Editorial
Ilir Çumani: Viktima të pedofilisë politike
E merkure, 20.08.2014, 08:41 PM
VIKTIMA TË
PEDOFILISË POLITIKE
Nga Ilir ÇUMANI*
Nuk po ndalem për të shpjeguar në termat shkencor dhe profesional se ç’është pedofilia dhe si klasifikohet ajo nga Organizata Botërore e Shëndetit. Tashmë, pedofilia është e listuar në sëmundjen e sjelljeve seksuale, pasi siç dihet, është një patologji psikiatrike që bën pjesë tek parafilitë dhe nuk përjashton asnjë moshë apo grupmoshe, asnjë individ apo grup individësh shoqëror, kategori sociale, fetare ose politike. Kjo patologji psikiatrike ka të bëjë me shqetësime që sjellin tërheqje për anomali të objekteve të animuara që në rastin konkret janë edhe fëmijët. Individët që e manifestojnë këtë sjellje nuk konsiderohen si njerëz me ç’rregullime mendore, ngase natyra e tyre nuk ka lidhje me genet, as me kromozonet dhe hormonet. Ndaj për këtë arsye, individët që manifestojnë sjellje të pedofilisë, janë dhe duhet të jenë objekt i ndëshkimeve penale.
Ngjarja e ndodhur ditët e fundit në qytetin e Sarandës mbi skandalin e një videoje në fokus të së cilës ka qenë tentativa e abuzimit seksual mbi një të mitur jetime 14 vjeçare, të pambrojtur dhe të pafajshme nga një manjak pedofil 63 vjeçar, veç përmasave tronditëse e rrënqethëse që u përcollën në mënyrë profesionale përmes mediave vizive dhe shtypit të shkruar, u shoqërua edhe përmes një fjalori patetik nga foltoret e zëdhënësve politik (që në fakt është një debat pa vend), i shndërruar si zakonisht si një debat i nxehtë përtej mungesës totale të etikës, komunikimit dhe dialogut konstruktiv, në një betejë të shfrenuar akuzash dhe kundërakuzash mes pozitës dhe opozitës.
Nga ana tjetër, e përfshirë si palë e tretë në këtë debat publik, është edhe reagimi qytetar përmes rrjetit social “Facebook” e “Tëitter”, nga i cili nuk mund të mos binte në sy revolta e një zemërimi legjitim mbarëpopullor që përcjellin ngjarje të tilla të shëmtuara, të cilat duhet të na ndërgjegjësojnë për një sensibilizim dhe reflektim kolektiv, me synimin për t’i bërë ballë kësaj të keqe të madhe, përpara se ajo të marrë përmasa të frikshme dhe kërcënuese për mbarë shoqërinë.
Zhurma dhe përpjekja për të politizuar sjellje të tilla perverse, mendoj se largon nga vëmendja e të gjitha institucioneve, medias dhe aktorëve të shoqërisë thelbin dhe rëndësinë e problemit, që ka të bëjë me shkaqet e vërteta që i sjellin aq pranë nesh këto ngjarje vanitoze, sa çdokush nga ne është i rrezikuar për të qenë viktimë në ditën e nesërme nëse sot nuk analizojmë seriozisht dhe të kërkojmë burimin e këtyre pasojave.
Në fakt, ngjarje të tilla, pikësëpari kërkojnë një analizë serioze dhe të thellë nga ekspertë të sociologjisë dhe psikologjisë, specialistë e profesionistë multidisiplinarë të fushave të ndryshme në veçanti, pse jo dhe nga politologë e akademikë, për të kërkuar dhe gjetur shkaqet e vërteta të këtij fenomeni që për fat të keq sot, nuk është një rast i izoluar, por një dukuri permanente e dukshme dhe e padukshme, shumë serioze dhe kërcënuese në kontekstin shqiptar, e shtrirë në formë kapilare, që cënon rëndë mjedisin tonë shoqëror dhe që në fakt, lëkund në mënyrë të frikshme ekuilibrat psiko - social në mjedisin ku jetojmë.
Por le të kthehemi tek ngjarja që ka tronditur kohët e fundit mbarë opinionin publik.
Jemi përballë një
rasti flagrant ku një zyrtar, zëdhënës i një deputeti, (nën petkun e pushtetit që zotëron), në këmbim të një vendi pune për një nënë
fatkeqe që rrit e vetme 4 fëmijë jetimë, e sorollat dhe e mundon
gruan e gjorë që prej 7 muajsh dhe i kërkon kësaj të fundit favore për të kryer marëdhënie seksuale. Skandali
thellohet edhe më tej. Ky zyrtar, insiston
të vërë në dorë edhe të bijën e kësaj hallexheshë, që është një e mitur jetime, vetëm 14 vjeçe.
E gjitha kjo histori tashmë është e
dokumentuar në një kasetë videoregjistrimi prej 7 minutash ku
Mirëpo ç’ndodh!? E gjithë kjo ngjarje u përpi si magnet dhe është përfshirë në megalaboratorin e propagandës zhurmuese të politikës konfliktuale të ditës, duke e instrumentalizuar dhe manipuluar në mënyrën të shëmtuar jo për sensibilitetin e lartë dhe rëndësinë që ka në vetvete, por vetëm e vetëm për interesa meskine dhe të ngushta politike. Nisur nga fakti se manjaku pedofil 63 vjeçar qëlloi dhe u zbulua nga zyra e një deputeti socialist, (personalisht, për hir të së vërtetës, nuk kam ndonjë konsiderate për deputetin në fjalë), duhej me çdo kusht që për këtë arsye, ky krim të mos i faturohet i gjithi autorit që e ka kryer, por forcës politike të cilës i shërben ky pervers. Pra, kjo do të thotë se duhet të demaskohet dhe të kryqëzohet pushteti që nuk drejtohet sot nga opozita.
Të politizosh ngjarje dhe çështje të tilla kaq vulgare, kaq ordinere dhe kriminale siç është edhe ngjarja e fundit e pedofilsë në Sarandë, që në fund të fundit ka përgjegjës, një dhe vetëm një individ me emër, me zë dhe me figurë, të parë dhe dëgjuar botërisht nga të gjithë, më duket përveçse një papërgjegjshmëri dhe infantilitet politik, nga ana tjetër edhe një pedofili politike, ndoshta dhe më shumë se kaq.
Kudo në botë, perversët, manjakët, pedofilët, e ku ta di unë se ç’farë, janë individë të ndryshëm nga shumica normale e shoqërisë njerëzore. Në dukje, ata janë njerëz normal me sjellje normale, dhe pikërisht këtu qëndron vështirësia për t’i indetifikuar, distancuar dhe izoluar ata. Njerëz të tillë, nuk përfaqësojnë asgjë veç vetvetes, nuk kanë dallim partiak, nuk kanë as dallim besimi, kulture dhe formimi e prejardhjeje shoqërore, sepse ata i gjen kudo, në jetën komunitare, në familje, në çdo parti, në çdo shoqatë, në kumunitete fetare, në çdo institucion publik dhe jo publik, në çdo administratë, deri në hierarkitë më të larta të shtetit dhe pushtetit, kudo në mbarë botën.
Është e njohur dhe tepër tronditëse deklarata e Papa Françeskut në një intervistë dhënë “La Republica”, në të cilën pohon se: “Ashtu si Jezui, unë do të përdor një shkop kundër priftërijnve pedofilë”, duke patur parasysh 8.000 priftërinjë katolikë të përfshirë në aktet e pedofilisë, ose 2 % të të gjithë priftërinjve nga 414.000 priftërinjë katolikë që ndodhen në të gjithë globin. Në mesin e 8 mijë priftërinjve pedofilë që ka cituar Papa, përfshihen priftërinj, peshkopë dhe kardinalë. Sipas Papës, abuzimi me fëmijët është kthyer në një “lebër” që po infekton Kishën, duke u zotuar të përballet me ashpërsinë që meriton rasti në fjalë.
Po ti referohemi një rasti të ngjashëm si kjo e ditëve të fundit, e ndodhur në vitin 2006 me shtetasin e huaj anglez David Broën, i cili ushtronte veprimtarinë e tij “bamirëse” në qendrën “Fëmijët e tij” në Tiranë, ku rriteshin dhe trajtoheshin afro 15 fëmijë jetimë, do të kuptojmë se përmasat e abuzimit seksual me këta fëmijë nga ky pedofil ishin shumë herë edhe më të mëdha, nga ngjarja e ndodhur në Sarandë, e rrjedhimisht, pasojat ishin edhe më të rënda për këta fëmijë, pasi nuk ishim përballë një tentative abuzimi dhe shfrytëzimi seksual, por ishim përballë një fakti dhe krimi të kryer nga ky pedofil me të miturit jetimë. Të gjithë fëmijët ishin të abuzuar.
Sigurisht, ngjarja pati një sensibilitet dhe jehonë të lartë në shtypin e shkruar dhe në median vizive. Nuk mungoi edhe reagimi i shoqërisë civile me protesta të shumta për të ndërgjegjësuar institucionet dhe drejtësinë. Rezultati ishte frytdhënës. Gjykata foli qartë dhe pa asnjë ekuivok. Pedofili David Broën u gjykua dhe u dënua me 20 vjet heqje lire nga drejtësia shqiptare.
Në atë kohë, të vetmit që u treguan indiferentë, të painteresuar, aspak të ndjeshëm për këtë çështje që përbënte megaskandalin më të madh të abuzimit seksual me të miturit e pambrojtur jetimë në vendin tonë, ishte politika. Pikërisht ajo politikë që sot po na shurdhon dhe po na çorrodit në këto ditë të nxehta të verës me fjalimet patetike, akuzave dhe kundërakuza përmes foltoreve dhe ekraneve televizive duke e larguar gjithmonë edhe më shumë vëmendjen e opinionit publik nga thelbi dhe rëndësia që ka ngjarja.
Në rastin pedofilit anglez David Broën, politikës së sotme dhe asaj të djeshme nuk i interesonte ky skandal, ngase skandali i orgjisë nuk doli nga zyrat e ndonjë force kundërshtare politike edhe pse përmasat e dramës njerëzore që shkaktoi kjo ngjarje ishin aq të mëdha, sa që edhe sot e kësaj dite kanë lënë pasoja të parikuperushme tek ata ish – fëmijë jetimë, viktima të pedofilisë dhe të mungesës së vëmendjes nga strukturat shtetërore përgjegjëse. Pra nuk pati asnjë konflikt politik. Mos duhet vallë që pedofilët të jenë të huaj dhe jo nga radhët e partive politike që të mos kemi sherre mes partive..!? Ja sa poshtë ka rënë e tërë klasa jonë politike.
Këtu qëndron hipokrizia dhe demagogjia, një e keqe e madhe e politikës sonë. Ajo për interesa të ngushta të pushtetit, përveçse tallet dhe luan në mënyrë vrastare me dramën e njerëzve në nevojë që ajo vetë i ka viktimizuar, shpesh herë tregohet e ftohtë dhe arrogante, cinike, e pamoralshme dhe antihumane.
Të rrezikuar gjithmonë kanë qënë, janë dhe do të jenë fëmijët jetimë, siç kemi edhe rastin në hetim të pedofilit 53 vjeçar i dentifikuar me inicialet M.L, kryetar i një “pseudoshoqate” fantazmë për jetimët, duke rrezikuar dhe viktimizuar një adoleshent jetim, i cili në këmbim të një ndihme për shkollim e tij, i kërkonte favore seksuale.
Skandali i pedofilisë në qytetin e Sarandës tashmë ështe kthyer në një “mollë” sherri politik, si një ogur i keq për viktimën e radhës… Kjo ka gjasa të ndodh sërish, për sa kohë do të kemi një politikë konfliktuale që për interesa të ngushta të saj nuk mendon se si të përmirësoj jetën e qytetarëve të vet, se si të rrisë kapacitetet dhe masat mbrojtëse e mbështetëse për familjet e rriskut, se si të hartoj dhe programoj mbështetjen sociale për fuqizimin e familjeve që kërkojnë mbrojtjen dhe mbështetjen nga shteti për të mos rënë në kurthin e radhës së manjakëve perverse, me ose pa pushtet…Nëse do të vazhdohet kështu, atëherë fëmijët nuk do të jenë thjeshtë gjahu i pedofilëve ordinerë, por viktima të antikapatëve pedofilë politikë.
*Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë.