E diele, 28.04.2024, 05:57 AM (GMT+1)

Kulturë

Xhulia Karavella: 30 kishat antike të Dhërmiut

E diele, 16.09.2012, 06:00 PM


30 KISHAT ANTIKE TË DHËRMIUT

(Në majën më të lartë të Llogarasë të kujtohet shprehja e famshme e shkrimtarit të madh të këtyre anëve Petro Marko "Pashë vendin më të bukur në botë". Asnjë kishë nuk është ndërtuar pa pasur prova apo histori të ndryshme që ai është një vend i shenjtë.)

Nga Xhulia Karavella

Besimi fetar ndonëse i "sulmuar" shpeshherë nga fryma shkencore dhe teknologjike vazhdon ende të mbijetojë, në saj të misticitetit që përçon shpresa si dhe dëshira për të mësuar të paditurën. Kisha dhe objektet fetare në shekuj janë ndoshta dëshmia më e mirë që njerëzimi nuk dëshiron ta braktisë këtë pjesë të sajën. Me këto mendime që shpeshherë përbumben në subkoshiencën e gjithkujt marrim rrugën për në fshatin e Dhërmiut, i cili mbart shumë histori në lidhje me këtë tematikë. Kur kalojmë në Orikum, një shok na kujton betejën epike midis Pompeit dhe Çezarit, prej së cilës ka marrë edhe emrin "Qafa e Çezarit". Ushtria e tij, pasi zbarkoi në Palasë, kaptoi malin e Llogarasë dhe u ndesh me ushtrinë e Pompeit, pikërisht në Fushën e Dukatit. Rrugët që përshkuan në Llogara, romakët i pagëzuan me emrin "Strada Bianca", "Rrugë të Bardha". Ky emërtim i ka mbetur edhe sot e kësaj dite. Në majën më të lartë të Llogarasë të kujtohet shprehja e famshme e shkrimtarit të madh të këtyre anëve Petro Marko "Pashë vendin më të bukur në botë".

DHËRMIU TJETËR

Det dhe diell. Por kemi një tjetër mision, atë të zbulimit të kishave antike në Dhërmi. Sipas banorëve të fshatit objektet e kultit kalojnë numrin 30. Numri i lartë i këtyre ndërtesave fetare dëshmon për përkushtimin ndaj besimit. Kurioziteti sa vjen e shtohet, duke dashur të mësojmë, jo më atë turistike me plazhet e rralla, apo pubet me muzikë të lartë, por të vjetërsisë dhe përçimin e kulturës dhe fesë në shekuj… Gjithnjë e kam vështruar nga çatia e shtëpisë atë kishë të bardhë sipër kodrës, e cila dukej sikur përshëndeste dhe ruante fshatin e Dhërmiut. Manastiri i Shën Mërisë ndodhet në majën e fshatit Dhërmi. Është shumë i bardhë dhe shquhet për arkitekturën e tij. Në brendësi bien në sy hapësirat e mëdha dhe burimet natyrale të dritës të cilat i japin më shumë hijeshi. Gjithashtu veçanti e padiskutueshme e kësaj kishe janë edhe pikturat murale, të cilat ruajnë vjetërsinë e tyre dhe janë të realizuara kryesisht nga material i gurtë. Megjithë shekujt që kanë kaluar, këto afreske ende lexohen qartë. Por destinacioni këtë radhë është diku tjetër. Duke qenë se Dhërmiu konsiderohet edhe si vendi i kishave në Rivierë, vendosëm të shkojmë në kishën e Stavrillit. Shoqëruesi, xha Niko, i cili sapo ka kapur të 80-at, bart vitalitetin dhe energjinë e një 20-vjeçari.

Kapelja me kasketë dhe mustaqja tipike e zonës nuk mund të mungonin as në portretin e tij, të mbushur me rrudha. Plaku i mirë të shoqëron në çdo udhëtim pasi e njeh mirë zonën dhe nuk i shpëton asgjë. Tek dera e kishës së Stavrillit dallohet një dryn i madh dhe i ndryshkur. Trokasim. Asnjë përgjigje. Trokasim sërish. Përsëri heshtje. Pas këtyre minutave të cilat na dukeshin shekuj jashtë dyerve të manastirit ndihen disa hapa të lehtë, por të vendosur të cilët afroheshin edhe më shumë. Ishte prifti Ksenofon. Ai na kërkon ndjesë për vonesën pasi ishte duke u lutur. Më pas na fton brenda gjithë mirësjellje duke na drejtuar për tek kisha. Prifti Ksenofon, një mesoburrë me një mjekër të gjatë të bardhë dhe ku brenda saj mezi dallohej kryqi prej floriri i varur në qafën e tij. "Më vjen mirë që ka ende njerëz që interesohen për kishat e vjetra, pasi janë një pasuri e paçmueshme e cila ka nevojë për kujdes dhe vëmendje të veçantë"-thotë ai. Hyjmë Brenda kultit të bukur. Aroma e temjanit, të deh në qetësi dhe pastërti. Pasi ndezim disa qirinj pyesim atin për historikun e këtij manastiri…

BURIMI JETËDHËNËS

Prifti fillon të rrëfejë zanafillën dhe legjendën e këtij vendi, e cila ka nisur rreth 600 vjet më parë. Por gjithashtu ka dhe një legjendë interesante për ndërtimin e tij, të cilën At Ksenofoni e kishte përzemër ta tregonte. "Gjithçka nisi 600 vjet më parë kur një çoban i fshatit kulloste bagëtitë e tij në mal. Në çastin kur ato pushonin në hije një cjap shkëputej nga tufa, pa ditur çobani se ku ai shkonte. E njëjta situatë përsëritej disa herë duke e bërë çobanin kureshtar. Një ditë ai vendosi ta ndiqte kafshën dhe për çudinë e tij zbuloi një burim me ujë të pastër e të kulluar të cilin nuk e kishte hasur më parë. Për habinë e tij nën ujërat e burimit ndodhej një ikonë apo një kryq, këtë nuk e di me saktësi, të cilën çobani e mori me vete për t'ia treguar priftërinjve. Mirëpo gjatë kthimit në shtëpi ai vuri re se nuk e kishte më objektin e shenjtë dhe mendoi se do ta kishte humbur rrugës.

Por të nesërmen e rigjeti sërish ikonën në të njëjtin vend. Pasi e mori për të dytën herë e ruajti me kujdes deri në shtëpinë e tij, pa i thënë asnjë fjalë për këtë çështje askujt dhe e vendosi në kokën e dritares së dhomës së tij. Por me t'u zgjuar në mëngjes ai vuri re se ikona ishte zhdukur përsëri. Këtë herë çobani vendosi të mos t'a ngacmonte më atë, por solli priftërinjtë dhe banorët për ta parë. Më pas ata vendosën të ngrenë manastirin që shihni edhe sot." Kishim mbetur mjaft të mrekulluar nga tregimi i At Ksenofonit dhe me ëndje dëshironim të na tregonte edhe histori të tjera. "Duhet të dini diçka, asnjë kishë nuk është ndërtuar pa pasur prova apo histori të ndryshme që ai është një vend i shenjtë" - tha ndër të tjera Ati. Gjithashtu u shpreh se emri i kishës,"Kisha e burimit Jetëdhënës", rrjedh pikërisht nga kjo histori duke qenë se ikona u gjend në një burim me ujë dhe Stavrill e cila e ka zanafillën nga fjala kryq.

SHËN KOZMAI

Nisemi sërish. Tashmë udhëtimi ynë vazhdon për në kishën e Shën Kozmait, shenjtor i cili ka jetuar në trojet tona. Sipas një mësuesi të vjetër të fshatit Marko Gjikopulli, kjo kishë është ndërtuar rreth viteve 1774-1778 ndërkohë që besohet se shenjtori të ketë qenë në këto troje rreth vitit 1724. Fatmirësisht dyert e saj ishin të hapura për shkak të meshës së zhvilluar disa orë më parë. Xha Nikoja thotë: "E ç'mund të them për një shenjtor, përveçse gjëra të shenjta. Ai ishte një njeri i veçantë, i cili ka zënë një vend të rëndësishëm në kujtesën e fshatit tonë. Shën Kozmai ka parashikuar ndodhira të tmerrshme për kohët që do të vijnë, por pa përcaktuar se kur do të vinin ato. Madje në një familje të vjetër siç ishin Varfit, ai është shprehur se nuk do të kishte me meshkuj në atë derë duke e cilësuar si diçka të mirë e jo të keqe për kohët që do të vinin. Dhe me të vërtetë ashtu kishte ndodhur."

SHËN HARALLAMBI

Kjo kishë nuk është e panjohur. Sa herë kemi ardhur në Dhërmi e kemi vizituar dhe kemi marrë pjesë në meshat e saj. Edhe kisha e Shën Harrallambit, ashtu si shumë të tjera në Dhërmi dhe në Shqipëri ka vuajtur dorën e hekurt të komunizmit. Ajo u shkatërrua në vitet 60' për t'u kthyer në bibliotekën e fshatit. Megjithatë ashtu siç na tregonte para 8 vitesh, murgesha shpirtmirë e kësaj kishe, Jana, banorët e zonës nuk kanë rreshtur kurrë së praktikuari në fshehtësi ritet fetare, për të mbajtur gjallë zakonet, ritualet dhe pse jo besimin. Sot ajo murgeshë e vogël gjithnjë e dashur dhe mikëpritëse nuk jeton më dhe prehet e qetë në kishën të cilën e deshi dhe mbrojti gjithmonë. Me ardhjen e demokracisë banorët e fshatit investuan në rikonstruktimin e Shën Harrallambit duke e kthyer në:

KISHA MBRETËRORE

Ajo është një tjetër kishë shekullore, e cila mendohet të jetë mjaft e lashtë. Megjithatë nuk ishte si gjithë kishat e tjera, pasi atë e bënte të veçantë prania shekullore e një princeshe. "Është e vështirë të hysh aty, pasi kanë kaluar vite qëkur nuk e ka bërë njeri një gjë të tillë." Kështu na thotë Xha Nikoja, i cili nuk duket aspak i lodhur sado kishim orë të tëra në destinacione të shumta. "Këtu ka ardhur vetë princesha e Napolit, Anna Konmena dhe për këtë arsye kjo kishë quhet "Vasiliko" ose ndryshe Mbretërore. Megjithatë ne, banorët e fshatit i themi "Panajia Kato", "Shën Maria Poshtë", duke qenë se është edhe tjetra sipër kodrës(Shën Maria me të cilën hapëm tregimin tonë). E pra e shihni sa lashtësi mbart kjo tokë e njëkohësisht sa kulturë edhe fe. Fshati ynë dhe të tjerët afër nesh e kanë trashëguar ortodoksinë prej shekujsh dhe kjo dëshmohet më së mirë nga këto kisha kaq të dashura për ne"-thotë 80-vjeçari Niko, duke e mbyllur ekspeditën tonë me një ftesë bujare për një vizitë në shtëpinë e tij, në fshatin që laget nga Joni dhe mban brenda 30 kulte me mistikë dhe histori të rrallë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora