Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Cilën Shqipëri po vizitoni i nderuar Papë?
E premte, 19.09.2014, 07:29 PM
Cilën Shqipëri po vizitoni i nderuar Papë?
Nga Reshat Kripa
Në shtypin e përditshëm lexoj fjalën e Papa Françeskut në lidhje me vizitën në Shqipëri. Në këtë fjalë ai theksoi:
“Të dielën e ardhshme, me ndihmën e zotit, do të vizitoj Shqipërinë. Vendosa të vizitoj këtë vend sepse ka vuajtur shumë për shkak të një regjimi ateist të tmerrshëm, ndërsa tani po realizon një bashkëjetesë paqësore midis komponentëve fetarë të ndryshëm. Deri atëherë përshëndes me dashuri popullin shqiptar dhe e falënderoj për përgatitjet e kësaj vizite. U bëj thirrje të gjithëve të më shoqërojnë në lutje, për ndërmjetësimin e Zojës së Këshillit të Mirë. Faleminderit”.
Cilën Shqipëri po vizitoni, i nderuar Papë? Po, i lartmadhërishmi Papë, ju po vizitoni Shqipërinë që ka vuajtur tmerrësisht nga një regjim totalitar i papërshkrueshëm, nga një regjim që masakroi në mënyrën më të egër bashkëqytetarët e tij, një regjim që shembi çdo lloj besimi në Zotin dhe profetët e tij, një regjim që, më së fundi, në sajë të rezistencës gati gjysmë shekullore dhe lëvizjes popullore të fundit të viteve 90-të, u shemb dhe i hapi rrugën vendosjes së rendit demokratik në vend.
Ju do të vini në vendin tonë, i nderuar Papë! Do të vini, por unë, një nga ata që e kanë pësuar, si shumë të tjerë, nga ai regjim, nuk do të jem në pritjen tuaj. Nuk do të jem jo se nuk ju dua apo se nuk ju respektoj. Ju jeni figura më e ndritur e botës demokratike. Do të ishte nderi im të isha i pranishëm në ardhjen tuaj. Por nuk dua të rreshtohem përkrah hipokrizisë së shtetit shqiptar që kërkon të përdorë figurën tuaj në favor të klikës së tij.
Përgatitjet
për ardhjen tuaj janë të jashtëzakonshme. Bulevardi kryesor i kryeqytetit është
mbushur me fotografitë e martirëve të katolicizmit shqiptar.
Nuk jam i parimit që bijtë duhet të paguajnë gjynahet e etërve të tyre. Por, për fat të keq, asnjë prej këtyre bijve nuk ka patur guximin të pranojë gjynahet që kanë kryer prindërit e tyre. Asnjë prej tyre nuk ka patur guximin të pranojë krimet e kryera nga regjimi komunist mbi popullin shqiptar. Ende sot vazhdojnë të shfaqen nën hundët e tyre, nëpër qytetet tona, portretet e diktatorit më të egër të popullit tonë, kriminelit Enver Hoxha, dhe personalitetet e larta të vendit, të pranishme në këto ceremoni, heshtin. Ju kujtojmë këtu kremtimet me rastin e përvjetorit të Konferencës së Pezës dhe të ashtuquajturit përvjetor të “çlirimit” të Gjirokastrës. Si këto ka patur edhe shumë raste të tjera në të kaluarën.
Këtro rrjeshta po jua shkruan një individ që e ka hequr mbi shpinën e tij shtypjen e sistemit totalitar komunist. U ngrita që në moshë fare të njomë kundër këtij sistemi dhe diktatura më burgosi dhe më mohoi të gjithë të drejtat që i takojnë një individi. Por po shoh se sot atdheun tim e sundojnë bijtë e atyre që më syrgjynosën dhe më mohuan edhe të drejtën e të jetuarit. Ndaj, i nderuar Papë, nuk do të jem në ceremoninë e pritjes tuaj, pasi nuk dua të bëhem bashkëpuntor me hipokrizinë e organizatorëve të kësaj pritje.
Ndoshta kjo mund të komentohet si një mendim i një ekstremisti. Por unë do të doja
t’ju thoja se ky nuk është vetëm mendimi im, por i shumicës së popullit shqiptar, të asaj shumice që i ka hequr mbi shpinën e saj tmerret e sistemit totalitar. Nuk e di nëse ky mesazh do t’ju mbërrijë, pasi edhe po t’jua dërgoj me anën e shërbimit postar nuk besoj se do t’ju arrijë ndër duar, por dua të theksoj se do të vijë dita që sharlatanët e politikës shqiptare do të përmbysen dhe vendin e tyre do ta zenë shqiptarët e vërtetë, ata që mendojnë me të vërtetë për një Shqipëri demokratike.
Qofsh i nderuar, i madhi Papë! Ju uroj udhëtim të mbarë në vendin tonë të shqiponjave. Mirserdhët dhe thirrja juaj për këtë vend të përvuajtur të bjerë në veshin e shqiptarëve të vërtetë.