E shtune, 27.04.2024, 07:50 PM (GMT+1)

Kulturë

Intervistë e Fatmir Mingulit për poetin Adem Zaplluzha

E diele, 16.09.2012, 07:04 PM


POET ËNDRRASH SHQIPTARE ME NJË PROFIL TË VEÇANTË

(Intervistë e Fatmir Mingulit për poetin Adem Zaplluzha)

Vetmia për poetin është një dhuratë hyjnore, që mund të konsiderohet si një vetmi morale. Vetminë fizike dhe vetminë morale e ka përjetuar edhe Shën Pali që e solli në Iliri dashurinë ndaj Jezu Krishtit, që ka qenë dhe ka mbetur Zoti i të parëve tanë.
Fatmir Minguli: Duke qenë një njohës i thellë i letersise shqiptare, a mund të jepni një mendim paraprak për poetin kosovar Adem Zaplluzha?

Baki Ymeri: Nga ajo që dimë, Adem Zaplluzha është i vetmi poet shqiptar që brenda viti (2012), ka botuar 33 vëllime poetike, një rast i rrallë i letërsisë mondiale që meriton të hyjë në Librin e Rekordeve, nëse jo botërore, atëherë panalbaneze. Ky mendim preliminar ndërlidhet me faktin se baci Adem nuk është skriboman, e para, dhe se numrin 33 e ka rrumbullakësuar duke u bazuar në konotacione biblike, sipas të cilave Jezu Krishti vdiq në moshën 33 për të mbetur i pavdekshëm, siç mbetet edhe poezia e mirëfilltë.
F. M. Aktiviteti juaj polivalent në fushë publicistikës e të kultivimit të poezisë shqipe dhe asaj rumune mbështetet edhe në krijimet tuaja poetike, origjinale dhe bilinguale, pastaj në botimin e revistës prestigjioze Shqiptari/Albanezul, në përkthimet letrare në të dy gjuhët (shqip dhe rumanisht), në botimin e disa antologjive letrare dhe në redaktimin e mbarë të shumë autorëve shqiptarë e të huaj. Si një afirmator i tillë vlerash shqiptare dhe universlae, si e shpjegoni pjesmarrjen e Adem Zaplluzhës brënda këtij aktiviteti në Rumani?

B. Y.: Për lirikën e bacit Adem kanë shkruar disa krijues të mirënjohur (Marius Chelaru, Monica Mureshan etj.), duke qenë prezent edhe në disa revista letrare e kulturore që dalin në këtë vend (Natiunea, Cronica etj.). Sipas poetit Mihai Antonescu, “Adem Zaplluzha inkorporohet në rradhën e luftëtarëve të implikuar me qëndresë historike për rikuperimin e të shkuarës së famshme të Dardanisë së lashtë. Vargjet e tij janë thesarë përkujtese dhe mosharrese për ardhmëri. Ato shëmbëllejnë me bukurinë e ashpërsisë lisave që i përmend në të gjitha shkrimet e tij. Duke u bazuar në parimin se "kush harron nuk meriton", librat e Adem Zaplluzhës janë kushtrime luftarake në gjirin e shqetsuar të popullit shqiptar, ngase poeti është gjithmonë  frymëmarrja e pashuar në krahërorin e kombit të ndodhur gjithmonë në peshoren e një fati tragjik. Vëllimi Pema e bekuar, për këtë na udhëzon, për ta dëgjuar duke e lexuar, për trimëri dhe dashuri, për histori dhe tradita. Vargjet e Ademit janë perla të kristalta që gurgullojnë si krojet e Dardanisë: “Do të shkojmë me krenari/ Deri në burimin e heshtjes/ Për të trazuar therrat/ Në litarin e agimeve të mëngjezit”.

F. M.: Në shkrimet tuaja për poezinë e Adem Zaplluzhës keni dhënë vlerësime pozitive dhe disi të veçanta nga kritika e zakonshme, mos të themi me konotacione folklorike, patrotike dhe gazetareske, siç shkruajnë disa. Ku rrotullohen këto veti të poezisë së Adem Zaplluzhës?

B. Y.: Ajo që bie në sy, që në lekturim të parë, është prezenca e vlerave që gërshetohet me një gamë mendimesh të pashprehura nga homologët e tij.
Po marrim për shembull librin Eca ecëm dhe do të ecim, ku mençuria ndërlidhet me optimizmin dhe etjen për jetë, ku shpirti kompletohet me zërin e ndërgjegjes, sepse, edhe pse gishtërinjtë ende s’e prekin erën, “Ne të gjithë sonte jemi dikush tjetër.” Në memorien e autorit mbretërojnë kujtimet për një morri dashurishë, për një princ dhe një mbret tekanjoz, për shpirtin e fshehur në të gjitha qeniet, madje edhe në varg, për nuset tona dhe “kalin tim tekanjoz”, për flakjen e frikës dhe dashurinë që manifestohet edhe atëherë kur ik dita e vjen nata, dhe anasjelltas. Duke i analizuar përmes syrit kureshtar dhe mendjes së prehtë, kupton se njeriu i çliruar nga dëshirat dhe trishtimet, e kundron botën duke e hyjnizuar Krijuesin si një madhështi e shpirtit.
F. M.: Nga viti 2005 e këtej, a mendoni se poetika e këtij ëndërrimtari ka një zhvillim tjetërlloj?

B. Y.: Natyrisht. Pa marrë parasysh faktin se një një fotografi e gjemë mes dy maskarenjve me biografi të dyshimtë dhe një krijuesi të mirë (Nebi Bunjaku), Adem Zaplluzha ka një profil të veçantë, sepse ai është poet i vendlindjes dhe poet i kujtimeve, poeti i ëndrrave shqiptare dhe i një kërcimi të mbarë nga lirika e rëndomtë në një lirikë vlerash universale, madje, pse jo, edhe nacionale.
Sipas kritikut Marius Chelaru, “Universi i autorit është i „prekur” nga kjo, por edhe nga aspekte që ndërlidhen me përditshmërinë e tij. Pra, nga situatat e ndërlikuara që lindin nga „bashkëjetesa” e konflikteve që e kanë përgjakur zonën e Kosovës, atje ku „varrezat numërohen në luginë”, por „nuk vritet kujtimi me asnjë plumb”, e deri te ato që kanë të bëjnë me fakte reale apo imagjinare që ndërlidhen me këtë zonë, apo me evenimentet që ngjajnë në këto kohë, në vendet ku gjallëron autori.”
F. M.: Shumë syresh mendojnë apo shprehen se Adem Zaplluzha shkruan shumë libra në kohë të shkurtër. Duke mos e konsideruar aspak këtë konstatim diletantësh. Ju ç'mendim keni?

B. Y.: Nën shenjën e një vepre poetike dimensionesh të mirëfillta estetike,
na është bërë shprehi që të shkruajmë pak e për merak. Poeti i mirë në moshë të pjekurisë nuk ngutet të botojë më shumë se një libër në çdo 3-4 vjet, por kur i afrohet pleqërisë, është e drejtë e tij të botojë disa libra brenda një viti, për të përkujtuar kohën e shkuar kur ishte e pamundur të lansosh mendimin e lirë, dhe për të konsoliduar veprën në momentin e duhur. Poeti mediton për një miqësi të sinqertë me pak dritë e pak ujë, për çastet që e anashkalojnë pesimizmin, për kallinjtë e arave tona që kapen dorë për dore, për fillimin që kupton se shpirti është një urë e shëndetshme që e flak trishtimin në fushat e përmallimit,  sepse të pritja kur “ishte dita e parë e majit”, kur pafajësia me mallin e lotit tim, degdiset si një qen i lagjes në shtëllungat e mjegullave. Në këtë kontekst kemi të bëjmë me një univers të plotë mendimesh që reflektohen në varg e në vargje, në çdo tekst e kontekst të kësaj vepre që përmes filozofisë së vlerës, mbetet si një kujtim i bukur në memorien tonë.

F. M.: Vitet e fundit ka patur një shpërthim shkrimesh vlerësuese të kritikës së specilaizuar letrare sidomos në Shqipëri, Rumani, Amerikë por shumë pak në Kosovë! Ç'mund të na thoni ju lutem!
B. Y.: Kritika letrare e bën të veten gjithandej në botë. Kosova ka telashet e saj në aspektin e mbijetesës sociale, një veteran i kulturës shqiptare që i ka shërbyer kësaj 40 vjet me rradhë, siç është rasti jo vetëm i Ali D. Jasiqit, duke qenë i shpërblyer me një pension qesharak prej 75 eurosh në muaj, më keq se në kohën e Titos. Kritika letrare që është shkruar në Rumani, sidomos për Sali Bashotën (një poet vlerash universale me mbi 25 reçensione për vëllimet poetike Ekzili i shpirtit dhe Shiu pa Ty) është një kritikë e jashtëzakonshme. Njësoj siç janë të jashtëzakonshme edhe mendimet kritike të krijuesve tjerë rumunë për shkrimtarët shqiptarë, Kosova letrare duke qenë në qendër të vemendjes që nga viti 2004 e këndej.

F. M.: Në shumë shkrime, sidomos për librat e fundit poetikë të tij konstatohet një modernizëm me kahje perëndimore, sidomos nga brezi i poetëve “të mallkuar” francezë, Rembo, Bodler etj.
A është ky modernizëm i mirfilltë i poetit tonë Adem Zaplluzha? Mendimi juaj do të kishte shumë vlera, jo vetëm për Zaplluzhën, por për poezinë kosovare.
B. Y.:
Pytjes së fundit, respektivisht pyetjes së shtatë, më duket se i jam përgjigjur në kuadrin e gjashtë pyetjeve paraprake. Nuk ka poetë të “mallkuar” por ka mallkimtarë që vuajnë nga virusi i smirës dhe xhelozisë. Njëri nga dy poetët e përmendur francezë, punonte deri në ora 3 të natës, dhe flente deri në ora 11-të të ditës, dhe në ora 12 përsëri ia kriste gjumit, duke servuar drekën në ora 17, siç vepronte edhe Lasgushi apo autori i këtij shkrimi. Vetmia për poetin është një dhuratë hyjnore, që mund të konsiderohet si një vetmi morale, sidomos orëve të mbrëmjes apo natës, pas një serë kontaktesh me familjarët dhe dashamirët tanë. Vetminë fizike dhe vetminë morale e ka përjetuar edhe Shën Pali që e solli në Iliri dashurinë ndaj Jezu Krishtit që ka qenë dhe ka mbetur Zoti i të parëve tanë.  Unë jam me kryqin thotë baci Adem në një vjershë të tij, pa e fyer tjetrin që në vend të kryqit e preferon hënën. Zoti na ka pajisur me energji hyjnore për ta kuptuar, përkrahur dhe dashur njëri-tjetrin.

F. M.: Ju falënderoj për përgjigjet intelektuale dhe të goditura profesionalisht! Faleminderit për mirëkuptim!

BOX

NJË TRASHËGIMI E LASHTË PARAHISTORIKE

Poeti dardan na fton: „Ejani të lozim/ Një valle shqiptare/ Le të dridhen malet/ Le të fluturojnë plisat// Daullja të mos pushojë/ Për shtatë mote/ Le të lakmojnë/ Edhe zanat në vërri”, një valle motivacionin e së cilës e kuptojmë madje nga kushtrimi plot elokuencë me të cilin u drejtohet disa valltarëve të motshëm, kur „Kjo ditë/ Si drita/ Po lind nga legjenda/ Për të hyrë në gjakun tonë”. Përmes kësaj shprehjeje metaforike, Adem Zaplluzha ristabilizon urën e lidhjes ndërmjet të shkuarës dhe aktualitetit, duke i ridhënë hapsirës fizike karakterin e saj të shenjtë, pra, duke e rishenjtëruar konform urdhërit të natyrës morale, në harmoni me atë fizike. Ky tip poezie ceremoniale është zgjedhur për të nënvizuar respektin ndaj stërgjyshërve, madje, më shumë, poeti i gjen raportet në atë gjuhë të shenjtë ilire („ilirisht”), që frymëmerr gjatë një periudhe bimilenare (dymijëvjeçare), ngase „Sipas traditës/...// Asnjëherë nuk e kam pyetur veten/ Përse ende gjendemi në bisht”.

Tradita duhet mbrojtur gjithësesi, ngase përndryshe ekziston  rreziku që këtu, “kur vriten kujtimet” legjendat të “zgjohen nga e prapa”. Ja se çfarë roli important  (të rëndësishëm) i kushton autori memorjes! Poezitë e tij janë një jehonë e asaj bote dhe e asaj kohe primordiale (kryeosre) që ka mbetur në gjuhë, tradita dhe legjenda. Paraqitet poashtu shpesh përfytyrimi i disa gurëve/relikvë, që kanë mbetur si gjurmë dhe forma të paprekshme nga stuhitë e kohës. Interesant është se ato na çojnë me mendimin te një trashëgimi e lashtë e parahistorisë. Në njërin nga këto relikve është i gravuar edhe poeti: “Në lashtësinë e miteve tona/ Ne përsëri heshtim/ Dhe çuditemi/ Përse heshtja jonë nuk na vret”, dhe “Përse ende jemi gjallë”. Ja përse portat e kësaj kështjelle dardane, dhe faqet e këtij libri, së bashku me mesazhin e autorit, mbeten përjetë të hapura! (Monica Mureshan)

 



(Vota: 9 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora