Kulturë
Murat Gecaj: Daja bëri një përurim
E merkure, 20.11.2013, 07:47 PM
Në Panairin e 16-të të Librit, “Tirana-2013”:
“DAJA BËRI SOT NJË PËRURIM, QË TË VË SHUMË NË MENDIM…”
Nga Murat Gecaj
Nga e djathta: Sadulla Zendeli-Daja e M. Gecaj (Tiranë, nëntor 2013)
1.
Ndërsa
po vinin kolegë e miq, shkrimtarë e poetë, publicistë e studiues etj., për të
marrë pjesë në përurimin e librit të ri të Sadulla Zendelit-Daja, rikujtova
njohjen e takimin e parë me të. Kjo ndodhi pikërisht në atë sallë të vogël të
Shtëpisë Botuese “Toena”, tre vjet më parë, kur ishte organizuar përurimi i një
libri. Vërejta se pas meje ishte ulur një burrë i moshuar dhe, i përqëndruar,
po shihte diçka në celularin e tij. Më tërhoqi vëmendjen, sepse ishte i
panjohur për mua dhe nuk kishte njeri tjetër pranë tij. Sigurisht me
mirësjellje, iu drejtova atij dhe e pyeta se cili ishte. Ai buzëqeshi me mirësi
dhe ma shqiptoi emrin e vet, duke theksuar se të gjithë, në vendlindjen e tij,
Gostivar e më gjerë, por dhe në Suedi, ku jeton tash afër 50 vjet, i thërrasin
me respekt “Dajë”.
Nuk dua të zgjatem me hollësira, por ai rast shënoi dhe pikënisjen e njohjes e të miqësisë sonë të pandarë. Më tej, ne jemi takuar disa herë, në veprimtari të ndryshme, jo vetëm në Tiranë e Durrës, por edhe në qytetin Boras të Suedisë, vitin e kaluar, kur u festua 5-vjetori i Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”. Tashmë, ne kemi shkëmbyer librat tanë, mbajmë lidhje me e-maile dhe, bile, jemi njohur familjarisht. Kështu, ai ka “miqësi” edhe me mbesën time 10-vjeçare, Dorelën. Prandaj edhe ajo mori pjesë në këtë përurim e i dhuroi atij një buqetë me lule të freskëta, në shënjë dashurie e respekti të posaçëm për të, ku kishte shkruar këto fjalë: “Urime zemre, Dajës, për librin e ri,/ nga Dorela Agolli, me shumë dashuri!”…
Kjo
ishte arsyeja, pse edhe këto ditë, pra kur u zhvillua Panairi i 16-të i Librit,
“Tirana-2013”, pothuajse tërë kohën qëndruam bashkë, duke patur pranë dhe
kolegë të tjerë, si Viron Konën, prof.Zyhdi Dervishin, Bashkim Saliasin,
Hatixhe Lushin etj. Ndërsa “pika kulmore” e kësaj feste të librit, si për vetë
Dajën, për mua e disa kolegë të tjerë, si Bardhyl Xhama, Bashkim Hoxha, Hulusi
Hako, Kadri Tarelli e Bujar Poçari, Vojsava Nelo e Lumturi Vladi, ishte
pikërisht dita e sotme. Kjo, sepse
shkrimtari, poeti e leksikografi Sadulla Zendeli-Daja përuroi librin e
ri, “Ditari i kujtimeve të paharruara”, i cili është i 9-ti, në
radhën e botimeve të tij. Sigurisht, ishte një ngjarje e bukur dhe e shënuar
për atë. Por Dajës i rri mendja te Fjalori voluminoz, shqip-suedisht, me 1.600
faqe, të cilin pret ta shohë të botuar, së shpejti.
2.
Në
përurimin e librit të ri, me vjersha e mendime nga Daja, i cili është venë në
qarkullim nga SHB “Toena” (me redaktor Baki Ymerin, recensentë Viron Konën e
Fetah Bahtirin dhe korrektor letrar Kujtim Dashin) sot në mesditë, në një sallë
të Panairit, në Pallatin e Kongreseve-Tiranë, ishin të pranishëm mjaft krijues,
kolegë, miq e të njohur të Dajës. Bile, kishin ardhur edhe nga qytetet Durrës,
Vlorë etj.
Veprimtarinë
përuruese e hapi znj.Irena Toçi, drejtuese e SHB “Toena”, e cila u ndal, shkurtimisht, në jetën dhe
krijimtarinë letrare e leksikografike të Sadulla Zendelit-Daja. Ndër të tjera,
u theksua edhe se ai hapi shkollën e parë shqipe për fëmijët e
bashkatdhetarëve, në Suedi.
Në
vazhdimësi, për librin e ri dhe në tërësi për
krijimet e Dajës, folën shkrimtarët e studiuesit: Kujtim Dashi, Viron
Kona e Murat Gecaj. Secili prej tyre nënvizoi shpirtin atdhetar të tij,
përkushtimin e vendosmërinë që emri i shqiptarëve të jetë sa më i nderuar, jo
vetëm në Suedi e shtetet tjera të Skandinavisë, por dhe më gjerë, në Europë.
Por
edhe kolegë e miq, që morën njoftim për këtë përurim, përmes Internetit, i
dërguan përgëzimet e tyre autorit të librit. Ndër ta, ishin: Dr. Ramiz Zekaj e
Bardhyl Selimi-Tiranë; Zyba Hysa-Vlorë; Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së
Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë, “Papa Klementi XI-Albani” e
Sokol Demaku, nga Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni”, Boras-Suedi. Ndërsa
Bardhyl Qirjaku shkruante edhe këto radhë: “Ju përshëndes nga Windsori
Me
këtë rast, Daja i falënderoi nga zemra, si folësit e pjesëmarrësit në përurim
dhe tregoi për jetën e krijimtarinë e tij, sidomos gjatë 50 vjetëve të fundit,
në mërgim. Atij iu dhuruan libra nga krijuesit tanë, ndër të cilët ishin
dhe disa, që kishte dërguar Vilhelme Vranari-Haxhiraj, nga
Vlora.
Nuk
di sa ishte i gjetur titulli i shkrimit tim informues, po për këtë gjë kërkoj
mirëkuptimin e lexuesve, pra: “Daja bëri sot një përurim, që të vë shumë
në mendim!...” Se edhe çdo “ditar” e bën një gjë të tillë.
3.
Në
mbyllje të këtyre pak radhëve, po shënojmë pak radhë të poezisë domethënëse të
Zyrafete Manajt-Kryeziut, “Fjalëndrituri”, vendosur në hyrje të këtij
libri dhe kushtuar me respekt të veçantë, Dajës: “Paqa fle në fjalët tuaja,/
zemra e një cope toke Atdhe,/ djep i Iiiridës së lashtë,/ që për bësë fjalën e
ke!...”
Tani, le ta përgëzojmë Sadulla Zendelin-Dajën për këtë botim të ri dhe t’i urojmë atij nga zemra: Jetëgjatësi, me shëndet sa më të mirë, krijimtari të frytshme, begati, gëzime dhe lumturi, vetjake e familjare!