Mendime
Elida Buçpapaj: Rama - Hajdari dhe Rugova
E shtune, 14.09.2013, 07:43 PM
KRYEMINISTRI EDI RAMA – AZEM HAJDARI DHE IBRAHIM RUGOVA
NGA ELIDA BUÇPAPAJ
Kryeministri
i Shqipërisë Edi Rama përfundoi vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë.
Kosovën e ka patur gjithmonë në qendër të vemendjes. Kur i thonë, një e dy e në
Kosovë edhe kur ishte lider i opozitës, që do të thotë se ka qënë në kontakt të
përhershëm me Kosovën dhe ka patur disa idé shumë të mira integruese, në planin
europian, për sa i përket unifikimit të sistemit arsimor në të gjitha trojet
shqipfolëse, heqjes së barrierave doganore me Kosovën etj. Pra, përpara se të
nisej në Bruksel, Edi Rama e filloi me Kosovën. Kosova prin për mbarë gjithnjë.
Gjatë
vizitës, po t’i shohësh deklarimet që ka bërë përgjithësisht janë OK. Duke
menduar se Edi Rama ua ka shkruar fjalimet disa kryeministrave të qeverisjes
socialiste, fjalimet e veta duhet t’i qajë. Ca deklarime i bën si quote. Si ky
për shembull : « Kufiri është e djeshme, e ardhmja s’ka kufi. Mbetem i juaji me
besë! » Duket qartë se z. Rama i ka dhënë rëndësi konotacioneve identifikuese
të shqiptarëve si komb, siç është besa, fjala e dhënë. Por në fjalimin që
mbajti në Kuvendin e Kosovës iu shmang një konotacioni të tillë dhe nuk e
përfshiu emrin e Ibrahim Rugovës, i cili është identifikues me Kosovën. Për
reagim, krahu i LDK-së bojkotoi e shtypi sot ishte i mbushur me kritika, prej
të cilave përfiton politika. Për politikën s’ka problem, por të mos përmendësh
Rugovën këtë gjë nuk e gëlltisin dot shqiptarët e Kosovës, populli Rugovist, i
cili është shumë i rëndësishëm.
Lind
pyetja a bëri gabim apo jo z.Rama që nuk përmendi Rugovën në fjalën e tij
përpara deputetëve të Parlamentit të Kosovës? Gjatë vizitës të tij të parë
zyrtare si premier i shtetit amë, z. Rama bëri homazhe tek varri i liderit
historik e prej atje tha një tjetër sentencë shumë kuptimplote se „Pa Rugovën
Kosova nuk do të bëhej realitet“. Pikërisht ky përcaktim, që ka bërë me gojën e
tij, tregon se z. Rama bëri gabim që nuk e përmendi Gandin e Kosovës në
fjalimin e tij të parë në Kosovë si premier i Shqipërisë.
Për këtë
devijim, të pajustifikuar në gjuhën protokollare, unë do të bëja përgjegjës
këshilltarin e Ramës, Shkëlzen Maliqin, i cili e di shumë mirë se mungesa e
emrit të Rugovës në fjalim dëmtonte imazhin e Ramës në Kosovë. Kur e vendosa si
status në Facebook këtë, reaguan dhe më thanë se Edi Rama ka këshilltar
ish-kryeministrin britanik Tony Blair. Që do të thotë një arsye më tepër që
z.Rama ta përmendte Rugovën. Sepse sa herë që Tony Blair vjen në Kosovë, ai i
referohet figurës të Rugovës si ikonë e pavarësisë dhe modelit të politikanit
të emancipuar dhe europian.
E pra,
z.Edi Rama nuk duhet t’i lejojë vetes shkitje të tilla shumë të evitueshme.
Më 12
shtator në Tiranë u zhvilluan ceremonitë e rivarrimit të Azem Hajdarit në
Varrezat e Dëshmorëve. Dhe ishte ngjarje për shqiptarët nderimet që iu bënë
Azem Hajdarit nga i gjithë spektri politik. Pesë ish-presidentë, deputetë të PD
e PS, ministra të qeverisë të re, kryetari i ri i Kuvendit. Mungoi vetëm
kryeministri i ri, për të cilin zonja Hajdari do të pohonte se Edi dhe Azemi
ishin miq.
Të them
të drejtën, të kritikosh një kryeministër kur nuk është ulur ende në kolltukun
zyrtar nuk më duket fair, aq më tepër kur e di gjendjen ku ndodhet vendi.
Lexova një fakt nga INSTAT, sipas të cilit një në shtatë shqiptarë jeton në
varfëri, duke shpenzuar rreth 48 dollarë në muaj, ku po sipas të dhënave më të
fundit të Institutit të Statistikave numri total i të varfërve në vitin 2012
arriti 402 033. Të mos përmendim pastaj nivelin e sigurisë të qytetarit,
korrupsionin, rrezikun që i kanoset sistemit dhe shtetit ligjor. Që do të thotë
se Edi Ramën e presin shumë punë. Fron Nazi ka shumë të drejtë kur thotë se për
t’i tejkaluar këto, Edi Ramës i duhet të jetë një lloj Batmani.
Në këtë
kontekst, kritika ime nuk është politike, si opozita që mezi pret që Edi Rama
ta pësojë si Papandreu. Sepse, nëse futet Shqipëria në krizë, kjo krizë
përkthehet një tmerr për shqiptarët. Unë rreshtohem bashkë me ata shqiptarë, të
cilëve na intereson që Shqipëria dhe Kosova të jenë shtete normale të
integruara në NATO dhe BE.
Në këtë
kontekst, z. Rama e pret një punë e madhe, prej të cilit varet suksesi apo
disfata. Dhe për hir të suksesit, i duhet të evitojë sa më shumë, gabime të
panevojshme, të cilat varen direkt prej tij. Siç ishte rasti me Azem Hajdarin
dhe me Ibrahim Rugovën.