E merkure, 24.04.2024, 09:12 AM (GMT+1)

Sport » Futbolli Shqiptar

Besnik Dizdari: Mesa duket është “PartizanDinamo”…

E hene, 28.04.2008, 02:30 PM


Besnik Dizdari
Mesa duket është “PartizanDinamo”…

Nga Besnik Dizdari

Nga “romani” i futbollit të Kampionatit Kombëtar nën temën: “Përse futbolli është ndër sportet “më të prapambetur” në Shqipëri”

1.

Mesa duket është PartizanDinamo…

Të cilët unë i kam bashkuar prej kohësh kësisoji, në shkrimet e librat e mi, duke vënë të parin Partizanin ngaqë është themeluar (1946) katër vjet para Dinamos (1950). Kanë fituar së bashku 31 Kampionate të Shqipërisë. I kanë fituar në një kohë, asokohe, në një “epokë”…

Ashtu si dikur pra. Ashtu siç thamë një javë më parë: që ky është Kampionati i PartizanDinamos, dy dikasterialët e mëdhenj, të cilët, për herë të parë mbas plot 18 vjetëve mëtojnë midis védi një duel të tyre të veçuar për të rrëmbyer titullin e Kampionit. Pat qenë 1990, kur Dinamo u shpall Kampione përmes duelit të vetëm me Partizanin, që ishte Nënkampioni. Në tanësi, kjo është e 17-ta herë që dyshja sunduese e futbollit shqiptar të gjysmës së dytë të Shekullit XIX, Dinamo e Partizani ose Partizani e Dinamo, rreshtoji si të duash, i rikthehet një dueli të këtillë, të luftës mbrenda llojit të tyre, për të rrëmbyer titullin shqiptar të futbollit. Dhe ashtu është: që në duelin e drejtpërdrejt, 9 herë Dinamo ia ka rrëmbyer titullin Partizanit, ndërsa ky 7 herë, madje më 1957 dhe 1961 mbas ndeshjeve shtesë fundore, e më 1961 mbas dy ndeshjeve, ku e fundit qe me “golden goal”, i që “e kopjoi” FIFA mbas gati një gjysmë shekulli…

Edhe të shtunën e 26 prillit 2008, dy mëtuesit mbetën aty ku ishin: vetëm dy pikë larg njëri tjetrit, Dinamo 58 pikë, Partizani 56. Dhe nëse një javë më parë patën të dyja dy barazime 0-0, kësaj rradhe qenë dy fitore thuajse të ngjashme, ose të një ndryshimi prej vetëm një goli: Partizani 2-1, Dinamo 3-1. Në përmbajtje ndeshjet e tyre nuk patën asnjë përngjasim. Fitorja e Partizanit qe e vështirë, me kthesa e emocione të forta, e 55-ta e tij përballë 38 të tiranasve të cilët nuk po e mbërrijnë kurr kundërshtarin e tyre të pamshirshëm qysh nga 1946-ta. Ndonëse këta të fundit janë në epërsi për vitet 1990-2008: 23 fitore përballë 14 të partizanasve. Ndërkaq, fitorja e Dinamos qe krejt e lehtë, përderisa ajo shkoi deri në 3-0 dhe goli i elbasanasve më tepër se ngushtim, qe një ngushëllim i vogël që shpëtonte një thellim të mëtejshëm për miqtë nga Elbasani.

Përfundimisht 2-1 e 3-1!

Të dyja në Tiranë, në të njëjtën kohë, në të njëjtën orë, fare pranë njëra tjetrës, në një largësi prej vetëm nja 500 metra larg vijë ajrore. Nuk mbaj mend ndonjëherë që duke qenë të dyja mëtuese të titullit Kampion, katër javë para mbarimit të Kampionatit, Partizani e Dinamo të luanin po njëkohësisht në Tiranë në dy stadiume të ndryshme me kundërshtarë të ndryshëm. Dikur kjo nuk mund të ndodhte kurrsesi, sepse ishte e vështirë t’i ndaje spektatorët. Të shtunën kjo ndodhi pa krijuar asnjë problem, sepse tashmâ Kampionati i Shqipërisë nuk ka spektatorë. Në Stadiumin “Selman Stërmasi” tribuna karshi nuk pati asnjë spektator, ajo qendore gjithashtu e përgjysmuar në shkrétinë e saj, ndonëse luante skuadra e cila kërkonte titullin e Kampiones së Shqipërisë. Kjo ngaqë futbolli është “sporti më i prapambetur” në Shqipëri, siç e kemi përcaktuar emblemën e këtij cikli tonë që shoqëron ecurinë e epilogut të Kampionatit të 69-të Kombëtar.

Në “Qemal Stafa” ndonëse ishte diçka ndryshe, një mjedis disi më i ngrohtë, dhe doemos një numër shumë më i madh spektatorësh, ndoshta nja 3000– 3500, në përmbledhje qe prap tepër larg të një tradite. Edhe këtu fotoreporteri duhej të tregohej tepër i vëmendshëm për të mos bërë foto me një sfond të tribunave të boshatisura.

Pavarësisht nga kjo, në gjithë këte “roman” për Kampionatin Kombëtar, në fund konflikti megjithëse nuk mbërrin në një lloj epopeje futbolli, çka gjithashtu nuk mund të ndodhë kurrnjiherë më në Kampionatin e Shqipërisë, duket se në një farë mënyre, vjen e forcohet. Po aq sa vjen e forcohet edhe në të mirë të dy mëtuesve historikë, të cilët në këto 17 vjetët e fundit dalëngadalë thuajse po dilnin nga historia. Dhe kërkojnë të rifuten.

Të shtunën ata bënë një hap të rëndësishëm. Fituan ndaj dy prej katër ndjekësve më të afërt të tyre, duke i mënjanuar plot siguri, në fund të fundit. E, tash ndodhen në këte largësi të çmueshme:

Dinamo 12 pikë larg Sportklub Tiranës, 14 pikë larg KS Elbasanit dhe 16 pikë larg Vllaznisë!

Partizani: 10 pikë larg SK Tiranës, 12 pikë larg KS Elbasanit, 14 pikë larg Vllaznisë!

Kjo statistikë aktuale pikësh është mjaft interesante dhe na çon te ky përfundim:

Sporktlub Tirana– Kampione në fuqi- nuk mund të jetë Kampione e vitit 2008: është 12 pikë larg kur kanë mbetur vetëm 4 javë.

Teorikisht mëtuesi i tretë, për hir të të së vërtetës edhe ky në imagjinatë, mbetet vetëm Besa e Kavajës. Ma merr mendja se as Dinamo dhe as Partizani nuk kishin parashikuar një fitore të kavajasve në Shkodër. Me siguri kanë pritur humbjen e tyre, e kjo do të thoshte mënjanim përfundimtar prej çdo ëndërre optimiste edhe të skuadrës së Besës. Mirëpo, skuadra e Kavajës fiton disi bujshëm dhe përmes kthesave që nga jashtë të duken dramatike (kryeson 2-0, barazohet 2-2, por kalon prap te fitorja 3-2 falë një Mancaku të papërmbajtshëm), po që kur sheh golat zbulon butësinë apo brishtësinë e një ndeshjeje që nuk përngjân me asnjë të mëparshme midis tyre. Kështu apo ndryshe, e vërteta është se të paktën në letër, edhe Besa mbetet mëtuese e titullit: 8 pikë larg Dinamos dhe 6 pikë larg Partizanit. Ka kryesuar dy javë të Kampionatit. Historia e rrufeshme e këtij kryesimi befasues, që ndodhi në ditët kur skuadra e Kavajës përshkohej në dy ture të Kupës së Evropës, duke u bërë skuadra e parë shqiptare e cila largonte nga Kupat e Evropës një klub të Serbisë së fuqishme të futbollit, Bezanien “e panjohur”, është pak a shumë kjo:

Besa ngjitet e vetme në kryesim në Javën 6 mbasi fiton 3-1 me SK Tiranën, 1-0 KS Elbasanin, bie paksa prej barazimit 0-0 me Dinamon në Tiranë, ringjitet në Javën 11 mbas barazimi çuditërisht 1-1 po në Shkodër me Vllazninë. Dhe vetëm kaq. Tash “fataliteti” i periudhës së tretë të Kampionatit i blaton dy ndeshje të një karakteri të madh: më 3 maj kemi Besa– Partizani dhe më 10 maj kemi Dinamo– Besa. Le të mendojmë për një çast dy fitore të Besës. Atëherë Kampionati do të fillonte nga e para mu në 180 minutat e fundit të tij. Vështirë të ndodhë megjithate, kur kujton se me çfarë gjakimi (pasioni) Dinamo e Partizani e kanë ndërmarrë këte rrëmbim të titullit kampion: Partizani mbas 15 vjetëve (1993) dhe Dinamo mbas 6 vjetëve (2002). E kur mendon ndërkaq, se ndeshja e fundit është “fundorja” (finalja) Dinamo– Partizani, sendërtime artificiale që veç në drejtimin shqiptar të futbollit mund të ndodhin, atëherë e kupton se paramendime kësisoji të një shorti të bërë “saktë” me dorë, kanë ndihmuar jo pak gjatë kësaj stine për të risjellë në podiumin e historisë PartizanDinamon.

Do të kemi kështu vetëm duelin midis tyre, në 360 minutat e fundit…

2.

Java 29 e K69K shkaktoi vetëm një ndryshim vendesh, Kastrioti me Teutën në shkallët 9-10, e cila duhet përcaktuar si java e lumtur për PartizanDinamon, të cilët mënjanuan përfundimisht dy nga katër mëtuesit e mundshëm. Flakën tej një herë e mirë Vllazninë e Shkodrës, e cila qysh sot duket si diçka që nuk ka të bëjë me Kampionatin Kombëtar. Endërron Kupën të cilën nuk e ka prekë me dorë tash 21 vjet (1987). Por ky nuk është kuptimi i vërtetë i futbollit. Synimi i një kupe natyrisht nuk do të thotë shpërfillje e ndeshjeve të Kampionatit Kombëtar, sepse për të shkuar edhe për te Fundorja (Finalja) e një Kupe, kërkohet ruajtja e tonusit të lojës. Ndryshe kushedi se çka ngjet…

Në pamje të jashtme Java 29 duket tejet e hijshme: 18 gola, një më pak se javët rekordmene 17, 19 dhe 26, kur u shënuan 19 gola. Tri fitore të jashtë fushës (të miqve), përmbysëse ndeshja e Shkodrës, dramatike ajo e Partizanit, qëndresë e madhe në ate të Kastriotit, fitore e pamshirshme ajo e Shkumbinit. Dhe për çudi, ndonëse kemi thënë se “futbolli është sporti më i prapambetur” në Shqipëri” (sa diskutime mund të hapen nën ndikimin e kësaj thënieje kapriçioze!), papritmas Kampionati duket se e ndërron skenën letargjike të tij në këto katër javë. Ndonëse dueli Dinamo-Partizani qysh sot u shndërrua vërtet në duel (i vetmi pra) me mënjanimin e pamshirshëm që iu bëri skuadrave të tjera falë verdikteve të Javës 29.

Situata në fund të Renditjes me humbjen e Besëlidhjes në fushën e vet dhe barazimin e Teutës në Durrës, i jep treshes munduese të fundit, asaj Kastrioti-Teuta-Besëlidhja, një lloj tragjizmi futbollistik, nëse mund të ishim kaq të rreptë në përcaktim, që për një çast të duket se është edhe më e ashpër se lufta për titullin. Kampionati ka kështu në javën që vjen tri ndeshje të ndershmërisë dhe shpirtit të madh sportiv: KS Elbasani– Besëlidhja, Shkumbini– Teuta dhe Flamurtari– Kastrioti. Më i çuditshmi duket të jetë kryqëzimi Vlorë- Krujë, spese një fitore kruetane papritmas mund të tërheqë edhe Flamurtarin në një rrezik përfshirës në katërshen e rënies dhe të atij që i thonë “Play – out”. Pa harruar ngjarjet e kreut, që përmblidhen me ndeshjet vendimtare SK Tirana– Dinamo dhe Besa– Partizani. Kuptohet qartë se Java 30, shifër e plotë në rrumbullkësinë e vet, ndoshta është java – kyç e ecurisë së mëtejshme të epilogut të Kampionatit. Gjithçka është vendimtare me përjashtim të një ndeshjeje të vetme, ajo që luhet në Shkodër, midis Vllaznisë dhe Skenderbeut, që vështirë të ketë spektatorë, kur u pa se shkodranët munguan edhe në ndeshjen “e fortë” me Besën.

E kemi thënë para pak: futbolli i Kampionatit Kombëtar ka dorëzuar edhe kalanë e vetme të spektatorëve, atë të Shkodrës. Dorëzimin do ta firmosë përfundimisht të shtunën me skuadrën korçare. Do të jetë si një ndeshje me dyer të mbyllura.

Mjerë futbolli e Campionati bashkë! Mjerë sporti më popullor i Shqipërisë, që sa vjen e shfaqet vërtet si “sporti “më i papambetur” në Shqipëri”.

3.

Të shtunën në tribunën e “Qemal Stafës” ka qenë trajneri i Kombëtares së Shqipërisë Arie Haan. Nuk e di se çka ka medituar rreth Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë kur dihet se ka luajtur 35 herë me Holandën legjendare të Johan Cryuff-it dhe se ka fituar edhe ai Kupat Evropiane hyjnore të Ajax-it të Amsterdamit. Qe ulur në tribunën qendrore të Stadiumit Kombëtar, duke patur në krah Din Zhegën, i cili në një ndeshje të vetme ka qenë një nga sfiduesit e Ajax-it, asokohe lojtar i Vllaznisë, po që me urdhër të Partisë u shfaq nën fanelën e “17 Nëntorit” të Tiranës. Holandezi i madh i futbollit botëror, i cili çuditërisht ka përjetuar dhe është bërë pjesë edhe e futbollit të Qipros e të Kinës, të Casablanca-s dhe Teheranit, nuk mendoj se të shtunën është zhgënjyer dhe aq. Për fatin e tij ka pa një ndeshje të bukur, këte Partizani– SK Tirana: shpejtësi, gola, kthesa, gjakim (pasion) futbolli, etje për rrëmbim fitoreje, shpesh herë edhe teknikë e kalime të menjëhershme topi në trekëndsha të rrufeshëm që çuditërisht i paraqiti mëse një herë Partizani i së shtunës, e deri diku edhe SK Tirana, e cila luajti më mirë me 10 se sa me 11 lojtarë!

Ai e la tribunën me një vështrim meditativ dhe me një buzëqeshje të lehtë, ndërsa unë kërkoja ta psikologjisja nga larg. Mu duk sikur me vehte thoshte: “Këta kanë futboll, e këtu mund të punohet”. Nuk besoj se kuptonte që ndër ne jorrallë ajo që mungon është bash puna. (“Kâ i fjalë turke ban lazém”, siç thoshte Fishta, e në shqipet “bash” ka kuptimin “pikërisht”, “shì”, “mu”. Për fat të keq e përdorin jo pak gazetarët e rinj, sepse e mendojnë fjalë të gjuhës shqipe). Mbas këtij mbrapaktheu gjuhësor, i afrohem prap Arie Haan-it. Kurr nuk mund ta vërtetoja nëpërmendjen e tij megjithate. Ishte thjesht një hamendje e imja në gjithë fatin tonë dhe të holandezit që pamë një ndeshje të mirë në ditë të vështira të futbollit shqiptar. Disi larg më shfaqej Kombëtarja e cila nuk zbret në fushën e lojës tash 157 ditë! Po afron. Do të ishte mirë që Arie Haan, të qëndronte edhe disa javë këtu për të kuptuar se vërtetësia e Kampionatit Shqiptar nuk është ndeshja e 26 prillit Partizani – SK Tirana.

“Background”-i (në këte rast “prapaskena”), siç e përdorin edhe këte tash e parë pa pikë mëshire për gjuhën shqipe, i Kampionatit Kombëtar është krejt tjetër. Eshtë Vllaznia e cila i ka dhënë Kombëtares së Shqipërisë 48 lojtarë, e tash nuk i jep asnjë. Eshtë Teuta dhe Flamurtari të cilat kanë qenë shtylla të cilësisë së futbollit kommbëtar e tash nuk luajnë më asnjë rol. Eshtë Skenderbeu i Korçës, i cili si një nga themeluesit e Kampionteve të Shqipërisë, sot humb 7 ndeshje rresht, dhe në tetë muaj garë ka fituar vetëm 1 ndeshje jashtë Korçës, dukuri apo ngjarje këto që na çojnë gjithnjë e më fort te përcaktimi ynë se “futbolli është sot sporti “më i prapambetur” në Shqipëri”.

Për fat po vjen Kombëtarja shqiptare e holandezit Arie Haan. E cila gjithë këto vite ka shkuar drejt rritjes dhe është shkatërruar “vetëm” prej dy vendeve ish komuniste të cilët rëndom vazhdojmë të mos i mposhtim, mbrenda katër ditëve “të paharrueshme” të tetorit të vitit 2007: Bellorusia 2-4 dhe Rumania 1-6 pa kuptimin e përmbajtjes të të cilave Arie Haan nuk mund dhe nuk duhet ta fillojë punën e tij. (Ne do të vazhdojmë t’i mbyllim shkrimet e ciklit tonë me këto ndeshje, si një vijë melodike që i kërkon harmonia e “romanit’ tonë, ngaqë ende ato i rrethon një heshtje misterioze).

Kampionati vazhdon këte të shtunë. Ndoshta as kësaj rradhe nuk thamë fort gjëra të reja. Sepse mungojnë risitë. Me përjashtim të kësaj: Për herë të tretë qysh se ka rënë Regjimi 16 vjet më parë, titulli do të shkojë te njëra prej dy skuadrave të vjetra ushtarake dikasteriale. Kështu që, me sa duket, është vërtet PartizanDinamo…

Partizani nuk ka fituar një titull qysh më 1993, Dinamo qysh më 2002. Në tanësi vetëm dy tituj në 16 vjet. Ata ranë me Regjimin. Ngritja e tyre e vitit 2008 është diçka tjetër…

Atëherë, të shtunën e 3 majit 2008…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora