Shtesë » Lajme
Fjala e deputetes Aurora Bakalli
E marte, 06.11.2012, 06:46 PM
I nderuar
kryesues i Kuvendit të Kosovës!
Të nderuar kolegë deputet!
Projektligji
për zonat ekonomike thuhet se ka për qëllim që nëpërmes zhvillimit të zonave
ekonomike të mundësojë një sërë aktivitetesh ekonomike që supozohet se do të
kenë impakt pozitiv në ekonominë vendore.
Grupi i
ekspertëve të ekonomisë së Lëvizjes për Bashkim konsideron se në fakt zonat
ekonomike përdoren nga qeveritë si arsyetim i investimit për zhvillim ekonomik.
Në fakt krijimi i tyre nuk është ndonjë invencion, por vetëm një imitim i
praktikave të shteteve tjera. Një gjë është e ditur, se këto janë funksionale
për shtetet të cilat tanimë kanë një bazë ekonomike dhe të cilat ofrojnë
llojllojshmëri prodhimi. Ndërkaq, ne konsiderojmë se një model i tillë nuk i
përshtatet secilit vend dhe te ne ky model nuk presim se do të ketë sukses për
shkak të tri arsyeve kryesore: madhësisë së territorit, numrit të madh të
popullsisë së paprofilizuar dhe nivelit të zhvillimit ekonomik në vendin tonë.
Në Kosovë
veprimtaritë e ndryshme mund të kryhen në objektet ekzistuese, vlerat e
rentimit të të cilave nuk janë shumë të larta dhe në të shumtën e rasteve
ofrojnë kushte të mjaftueshme operimi. Pra, Kosova është një territor i vogël
me një prodhim të mangët dhe të dy këto elemente sugjerojnë për operim në nivel
urban ekzistues dhe në asnjë mënyrë në zona ekonomike që kërkojnë investime të
mëdha.
Kosova do
të duhej zhvilluar veprimtaritë ekonomike në mënyrë racionale, me zhvillim
gradual dhe nëse këta hapa do të tregohen të suksesshëm atëherë presupozojmë se
pas një periudhe dhjetëvjeçare do të vinte koha e investimeve në zonat
ekonomike, e ndoshta deri atëherë ky do të bëhet një model inekzistent.
Prandaj, le të fillojmë të mendojmë racionalisht dhe realisht, e jo të
përdorim modele të cilat janë një
xhaketë tepër e madhe për një trup të vogël.
Për aq më
tepër duke qenë të gjithë të vetëdijshëm me problemet e furnizimit me rrymë dhe
ujë që ka aktualisht Kosova, dështimi i zonave të tilla ekonomike bëhet
krejtësisht evident.
Nga ana
tjetër, Parku i Biznesit është shembull i mossuksesit në këtë fazë të llojeve
të tilla të ekonomizimit.
Për fund, ne si Lëvizje për Bashkim konsiderojmë se duhet ndërprerë imitimin e ekonomive të zhvilluara, por duhet dizajnuar plane origjinale të zhvillimit ekonomik të cilat do t’i përshtaten rrethanave tona. Po e përsëris, ne konsiderojmë se në këtë fazë nuk jemi të gatshëm për një hap të tillë. Nga ana tjetër, po që se ky ligj do të hynte në fuqi, atëherë në një të ardhme të afërt kërkon reformim të infrastrukturës ligjore horizontale nëse dëshirohet që ky ligj të bëhet i aplikueshëm, për faktin se shërbimet dhe kompanitë në kuadër të këtyre zonave kanë trajtim të veçantë.
Ju faleminderit!
Aurora
Bakalli,
Deputete e Lëvizjes për Bashkim në Kuvendin e Kosovës