Kulturë
Xheladin Mjeku: Lirika me aromë Joni
E shtune, 02.03.2013, 11:31 AM
LIRIKA ME AROMË JONI
Dashamir Malo: “NDOSHTA”, poezi, botoi SHB “MILOSAO” – Sarandë, 2011
NGA XHELADIN MJEKU
Me poezinë e Dashamir Malos jam takuar vonë, pikërisht me përmbledhjen e tij të katërt që po analizoj këtu. Tri librat me poezi: "Midis vetmisë dhe heshtjes", "Precedent" dhe "Fshehja e Lotit" janë titujt pararendës të krijimtarisë së tij poetike dhe vetëm kur u paralajmërua dalja në dritë e përmbledhjes poetike “Ndoshta” më zgjoi kërshërinë ta njoh këtë krijues. Ishte paksa e vështirë ta kesh një libër të autorit, emrin e të cilit e dëgjon për herë të parë. Por, falë mundësive të krijuara kohëve të fundit, që mundësojnë kontakte e aktivitete të ndryshme në çdo cep të trojeve shqiptare dhe më gjerë po arrihen edhe njohje të reja dhe zhvillime të nduarnduarshme aktivitetesh kulturore dhe letrare. Një aktivitet i këtillë ishte edhe “Festivali i poezisë jonike” që mbledh numër të konsiderueshëm krijuesish nga vende të shumta të botës. Pikërisht aty edhe Dashamiri me një dashamirësi fisnike dhe plot dashuri vëllazërore shpërndante bujarinë dhe sinqeritetin prej mikpritësi dhe moderatori të takimeve poetike. Pikërisht këtu, ku përveç poezisë dhe shkëmbimit të mendimeve të ndryshme miqësore të pjesëmarrësve, ishte edhe shkëmbimi i veprave letrare në gjini të ndryshme, që rrumbullaksonte misionin e tij me këmbimin e titujve të ndryshëm letrar mes miqëve krijues. Që aty e ka burimin edhe vëllimi poetik “Ndoshta” që u bë pronë e bibliotekës sime dhe një dhuratë e çmuar që më provokon për të satën herë. Shpresoj se mbresat e kësaj përmbledhjeje do të arsyetojnë kohën e stërleximit, si freski jonike dhe flatrim pulëbardhe drejt kaltërsive të qiellit të Sarandës.
Trekëndshi poetik i muzave
Nganjëherë lind dyshimi, qoftë edhe për një fjalë a shprehje që mund të mos kuptohet drejtë, por këtu tek poezia e Dashamir Malos kam përshtypjen se do të kemi një kuptim të drejtë me lexuesin e tij. Kjo, ngase në ndërtimin poetik të këtij libri, konsidreoj se ka mjaft për t’u thënë, mjaft për t’u shkoqitur brenda kësaj lënde poetike. Poeti ka vazhduar shkrimin poetik duke u nisur nga muza e tij, që gjatë gjithë kohës e provokon unin e tij krijues. Këtë konstatim e sjellim nga faktet se derisa shkruan poezi, aty takojmë edhe çastet e frymëzimeve, të heshtjes dhe të dyshimit të herëpashershëm, takojmë vrullin e tij krijues me motivacion ecjen tutje, që për argumentim të këtij vlerësimi citojmë poezinë “Eratoja”(njëra nga nëntë Muzat), ku: “një tjetër plagë/ më hapi në shpirt/ dhe iku/ e mira/ e bukura Erato”, (fq. 50). E sjell këtu poezinë nga fundi i librit, që paraqet dy mundësi të ecjes tutje në rrugën krijuese të autorit, derisa në poezinë “Kishte vite që mungonin mjelmat” ku autori shprehet i gëzuar më në fund, meqë kaherë nuk i ishte kthyer frymëzimi, rrëfehet:
“në liqen kishte vite
që mungonin mjelmat
mua kishte kohë
që s’më kishin vizituar Muzat”
Ndërkaq, në poezinë “Ti stinë e bukur” autori do të përballet me
një “tollovitje” dhe “zemrim/ i pashpallur i Poseidonit”, kështu
që me bindjen se ia ka dalur të thotë shumë nga vetja, në fund ndihet
indiferent ndaj gjendjes shpirtërore të krijuesit (vetvetes) që “në Zyrën e
Shërbimeve Funerale/ sot/ shërbekan vetë/ Muzat/ sa do të doja/ ta shpallja
ikjen time/ qysh/ tani/ (fq. 37).
Në triptikun poetik që përshkon gjithë organizimin e poezisë së Dashamir
Malos, trajtohen tri tema bosht, që këtu përbëjnë strumbullarin poetik të
ngjyrosur me kaltërsinë jonike dhe me aromën e detit dhe jetës në vendlindjen e
tij dhe gjithandej kah zhvillon veprimtarinë jetësore. Atje gjen frymëzimin,
rehatinë shpirtërore, tematikën dhe personazhet që i trajton në çdo varg e në
çdo fjalë. Në përgjithësi brenda librit sikur na sjell vërdallë në ambiente të
përshkruara bukur të vendlindjes së tij, ku: “toka ime është atje/ e
dhembshur dhe e padjallëzuar/ toka ime që rrit/ lule/ thekër/ dhe pemë/ toka
ime / që mban në gji të parët e mi/ dhe kujtimin e një kohe/ të largët”,
(fq. 3).
Dëshmia për lashtësinë e trojeve dhe qëndresa në brezni vjen e trajtuar
mirë në poezinë “Kangjele”, ku heroizmi i “burrave paganë” vjen i
skalitur në origjinalin e kujtesës së sjllur nga “isua e përzishme/ nisur
nga
Të motivuara nga malli dhe dashuria e vendlindjes vijnë edhe poezi të
tjera, që shquhen për imazhin e qiltër, pavarësisht ikjes së kohës dhe
ndryshimeve që pasuan në dekadat e fundit. Të këtyre motiveve janë poezitë: “Fëmijët
e lagjes sime”, “Fqinjit tim të dikurshëm”, “Vendlindje”, e ndonjë
tjetër, që mund të hetohet gjatë leximit të kësaj përmbledhje poetike, ku shquhet
fryma e atdhedashurisë dhe vargut plot mall dhe ndjenja shpirtërore e autorit.
Një pjesë tjetër e shqetësimeve poetike të Dashamir Malos janë edhe
familja, kryesisht prindërit, por një ndjenjë malli dhe dashurie e përshkon
autorin edhe për fëmijët, shokët, fqinjët, etj. Shquhet sidomos malli për nënën, portretizimi i së cilës vjen
si një pikturë me të gjitha elementet e
portretit. Dashuria prindore, dhimbja dhe ndjenja e dashurisë për gjithçka që
preket me shpirtin e prindit për fëmijën, ku: “Fillikate nëna ime atje në
Përmet/ gjithë ditën kuvendon me lulet/ në ballkon/ kur shkoj/ lulet më
flasin me gjuhën e nënës/ nëna më flet me gjuhën e luleve”, për të shprehur
atë shqetësim për gjendjen e saj dhe ikjen e forcës nga vetmia: “eja bir/
gjunjët po më lënë/ dhe lule violat kërkojnë ujë/ eh nëna/ eh lule violat”
përmbyll poezinë “Nëna ime”, ku portreti i saj del ashtu origjinal si
mund të ndihet një nënë në largësi me fëmijën, një nënë që e lë forca dhe
shpresa që ta vazhdoj jetën. Në fakt këtu lulja simbolizon jetën në vendlinjden
ku brezat e rinjë duhet ta kthejnë ujitjen e freskinë e jetës. Kjo veçori e ka
katandisur një pjesë të dukshme të vendbanimeve rurale, për të migruar në zonat
urbane dhe droja se përfundimisht do të mbesin djerrë arat bukatore, autori ka
pikasur ta paraqes me pak fjalë fuqinë e ndjenjës së mallit prindor dhe
domosdoshmërinë e ringjalljes së jetës në shumë vise tashmë të braktisura.
Poezitë, si: “Tim biri“, “Nëna ime”, “Brengë dhe mall”, “ etj.
janë dëshmi e patjetërsueshme e këtij vlerësimi të vargut mjeshtror të Dashamir
Malos.
Deti është pikëtakimi i tretë poetik në librin “Ndoshta”, për të
sjellur këtu peisazhe të një vendi të bukur dhe me veçantitë e klimës, të jetës
dhe stinëve, që me përkushtim shpërfaqen në poezitë: “Fund vere”, “Gri”,
“Gjelozia e diellit”, e të tjera, për të bashkëdyzuar këtë dashuri
ambientale me dashurinë për jetën, të bukurën, stinën, etj. që i japin freskinë
joniane dhe çiltërinë poetike gjithë opusit krijues që takojmë këtu. E motivuar
nga dashuria e dyanshme: nga freskia joniane dhe dashuria njerëzore vjen edhe
poezia (“Ti do të vish”, ku autori pëmbyll mendimin e tij me këto fjalë
që burim e kanë bindjen dhe besimin se ia ka dalur ta kap pikën e synimit të
tij të përafrimit me personazhin: “E di/ ti do të vish/ pranë Jonit
kaltëruar/ me Diellin në sy/ me botën/ në duar” ( fq. 22). Edhe
shumë poezi tjera sjellin atmosferën e jonit, të mallit dhe dashurisë, që e
përshkojnë një pjesë të dukshme të krijimtarisë së Dshamir Malos, si: “Alketës”,
“Stina jote”, “Zana e malit”, “Të pres ty”, “Ti”, Mërzia dallgë më hedh në
shpirt”, etj.
Krahasimi i dy moshave, apo ballafaqimi në të njëjtën kohë i të dy moshave në po të njëjtin sallon bukurie, ku: “presin në radhë/ një grua e thyer/ me shpresën/ për ta kthyer kohën prapa/ sa më përpara/ dhe një adoleshente/ me shpresën/ për ta shtyrë kohën para/ sa më para”, (“Tendenca të kundërta”, fq. 32), konsideroj se është një veçanti krijuese e Dashamir Malos, ku shquhet për ndërlidhjen e mendimit dhe kohës, që konsideroj se është ndër poezitë e tij më të realizuara.
Përmbyllja, apo premtim i frutave të reja poetike
Malo vjen tek lexuesi më i pregatitur se asnjëherë më parë. Libri i tij
i katërt poetik “Ndoshta” i paisur me elemente të ndërtimit të poezisë, si në
aspektin gjuhësor, me rrjedhshmëri të vargut lirik, me një komunikim të lehtë,
spontan dhe mjaft transparent në shprehjen e mendimit dhe mesazhit të
qëndrueshëm, me një vlerë të kënaqshme stilistiko-letrare dhe me prekje të
ndieshme tematike të shumë çështjeve dhe problemeve jetësore dhe ambientale të
mjedisit ku jeton. Sjell një peisazh tepër të këndshëm dhe pa patetikë të
qytetit ku jeton, ku prek ndieshëm edhe intimitetin e jetës, ardhjen e stinëve, etj. Stinëve në qytetin e
tij u këndon tek poezia ”Stina jote”, ku: “me ardhjen tënde/ u
dhe dritë dhe ngjyrë/ mbrëmjeve të mia/ ja/ pse i dua/ netët sarandiote”
(fq.25).
Një freski joniane plot aromë deti që na shpie nëpër kohë e hapësirë e takojmë pothuajse në tërë librin “Ndoshta”, ku vjen si një buqetë vargjesh, që “ndoshta “ i kanë munguar lexuesit kaherë. Por, kjo mungesë e një poezie të frymëzuar nga kaltërsia joniane ka fituar tashmë plotninë e saj, me premtime të frutave të reja poetike.