Editorial
Bedri Blloshmi: 20 Shkurti 1991
E merkure, 19.02.2014, 09:10 PM
20 SHKURTI 1991
NGA BEDRI BLLOSHMI
Lufta e
Ftohtë, duket se e arritëm qëllimin e saj. Për gati 46 vjet, popujt e Europës
Lindore provuan një ëndërr absurde dhe të mjerueshme. Mbas shumë vendeve të
Europës Lindore, që e groposën komunizmin, radha i erdhi Shqipërisë.
20 shkurti i vitit 1991, Burreli, kjo Makurë mishngrënëse, i ishin thyer ingranazhet, i rrethuar me vendgroposjet e pushkatimet e çdo nate, nga ata që këndonin Bijtë e Stalinit jemi ne që derdhim gjakun anembanë, po jepte shpirt. Në burgun e Burrelit kishte rënë forca e torturave çnjerëzore, policia nga një egërsi e pashpjegueshme, ishte kthyer në një qenie të lëvizshme në mënyrë mekanike. Edhe pse jetonim bashkë me injorancën dhe gjithmonë nën urdhërat e të tjerëve, e kuptonim se gjërave u ishte hapur rruga për ndryshim. Në burgun e Burrelit ishte prishur çdo rregull i brendshëm, vizita e Z. De cuellar ne Shqipëri kishte bërë që çdo budalla komunist me në krye zv. Diktatorin Alia, po mendonin që të gjenin një vrimë si minjtë kur ua prishin dyshemenë e shtëpisë. Aty po liroheshin pak e nga pak të burgosurit, të stërmunduar, të plakur para kohe çdo javë apo çdo dy javë.
Dita
historike e 20 shkurtit, më gjeti në oborrin e burgut, po bënim xhiro duke
diskutuar në mënyrë të zjarrtë e gjithë urrejtje. Dikush më thërret tek dera e
dhomës; “ hajde shpejt brenda, hajdeni të gjithë, shikoni televizorin”. Unë po shikoja gati i
hutuar, sepse lëvizjet e këtij që më thërriste më habitën: “ Hajde Bedri, hajde
se u përmbys diktatori, populli e shkuli
e po e tërheqin zvarrë, sheshi është plot me policë që mbajnë qentë prej
litari, sheshi zien, hajde, hajde e shiko”. Me vrap vajta në sallën e
televizorit dhe u ndala tek dera, aty rrinte dhe roja i brendshëm ( polici ),
shikonte e nuk ia ndante sytë ekranit të televizorit.
Aq i shtangur isha, sa i ra në sy dhe policit që ishte pranë meje.
- Hë, - hungëriu polici - pse s`po thua asnjë fjalë, ti s`pushon asnjë sekondë pa dërdëllisur, fol?
- Dëgjo, - i them - unë nuk kam menduar
kurrë dhe nuk mendoj asnjëherë si ti, por rri urtë e shih si po e tërheqin
zvarrë, sa shumë e ka dashur populli, po i hipin përsipër dhe po godasin
bronzin me këmbë. Kjo sipas teje është dashuri apo urrejtje? Shiko, dikush zbërthen
pantallonat e po e pshurr, shiko, shiko sa të gëzuar janë, shyqyr o Zot i
lavdishëm që vure dorë mbi këtë katil.
-
- Po ta them unë pse u hutova, sepse mendoj se kushedi cfarë kasaphane do bëjnë komunistat dhe sigurimsat tani, kushedi se sa bij nënash po kalojnë nën rrotat e atyre makinave, kurse ti mendon se ku do punosh tani, se do ngelesh papunë, a e kupton se burgjet do zbrazen?
Ditët pasonin njëra- tjetrën dhe bëheshin më të gëzueshme dhe me një shpresë të gjallërueshme. Kjo gjendje shpirtërore që jetonim ne të burgosurit na gjallëroi, duke menduar gjithësecili për një jetë tjetër edhe pse të dënuar, të plakur para kohe nga dëshpërimi, ndryshimi ishte i pashmangshëm, ky ndryshim do ta ndryshonte fatin tonë.
Dhe ja, më 29 mars 1991, bashkë me 7-8 të burgosur të tjerë, na hapën portën e rëndë prej hekuri me disa shule, të cilët kërcisnin sa herë i lëvizte polici.
- Hajdeni jeni të liruar, të gjithë oficerët e komandës qëndronin në rresht, në heshtje, duke parë prenë e tyre që po largohej, pa e ditur se ku, sepse streha jonë që na lindi ishte rrafshuar nga terroristët komunistë dhe pjesa tjetër e familjes ishte degdisur kushedi se ku pa adresë, njësoj si fati i atyre që i pushkatuan dhe i groposën duke fshirë çdo shenjë.