Përjetësi » Lushaj
Zeqir Lushaj: Livadhi i Gjergjit
E hene, 22.10.2012, 06:25 PM
Një propozim, në kuadrin e 100 vjetorit
LIVADHI I GJERGJIT
-Për
dijeni, kryebashkiakut të Tiranës, zotit Lulzim Basha-
(Por, …edhe Ndokujt-Tjetër, që ka më shumë fuqi e merita për at’ vend!)
Nga: Zeqir Lushaj
-Si një bir
i këtij vendi, lindur në Tropojë dhe qytetar i Tiranës që nga viti 1974, sot, përkatësisht
edhe shtetas amerikan, (amerikan prej Grije!), besoj se nuk i kaloj kompetencat
e njeriut të lirë, pa kurrfarë funksioni mbi globin tokësor veç qënies “ I LIRË”,
nëse e bëj një këtë propozim publik:
-Në këtë 100 vjetor e tutje, qendra e Tiranës, sheshi Skenderbej i derisotëm, të marrë zyrtarisht emrin: - Livadhi i Gjergjit!-
Prej shumë
e shumë kohësh, si qytetar i atij vendi dhe i dashuruar jo pak mbas Tiranës,
kam ndjekur me shumë kuriozitet diskutimet, debatet, planet, stërplanet,
prishjet, ndreqjet, tjetërsimet, improvizimet, euforitë e qefmbetjet rreth të ardhshmes
se sheshit tonë më të madh kombëtar, me emrin Sheshi “Skenderbej”, ose, siç e
quajmë në gjuhën e përditëshme, Qendra e Tiranës. Nuk dua të jap mendime “mbas
pilafit”, për asgjë të shkuar rreth kësaj çeshtje.
…Jemi në vitin
2012, në vitin e 100-vjetorit të mvetësisë tonë kombëtare nga Perandoria Osmane
e kohës…Eshtë muaji gusht dhe jam me leje te zakonshme. Më kish marrë shumë malli
të shkeli në tokën e Tiranës, të thithi ajrin e saj, të rikujtoj rininë time të
dikurshme, per mua, gjithsesi e mrekullueshme dhe e papersëritshme, ashtu si
vet jeta, si për çdo njeri tjetër. Ndaj, nga Kafe “Flora”, në fillim të rrugës
së Durrësit, mesepërmes Qendrës, në mes pallatit të Kulturës dhe Sahatit,
perpara ushtarit të Panjohur e deri tek shkolla e Baletit në lagjen time “Ali
Demi” , bashkë me gruan time Sabrien, e kaluam me kembë, duke parë e duke
bisedue, si dikurë e njëmoti…! Kjo pjesë e Tiranës, me gjithë ndryshimet jo të vogla,
ende e ruan intimitetin e viteve të rinisë kur unë e kam njohur e shijuar si një
malësor i fshatrave të Tropojës, (jo i persekutuar, por i vlerësuar dhe i zbritur në asfalt, me punë e me shtëpi, në breg
të Lanës, në zemër të kryeqytetit). At’herë,
kjo nuk ishte pak. Sot, në kohën e “pushtimeve demokratike”, kjo që thash unë në
këto rrjeshta më lart, është qesharake, pa asnjë vlerë. (Bile rrezik të më kthehet
në akuzë: = nostalgjik i monizmit!!).
Që të mos
e hupi fillin e qëllimit të këtij shënimi të vogël, por me një ide ndoshta të madhe,
po dua të jua them shpejt se, gjëja që më pëlqeu më shumë, ishte fakti që ish-Qendra,
tani ngjante me një livadh të këndëshëm, të bleruar aq mirë. Më frymëzoi deri në
indet më të holla të shpirtit tim delikat, gati të qelqtë.
Ndoshta
mu duk kështu nga ndjesit e mia ende fshatare për livadhet; ndoshta, nga që ishte
shumë vapë e sikur gjelberimi e thyente pak atë; ndoshta se vija nga Nju Xhersi
gjithë blerim në Amerikë; ndoshta e ndoshta, e ka shumë ndoshte. Mua, në fund të
fundit mu duk i bukur e në vend të vet ai Livadh edhe sepse, në mes të tij kalëronte
Gjergj Kastrioti, i quajturi nga turqit, Skënder-Be!
Heroi mbi
kalë…, kali në hap e sipër mbi livadh…, e bënte përfytyrimin tim diçka si
legjendar, krejt realitet.Të paktën, kështu e përjetova unë, në ato momente që e
pashë sëpari. E them pa droje, se ndoshta ishte malli e nostalgjia e vendit
tim, por unë u sugjestionova, u ndijove e u perceptova i tëri në këtë që po ju
them ju lexues të nderuar të revistës tonë simpatike Zemrashqiptare dhe
autoriteteve perkatëse të Tiranës, siç e ndjeva, si i thonë fjalës, në loçkë të
zemrës:
-Si një bir
i këtij vendi, lindur në Tropojë dhe qytetar i Tiranës që nga viti 1974, sot, përkatësisht
edhe shtetas amerikan, (amerikan prej Grije!), besoj se nuk i kaloj kompetencat
e njeriut të lirë, pa kurrfarë funksioni mbi globin tokësor veç qënies “ I LIRË”, nëse e bëj një propozim publik:
-Në këtë 100
vjetor e tutje, qendra e Tiranës, sheshi Skenderbej i derisotëm, të marrë zyrtarisht
emrin: - Livadhi i Gjergjit!-
…Livadhi
i Gjergjit!
Sa hijshëm
do t’i shkonte ky emër. Është emër përfaqësues fshat e qytet; puro shqipëtar
etnik. Është gjithë-kombëtar; Gegë e Toskë. Është Kosovë e Çamëri. Është Shqipëri
Etnike e Diasporë.
Është Bashkimi
ynë historik, i pashmangshëm. Është emërtim perfaqësues i gjithëkohshëm, që nga
pellozgo-ilirit, mesjeta, rilindja, dhe e sotmja drejtë Bashkimit Europian. Ësht
pak Lindje e më shumë Perendim, gjë që them se, as Qose as Kadare nuk do e kundërshtojnë.
Apo nuk
po na vjen edhe Shpata, (nderi i Kryetrimit dhe i të gjithë shqiptarëve),
simboli i 25 fitoreve legjendare mbi Perendorinë më të madhe të kohës, atë Osmane,
që jo rastësisht , nga vet Qeveria e Madhe, per mrritjen e saj triumfale, mbas 5-shekujsh
arrati e kurbet, është caktuar Dita e Çlirimit të Tiranës, 17 Nëntori. Le të ketë
kushtuar kthimi i saj edhe sa rruga e Kombit! Asnjë shqiptar nuk thotë: - pse?
…Mbetem
me shpresë se propozimi im qytetar,
drejtuar opinionit e per dijeni edhe Ju,
i nderuar zoti Basha, (por, …edhe Ndokujt-Tjetër, që ka më shumë fuqi e merita
për at’ vend!), do të merret në konsideratë.
Pamvarësisht
miratimit tuaj ose Jo, unë, kështu do ta thërras at’ shesh tërë jetën, dhe kështu
do ua lë amanet ta quajnë e thërrasin edhe njerëzit e mi e ata që ende më duan
e më dëgjojnë. (Dhe, them se, nuk janë krejt – pak!).
-------------------------
NJË VOTË +
…Bile, një
Votë e sigurova ende pa e mbaruar së shtypuri këtë shkrim për në revistë dhe
sigurisht një kopje në E-mailin e Bashkisë, afer Livadhit të Gjergjit.
Fotoja që
shihni më poshtë, sapo hyri në kompjuterin tim dhe më vjen nga mbesa ime e
dashur 14 vjeçare Noemi, nga Lozana e Ch. Ajo më shkruan:
-Gjyshi
im i dashur! Sapo u ktheva nga pushimet dymujore të verës në plazhin e Shëngjinit,
fillova shkollen, dhe, siç e din edhe ti, një ditë në javë shkoj në kurs të kalorësisë.
I bëra disa foto dhe këtë që po të dërgoj sot, e shoqeroj me një pyetje për
gjyshin tim:
-A
ngjasoj pak në këtë foto edhe si një stërmbesë e Gjergj Kastriotit?
…!
As më kishte
shkuar mendja të botoj ndonjë foto bashkë me këtë të Sejdi Berishës per
shkrimin tim të sotëm, për këtë propozim që ndoshta ka dhe fatin “të përzgjidhet”,
si i vlefshëm. Nuk më kishte shkuar mendja, por kjo foto e Noemit, hyri “me zort për botim”, hyri si një Votë +, e
para në mbeshtetje të mendimit tim.
Faleminderit Noemi!