E premte, 02.05.2025, 12:54 AM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: Guvernatorin nuk e shkarkoje dot...

E hene, 08.09.2014, 07:43 PM


GUVERNATORIN NUK E SHKARKOJE DOT, ZOTI KRYEMINISTËR, POR ERION VELIAJN, SIGURISHT!

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Nuk kishte ngelur as mace dhe as qen pa shkuar në dasmën e Erion Veliajt. Që do të thotë, kishin shkuar të gjithë, përveç opozitës. Sa pështirë që ishte. Kur i shikoje politikanët e Tiranës, botuesit, e me rradhë të cilët krenoheshin përpara kamerave se ia kishin kaluar mirë tek dasma e Erion Veliajt.

Nuk kishte ngelur as mace dhe as qen pa shkuar në dasmën e Erion Veliajt. Por nuk kishte shkuar as kryeministri, megjithëse kishte dërguar djalin e madh, ndërsa ai kishte preferuar të rrinte me të voglin.

Nuk ka gjë më të bukur se të kalosh kohën me fëmijët e tu dhe gjë më të pështirë se të ishe në dasmën e Erion Veliajt. E cila në vetvete nuk përbën asnjë lloj lajmi.

Punë e madhe fort se është martuar Erion Veliaj. Kush është ky Erion Veliaj? Shkrimtar i madh, shkencëtar, një lloj Bill Gates i rilindur, Mark Zuckerberg apo Steve Jobs; sportist që ka thyer rekorde dhe i ka sjellë vendit medalje të arta; artist që ka interpretuar magjikshëm, një i ri që ka dhënë kontribute për vendin e vet, një shqiptar i ndershëm që ka sakrifikuar pasurinë e vet në të mirë të shoqërisë shqiptare, për të zbutur plagët e varfërisë dhe shtresave vulnerabile dhe në nevojë. Jo, nuk është asnjëri nga ato që përmenda më sipër. Nuk është askushi Erion Veliaj.

Qenka ministër? Punë e madhe fort. Në Shqipëri mjafton ta kesh mirë me kryetarin e partisë dhe bëhesh ministër. Mjafton që të jesh kotna si koti dhe je ministër. Je çfarë të duash. Por me kusht që të jesh kotna si koti.

Le të na e tregojë Erion Veliaj CV-në e tij. Ku ka punuar deri tani që i ka lejuar vetes një dasëm të tillë? Në cilat firma? Sepse ai një kohë e ka kaluar me studime. Ne si publik dimë se ai është marrë vetëm me shoqërinë civile. Po shoqatat e shoqërisë civile janë joqeveritare dhe jo profitabël. Ku i bëri paret Erion Veliaj për një dasëm të tillë?

Ai ka vetëm një vit që është ministër i mbështetjes sociale. Me një rrogë të mirë, por që nuk i lejon një lluks të tillë, me thërrit në dasëm me qen e me mace. Në një dasëm që festohet në të njëjtën ditë me arrestimin e Fullanit! Fullani të paktën e ka patur rrogën 10 herë më të madhe se të Erion Veliajt, dhe ka një karrierë pune gati 40 vjeçare.

Me çfarë logjike e justifikon këtë harbim grotesk Erion Veliaj, kur qeveritë shqiptare deri më tani janë akuzuar për korrupsion dhe Edi Rama ka premtuar se do të bëjë një qeveri ndryshe. Por dasma e Erion Veliajt dëshmon se historia vazhdon.

Sepse një harbim i tillë ishte i denjë vetëm për një kronikë në faqet e kronikës rozë. Kaq dhe asgjë më tepër. U martua ai dhe ajo. Sepse të jesh Ministër i mirëqenies kur mirëqënie kanë vetëm ministrat, do të thotë të jesh zero. Sepse nuk është VIP Erion Veliaj. Very Important Person. Nuk është aspak i rëndësishëm, sepse nuk ka bërë asgjë që të ketë rëndësi, veç këtë dasmëm të çmendur, të denjë për republikat e bananeve, të denjë për njerëz të rëndomtë.

Mund të bënte një dasëm normale dhe të denjë Erion Veliaj, që të mos i kishte ftuar qentë dhe macet, sepse nuk i ka miq ata që ka ftuar. Pasi në dasëm njeriu fton njerëzit më të afërt, miqtë më të afërt pasi është diçka shumë personale, jo Pazar i Gabit.

Edhe duke iu referuar realitetit. Të ardhurat që merr Erion Veliajt nuk ia lejojnë atë harbim. Por edhe sikur të ishte i pasur, harbimi i tij nuk përbën lajm për opinionin publik.

Përbën lajm vetëm në sens tjetër, që populli t’i kërkojë llogari se ku i ka gjetur të hollat për të bërë shpenzime të tilla, i xhiruar live, si të ishte dasma e trashëgimtarit të Anglisë apo atij të Monte Karlos, si të ishte dasma e princit William, apo e Albertit II Grimaldi të Monakosë, të dy trashëgimtarë froni me pasuri të trashëguar nga familja mbretërore dhe Principata e Monakosë. Po Erion Veliaj nuk është trashëgimtar froni. Nëna e tij merr si pension 100 Euro. Dhe pensioni i së jëmës duhet ta bënte Erion Valiajn të ecte me këmbë në tokë dhe t'i vinte gishtin kokës!

Po dasma e Veliajt përbën lajm, për t’i hapur sytë edhe kryeministrit të Shqipërisë. Sepse për Guvernatorin Fullani, Edi Rama nuk kishte kompetenca, por për Erion Veliajn i ka, dhe i ka të plota.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx