Shtesë » Lajme
Komuna e Vushtrrisë shënoi sot Ditën e Çlirimit
E marte, 17.06.2008, 12:32 PM
Vushtrri, qershor 2008- Sot janë bërë nëntë vjet që kur forcat paramilitare serbe janë dëbuar nga Vushtrria dhe Kosova. Pikërisht më 17 Qershor 1999 Forcat paqeruajtëse të NATO-s në kuadër të të cilave bënin pjesë edhe forcat e KFOR-it francez së bashku edhe me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) hynë në Komunën e Vushtrrisë, duke i dëbuar njëherë e përgjithmonë forcat çetnike serbe nga Vushtrria. Në tubimin e sotëm të organizuar nga KK-Vushtrri, mbajtur në Shtëpinë e Kulturës ” Hasan Prishtina” në Vushtrri, ishin mbledhur përfaqësues të Komunës, qytetarë të Vushtrrisë, pjestarë të TMK-së, SHPK-së, Bashkësisë Islame të Kosovës, përfaqësues lokal të partive politike, shoqatat e dala nga lufta, si dhe shumë familje të dëshmorëve dhe të rënve të tjerë në luftën e fundit në Kosovë. Në fjalën e rastit Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku, ka potencuar se Serbia kishte shkaktuar dëme të mëdha në Vushtrri, mirëpo sot pas nëntë vitesh Komuna e Vushtrrisë ka shënuar rezultate të kënaqshme në çdo aspekt. Po ashtu sot Komuna e Vushtrrisë ka ndarë edhe disa mirënjohje për personalitete të ndryshme që kanë arritur suksese në lëmi të ndryshme.
Hajdin ISLAMI, VushtrriaPRESS