Kulturë
Sejdi Berisha: Dudi plak në Patrikanë
E enjte, 27.12.2012, 10:50 AM
 P O E Z I
P O E Z I
Sejdi BERISHA:
DUDI PLAK NË PATRIKANË
(Kushtuar Dudit Plak në Patrikanë të Pejës në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë)
Sa puthje si kurorë dielli në qafë i ke varur  
Gjinjtë e drenushave pa mëshirë i ke përvëluar
Sa thyerje zemrash ke përjetuar 
E shkrumb tek kroi i akullt
Nën Ty lindjet i kanë vendosur dashnorët e kësaj toke
Edhe tradhtitë janë prehur nën flladin tënd
Asgjë e re
Kështu me ditë javë e vite ishte
Kështu me decenie
E, Ty as sot s’të ha palla
S’lëviz fare
Vetëm murosë histori
...Të kam lakmi
Që nga barrët kërrusur je  
Që sipër mendjes ngarkuar t’i kanë  
Pse heshtë tash e tre shekuj e as shpirt nuk japë 
Vetëm degëzohesh e trungun nuk e dorëzon
Ndoshta je duke pritur diellin e diellit
Kot pret ashtu
Edhe në pritje të kanë tradhtuar
Të kam lakmi... edhe zili
Sa njeriu është dashuruar nën kurorën tënde
Sa rrenat janë thyer për historinë përbri trungut thatak
E Ti, edhe tash heshtë e nuk flet
Në trupin tënd e nën kurorën e hapur
Ka rrëke lotësh, ethe e trishtim 
Për jetën, o Dudi Plak
Çfarë të bëj...
Ma jap barrën e peshën tënde 
E të kërrusëm fortë e fortë
M’i jap sytë e tu e të flasë pa gjuhë
M’i jap veshtë e të flasë pa zë
Atëherë...
Nën kurorën time le të vërshojnë lulet
Le të ndizen zemrat e etjeve të Kosovës
Lindjet le të presin damarin e pritjeve
Falma kurorën tënde
O, Dudi Plak
Te ta dhuroj jetën time
E të kërrusemi bashkë
Ti ruaje historinë
E unë të rrëfej vetëm për dashurinë 
Këtu e shoh jetën e vdekjen
Këtu bekoj edhe lindjen e njeriut
Falma kurorën, o Dudi Plak
Se lirinë e shpirtit e kemi hak
Por ...
Mos ta hap këtë kujtim
Se harta ime do harliset
Do të dalë   
Jashtë kornizave të kapërthurta
Atëherë, unë dhe Ti
Në të njëjtën kohë 
Do qeshim dhe do qajmë
Kurse loti do ngelet udhërrëfyes i çuditshëm
O, Dudi Plak
Ti, histori e tokës sime...

 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










