Kulturë
Remzi Limani: Semantika historike në art
E shtune, 23.03.2013, 06:49 PM
SEMANTIKA
HISTORIKE NË TRAJTËN ARTISTIKE
Në shumicën e veprave pikturale të krijuesit tonë, Agron Mulliqi, vie në pah semantika historike e ndërtuar në lidhshmëri më të kaluarën tonë, duke e sendëzuar atë në trajtë artistike të një arti të veshur me frymë moderne.
Nga Remzi Limani
Shprehjet
figurative në veprat e piktorit, Agron Mulliqi, kanë një konsistencë
lidhshmërie të fortë të pjesës përbërëse nga e shkuara në të ardhmën, e cila
shpërthen si frymëzim emocional për të kaluarën tonë nëpër shtjellat e
historisë, të projektuara si ide të një frymëzimi kohe, të cilat shpërthejnë
nga shpirti i krijuesit dhe, me plot vlera pikturale e përshkojnë veprën
artistike në një trajte kuptimplote. Në këtë kontekst, artisti ynë, Agron
Mulliqi, projekcionet e tij figurative i vendos mbi themelet e pamposhtura të
së kaluarës sonë, mbi një aksiomë, e cila udhëtoi nëpër shekuj deri tek e
sotmja, për ta kuptuar gjenealogjinë e brezave, të një fisi më të vjetrin në Gadishullin Ballkanik.
Pra, kur
flasim për veprat e Agron Mulliqit, së pari na bie në sy Fibula Ilire si element
figurativ dhe vlerë arkeologjike me të cilën gatuan dhe bën ndërtimin piktural.
Ndër vlerat e artefakteve Ilire në veprat e Agronit, në veçanti vërejmë
stilizimin e kokës së Idhullit Dardan, me të cilën, artisti në fjalë nxjerrë në
pah të kaluarën tonë për t`i dhënë forcën dhe shkëlqimin e duhur dhe të
merituar kohës dhe lashtësisë sonë. Pra, ngjizja e artit të Agronit fillon nga
kërthiza jonë historike, të cilën artisti e shtrinë gjërë e gjatë në një
kompozicion figurativ duke e zbërthyer në trajtë artistike. Këtu pra, vend
meritor zë edhe Shkaba, e stilizuar në shumë forma të ndryshme, e cila
mjeshtërisht inkorporohet në hapësirën
pikturale, e shkrirë dhe e vendosur në një mori formash e vijash të ndryshme
stilistike. Këto tablo, të mbushura me frymë vlerash etnografike nga tradita
dhe folklori i pasur shqiptar, na ngjajnë në një narracion figurativ si
projekcione artistike të një fryme moderne, të cilat mund të shndërrohen edhe
në projekte serioze nga fusha e tapiserisë unikale me vlera të qëndrueshme dhe të pakontestueshme. Në këtë
kuptim, krijimtaria e Agronit zë vend të merituar në shumë fusha artistike.
Agroni nuk ndalon asnjëherë. Ai, me seriozitet, artin e tij e sintetizon në
shumë pikpamje duke e nxjerrë pjesën më
thelbësore të asja që quhet art i vendosur mbi vlerat e një etnosi indigjen.
Nga opusi i gjërë artistik, krijuesi ynë trajton edhe portretin kubik (ndryshe nga Pikasoja), portretet e Agronit herë – herë na dalin si maska të vargëzuara në lëvizje teatrale por, edhe si pikënisje dhe synim për të ndërtuar kompozicionin figurativ të portretit me elemente shtesë, të cilat, me baraspeshën estetike e plotësojnë dhe begatojnë hapësirën pikturale. Pra, portreti i trajtuar nga artisti ynë, ka një veçori dalluese, ngase, portreti në fjalë është i veshur me metaforën dhe petkun psikologjik, me çka, na bënë ta lexojmë si ngjarje dhe klithje kohe nëpër hapësirat e njeriut, për t`i dhënë kuptimin e duhur filozofik, duke e nxjerrë në pah metamorfozën e njeriut të kohës sonë... dhe, çdo gjë tjetër, në veprat e Agronit – qofshin ato vozo të mbushura me lule, apo ndonjë hapësirë tjetër figurative, tek artisti vishen me harmoninë tingëllore të një palete ngjyrash të përpunuara, duke e ruajtur baraspeshen e akordeve tonale, të cilat pa pengesë korrespondojnë me njëra – tjetrën në fushat e koloritit piktural.