E enjte, 18.04.2024, 01:53 PM (GMT+1)

Mendime

Alma Lama: Ndërtimi i kulturës demokratike

E hene, 24.02.2014, 08:50 PM


Ndërtimi i kulturës demokratike

Nga Alma Lama

Shoqëria në Kosovë i ka dy mundësi, ose të luftojë të keqen brenda saj, krimin dhe korrupsionin, ose të mbetet në margjinat e vendeve demokratike, ku dështimi dhe mosfunksionimi dominojnë.

Pjesëtarët e shoqërisë, zakonisht qytetarët e thjeshtë tentojnë të largojnë fajin prej vetes, ta gjuajnë atë te politikanët, pasi ata i shohin si bartësit e krimit dhe korrupsionit, ose së paku të lidhur me të. Deri diku kanë të drejtë, por ka edhe një anë tjetër të medaljes. Politikanët, prokurorët, gjykatësit të gjithë zyrtarët janë pjesë e kësaj shoqërie. Prandaj kërkohet një qasje gjithëpërfshirëse për të dalë nga ky sistem i korruptuar.

E qasja gjithëpërfshirëse fillon së pari tek zgjedhjet. Tek ata që vendosim t’i zgjedhim si përfaqësuesit legjitimë në Kuvend dhe qeveri. Zgjedhjet e kaluara parlamentare dëshmuan një vetëdije jo fort lartë. U fol për shitblerje votash që është shitblerje vullneti apo ndërgjegje. Me qindra komisionarë u bënë përzgjedhësit e emrave që do të përfaqësonin popullin. Informacionet nga terreni, të dhënat e vëzhguesve flasin për komisionarë që pasi ndanin votat brenda partive, i vidhnin votat e kandidatëve brenda partive, dhe nxirrnin fitues atë që i kishte paguar më shumë.

Këto akrobaci kanë ndodhur në secilin subjekt politik, diku më shumë e diku më pak. Si rezultat sot kemi disa deputetë analfabetë e pa shkolla të mesme, apo me hipoteka kriminale, të cilët e konsideronin parlamentin si strehimore për krimet e tyre.

Pra në vend që të ketë një rivalitet normal mes partive politike, sot kushdo që kandidon duhet të marrë parasysh faktin se lufta brenda llojit, e kësaj natyre mund të jetë e paskrupullt.

Sipas studiuesve aftësia funksionale e një demokracie të qëndrueshme të shtetit të së drejtës bazohet mbi ekzistencën dhe mbi mbështetjen reciproke të pesë regjimeve të pjesshme. I pari është regjimi i zgjedhjeve të përgjithshme të lira e të barabarta; i dyti i të drejtës politike për të marrë pjesë; regjimi i tretë është ai i të drejtave dhe lirive qytetare; i katërti është ai i sigurimit institucional të kontrollit të pushteteve dhe regjimi i pestë është sigurimi de juro dhe de facto i pushtetit efektiv të përfaqësuesve të zgjedhur. Mosfunksionimi qoftë edhe vetëm i njërit prej këtyre regjimeve çon në mosfunksionimin e gjithë sistemit.

Kosova sipas mendimit tim, në zgjedhjet e kaluara parlamentare ka dështuar në regjimin e parë, atë të zgjedhjeve të lira dhe të barabarta, në regjimin e katërt dhe të pestë. Pra kemi një mosfunksionim të plotë të sistemit.

Kauza demokratike u tradhtua nga një numër shumë i madh njerëzish, përfshirë ata që fituan mandatet pa merita.

Çështja është se çfarë duhet të bëjmë që të në zgjedhjet e ardhshme, të gjitha hallkat e zinxhirit të funksionojnë dhe sistemi të mos pësojë kolaps si tani.

Kam dëgjuar prej muajsh zhurmën e madhe që bëhet për ndryshimin e ligjit zgjedhor. Me gjithë konsideratat për angazhimin e disave, me sa po shoh deri tani arritja më e madhe e tyre është një vrimë në ujë.

Nuk është ndryshuar asgjë, por çfarë është më e keqja nuk kam parë asnjë përpjekje për të adresuar problemin numër një, manipulimin e komisionarëve. Duke pasur parasysh edhe impotencën e organeve të drejtësisë që për të ndëshkuar manipuluesit e zgjedhjeve të kaluara, si dhe metodat aspak demokratike të partive për të emëruar persona jo fort ndërgjegjshëm, problemi mund të adresohet në mënyrën e numërimit të votave.

Personalisht mendoj se votat duhet të numërohen në vendnumërime, të cilat mund të jenë qendra komunale, në sy të një numri më të madh të vëzhguesve sesa ta zëmë në zonat e fshatrave të thella ku komisionarët bashkëfshatarë merren vesh me njëri-tjetrin për të ndarë votat sipas qejfit.

Së dyti ky numërim duhet të bëhet në sy të kamerave ose më saktë të vendoset sistemi i skanimit të çdo vote. Një eksperiencë të ngjashme e ka Shqipëria dhe kjo ka rritur jashtëzakonisht shumë transparencën e votave.

Së treti duhet të thuhet në mënyrë deçisive se komisionarët nuk mund të numërojnë votat e partive të tyre, por secila votë duhet të numërohet nga të gjithë dhe kjo në sy të vëzhguesve edhe të shoqërisë civile, përveç vëzhguesve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Këto janë disa propozime praktike, përtej fjalëve të mëdha të përditshme. Po kështu shpresa se ambasadat e shteteve të huaja në Prishtinë do ta shpëtojnë votën, janë të pakuptimta. Asnjë vend tjetër nuk mund të na e ndërtojë shtetin demokratik dhe kulturën demokratike, me gjithë investimet e jashtëzakonshme që kanë bërë në Kosovë.

Në fillim të shkrimit fola për përgjegjësinë e secilit, që prej atij personit që punon diku në ara, e deri tek ai politikani i lartë që ngre dorën në parlament. Askush nuk mund t’i ikë këtij obligimi sepse rruga drejt demokracisë dhe mundësisë që ajo të mbijetojë, edhe pasi është instaluar varet edhe nga përmasat kulturore e strukturore të shoqërisë.

Krijimi i kësaj kulture kërkon vëmendjen dhe angazhimin e të gjithëve. Një demokraci p.sh., nuk mund të kuptohet dhe të funksionojë pa opinionin publik. Në rast se ky i fundit është i mefshtë, apatik, i padëgjueshëm, siç është rëndom në Kosovë edhe pse me qindra skandale publikohen, gjasat për ngritjen e një shteti autokratik në vend të atij demokratik janë shumë të mëdha.

Janë vlerat e popullsisë ato që duhet të investohen politikisht, në mënyrë që të përftohet rezultati i kërkuar, shteti demokratik, ku të zgjedhurit përfaqësojnë interesat e zgjedhësve, dhe ku preferencat e këtyre të fundit nuk ndryshohen brenda kutive të votimit, siç ndodhi në zgjedhjet e vitit 2010.

Prandaj këtë herë është koha që çdo qytetar të ndjejë përgjegjësi maksimale për votën e tij, të heqë dorë nga mentaliteti farefisnor e klanor i të votuarit por të zgjedhin njerëzit e rinj e të pastër; çdo parti të heqë dorë nga deformimi i vullnetit të qytetarëve dhe çdo institucion përgjegjës të marrë përsipër plotësisht garantimin e zgjedhjeve të lira e të barabarta, të cilat janë në prag.

(Autorja është deputete e LDK-së. Qëndrimet janë personale)



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora