Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: ''Paradokse'' të poezisë sime...
E enjte, 20.09.2012, 07:30 PM
Sejdi BERISHA:
“PARADOKSE” TË POEZISË SIME...
...Qetësia çmendet
Për heshtjen e ngujuar në shpirt
Të cilën për në muze nisur e kam
Ndoshta jam duke gabuar
Atëherë më shpëtoni nëse mundeni
Por mos u tallni me lodhjen time
Ajo është dritë e mbyllur
Në hieroglifët e fjalës...
* * *
...Duke ecur
Sa vështirë është për të kënduar
Për shiun e shpresës...
* * *
...Keni kujdes mos e lëndoni
Këtë stinë plotë plagë
Me histori e pa histori
Me data e faqe të këputura
Që zemrën e shpirtin ngatërrojnë...
* * *
...Në verë
Kurrë mos e shuani zjarrin
Le të merr dallgë
Se në këtë stinë
Këngë të bukura këndohen
E njerëzit me radhë digjen në to...
* * *
...Unë kam edhe telefon pa numër
Ejani të kuvendojmë
Por mos nxitoni
Se shkelni në kurthin e dashurisë
Si dhelpra në pyllin e dendur...
* * *
...Çdo gjë bashkë e kemi
E, nuk e dimë
Ditën e lindjes
Kurse e lakmojmë
Ditën e dhembjes...
* * *
...Koha nuk ka të sosur
E vërtetë apo gënjeshtër kjo
Por
Çdo vit e kalon vetveten
Çdo gjë shndërrohet në përkëdhelje
Për shiun e shpresës
Kurse
Vrapimi ngushëllohet
Ndalja merr turr
Për çfarë
As vetë nuk e di
Athua
Pse më duket kaq ftohtë...
* * *
...Gëzuar pritja e mallit
Për një gotë verë
Që nxitë kujtime historie...
* * *
...Sa çudi ky kërkim
Si drejtëzat që kurrë nuk puqen
Unë e Ti
Për çfarë janë sytë
Për të lotuar
Apo për t’i lagur faqet
Nuk shohin asgjë
Përveç buzëqeshjen
Në buzët e çara
Të bëra si bukë çerepi...
* * *
...Përsëritja e botës
I ngjanë kalit të shalës pa frenjë
E bukur është edhe kjo
E mrekullueshme është...
* * *
...Digjet flaka në mua
Unë
Stinë për stinë
Bëhem hi për njeriun...
* * *
...Gjeth i lisit shekullor
Mos u hidhëro në stinën e vjeshtës
Edhe ajo qanë për ty...
* * *
...Të kërkova në syrin e pranverës
Vetëm lotin pashë
Vrapova tek fluturat për të takuar
Edhe në sqepin e bilbilit
Adresa të gabuara ishin...
* * *
...Të tillë më balsamos
O, kënga ime
Por trupin mos ma shndërro
Në ngjyrë dylli
Se syri i vashës
Në krua loti
Do shndërrohet...
* * *
...Sot jam zgjuar herët
Ndoshta
Gjumi ishte lodhur me mua...
* * *
...Zbrit diku
Atje ku nuk e shesh as vetveten
Sa këngë të çuditshme do dëgjosh
O, sa bukur do këndosh...
* * *
...E, kah tash...
Të fluturoj lartë në qiell
Si shqiponjë e etur
Dhe të lëshohem drejtë në det
Për t’i rrëfyer ujit
Për lëndimin e shpirtit...
* * *
...E, po tash...
Tash vetëm përqafo
Mos prit se të përqafojnë të tjerët...
* * *
...E, kah tash...
Tash sërish rrugëto
Tash prapë
Nëse mundesh këndo...
* * *
...Tash, kush jam unë që aq shumë më respektoni
Që ma përqafoni vargun i cili është lodhur me mua
Që kohën e ikur ma kërkoni si bukën
Kush jam unë që më merrni kështu nën sqetulla
Që ua shoh lotin në sy për këngën time...
* * *
...Mos u mashtroni
Unë jam vetëm një qirinj që rri ndezur e digjet për ju
Një qirinj që flaka gati i ka prekur me fundin e shandanit
Nga i cili pastaj do të ngelen vetëm gjurmë
Si akull i lëshuar mallëngjyeshëm strehëve të stallës
Në të cilën dikur blegëronin qengjat...
* * *
...Një gjarpër më kishte thënë:
Mos u tremb
Nga njeriu frikohu
Ngela me sy hapur-llullë
Dhe me gishta në gojë
Nuk dija kah t’ia mbaja...
* * *
...Mos më fajësoni
Pse rri pa gjumë
Ndoshta edhe kot...
* * *
...Se vitet edhe ashtu shkojnë
Duke lënë nga një vulë dëshmie
Derisa të bëhen edhe njëqind vjet
Edhe njëqind shekuj
Kështu merr frymë toka ime
Me krenarinë qëndresës...
* * *
...Mos ta hapim këtë kujtim
Se harta ime do harliset
Do të dalë
Jashtë kornizave të kapërthurta
Atëherë unë dhe Ti
Në të njëjtën kohë
Do qeshim dhe do qajmë
E loti do ngelet udhërrëfyes i çuditshëm
Ti, toka ime...