E enjte, 31.10.2024, 11:22 PM (GMT)

Kulturë

Marius Chelaru: Vepra të identitetit shqiptar

E shtune, 02.03.2013, 10:44 AM


VLERA POETIKE TË IDENTITETIT SHQIPTAR

(Shkurtimisht lidhur me shungullimën e një lufte të re si pikënisje shqiptare që e përvëloi ish Jugosllavinë, duke e shpartalluar.)

Nga Marius Chelaru

“Netë kosovare” është libri më i ri që e rikëndon Baki Ymeri në gjuhën rumune. “Më kaloi kjo ditë poeti/ Pa e shkruar të paktën/ Një varg// Kështu duke i thënë vetes/ Më erdhën fjalët/ E frymëzuara për kaq// Sot e prenë larën/ Sot e piu vesën/ Kulloti barin// Sot e kam pirë/ Qumështin e saj// Jeta e paska/ Kursin e vetë.” (Kurs jete). Nga lekturimi i kësaj lënde të përzgjedhur për përkthim, konstatojmë se në poemat e Ali M. Lajçit parakalojnë disa “plane” dominante – që nga besnikëria ndaj vendlindjes dhe atdheut, e deri te dëshirat e shqiptarëve për liri dhe mënyra se si digjen këta për vendin e vet, për hijeshitë e vendlindjes dhe etjes për jetë. Autori nuk anashkalon as konfliktet që gjëmonin nën dhe “si një gjapër i zi” që “digjet në trupin e historisë”, për të shpërthyer në sipërfaqe me shungullimën e një lufte si pikënisje shqiptare që e përvëloi ish Jugosllavinë, duke e shpartalluar.

Ishte një botë, shkruan autori, në të cilën dhuna komandonte me gjuhën e saj, dhe takimet me frikën ishin në çdo hap. Ishte një tmerr i tillë lufte, saqë “dhuna tentonte të hyjë në frikë, dhe frika shndërrohej në dhunë.” Por, në këtë kontekst meditimesh, e gjen vendin e vet edhe hijeshia, kërkimet, pritjet, natyra dhe shpresa për dalje nga terri në dritë. Ishte një kohë e gërshetimit të së shkuarës me tanishmërinë, shkruan autori, duke e parë mjegullën në horizont, dikend që e ndez zjarrin, “për ta ngrohur Mesjetën e vonuar.” Një “mes-jetë” e qepur asokohe me komunizëm, sepse vetëm “klasa punëtore” ishte arma e vetme, dhe për vete, dhe “nuk ishte mit” por “përrallë dhe ëndërr”.

Por këtë përzgjedhje nuk e zotërojnë vetëm dhuna dhe hija e flakës së konflikteve, sepse në tekstet e selektuara, tejmatanë anës rrëfimtare/konfesive, janë dhe njerëzit. Njerëz të lidhur ngushtë me truallin dhe me hapat e tyre, aq shumë, sa që “e kishin në ballë oxhakun”. Për përforcimin e impresionit të ndërlidhjes me dheun, janë të ftuara nga e tanishmja dhe e shkuara, emra vendesh e njerëzish, disa ende të panjohur për ne, por me siguri të mirënjohur në dritën e një rëndësie të veçantë nga shqiptarët e Kosovës (Ali Pashë Gucia, Liqeni i Ohrit, Bardhyli dhe Teuta, Tal Bardhi e Tropoja, Fierza, Mic Sokoli, Tahir Ibra etj). Njerëz ndër të cilët rradhitet edhe autori që shkruan për fjalë e këngë, për përrenjtë e ngrirë të zanave të malit që ua kanë shuar etjen trimave, për Përrenjtë e Vashave trimëresha që kanë pirë stinët, idilën duke e endur atje ku vashat kanë lënë shamitë si kujtim për djemtë.

Janë edhe elemente tjera që u japin thellësi teksteve, poema flasin për qasjen e pranverës, apo për vjeshtën ku zaliset fyelli me zërin e magjepsur të harabelave, me elegjinë  e blerimit apo vlerën e hapit të parë. Pasojnë vargje tjera për kohën kur dheu kërkon shi, kur zogjtë e shkarkojnë këngën „për shi dhe diell”, apo, ndoshta, për stinën e thatësisë kur „dheu kërkonte gjak”. Por, për këtë kohë të fundit, autori shkruan se „mund të lexohet/ biografia e  Atdheut/ e shkruar në kaligrafinë/ e eshtrave”. Dhe, me siguri, edhe për kullosën që e mbulon edhe të mirën, edhe të keqen mbi dhe, pasi që çdokush ndahet nga „petku/ i imtë i jetës”. Një jetë ndërmjet zigzaqeve të besimit e shpresës, kur të mençurit nuk tallen me jetën.

Ali M. Lajçi shkruan edhe për pritje. Kuriozitetin dhe intimitetin i ndjeja në pritjen tënde, thekson me fjalë të tjera, duke shtuar se nga to lulëzon “pema e zhgënjmit”. Me siguri, ka edhe protje tjera që “kanë marrë ngjyrën e fjalëve të huaja”, ata që, duke mos e gjetur vetëveten, kundronin “mizat në qiellin e huaj”. Apo për këtë kohë kur interneti dhe letra e trembin shpirtin e poetëve, me ceremoni fetare, me “nderime”, diskutime etj. Por ndoshta se poema që zë vend të merituar në këtë vëllim, së bashku me mënyrën në të cilën mediton autori, është “Kursi i jetës” me vargjet e së cilës e nisëm këtë vlerësim kritik.

Deri këtu, e dhamë mendimin tonë për temat. Ali M. Lajçi, pa e kultivuar një poezi të ashpërsisë së konstrukcionit stilistik, i jep rëndësi metaforës, nganjëherë duke krijuar figura stilistike origjinale të përfytyrimeve që tenton t’i transponojë në tekst, disa nga to me një lirizëm risishë dhe vlerash të veçanta. Tek/tuk defilon stili deskriptiv, apo, rrëfimtar, thuajse kërkon një urë ekuilibri ndërmjet asaj që don të thotë, të asaj që ndjen në shpirt, dhe petkut të fjalëve. Ndoshta kjo ndërlidhet edhe me arësyen formale, por, ndoshta edhe me aftësinë e potencialit krijues të autorit.

Njëra pas tjetrës, ja edhe një autor i ri i poezisë shqipe në gjuhën rumune, një shqiptar inspirimesh reale që ka në rradhë të parë misionin për të mbushur një vend të zbrazët në tabllonë që ilustron Dardaninë në sytë tanë, duke na i prurë vlerat poetike të identitetit shqiptar, si dhe mënyrën se si shkruhet në Kosovë, në të gjitha platformat e vlefshme.



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora