Pavarësi, dhe i kënduem edhe në “Lahuten e Malcis” bashkë me dy djelmët Gjeto e Dedë Coku, gja kjo, që e bante ma të “pelqyeshme” edhe zhdukjen e djelmëve të Tij Gjetos e Dedës,  të ramë nder krahinat e Bregut të Matës, ku vrasjet dhe zhdukjet e komunistëve pa gjyqe dhe me terror ndaj malësorëve trima ishin të përditëshme dhe në çdo cep të atij vendi.

Pikrisht, qendrimi i Tyne Atdhetarë, i njohun që nga 1911 me Dedë Gjo’ Lulin, e në vazhdim kunder pushtuesëve shovenistë sllavë der tek Tito, gja për të cilën sherbëtori i tij anadollak Enver Hoxha, ishte i gatshem dhe me andjen e një terroristi e dinte mirë se po kryente tre sherbime: Zhdukte antiturqit, antisllavët dhe siguronte kolltukun e vet personal edhe “mbas vdekjes”... Ashtu u veprue kudo u shkeli kamba në Malet e Veriut, në Dukagjin, në Pukë, në Mirditë, në Zadrimë, në Mal të Kolaj, në Velipojë dhe kudo ku Atdhetarët Shqiptarë të Alpeve tona ishin në ballin e luftës per Liri.

Pra, piksynimi ishte perdhosja, dhunimi dhe shburrnimi i Atyne Bjeshkëve!

Ndoshta, ishte njê profetësi epiteti Bjeshkët e “Nêmuna”!

Në mbyllje të këtyne pak rreshtave Perkujtimor të vrasjes së Atdhetarit të Madh Dedë Coku, me daten 26 Janar 1945, kur në Shkoder pëballë Bashkisë po fliste Arif Gjyli, shoku i tij i armëve Qamil Gavoçi shkrepi armën mbas kokë tek Shaban Elezi, Dedë Shabani, Kol Sokoli, Mark Pikolini, Selim Qorri dhe Xhemal Mlika, të cilët, gati edhe po harrohen... Dedë Cokun e veçuen nga ky grup dhe e nisën per Lezhë, ku në hymje të saj pa mërrijtë tek Ura e Lezhës, edhe Deden mbasi e masakruen e pushkatuen.

Në dosjen e Dedë Cokut asht edhe një shenim: “Dedë Cokut lejen e armës ia ka lëshue vetë Kolë Radovani... dhe Deda shton: Po, se Kolë Radovanin, e kam pasë mik..”

Në shenjë Nderimi dhe respekti per Dedë Cokun, Mikun e Babës sim...

Këta pak rreshta në këte 70 vjetor të vrasjes së Tij Burrnore...Autori.



(Vota: 6 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora