Mendime
Kastriot Frashëri: Xhamia e Madhe apo hija e neo-otomanizmit në Tiranë
E merkure, 24.04.2013, 08:14 PM
Xhamia e
Madhe apo hija e neo-otomanizmit në Tiranë
Nga Kastriot Frashëri*
Me shumë
bujë u shpall show i radhës nga kryeministri për ndërtimin e Xhamisë së Madhe,
në lulishten e Parlamentit, duke e quajtur këtë një ditë historike për
besimtarët myslimanë shqiptarë. Në prani të më shumë bodigardëve dhe kamerave
televizive se sa besimtarëve, zoti Berisha dhe beniaminët e tij, më shumë se
një nisje fantazmë të inaugurimit të ndërtimit të një xhamie, trumbetuan
patologjinë elektorale, rreth të cilës vërtitet tash sa kohë.
Pa hyrë
në analiza politologjike, të cilat nuk kanë vend në këtë shkrim, ne do të
merremi me fakte që hedhin dritë mbi absurditetin e një sipërmarrje të tillë, e
cila nuk i shërben askujt, aq më pak një shteti laik, si Shqipëria.
Kryeministri
Sali Berisha, që nuk nguroi edhe këtë herë t’i japë ngjyra elektorale edhe
kësaj ngjarje, urdhëroi me urgjencë dy ditë më parë vartësit e tij që të
mblidhnin një duzinë dishepujsh, që duartrokasin në mënyrë frenetike, duke
thënë me tone emfatike se demokratët janë zotuar se kudo ku ka 4 myslimanë të
ketë një xhami. Me sa duket, Berisha me këto deklarata kërkon që t’ua kalojë
dhe liderëve të vendeve që zbatojnë ligjet islame, duke u bërë një shembull dhe
burim frymëzimi edhe për Xhihadin! Për të kulmuar në këtë hipnozë, ai, madje,
është shprehur se ka vlerësuar durimin që kanë treguar myslimanët për të pritur
ndërtimin e kësaj xhamie. Një deklaratë e tillë, ashtu si dhe notat
nacionaliste të pak muajve më parë, nuk mund të mos kalojë në heshtje pa
shqetësimin që mbart po t’i shtosh edhe thirrjen drejtuar nga një tribunë
islame të zgjedhurve të tij vendorë kryetarë të komunave dhe bashkive për të
ndërtuar më shumë xhami ka tronditur këto ditë jo vetëm ekuilibrin social të
shoqërisë, por edhe shqetësuar shumë intelektualë, analistë dhe qendra
kërkimore e strategjike të huaja që merren me problemet e Shqipërisë.
Është e
vështirë të hyjmë në detaje se ku duhet të ndërtohet xhamia dhe e kujt është
toka, por, sigurisht, të drejtën për të kërkuar një projekt modern për Xhaminë
e Madhe nuk mund t’ia mohosh askujt. Tirana e shekullit XXI, dhe Shqipëria që
synon të bëhet një vend Europian, nuk ka pse zgjedh mes një projekti modern e
Perëndimor dhe një mbetje otomane, si kjo e fundit.
Natyrisht,
nuk jemi kundër ndërtimit të objekteve të kulteve fetare, qofshin këto kisha,
xhamia apo teqe, por ajo që është shqetësuese është zhurma e madhe që bëhet
periodikisht në favor të komunitetit mysliman dhe, tani së fundi, në pikun e
fushatës elektorale, e cila do të pasohet me tingujt e çjerrë të minareve,
sipas stilit arabesk, duke prishur qetësinë dhe paqen e qytetarëve të gjithë
besimeve, aq më tepër shumicës ateiste të këtij vendi!…
Është
detyrë e kryeministrit të bëjë transparencën e një sipërmarrje të tillë, pasi
prapa maketit të Xhamisë së zbuluar në të cilën pozojnë ai së bashku me Bashën
dhe Muçën, ka një plan të fshehtë, për të ndërtuar një Qendër Biznesi nga
klientela e kryetarit të Bashkisë, të cilëve meqë ata paskan vënë dorën në
zemër për t’i “dhuruar” dy mijë metra katror tokë Komunitetit Mysliman për këtë
xhami, t’iu jepet në këmbim Leja e Ndërtimit për të ndërtuar këtë qendër
biznesi, një ndërtesë mbi 10 kate, përafërsisht 10 mijë metra katrorë sipërfaqe
ndërtimi! Nuk kam parë askund, në asnjë vend të botës perëndimore që kam
vizitur të ekzistojë një Parlament pa një lulishte-Park, ku mund të shëtitin të
lirë jo vetëm qytetarët, por edhe vizitorët e atij vendi.
Në një
sistem demokratik me demokraci funksionale është e papranueshme ajo që deklaroi
dje kryeministri, se ne ndahemi nga qëndrimet paragjykuese, të inspiruara nga
ateizmi dhe ideologjitë e tij, të cilat penguan për 20 vjet ndërtimin e kësaj
xhamie kaq shumë të domosdoshme për besimtarët myslimanë në Tiranë, por edhe si
një detyrim i madh për të rivendosur të drejta të shkelmuara në vendin që
meritojnë. Është e tmerrshme kjo thirrje e z. Berisha per të detyruar njerëzit
të transformohen në besimtarë. Kryeministri harron se ne shqiptarët vijmë nga
paganizmi dhe sot jemi në shumicë ateistë. Europa e Bashkuar ku inspirojmë të
anëtarësohemi tash sa kohë jo vetëm shpirtërisht, por dhe juridikisht ne do të
jemi qytetarë të lirë.
Nga ana
tjetër, Berisha flet ditë e natë për tregun e lirë dhe pronat në këtë vend,
harron se ndërtimi i kësaj xhamie cenon një pronë private, me pronarët e të
cilës nga informacionet që kemi nuk ekziston asnjë marrëveshje ligjore. (Përveç
premtimit verbal të fshehtë të kryebashkiakut -a thua se jemi në pazarin e
Roskovecit). Po pse duhet që ne taksapaguesit e këtij vendi të paguajmë faturat
e kripura të kësaj marrëveshje? Përveç këtyre, siç ka thënë dhe misionarja e
madhe e shqiptarizmës, Edith Durham, objektet dhe komunitetet fetare nuk duhet
të financohen e të ndërtohen nga të huajt, pasi ata do të vihen në shërbim të
tyre!…
Edhe pse
kjo maskaradë po të shohësh forumet online apo organet e mediave është
shoqëruar me reagime dhe komente të shumta si nga intelektualët, analistë të
ndryshëm ashtu edhe nga qytetarë të ndryshëm, atyre për çudi nuk iu dëgjohet
zëri dhe nuk merret parasysh vullneti i tyre nga institucionet vendimmarrëse.
Thelbi i këtyre shqetësimeve është: përse po zihen hapësira të tilla të
gjelbra?! Ka plot qytetarë JOBESIMTARË që tashmë nuk kanë ku të nxjerrin
fëmijët shëtitje dhe sikur të mos mjaftonte kjo dhe gjithë hallet e shumta që
kanë në këtë përditshmëri të sëmurë nga mungesa e standardeve elementare, janë
të detyruar të dëgjojnë çdo ditë minaret që ulërijnë dhunshëm dhe nuk paskan të
sosur në këtë vend. Këtu flitet vetëm për të drejtat e besimtarëve, por lind
pyetja: Ku janë të drejtat e ateistëve?!
Ajo që
ndoshta i ka shpëtuar “vigjilencës” së Kryeministrit është fakti se një
ndërtesë e tillë e stilit arabesk dhe otoman, copy/paste e një xhamie në Turqi,
do të cenojë rëndë jo vetëm sigurinë, por edhe imazhin e institucionit të Kuvendit
të Shqipërisë, kësaj ndërtese legjitime që shpreh dhe mbart vetë thelbin e
sistemit juridik të Republikës sonë parlamentare.
Sipërmarrje
të tilla nuk mund të bëhen për show elektoral apo për të joshur votues të këtij
besimi, por duhet të kenë një bazë të thellë legjitimiteti dhe kjo nuk mund të
bëhet ndryshe vetëm se me rrugë referendare, si shprehje e drejtpërdrejtë e
vullnetit të qytetarëve. Themi se duhet referendum për xhaminë, sepse
konstatohet se në këtë vend ka shumë pak ushtrues/praktikantë të besimit dhe
kjo mund të vërtetohet shumë lehtë, mjafton të soditësh objektet e kultit të
ndërtuara të gjitha besimeve që ushtrohen në Shqipëri. Nga ana tjetër, ky
veprim cenon rëndë identitetin kombëtar dhe trashëgiminë kombëtare dhe do të
ishte një hap që do të na largonte më shumë nga Europa dhe do të na
traumatizonte si shoqëri. Është vendi të informoj lexuesin se para 2-3 muajve
edhe komisioni i ekspertëve për Vlerësimin Strategjik Mjedisor të Tiranës në
zonën ku kryeministri kërkon të ndërtojë Xhaminë e Madhe e ka përcaktuar si
zonë të gjelbër!
Ata që
kanë ndjekur show-n televiziv në fjalë nuk mund të mos kuptojnë absurditetin e
medias, si pjesë e katrahurës publicitare dhe shërbëtore të biznes-politikës
dhe gënjeshtrave të tyre. Çuditem përse kjo media nxjerr vetëm imazhet e Saliut
dhe nuk nxjerr ata pak njerëz që e dëgjonin dhe aq në shumë ata që ishin
përzënë me dhunë nga lulishtja dhe nuk dinin nga të shkonin, në pritje të
largimit të komedianëve! A nuk mundet vallë që për të mos iu fryrë ndasive
fetare redaksitë të botojnë një foto më reale dhe më të natyrshme të kësaj
audience dhe të mos manipulojnë opinionin publik me fantazmën e vendosjes së
gurit të themelit dhe ekzistencës së kantierit të ndërtimit në timon të së
cilit gjendet përherë kryeministri?!…
Shqiptarët
e dinë prej rilindësve të tyre, atyre që i paraprinë zgjimit kombëtar se me
ndihmën e ish-Perandorisë Osmane nuk mund të shkohet as në Anadoll e jo më në
Bruksel! Erdhi koha e zgjedhjeve për të bindur tiranasit që të rivotojnë për të
tretën herë Kryeministrin, por tiranasit e njohin tashmë se ç’aktor kanë
përpara, se çfarë feje predikon dhe sa është i zoti të bëjë, për të qëndruar
gjithmonë në pushtet. Kjo xhami me 4 minare nga 50 metra të larta tregon se
Turqia e beri misionin e saj, se vendi kandidat për në dyert e BE-së vazhdon të
prodhojë sindromën e mbetjeve të Al Kaedës! Pra, le të nguten të mësojnë
arabishten pas turqishtes nga kolegjet dhe universitetet, ekonominë ua kanë
dhuruar, e të bëhen kamikazë a muhaxhedinë… E thënë ndryshe, ndërtimi i saj do
të cenojë rëndë sigurinë kombëtare. Ajo do të eklipsojë institucionin e
Parlamentit si burimin e të gjitha pushteteve dhe institucioneve të tjera të
shtetit; nga ana tjetër, kjo arkitekturë përbën një kontrast të madh urban, një
model për vende ku feja identifikohet me shtetin. Ndaj kryeministri ynë 4
minaret e saj nuk mund t’ua shesë shqiptarëve në këtë përpjekje të fundit për
Eiffel Tower, Tower Bridge apo Fernsehturm Berlin!
Europa nuk do të donte të kishte kurrë një Arabi Saudite në zemër të Ballkanit. Ne shqiptarët që jemi në zemër dhe në shpirt të kontinentit të vjetër duhet të vështrojmë ashtu siç na kanë lënë amanet rilindësit tanë andej nga perëndon, andej nga kemi lënë gjurmë në kohëra të lavdishme dhe kjo nuk mund të zhbëhet nga disa politikanë që kanë marrë peng të ardhmen tonë. Për fat të keq, opozita, që nuk lë rast pa kritikuar qeverinë, vazhdon të heshtë për këtë akt agresiv të Kryeministrit, i cili cenon rëndë laicitetin e shtetit të sanksionuar në Kushtetutë dhe të garantuar prej saj!
A mund të bëjë Tirana pa këtë xhami?! Tirana ka bërë pa xhami të madhe me shekuj, tani le ta shohë të udhës Komuniteti Mysliman Shqiptar se çfarë mund të bëjë, por nuk ka detyrim shoqëria dhe shteti të përzihet në këtë histori, aq më shumë duke marrë flamurin e protagonizmit, në një kohë kur komuniteteve fetare sipas ligjit iu janë kthyer pronat e tyre. Edhe nëse kjo xhami do të ndërtohet nëpërmjet këtyre procedurave mafioze ajo nuk do të gëzojë kurrë respektin e qytetarëve, si rrjedhim, do të ketë emrin e një qendre të ngritur nga bota e krimit dhe nuk do të ketë reputacionin e domosdoshëm të një qendre religjioze. Mund të bëhet e mundur që besimtarët myslimanë të kenë një xhami më shumë, le të zgjerojnë hapësirat në ndonjë nga xhamitë ekzistuese për nevojat e tyre, por jo një poster elektoral, që kërkon të emocionojë ndonjë mendje të mykur osmane me arabeskat e një projekti démodé dhe të padobishëm për portretin e Shqipërisë në shekullin e XXI.
*Drejtor,
Instituti i Çështjeve Kombëtare