E enjte, 28.03.2024, 02:12 PM (GMT)

Mendime

Arbana Xharra: RTK si kooperativë e Thaçit

E hene, 24.02.2014, 06:48 PM


RTK si kooperativë e Thaçit

Nga Arbana Xharra

Ndikimi politik, më konkretisht ndikimi i PDK-së së Hashim Thaçit në Radio-Televizionin (publik) të Kosovës (RTK) nuk përbën më lajm, nuk është fare risi. Mjafton t’i hedhësh një sy edicionit të lajmeve, renditjes së kronikave, mënyrës se si RTK fsheh e maskon skandalet apo si i kamuflon në mënyrë qesharake aferat korruptive. Me redaktorë që sillen si asistentë të bodrumeve të PDK-së RTK, një televizion që jeton e vegjeton me paratë tona, është shndërruar në megafon të propagandës qeveritare.

Mund të merret me mend se si dridhen e bien në siklet drejtorë e zëvendësdrejtorë, redaktorë e gazetarë qeveritarë në RTK kur dikush nga pushteti ka ndonjë “kërkesë modeste”. Kërkesat e shefave politikë duhet të plotësohet, nuk ka rëndësi që parimet dhe etika profesionale shkelen. Fundja RTK-ja është vetëm sinonim i degradimit të gazetarisë. Servilizmi, nënshtrimi, keqpërdorimi i frekuencave për të bërë propagandë të ulët janë bërë tashmë shenjë dalluese e RTK-së. Ndodh që jo gazetarët, por politikanët (e pushtetit) të vendosin se kur duan të dalin në televizion. Ndodh që politikanëve të caktuar gazetarët e RTK-së së pari ua urojnë ditëlindjen, pastaj bëjnë me ta diçka si intervista në gjunjë. Besoj jo pak kosovarë e kanë parë së fundi një skenë bizare: një gazetar i RTK-së e pyeti një politikan: “Cila ka qenë befasia e ditës?” Politikani të cilit i drejtohej pyetja po hetohet për korrupsion.

Ndonëse ndikimi i tmerrshëm i PDK-së në RTK është evident, “drejtorët” dhe “redaktorët” e këtij mediumi vazhdojnë të mbajnë ders se gjoja janë të pavarur. Po, janë aq të pavarur sa ndonjë televizion i Vladimir Putinit. Makineria në shërbim të pushtetit në këtë televizion publik punon prej vitesh dhe pandërprerë – dhe gjithsesi në dëm të opinionit publik, i cili ka të drejtë të jetë i informuar në mënyrë objektive. Me RTK-në është i keqinformuar dhe i dezinformuar. Në këtë sistem të manipulimit kanë mbetur të izoluar gazetarët e mirëfilltë të RTK-së: ata merren me tema sporadike. Tash vendimet i marrin sahanlëpirësit gazetareskë dhe “menaxherët” e keqpërdorimeve.

Disa prej tyre punojnë për agjenda të dyfishta, të shefave të tyre dhe të shefave të shefave. Për vite të tëra, një grup gazetarësh, tash në pozita udhëheqëse të këtij televizioni, janë avancuar jo vetëm në pozita brenda televizionit, por edhe me standard jetësor. Madje në mënyrë marramendëse. Prej çunave të pasigurt në profesion dhe që mezi paguanin një makiato janë bërë “biznesmenë të gazetarisë”, me shtëpi të shtrenjta, vetura të shtrenjta, pushime të shtrenjta, por edhe krime të shtrenjta! Natyrisht çmimin e paguajnë qytetarët e Kosovës. Luksi i disa “redaktorëve” dhe “drejtorëve” të RTK-së është në disproporcion me pagën që marrin, njëjtë sikurse politikanët e pasur që zyrtarisht kanë vetëm një pagë. Ndonëse edhe pagat që marrin aktivistët e PDK-së në RTK janë larg mbi mesataren kosovare. E pse të mos jenë? Para të popullit. E në të njëjtën kohë shesin dokrra për gazetari.

Pos shërbimit të devotshëm dhe shërbimeve që ia bën pushtetit 24 orë në ditë RTK është shndërruar në konak për punësimin e familjarëve të shefave të PDK-së dhe të njerëzve të tyre të afërt. Gazeta “Zëri” ka mësuar se kunatat e Thaçit janë punësuar dhe avancuar në RTK. E në këtë pako është shpërblyer me pozitë në administratë edhe pronari i bar-bodrumit “Zanzibar”, që gjithmonë ka shërbyer edhe si kthinë për farkëtimin e intrigave politike të PDK-së. Në këtë lokal para disa vitesh PDK e pati prishur koalicionin me LDK-në e Fatmir Sejdiut, por Sejdiut i ishte dukur aq i ëmbël pushteti, saqë s’kishte pranuar të binte qeveria.

Degradimi i RTK-së i shfaqur dhe shpalosur përpara nesh tentohet të kamuflohet duke shpifur për mediet e tjera, që nuk marrin para nga buxheti i Kosovës. Drejtori i tanishëm i RTK-së, i cili po shpif kundër medieve të tjera, e ka arritur kulmin e gazetarisë me një storje nga arat e Ferizajit mbi një jashtëtokësor që ishte shfaqur qiellit befas pas luftës. Doli se jashtëtokësori ishte një balon në formë kali i fryrë me helium. Pas punimeve shkencore të fryra me helium prej Indisë në Universitetin e Prishtinës ka ardhur koha që shoqëria kosovare të fokusohet edhe te RTK, një medium që djeg paratë tona për propagandë që rrënon shtetin dhe mban pushtetin.



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora