E marte, 23.04.2024, 08:56 PM (GMT+1)

Faleminderit

Lulaj & Zhabjaku: Patrioti nga Gjakova Tahir Zajmi

E diele, 09.11.2014, 05:39 PM


Tallazet e jetës dhe lotët e zemrës

In memoriam

Patrioti dhe publicisti nga Gjakova z. TAHIR ZAJMI

Nga Bujar Lulaj & Nadir Zhabjaku

43 vite më parë, kollosi i letrave shqipe Ernest Koliqi në fjalën e përmortme në varrezat e Schaerbek-ut,Bruksel për vdekjen e patriotit Tahir Zajmi në prani të rreth 300 pjesmarrësve me një zë të mallëngjyer do të thoshte:

“Më 16 Shtator 1971 në orën 9 e 15 minuta dha shpirt atdhetari që e lidhi jetën dhe emnin e vet  qysh në moshë të re me përpjekjet që bani për liri të Kosovës dhe të Shqipnisë.”

“Tallazet e jetës” e shkapetën të ndjerin andej-këndej shtigjeve të vështira të luftës për liri e pavarësi të Kosovës dhe Shqipnisë etnike, me mallin e të cilës mbylli sytë,aq sa edhe për familjen e tij, të cilën e dishroi për së gjalli, rrugëve të mërgimit politik të gjatë plot sakrifica e mundime.

Rrethet patriotike të mërgimit e vlerësonin si veteran dhe flamurtar të çeshtjes kombëtare, prandaj e nderuan me pjesmarrje të gjanë në të gjitha “salikimet mortore” të zhvillueme në varrezat e Schaerbekut në Bruksel, ku vazhdojnë të prehen eshtnat e tij prej gati gjysëm shekulli.

Në përshëndetjen e fundit, arkivoli i mbuluem me flamurin kuq e zi dhe kunora lulesh si dëshmi nderimi për të ndjerin Tahir Zajmi dhe fjala e përmortshme e shumë kosovarëve dhe patriotëve të tjerë pjesmarrës në ceremoninë mortore, u përkujtua dhe u nderua vepra dhe puna e palodhun e tij në shërbim të çeshtjes kombëtare, dhe në veçanti, ajo e bashkimit të Kosovës në Shqipninë etnike.

Mik dhe bashkëpuntor i heronjve dhe luftëtarëve të shquem të kombit si: Bajram Curri,Luigj Gurakuqi,Fan Noli,pjesmarrës aktiv në Komitetin e Shpëtimit Kombëtar për Kosovën në Shkoder, veprues nën kryesinë e Kadri Hoxhë Prishtinës, ai dha ndihmesën e tij të vyer për Kosovën dhe Shqipninë etnike. Veprimtaria e tij patriotike shkëlqeu edhe më mbrapa, sidomos gjatë “Lidhjes së dytë të Prizrenit” për ta vazhduar edhe ma me vrull gjatë mërgimit të gjatë politik, mbas vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri.

Veprimtaria politike, atdhetare dhe publicistike janë të pandashme në jetën e heroit. Ai asht një kronikan i pazëvëndësueshëm i kohës, kur jetoi e punoi.Nuk i shpëton asnjë detaj i jetës politike dhe shoqërore në Kosovë dhe Shqipëri. Gdhend me mjeshtri artisti portrete figurash të shquara, herojsh, luftëtarësh,ngjarje të njohura e të panjohura të kohës që janë burim i pazëvendësueshëm informacioni për historiografinë shqiptare, kuptohet nga një kandvështrim i ri, për ngjarje të jetueme nga vetë heroi.

Tahir Zajmi asht prezent në të gjitha ngjarjet e mëdha të kombit,fizikisht dhe mendërisht,me kapacitetin maksimal të një atdhetari të dorës së parë. Qysh në rininë e hershme atë e ndeshim në tavolina burrash, ku vendosej me pushkë e pendë fati i Shqipnisë.Ai u ushqye me ideale të nalta atdhedashunie prej këtyne burrave të kombit, ku vend të veçantë xen padyshim “baca”Bajram,trimi i maleve Bajram Curri,plaku i urtë dhe burri i mençëm i Kosovës kreshnike dhe mbarë Shqipnisë e Malcisë së Gjakovës.

Z.Tahir Zajmi ishte sekretar i besueshëm i “bajrakut të maleve” B.Curri qysh në moshën 17-vjeçare.Respektin për “bacën” e ruajti deri në vdekje.Gojëve të liga për mungesën e shkollimit të naltë të B.Currit, Zajmi i përgjigjej me përçmim: “...sikur 10 njerëz si ai të kishte Shqipnia ,sa mirë do të ishte për fatin e saj...” Dhe ne shtojmë edhe si T.Zajmi që shpalosi shumë herë vizion të qartë për të ardhmen e atdheut në të gjitha sferat e jetës shoqnore e politike.

“Internati i Krumës”gati 100 vjet më parë, apo mendimi për hapjen e shkollave në Lumë, Has e gjithandej, për shkollimin e fëmijëve të popullit, për të përgatitun njerëzit e ditun për ardhmëninë e Kosovës dhe të krejt Shqipnisë, janë ide të qarta të njerëzve si z. Zajmi me shokët e tij.Ky vizion shkëlqeu me gjithë forcën e një politikani dhe atdhetari në çastet më kritike për fatet e kombit, kur identiteti ynë kombëtar rrezikohej si asnjëherë tjetër, i mbetur në mëshirën e ngjarjeve të kohës, në prag të përfundimit të “Luftës së dytë botërore”.Identiteti i popullsisë 2 milionëshe shqiptare të Kosovës dhe krejt Shqipnisë rrezikohej nga synimet shoviniste të hershme sllave serbo-malazeze, rreziku internacionalist i komunizmit mbarëbotëror dhe jo më pak dhe nga ideologjia komuniste shqiptare që u përhap si murtajë mbi forcat intelektuale nacionaliste, duke i shkaktuar një dam të pallogaritshëm çështjes mbarëkombëtare  shqiptare.

Në këto momente historike për fatet e atdheut, shkëlqeu patriotizmi i flaktë i tij dhe qindra luftëtarëve të tjerë kosovarë të lirisë, njerëz të sprovuar të pushkës e të mendjes, duke kapur momentin historik për organizimin dhe formimin e Lidhjes së dytë të Prizrenit, për ruajtjen e teritoreve shqiptare në Kosovë dhe më gjërë, për bashkimin e të gjitha trojeve shqipfolëse në kufijtë e vjetër etnikë të vitit 1913.

Akuzave të egra gati gjysëm shekullore nga komunizmi internacionalist nderkombëtar dhe ai shqiptar, si vegël e bindun e të parit, burri i urtë dhe mentar nga Gjakova kreshnike, i asht përgjigjë në dhjetra shkrime dhe analiza politike, me materiale dokumentare historike duke qartësuar “pse ishte i nevojshëm ky kolaboracion dhe mbështetje nga gjermanët”që u kishin premtuar shqiptarëve mbrojtje dhe Shqipninë etnike.

Se çfarë do të thonë sot “kritizerët” sllavo-komunistë dhe kripto-komunistët shqiptarë, kur Shqipëria dhe gjithë Ballkani kanë kthyer sytë nga ndihma gjermane? Apo mos presin prapë ndihmë nga Rusia e Putinit që nuk ka dëshirë t'i shkulë kthetrat nga Ballkani...?!Çdo ditë e më shumë del në pah nevoja e shqiptarëve për kombin gjerman ,jo vetëm në fushën ekonomike, por edhe në atë të mbrojtjes, në gjeopolitikën strategjike që duhet të ndërtojë kombi shqiptar një herë e mirë, gjeopolitikë strategjike afatmesme dhe afatgjatë për të ardhmen e sigurt të tij.

Kombi paqedashës shqiptar ka nevojë për disiplinën e njoftun gjermane, për rregullin, zbatimin e ligjit dhe plot vlera të tjera që përmban në vetvete kombi i njohur gjerman që jo pak i ka dhanë njerëzimit. Kombi gjerman ka patur, ka dhe do të ketë plot idhtarë dhe simpatizues shqiptarë. Dhe jo vetëm në art, kulturë, sport. Në radhë të parë populli ynë çmon politikat ekonomike të shtetit gjerman. Me të drejtë  ekonomia gjermane sot asht në stade për t'u patur lakmi nga të gjithë shtetet e Europës.

“Ordnung ist halbe Leben”(rregulli asht gjysma e jetës),-thonë gjermanët dhe e kanë parim themelor të jetës. Ndaj Deutschland ist “uber alles” (Gjermania asht mbi të gjithë në Europë)

Tani ka ardhur çasti historik që vepra dhe puna e nacionalizmit shqiptar në vite brenda dhe jashtë atdheut të marrin vlerësimin e merituar dhe vendin që i takon në historinë e kombit shqiptar.

Eshtrat e patriotit Tahir Zajmi presin dorën e kujdesit për t'u prehur në atdhe,buzë Erenikut në Gjakovë,ku la amanetin e tij të fundit. Sa ma parë eshtnat në atdhe për të nderue kujtimin e pavdekshëm të tij, aq më i detyrueshëm obligimi i njerëzve që e duan kombin pa interes, siç e deshi patrioti kosovar nga Gjakova Tahir Zajmi.

Le t'i jetë vorri i lehtë...në Kosovën kreshnike, në atdheun e dashtun,pas gati gjysëm shekulli në dhe të huaj, të lirë e të pavarun.

_______

 

Tahir Zajmi mirëse vjen

 

Mirë se vjen burri i Shqipnisë

Mbarë Gjakovës e Malësisë

O dardan i Kosovës kreshnike

Fli  u bane për Shqipni etnike.

 

Mirë se vjen në tokën nanë

Aty ku toka  peshon  randë

Ardhsh i bardhë, bir shqiptar,

Ku  shndrit  dielli  rrezear.

 

T' pret Kosova dhe Gjakova

Të pret Shkodra dhe Rugova

Ereniku  ta  freskon ballin

e Pashtriku ta shuen mallin.

 

Fluturim kah sillet shqipja  .

e përplas flatrat krenare

t' pret Rozafa me gji nane

Shkoder locja dhe Bujana.

 

Pasha diellin e kësaj toke

fort  i lumtun jam ndie loke

n'sofren shqipe të bujarisë

bash në zemër t'shqiptarisë.

 

Porositë e  nanës  loke

Si dardan i lashtë nder mot

na thërret Kuvend i Arbërve

n'Pellazgji në tokë të t'parve.

 

Porositë e bacë Bajramit,

edhe trimave të vatanit,

do t'i ruej me zemër djali,

amanetin siç na e la i pari.

 

Si Rozafa “Zoj' e mirë”

tek ushqen me gji të birin.

mbron qytetin e ruen t' lirë

bukuroshes  ia shton hirin.

 

“Prej Tivarit deri n'Prevezë,

ku lshon dielli vap' edhe rrezë”...

vjen Tahir Zajmi  bir shqiptari,

të bashkojë trojet që na la i pari.

 

Me pendë e pushkë, si burrat motit,

t'i kthejë Atdheut dhuratën e Zotit,

në male e fusha  pa pra tuj luftue,

lirinë që anmiqtë ia kanë mohue.

 

 

Vikama e trimit

 

Më leni të kthehem në Atdhe!

Mërgimi i gjatë më lodhi

Të prehem në vendin ku kam le

Shpresat përjetë nuk m'i vodhi.

 

Andrra e gjatë s'më tradhëtoi

Shpresat nuk m'i shuajti përjetë

Andrra e Shqipnisë jetoi

Në dit' të lumtuna merr jetë.

 

Në dhe të huaj besimin mbajta gjallë

E vrava jetën e mbushun në vaj

për Shqipni u shkriva në mall

Prapë flamurin e lirisë nalt e mbaj.

 

Si bohem u enda  nëpër botë

Kalorës i lirisë së shqiptarisë

Po zemra gjithmonë do ta thotë

Përjetë jemi bij të Shqipërisë.

 

Më leni të prehem në Atdhe!

O miqtë e mij të burrërisë

Në tokën teme t'shtrejtë ku kam le

Ku më ngjan dheu i lehtë si fëmisë.

 

Ku kam babë e ku kam nanë

ku kam miq e trima plot

Për Atdhe jetën e dhanë

Kurrë për ne mos derdhni lot!

 

N.Zh



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora