Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Kultura e lirisë përballë mizeries morale
E enjte, 20.12.2012, 09:03 PM
Kultura e lirisë përballë mizeries morale
Nga Ndue Ukaj
Kosova
duke kaluar nga robëria në liri dhe nga liria deri te pavarësia, ka realizuar
kështu dy aspirata fundamentale, të cilat ja kanë mbajt gjallë shpirtin veprues
dhe dinamikë ndër vite. Mirëpo, pas përmbyllës së këtyre dy etapave, ka munguar
dhe vazhdon të mungoj ideja mbi çfarë baze morale dhe intelektuale synohet te
ndërtohet vendi. Kjo gjendje, ka krijuar amulli dhe plogështi në vend.
Çdo
shoqëri, në çdo kohë, ushqehet nga disa ideale të larta, që bahen parime të
brendshme dhe që e mbajnë gjallë. Mbi këto parime e ideale, krijohet kulturua e
interesit të përbashkët.
Pas
sendërtimit të aspiratës për liri dhe pavarësi, shqiptarët e Kosovës e kanë
humbur busullën e orientimit. Nuk ka më ndonjë parim intelektual e moral mbi të
cilin synohet të ndërtohet vendi ynë. Nuk ka më ndonjë ideal që e ushqen
qytetarinë tonë. Përkundrazi, qytetarët e këtij vendi, ushqehen me të keqen dhe
e keqja ka filluar të bëhet parim i
përditshëm, që i ofrohet nëpërmjet politikës, arsimit, medias, etj. Përballë
kësaj gjendje degraduese, asnjë alternativë e shëndoshë dhe shpresëdhënëse,
s’duket në horizont.
Mungesa e
një alternative dhe e një ideje progresive e pozitive, ka bërë që një shoqëri e
tanë të rrokulliset ne mizerie morale. Në këtë situate, ku kapadaillëku i ka
zënë vendin inteligjencës, është e vështirë me prit zhvillime pozitive.
Shoqëria jone, është lirua nga prangat e robërisë, por s’e ka kultivua kulturën
e lirisë dhe demokracisë. Në mungesë të kësaj edukate dhe në mungesë të
edukatorëve, mediokriteti ka lëshua rrënjë kudo, duke e shndërrua mosdijen në
një normë të pashkruar, por të domosdoshme për “suksese”. Kjo ka sforcua tej
mase një klasë pseudopoltikanësh e psuedoanalistësh.
Kosovës,
tashmë një kohë të gjatë i mungon një klasë idealistësh e intelektualësh, që
guxojnë, por edhe që dinë t’i dalin përballë të keqes, jo me një të keqe
tjetër, por me një ide më të mirë. Kosovës, i mungon një klasë intelektuale, që
duhet të dalë dhe të jep alternativa të shëndosha e të motivuara nga idealet e
mirëbërsisë (koncept i Branko Merxhanit).
Kjo gjendje, ka bërë që ideali i njerëzve tanë të jetë fudullëku, pushteti
pa meritë, dija pa kritere, arritja pa mund, karriera pa punë. Këto vese, na
kane çorientuar gjithë sistemin. Një kastë mediokrish e rrahagjoksësh drejtojnë
vendin, ndërkohë që partitë, mediat, institucionet akademike dhe arsimore, janë
shndërrua në duzina që prodhojnë numër dhe jo cilësi. Në Kosovë, është fashitur çdo ideal për të krijuar një
shpirt unik e shtetformues. Në anën tjetër, sentimentet ndaj pushtuesve osman
janë shtuar dhe rritur deri në dashuri, ndërkohë që adhurimi për vlerat tona të
njëmendta bie çdo dite e me shumë. Shqiptarët e Kosovës jetojnë pa ndonjë ideal
të lartë, pa asnjë synim madhor, pa asnjë qellim afatgjatë dhe pa plane
strategjike shtetërore. Këndej pari, këto parime i ka zëvendësuar improvizimi
dhe alibia e arsyetuar banalisht: për ne kujdesën të huajt. Në gjithë këtë
amulli, një rol tejet negativ kanë luajtur edhe mediat, të cilat nuk kanë bërë
përpjekje minimale të jenë në shërbim të së drejtës, të së mirës dhe të
përhapjes së kulturës së lirisë, që është porta e vetme drejt demokracisë së
shëndoshë.
Çfarë i duhet
shoqërisë sonë? Këtë pyetje e shtrojnë
idealistët e paktë, që me ankth e shqetësim shestojnë rrokullisjen e shoqërisë
sonë në mizerie morale, që zënë fill me debatet absurde në tempullin e
demokracisë (parlament) dhe aneminë e opozitës për të dhanë një ide shtytëse më
të shëndoshë e më progresive. Po këtë anemi, e ndeshim edhe në sferën e
përgjithshme publike, te shoqëria civile, mediat dhe intelektualët.
Andaj,
Kosovës më shumë se kurrë, i duhet një ide e re shoqërore, që i del përballë të
keqes që ka triumfuar kudo. Kjo s’është e lehtë, por s’është e pamundur. Duhet
një ide e mire, që pikësynim ka interesat e përgjithshëm dhe të mirat e
përbashkëta. Kjo filozofi ndërton ideale
të përbashkëta. E kjo behet nëpërmjet një klase të shkolluar mirë dhe me parime
të shëndosha humane dhe kombëtare, nëpërmjet një inteligjencie që është e aftë
dhe e guximshme m'i këput zinxhirët e mendjes, siç do te kërkonte F. Konica.
Katandisja jonë në mizerie është bërë me vetëdëshirë. Ne vendin tonë, ende nuk
shihet një frymë e re, as ne media, as në kulturë, as ne sferat tjera, qe do
t'i thoshte me dije dhe alternativa stop te keqes dhe njëkohësisht do të
shfaqte alternativa e ide të menduara mirë, në përkim me ambiciet e vendit.
Politika ka përgjumur edhe atë klasë intelektuale që kemi pas. Një pjesë e ka
fut nën sqetullat e pushtetit dhe e ushqen me ndonjë kockë, sa për t’ia mbyll
gojën. Një pjesë e ka katandis në mjerim ekonomik. Mediat dhe analistët e
shumte, janë ose mediokra ose shfaqen me ide rrënues. Nuk mjafton vetëm të
kritikohet ky sistem dhe ky pushtet. Duhet dhënë alternativa e ide të qarta si
dilet nga kjo gjendje. Opinioni publik, është i uritur për ide kreative dhe
ndërtuese. Ai nuk ka nevojë për kundëride të këqija. Në këtë sens, e shoh tejet
shqetësues fakti se edhe ato pak ide te ndryshme qe shfaqen në politikë e herë
pas here edhe në media, s’kanë substancë, janë jashtë çdo realiteti kombëtar e
ndërkombëtar dhe pak duken të jenë qëllimmira. Kjo ka bë që shoqërinë tonë ta
kap një ndjenjë e plogështisë, ndërsa inteligjencien e paktë, një ndjenjë e
indiferentizmit, e arsyetuar me fjalët: asgjë s’bahet më mirë. Populli, po
ashtu ushqehet nga një ndjenjë të perkohëshmerise. Kombet nuk ushqehen me
ndjenjat e përkohshme, sikur çdo gjë ndodh për sot. Kosova ka nevojë për një
rilindje te re shpirtërore, e kjo tashmë është bërë nevojë imediate.
E keqja
më e madhe shoqërisë i ka ardhur nga degradimi i inteligjencies. Ky degradim i
ka krijuar kushte te favorshme kësaj kaste politike, që gjendet ne deficit të
gjithfarshme, m'u sjell si te dojë me fatin e një vendi. Kjo degradim, ka
shkërmoq idealet dhe sot, politika është bërë ushqim dhe shujtë e përditshme
për shqiptarët. Kultura, është marxhinalizuar, ndërkaq njerëzit e kulturës,
trajtohen si "për gjynah". Nuk ka mundësi një komb me ec drejt
përparimit, pa pas edukatorë, njerëz të kulturës, njerëz te dijës, qe dinë ta
ushqejnë me vlerave të njëmendta. Është
tashmë fakt i pranuar se politika ka ngulfatur çdo gjë. Ne shohim sesi njerëzit
e konjukturave të ndryshme, varin maska dhe atyre ju besohet verbërisht. Këtu
bëjnë pjesë edhe disa pseudo akademikë, që të vetmen gjë që e bëjnë mirë për
Kosovën është mjegullnaja dhe plogështimi i shoqërisë.
Kosova
duhet ta flakë idenë se shteti jeton për vete dhe luksin e tij. Vendi ynë duhet të ushqehet me ide tjera, me
ide kulturore e ideale kulturore, sepse vetëm këto ide e ideale, mund ta mbajnë
gjallë fanarin e ndezur të një shpirti gjallërues kombëtar.