Udhëpërshkrim
Kujtim Mateli: Fundjavë tetori deri në Vjenë
E hene, 03.11.2014, 09:04 PM
Një fundjavë tetori deri në
Vjenë....
Nga Kujtim Mateli
Nga data
3-6 tetor, një ngrup dëshnicarësh dhe konkretisht zotërinjtë: Gëzim Voda, Luan
Nikollari, Nuri Dragoj dhe unë, të ftuar nga zonja Hana Këlcyra, bëmë një
vizitë në Vjenë dhe rrethinat e saj.
Hana kishte ditë që komunikonte me ne për kohën e mbrritjes, mënyrën e
udhëtimit e të tjera hollësira. Në mbrëmjen e datës 3 tetor 2014 mbrritëm në
Vjenë. Ndiesinë që të jep ky qytet është ai i madhështisë, madhështi që e
krijojnë disa nga figurat që lindi apo dhe të ardhur që gjetën në këtë qytet të
gjitha kushtet për të zhvilluar talentin e tyre dhe për të fituar famë
botërore. Në këtë qytet mori mësimet për teatrin dhe gjeniu ynë, Aleksandër
Moisiu.
Vjena ka qenë e dashur dhe për miken tonë Hana Këlcyra. Në këtë qytet ajo kaloi pjesën më të madhe të jetës së saj. Aty zhvilloi aftësitë e saj si përkthyese pranë ambasadës amerikane. Si njohëse e thelluar e gjuhës angleze, franceze, gjermane dhe italiane, ajo mundi të përthithë kulturën e këtyre vendeve dhe ta vërë në shërbim të qëllimit të saj: të bëjë sa më të njohura vlerat e Shqipërisë. Hana është një personalitet i spikatur. Është kënaqësi të qëndrosh nën shoqërinë e saj.
Personi i dytë që do të takonim, në ditën e tretë të qëndrimit tonë në Vjenë, ishte Muçi Fezga. Ai ka disa vite që është larguar nga Shqipëria dhe banon në Austri. Është një personalitet i shquar i shkencave natyrore, pedagog i Universitetit të Tiranës dhe hartues i disa teksteve universitare. Organizator dhe drejtues i talentuar, autori i romanit “Financieri rebel i Përmetit” dhe i një sërë tregimesh e novelash që ende janë të pabotuara. Është pa dyshim personaliteti më në zë i Dëshnicës, me rrezatim në të gjithë Shqipërinë, si dhe jashtë saj në botën e shkencave ekzakte. Ndiheshim të privilegjuar se z. Muçi do t’i dorëzonim titullin “Qytetar Nderi i Përmetit’’, akorduar nga Këshilli Bashkiak i atij qyteti në janarin e këtij viti, me propozimin e shoqatës “Dëshnica”, titull të cilin drejtuesit e Bashkisë së Përmetit ia kishin besuar drejtuesve të shoqatës“Dëshnica”, për t’ia dorëzuar në Austri.
Në dalje të aeroportit na priste znj. Hana. U gëzuam që po takoheshim përsëri, pas disa takimeve që kishim patur me të në Tiranë. Me makinën e zonjës Hana u njohëm me disa nga rrugët kryesore të qytetit dhe disa nga veprat më të rëndësishme të artit dhe kulturës vjeneze. Kaluam degën e lumit Danub që përshkonte qytetin e Vjenës, ku varka dhe anija të vogla lundronin përgjatë rrjedhës së tij.
Midis
objekteve të shumta, ja dhe Kisha e Shën Stefanit, që është kisha më e bukur e
Austrisë dhe simbol i Vjenës, e ndërtuar në stilin gotik. Kalojmë pranë
bukurive që të ofronin rrugët dhe parqet e shumta, ku ndodheshin Parlamenti,
Bashkia, Universiteti, Teatri Kombëtar, rezidenca e familjes perandorake të
Habsburgëve dhe e Princeshës Sisi e shumë të tjera.
******
Tre thesarët e Hana Këlcyrës.
Pasi pimë
kafen e mëngjesit të datës 4 tetor në shtëpinë e Hana Këlcyrës, i hodha një sy
bibliotekës së saj. Gjithë faqja e murit, në njërën prej tri dhomave, ishte
vendosur biblioteka. Libra në gjermanisht, frëngjisht, italisht, anglisht dhe
shqip. Libra, të cilët kishin qenë objekt studimi jo vetëm i saj, por edhe i
disa prej figurave tepër të njohura që kishin jetuar bashkë me Hanën, siç ishte
babai i saj Ali Këlcyra dhe Eqerem Vlora. Po Hana e kishte pasuruar atë
vazhdimisht. Aty ishin dhe librat në shqip, që Hana i ruante si gjënë më të
çmuar.
Në ditën e dytë të qëndrimit në Vjenë.
Aty nga ora 9.00 e mëngjesit, u nisëm nga Vjena në drejtim të veriut. Pasi kemi udhëtuar vetëm disa kilometra, u shfaq Danubi me madhështinë e tij, si një nga lumenjtë më të rëndësishëm në botë. Straboni, në botimin anglisht, Londër 1903 fq. 443, thotë: “ Në jug të Danubit e deri në Greqi, janë vendosur popujt e Ilirisë dhe Thrakisë dhe se me ta janë përzier dhe disa fise kelte e raca të tjera”. Deri këtu shtrihej Iliria e kohës së Strabonit, pra shekulli i parë i Krishtit. Deri këtu ishin trojet ilire. Sa dyndje ka patur kjo hapësirë deri sa më në fund pasardhësit e ilirëve u ngushtuan deri në trojet që mbajnë sot shqiptarët?
Vazhdojmë
udhëtimin përtej Danubit. Në këtë hapësirë shtrihej ultësira më e rëndësishme e
Austrisë. Kudo fusha të gjelbëruara dhe parcela të kultivuara me kujdes.
Sheshi kryesor ishte i rrethuar nga ndërtesa të stilit të vjetër. Një obelisk rreth 10 metra i lartë ishte i mbushur me figura ëngjëllore që simbolizonin besim pagan të banorëve të kësaj pjese të Austrisë. Qyteti kishte dy porta që e mbyllnin në kohët e vjetra. Në njërën prej tyre shënohej viti 1300.
Në Hofren ku ndodhet thesari i dytë i Hana Këlcyrës
Pasi pimë kafen e mëngjesit në Rec, nisemi drejt veriut. Ndalojmë në kilometrin e gjashtë, në Hofren. Aty Hana Këlcyra kishte shtëpinë e dytë, duke e konsideruar të parë atë të Vjenës. Ishte një shtëpi me shumë dhoma (5+1). Kishte gjithashtu një hangar ku ishin vendosur disa mjete punimi dhe pas shtëpisë kishte një kopësht.
Porta kryesore e kësaj shtëpie, e lyer me kujdes, ishte më shumë se 100-vjeçare. Pasi kapërcen portën, objekti i parë është një shqiponjë, shqiponja jonë kombëtare, shqiponja jonë e flamurit. Do të gjeje aty dhe fotot e sarajeve të Këlcyrës dhe ato me pamje nga Shqipëria të cilat ishin të ekspozuara dukshëm dhe ruheshin me kujdes.
Mbi tavolinë dhe faqet e mureve, në korniza të praruara ishin fotot e babait të saj Ali Këlcyrës, të dala me miqtë dhe pjesëtarët e familjes së tij.
Në oborr të shtëpisë një pjergull zbukuronte mjedisin, karakteristikë e familjeve shqiptare që, kudo që ndodhen, hardhinë, simbolin prej nga rrjedh dashuria, duan ta kenë pranë.
Në oborrin e shtëpisë ishte dhe një hangar, i tëri nën tokë, mjaft i përshtatshëm për ruajtjen e verës dhe të prodhimeve të tjera. Në dhomat e këtyre shtëpive, do të gjeje enë porcelani të të gjitha llojeve. Ato ishin enë të periudhave të ndryshme. Hana ishte e apasionuar pas koleksionit të enëve. Pjata të të gjitha llojeve, gota, ibrik, gjithçka që i duhet një shtëpie, përbënin atë koleksion. Hana për secilin objekt kishte kartelën e tij: vendin ku ishte prodhuar, kohën e prodhimit dhe vitin e blerjes.
Një
damixhan i madh ishte sjellë nga Kaukazi për karakteristikat e veçanta e vlerat
që ruante. Enë porcelani nga të gjitha vendet e Europës, por koleksionin më të
rëndësishim e përbënin ato franceze. Nga Parisi kishte ardhur dhe një ngrohëse
me prush, një model shumë i vjetër që shërbente dikur në Francë si mjet për
ngrohje.
Ky koleksion i enëve prej porcelani që ishte më shumë se dy mijë, por edhe objektet në bakër e metale të tjera, përbëjnë thesarin e dytë të Hana Këlcyrës,
Për të dy këta thesarë, mbase duhet të vihet në lëvizje dhe Ministria e Kulturës. Janë vlera që ne shqiptarëve na duhen, sepse nuk i kemi të shumta. Derisa i kemi, nuk duhet t`i humbasim nga pakujdesia. Mendoj se edhe Hana, nëse do t`i kërkohen, do të jetë plotësisht dakord që këto vlera t`i kthehen Shqipërisë.
Thesari i tretë i Hana Këlcyrës.
Publiku shqiptar e njeh Hanën dhe nga disa intervista që ajo u ka dhënë disa televizioneve në Shqipëri. Ka qenë gjithashtu e pranishme në gazetat kryesore të vendit tonë. Ajo i ka paraqitur publikut shqiptar një material të panjohur deri tani, por dhe një këndvështrim origjinal që ajo ka mbi historinë tonë të shekullit të kaluar dhe politikën shqiptare. Këto intervista të botuara dhe ato që ajo mund të realizojë në vitet e ardhshme, përbëjnë thesarin e tretë të Hana Këlcyrës. Nëse për dy thesarët e parë duhet të interesohemi ne, për thesarin e tretë duhet të kujdeset vetë Hana.
****
Disa orë në territorin çek.
Lamë pas Hofrenin dhe vazhdojmë rrugën drejt veriut. Qielli ishte i mbuluar nga retë. Nuk ra shi, por qielli nuk e ndryshoi pamjen e tij. Kapërcyem kufirin dhe hymë në tokën çeke aty nga pasditja. Pasi bëmë dy-tre kilometra, qëndruam në një lokal dhe hëngrëm drekë. Më pas vazhduam rrugën në brendësi të Çekosllovakisë. Jo larg kufirit, rreth 8 km larg tij, ishte qyteti i bukur, Znajm (sipas shqiptimit gjermanisht të austriakëve). Çekët e shqiptonin Znajmo dhe kështu shënohej dhe në hartë. Ishte një qytet ku përplaseshin dy kultura të dy popujve të ndryshëm. Kjo dukej në arkitekturën e qytetit. Para Luftës së Dytë Botërore qyteti kishte qenë pjesë e territorit të Austrisë. Dallohej mirë stili i ndërtesave me zbukurime. Ndërtesat e periudhës të pas Luftës së Dytë Botërore ishin në stilin e ndërtesave të realizmit socialist. Pallate pesëkatëshe pa asnjë lloj zbukurimi. Të dukej sikur ishe në një lagje të Tiranës, ndërtuar në vitet e socializmit.
Siç na tregoi Hana, pas Luftës së Dytë Botërore, kur u bënë zgjedhjet për herë të parë në vitin 1945, qyteti ishte me shumicë popullsi austrike, por futën dhe rrethinat që popullsia të kapërcente në favor të çekëve, të mbështetur nga Bashkimi Sovjetik, i cili në këtë kohë mbante të pushtuar Vjenën, ashtu siç mbante të pushtuar dhe gjysmën e Berlinit dhe krejt Gjermaninë Lindore. Pastaj, një pjesë e austriakëve u larguan. Deri në vitin 1955, kur u nënshkrua marrëveshja midis qeverisë austriake dhe ushtrive fitimtare, edhe Austria, sikurse Gjermania, ishte e ndarë në 4 zona të ushtrive fituese. Por në këto vitet e fundit, kur në Europë u përbys sistemi socialist, interesimi i austriakëve ishte rritur për objektet e stilit perëndimor. Kisha në mes të qytetit, e ndërtuar shumë kohë para Luftës së Dytë Botërore, po rikonstruktohej nën kujdesin e austriakëve për ta sjellë në origjinën e vet.
******
Një memorial si urë miqësie
Aty nga ora pesë e pasdites, lamë pas qytetin e Znajmo dhe drejtohemi drejt jugut, për në Vjenë. Hana na tregon në një segment të rrugës, në të dy anët e saj, ku shtriheshin fusha sa të sheh syri, se aty ishin zhvilluar beteja të ashpra midis Napoleon Bonapartit, austriakëve dhe rusëve që kërkonin të thyenin fuqinë e perandorit francez. Pastaj ndalemi ndanë rrugës ku ndodheshin tre blinj të mëdhenj. Midis tyre ishte një memorial që u kushtohej këtyre betejave në gjuhën franceze, gjermane dhe ruse.
Këto luftime ishin përsëritur në këto vende deri në thyerjen përfundimtare të perandorit. Memoriali jepte të dhëna në të tre gjuhët e ushtrive pjesëmarrëse. Në gjuhën frënge midis të tjerash lexojmë: kushtuar ushtarëve austriakë, rusë dhe francezë të rënë me lavdi në luftimet e Schongrabern (1805-1809) dhe të Ober Hollabrun 1809.
Të dy këto vende, Shën Grabi (fshat) ndodhej në veri të këtij lapidari, ndërsa Hollabruni (qytet) ndodhej në jug të tij. Tre blinjtë e mëdhenj, krahët e të cilëve binin mbi memorialin që u kushtohej të rënëve, simbolizonin tre popujt të cilët ishin përfshirë në këto luftime dhe tani, pas dy shekujsh, i kujtonin këto ngjarje që historia të mos përsëritej më duke i shtrirë njëri-tjetrit dorën e miqësisë dhe të pajtimit. Arrijmë në Vjenë, në mbrëmje, kur qyteti sapo kishte ndezur dritat dhe errësira e mbrëmjes akoma nuk e kishte pushtuar qytetin.
Këtu fillon dhe një nga pjesët më të rëndësishme të vizitës sonë.
*****
Në kërkim të Vjenës së vjetër.
Kisha
lexuar në librin e poetit përmetar Bardhyl Londo “Jeta që na dhanë” se të
gjitha qytet europiane ishin ndërtuar, në fillesat e tyre, rreth një vendi
kulti të krishterë. Ky rregull nuk duhej të bënte përjashtim as për Vjenën.
Ndaj e kisha pyetur disa herë Hanën se cila ishte kisha më e vjetër vjeneze.
Këtij interesimi Hana iu përgjigj duke e filluar vizitën e parë tek një kishë,
e cila ndodhet sot në qendër të Vjenës. Ishte kisha e Shën Stefanit. Ishte kjo
kisha më e vjetër? E kundruam nga jashtë këtë kishë madhështore që vizitohej
nga vizitorë të panumërt. Pranë kishës, ishte dhe një shesh në formë
drejtkëndëshi, ku në mes të tij, një obelisk përjetësonte disa figura
ëngjëllore me fytyrë drejt qiellit. Hana na thotë se ky monument i kushtohej
besimit të vjetër të vjenezëve, pra atij pagan. Vizituam dhe dy kisha të tjera,
të cilat të mrekullonin me arkitekturën e tyre dhe që Hana na shpjegonte në
lidhje me to. Hymë dhe tek e treta. Hana në vend që të jepte një shpjegim për
këtë kishë, mori një guidë të vogël që kjo kishë shpërndante për vizitorët dhe
ma dha mua. Ishte kisha e Shën Pierrit.
Në të lexohej: Ju hyni në një kishë të shquar që numërohet midis më të bukurave
të Vjenës. Ju vini për të admiruar një kryevepër arti dhe ne gëzohemi duke ju
uruar mirëseardhjen. Por kisha e Shën Pierrit është para së gjithash një vend
kulti, e ndërtuar në vendin e kishës së parë të krishterë të Vjenës që ishte
atëhere fushë e betejave romane. Ajo u zëvendësua më vonë nga një konstruksion
roman me tre kupola. Kryevepra e Lukas von Hilderbrandt që ju po vizitoni sot,
është e shekullit të 18-të. Ky është një vend ku kryhet çdo ditë shërbesa
hyjnore që prej 1600 vjetësh”.
****
Në Bibliotekën Kombëtare dhe muzetë vjeneze.
Vizitën e parë e bëmë në panairin e librit në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë. Në katin e sipërm të bibliotekës ishin ekspozuar librat më të rëndësishëm. Vizitorët ishin të shumtë. Kati në të cilën ndodhej ekspozita ishte në formë drejtkëndëshe. Në të dy krahët, në muret e ndërtesës që ishte rreth 4-5 lartësi, ishin vendosur librat që kjo Bibliotekë ekspozonte vazhdimisht për vizitorët. Sa libra ndodheshin aty nga botimet shqiptare? Në ekspozenë e asaj dite nuk pamë ndonjë libër nga Shqipëria, me gjithë kureshtjen tonë për të gjetur gjurmë shqiptare dhe në Vjenë.
Vizitën e dytë e bëmë tek muzeu “Albertina” Në hyrje ishte vendosur monumenti që i kushtohej Princit të Austrisë Albert Duka, emrin e të cilit kishte marrë dhe muzeu. Disa nga pavionet më të rëndësishme dhe që na bënë më tepër përshtypje ishte dhe ai i sklupturave që u kushtohej perëndive të antikitetit. Një realizim i përsosur i Perëndisë Apollon dhe të perëndive apo heronjve që muarën statusin e perëndive.
Një vend të rëndësishëm zinte piktura europiane dhe ajo franceze. Pablo Pikaso (1881-1973) përfaqësohej me 11 piktura. Tërhiqnin vëmendjen e vizitorëve pikturat e Klaud Monet (1840-1926), Alfred Sisli (1839- 1899), Henri Lebask (1865- 1937) dhe shumë të tjera që mbushnin pavionet e pikturës e cila përfundonte me ato të autorëve rusë.
Vizitën e tretë e bëmë në pallatin Belvedere. Sa dëgjuam emrin, na u kujtuan vargjet e Naimit:
Lum ti moj Shqiperi thashë,
Armët e tij kur i pashë,
Në Belvedere, në Vjenë,
Sikur pashë Skënderbenë.
Menduam
se do të gjenim armët e Skënderbeut, të cilave u kishte kënduar Naim
Frashëri.
“Akademia
e Vjenës e shekullit XVIII, e artistëve të rrugës”. Ishin pikturat më të mira
që dora njerëzore kishte mundur të krijonte natyrën dhe njeriun, në një realitet sa mistik aq dhe
real. Ngjyrat e ndezura, përmasat e mëdha të tablove, të krijonin përshtypjen e
njeriut real që banonte në stendat e këtij muzeu.
Vizitën e katërt dhe të fundit e bëmë tek Muzeu i Luftës. Ishte ora 11.45. Brenda në ndërtesë, një paradë ushtarake ushtronte lëvizjet e saj për nder të vizitorëve. Ishin ushtarë italianë që kishin veshur kostumet ushtarake të vendeve të BE. Një herë në vit, të gjitha muzeumet e Vjenës vizitoheshin me një biletë, ndaj numri i vizitorëve ishte shumë i madh. Mbase një herë në vit, ushtarët e çdo vendi të BE, vinin aty e perfomonin me të gjitha veshjet e këtyre vendeve.
Do të gjeje aty të gjitha llojet e armëve. Duke filluar me ushtat, ndoshta arma e parë që ka përdorur një ushtri e rregullt e deri tek armatimi i rëndë që u përdor në Luftën e Dytë Botërore. Veshje me prazmore çeliku për kalorësin, shalat e kuajve, boritë, daullet e luftës etj. Do të gjeje aty veshjen e ushtrisë austriake duke filluar nga hershmëria deri në Luftën e dytë Botërore.
Një vend
të veçantë zinin fotografitë e oficerëve dhe komandantëve që kishin udhëhequr
ushtrinë austriake.
Shumë vizitorë kishte tërhequr stenda ku ndodhej Franz Ferdinandi, i cili ishte princ i Bosnjë-Herzegovinës. Vrasja e tij në Sarajevë më 28 qershor 1914, ishte dhe shkaku i Luftës së Parë Botërore.
Në një kënd të muzeumit zinte vend dhe pavioni kushtuar shqiptarëve. Gjetëm aty një copëz Shqipërie që për ne ishte dhe qëllimi kryesor i vizitës që i bëmë Muzeut të Luftës në këto orë të para (deri në orën 1.30), të datës 5 tetor 2014.
Ishte aty kostumi tradicional shqiptar, qeleshja, opingat karakteristike shqiptare, daullja e luftës etj. Një video e realizuar me disa fotografi të shqiptarëve në zona të ndryshme të Shqipërisë, ku shquanin ato të realizuara në Durrës dhe Shkodër, e bënin stendën e Shqipërisë mjaft tërheqëse për vizitorët.
*****
Drejt qytetit Reichenau ku na priste Muçi Fezga
Dita e tretë e vizitës sonë në Austri ishte e veçantë. Do të takoheshim me njërin prej dëshnicarëve më të shquar që i dha emër krahinës sonë, Mustafa Fezga apo Muçi siç e thërrasin këto vitet e fundit. Do të udhëtonim drejt Jugut të Austrisë. Në këtë drejtim, Hana kishte shtëpinë e saj të tretë. Dita e tretë, ndryshe nga dy ditët e tjera, ishte me diell. Pas një udhëtimi rreth një orë në drejtim të jugut, në rrugën kryesore, kthehemi djathtas. Nga larg shquan vargu i maleve, rrëzë të cilit ndodhej shtëpia e Hanës, të cilën e frekueton shpesh gjatë fundjavës. Pasi bëjmë disa kilometra udhëtim, na shfaqet qyteti i parë. Ishte Glognic (Gloggnitz).
Gloggnitz është një qytet malor që ndodhet në pjesën jug-perëndimore të pellgut të Vjenës. Ai është i rrethuar nga malet më të larta në Ultësirën e Austrisë, malin Raks (Rax) 2007m dhe malin Shniberg (Schneeberg) 2076m. Vazhdojmë udhëtimin dhe para nesh shfaqet një rrugë hekurudhore. Kjo,- na tregon Hana,- është vija hekurudhore e Semeringut që mban emrin e inxhinierit të madh shqiptar, Karl Gega, e cila lidhi Vjenën me Triesten 150 vite më parë.
Vazhdojmë
udhëtimin në këtë luginë të bukur ku rrjedhin si kristali ujrat e lumit
Shvarca.
******
Një drekë e paharrueshme
Më pas
shkojmë në mjediset e një restorati tipik për ato anë dhe drekuam së bashku.
Bisedonim me Ata, për të cilët ishte ndërrmarë dhe ky udhëtim i largët.
Për kontributin e tij të shquar si pedagog i Universitetit të Tiranës dhe në veçanti si drejtues i arsimit në rrethin e Përmetit në vitet `70-80 të shekullit të kaluar, Bashkia dhe Këshilli bashkiak i qytetit të Përmetit e nderon me çmimin e lartë “Qytetar Nderi i Përmetit”. Muçi nuk mundi të vinte në Shqipëri për ta marrë këtë titull në Përmet për arsye shëndetësore, ndaj shoqata “Dëshnica” si propozuese e këtij titulli, shfrytëzon ftesën e znj. Hana dhe ditën e tretë të qëndrimit në Austri, ia kushton dhënies së këtij titulli.
Kryetari i shoqatës “Dëshnica” z. Gëzim Voda i jep z. Muçi Fezga medaljen e akorduar nga Këshilli Bashkiak dhe Bashkia e qytetit të Përmetit duke e shoqëruar me falënderime në emër të banorëve të Përmetit, të institucioneve që ia kishin akorduar këtë çmim dhe të vetë shoqatës “Dëshnica”.
Emoconuese ishte fjala dhe falënderimit e z. Muçi. Ishin fjalë mirënjohje për të gjithë përmetarët dhe institucionet qeverisëse që e përfaqësojnë atë. Ishin fjalë që dilnin nga zemra e një njeriu që bëri shumë për përmetarët, qoftë gjatë qëndrimit të tij në Përmet si drejtues i institucionit arsimor, por dhe gjatë kohës që punoi në Ministrinë e Arsimit.
*******
Pranë ujrave të lumit Shvarca
Pasi
mbaruam drekën, të shoqëruar nga z. Muçi, znj. Drita (bashkëshortja e z. Muçi)
dhe Orgesi (djali i tij), bashkë me znj.
Hana, vizitojmë disa objekte me vlera muzeale. Pa kaluar një km nga lokali, në
hapësirën gjelbëruese të pyjeve, ndodheshin disa ndërtesa, të punuara bukur, të
stileve barok. Ishin ndërtesa ku kishin kaluar një pjesë të kohës së tyre disa
nga personalitetet më të rëndësishme të Austrisë. Freskia e stinës së verës në
këto vende, ujrat e kristalta të burimeve poshtë këmbëve të malit Raks, kishte
bërë që, kushdo që kishte mundësinë financiare, të ndërtonte aty një shtëpi të
dytë, për të përtërirë shpirtin dhe mendjen. Aty kishin patur shtëpinë e tyre
dhe fisi perandorak i Habsburgëve. Ndalemi para një pallati madhështor dhe Hana
na tregon: Në shekullin e kaluar, prej një fisi të pasur në Austri, u ndërtua
ky pallat. Pasi e ndërtuan, kërkonin që ta shtronin me monedha floriri.
Vazhdojmë udhëtimin gjersa arrijmë në fund të malit Raks. Shikoje aty grupe të shumtë turistësh që i ngjiteshin lartësisë së malit. Ishte vendosur një teleferik që çonte udhëtarët në zemër të malit. Ne nuk patëm mundësinë të ngjiteshim lart, për arsye të kohës, por ndoqëm nga afër peisazhin e mrekullueshëm. Ndanë rrugës rridhte pak i rrëmbyer lumi Shvarc. Shkuam buzë tij dhe lagëm pak duart me ato ujra të kristalta, më shumë si një përshëndetje me të, se sa t`i pastronim apo t`i pastronim ato.
******
Kthimi.
Vazhduam rrugën për t`u kthyer në Vjenë, por pa mbrritur atje, kthehemi në qytetin Brunn am Gebirge, ku pimë një kafe me Hanën, Muçin, bashkëshorten e tij dhe djalin, në një lokal, të cilin e administronte vajza e tij, Nereida. Ay u ndamë me njëri-tjetrin si dëshicarë që duhen e respektohen përzemërsisht.
Në rrugëtim e sipër ndalëm pak më tej, po në Brunn am Gebirge, ku zonja Hana na tregoi një nga qendrat më të rëndëshime të arkitekturës vjeneze, një pallat madhështor, i ndërtuar si kopje e Pallatit të Versajës që ndodhet në Francë. Nuk zbritëm nga makina e ta soditnim nga afër, pasi nuk mundëm të parkonim makinën, por e shijuam bukurinë e tij përmes xhamave të makinës. Zbriti vetëm Luani, i cili i bëri disa foto për t`i patur në albumin tonë si kujtime të shtrenjta nga Vjena. Vizitën e përfunduam në mbrëmje, në një nga kodrat e larta të qytetit të Vjenës, nga ku qyteti madhështor shihej si në pëllëmbë të dorës me një vezullim magjik dritash. Në këtë kodër ishte një kishë që quhej Kisha Polake. Ishte e shekullit XVI. Në këto kohë, ushtria perandorake osmane ishte ndalur para portave të Vjenës duke e rrethuar atë në vitin 1529. Një shekull e gjysmë më vonë, në vitin 1683, historia ka rregjistruar një nga betejat më të ashpra austriake që njihet si: Beteja e Vjenës. Nga ajo kodër, ku qyteti dukej si në pëllëmbë të dorës, Johanes Paul II, ishte futur në Vjenë dhe kishte sulmuar ushtrinë osmane, e cila nuk e priste një sulm të tillë dhe, si përfundim, kishte pësuar disfatë.
******
Drejt Tiranës.
Në orën
7:45, të datës 6 tetor 2014, u ndodhëm në aeroportin e Vjenës për t’u kthyer në
Tiranë. Na përcolli znj. Hana me makinën e saj. Ishte një ndarje prekëse. Hana
ishte gjithashtu e emocionuar. Brenda këtyre pak ditëve, i kishim përcjellë
njëri-tjetrit shumë mesazhe e emocione. Kishim folur me njëri-tjetrin ashtu si
mendonim e gjykonim për ngjarje e personalitete të vendit tonë në këta dy
shekujt e fundit. Më bënin përshtypje informacionet e pasura me të cilat Hana
shoqëronte pikëpamjet e saj mbi politikën e shoqërinë shqiptare. Vlerësimet e
Hanës buronin nga dëshmi e fakte të shumta, shumë prej të cilave ishin pjesë e
jetës së saj.
Avioni e
la aerodromin e Vjenës dhe po drejtohej drejt Jugut. Nga dritaret e avionit
dukeshin hapësirat e gjera të ultësirës vjeneze. Diku, poshtë nesh, mbase në të
djathtën tonë, ndodhej Badeni. Aty ndodhej një tjetër dëshnicar i mirë me të
cilin ishim takuar një ditë më parë. Aty jetonte bashkë me familjen e vet, Muçi
Fezga, autori i një romani të sukseshëm dhe i dhjetra tregimeve e novelave.
Mbase, në ato çaste, Muçi kishte nisur të shkruante.