RTK si kooperativë e Thaçit
Nga Arbana Xharra
Ndikimi
politik, më konkretisht ndikimi i PDK-së së Hashim Thaçit në Radio-Televizionin
(publik) të Kosovës (RTK) nuk përbën më lajm, nuk është fare risi. Mjafton t’i
hedhësh një sy edicionit të lajmeve, renditjes së kronikave, mënyrës se si RTK fsheh e maskon skandalet apo si i
kamuflon në mënyrë qesharake aferat korruptive. Me redaktorë që sillen si
asistentë të bodrumeve të PDK-së RTK, një televizion që jeton e
vegjeton me paratë tona, është shndërruar në megafon të propagandës qeveritare.
Mund të
merret me mend se si dridhen e bien në siklet drejtorë e zëvendësdrejtorë,
redaktorë e gazetarë qeveritarë në RTK kur dikush nga pushteti ka ndonjë
“kërkesë modeste”. Kërkesat e shefave politikë duhet të plotësohet, nuk ka
rëndësi që parimet dhe etika profesionale shkelen. Fundja RTK-ja është vetëm sinonim i
degradimit të gazetarisë. Servilizmi, nënshtrimi, keqpërdorimi i frekuencave
për të bërë propagandë të ulët janë bërë tashmë shenjë dalluese e RTK-së. Ndodh që jo gazetarët, por
politikanët (e pushtetit) të vendosin se kur duan të dalin në televizion. Ndodh
që politikanëve të caktuar gazetarët e RTK-së së pari ua urojnë ditëlindjen,
pastaj bëjnë me ta diçka si intervista në gjunjë. Besoj jo pak kosovarë e kanë
parë së fundi një skenë bizare: një gazetar i RTK-së e pyeti një politikan: “Cila
ka qenë befasia e ditës?” Politikani të cilit i drejtohej pyetja po hetohet për
korrupsion.
Ndonëse
ndikimi i tmerrshëm i PDK-së në RTK është evident, “drejtorët” dhe “redaktorët”
e këtij mediumi vazhdojnë të mbajnë ders se gjoja janë të pavarur. Po, janë aq të pavarur sa ndonjë
televizion i Vladimir Putinit. Makineria në shërbim të pushtetit në këtë
televizion publik punon prej vitesh dhe pandërprerë – dhe gjithsesi në dëm të
opinionit publik, i cili ka të drejtë të jetë i informuar në mënyrë objektive.
Me RTK-në është i keqinformuar dhe i
dezinformuar. Në këtë sistem të manipulimit kanë mbetur të izoluar gazetarët e
mirëfilltë të RTK-së: ata merren me tema sporadike. Tash vendimet i marrin
sahanlëpirësit gazetareskë dhe “menaxherët” e keqpërdorimeve.
Disa prej
tyre punojnë për agjenda të dyfishta, të shefave të tyre dhe të shefave të
shefave. Për vite të tëra, një grup gazetarësh, tash në pozita udhëheqëse të
këtij televizioni, janë avancuar jo vetëm në pozita brenda televizionit, por
edhe me standard jetësor. Madje në mënyrë marramendëse. Prej çunave të pasigurt
në profesion dhe që mezi paguanin një makiato janë bërë “biznesmenë të
gazetarisë”, me shtëpi të shtrenjta, vetura të shtrenjta, pushime të shtrenjta,
por edhe krime të shtrenjta! Natyrisht çmimin e paguajnë qytetarët e Kosovës.
Luksi i disa “redaktorëve” dhe “drejtorëve” të RTK-së është në disproporcion me
pagën që marrin, njëjtë sikurse politikanët e pasur që zyrtarisht kanë vetëm
një pagë. Ndonëse edhe pagat që marrin aktivistët e PDK-së në RTK janë larg mbi mesataren kosovare.
E pse të mos jenë? Para të popullit. E në të njëjtën kohë shesin dokrra për gazetari.
Pos
shërbimit të devotshëm dhe shërbimeve që ia bën pushtetit 24 orë në ditë RTK është shndërruar në konak për
punësimin e familjarëve të shefave të PDK-së dhe të njerëzve të tyre të afërt.
Gazeta “Zëri” ka mësuar se kunatat e Thaçit janë punësuar dhe avancuar në RTK. E në këtë pako është shpërblyer
me pozitë në administratë edhe pronari i bar-bodrumit “Zanzibar”, që gjithmonë ka shërbyer edhe
si kthinë për farkëtimin e intrigave politike të PDK-së. Në këtë lokal para
disa vitesh PDK e pati prishur koalicionin me LDK-në e Fatmir Sejdiut, por
Sejdiut i ishte dukur aq i ëmbël pushteti, saqë s’kishte pranuar të binte
qeveria.
Degradimi
i RTK-së i shfaqur dhe shpalosur
përpara nesh tentohet të kamuflohet duke shpifur për mediet e tjera, që nuk
marrin para nga buxheti i Kosovës. Drejtori i tanishëm i RTK-së, i cili po shpif kundër
medieve të tjera, e ka arritur kulmin e gazetarisë me një storje nga arat e
Ferizajit mbi një jashtëtokësor që ishte shfaqur qiellit befas pas luftës. Doli
se jashtëtokësori ishte një balon në formë kali i fryrë me helium. Pas punimeve
shkencore të fryra me helium prej Indisë në Universitetin e Prishtinës ka
ardhur koha që shoqëria kosovare të fokusohet edhe te RTK, një medium që djeg paratë tona
për propagandë që rrënon shtetin dhe mban pushtetin.