E shtune, 27.04.2024, 09:07 PM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Dedaj: Hija e kodit të maleve

E diele, 16.09.2012, 06:12 PM


HIJA E KODIT TË MALEVE

(Ali Podrimja në Mirditë)

Nga Ndue DEDAJ

Ardhja e Ali Podrimjes në Mirditë, në fundin e vitit 2004, më ndërmend ngjatjetimet kohë pas kohe me shkrimtarët dhe studiuesit nga Kosova, duke filluar me Anton Çetën në vitin 1991, Zef Mirditën me 1999, Din Mehmetin në 2004-ën, Mark Krasniqin, Frrok Kristajn, Asllan Bajramin, Prend Buzhalën, Gjon Gjergjin etj. Sa herë bie në kontakt më shkrimtarë kosovarë, gjithnjë kujtoj me nostalgji mesin e viteve ’70, kur isha gjimnazist dhe kisha “takuar” për herë të parë poetët kosovarë, përmes librave që ishin botuar në Tiranë, si përmbledhja “E di një fjalë prej guri” etj. Kështu ndodhi dhe me Ali Podrimjen asokohe, madje në një mënyrë më speciale, pasi kur isha në specializimin pasuniversitar për kritikë letrare, në Fakultetin e Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës, me 1986-1987, pata lexuar disa libra të tij poetikë të botuar në Kosovë, nga fondi rezervat i Bibliotekës Kombëtare, vëllimet poetike “Dhimbë e bukur”, “Sambo”, “Torzo”. Ishin poezi të “pakuptueshme” (moderniste), krahasuar me ato që gjendeshin në tekstet shkollore, apo në përmbledhjen me poezi të zgjedhur të këtij poeti, botuar nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë.

Rasti e solli që në vitin 2004 të takoheshim personalisht me poetin e madh Ali Podrimja, ndonëse ashtu si kalimthi, në panairin e librit në Tiranë, ku i dhurova librin tim poetik “Këndej kaloi koha”. Një miku ynë, që e shoqëronte, i tha se unë kisha një poezi kushtuar shkrimtarëve kosovarë, që nuk ishte në atë vëllim, por në “Ajsbergu i hanës” (1998). E kishte fjalën për poezinë “Kitara”, në kujtim të Jusuf Gërvallës, ku njëra nga strofat ishte:

“E dëgjoni?

Po bie, sa bukur po bie

Kitara e Jusuf Gërvallës.

Me gishtat e mi

E të Ali Podrinjes po bie,

Nëpër këngët e djepit

E lisat e gjakut.

Nëpër kullat e vërrinit

E kullat e Anton Pashkut,

Muzgjeve që varen si hej

Mbi vargmale

Po bie.”

Natyrisht që ai nuk tha asnjë fjalë, pasi nuk e kishte lexuar atë poezi, e cila më pas do të ishte një surprizë për atë dhe për mua. I thashë me atë rast se, përveç poezive, më pëlqenin dhe esetë e tija për letërsinë etj.

“Ejani, të vijmë, në ardhjen e tij…”

Dhe vetëm pas pak kohe Ali Podrimja erdhi në Mirditë, Kurbin e Lezhë, si i ftuar i Këshillit të Qarkut të Lezhës. Mbasditën e datës 30 nëntor 2004, më telefonoi Zef Ndreka, asokohe drejtor i përgjithshëm i gazetës “Ballkan”.

“E kam në makinë Ali Podrimjen. Po kthehemi nga Rinasi. Foli!”

“Këndej bie shi, – i thashë. Si keni mundur të udhëtoni me avion në këtë farë kohe?” “Nesër do të jetë diell”, ma priti.

Të nesërmen, dhe pse dielli herë shihej, herë jo, shi nuk ra.

“E kemi pritur 100 vjet Ali Podrimjen të vijë, – thashë në takimin me krijuesit në Rrëshen, duke nënkuptur më shumë se poetin e shquar që kishin në mesin tonë, vetë Kosovën të vinte e të venim. – Të gjithë poetët, që nga Homeri, janë poetë të dhimbjes, por Ali Podrimja është poet i dhimbjes së pamasë të lumlumit, dhe kjo e bën tejet të veçantë, – shtova. Në veprimtarinë masive kushtuar poetit në sallën e Pallatit të Kulturës, kryesisht me nxënës dhe mësues të gjimnazit të Rrëshenit dhe intelektualë të tjerë të qytetit, recituan nxënësit, recitoi e foli dhe vetë Podrimja. Më ka mbetur në mendje mënyra se ai ai i recitonte poezitë e tij, me një si etje, me pasion, me shpirt. Ai donte që poezinë ta përçonte si një dritë te të tjerët, tek ata që dëgjonin. Duket se ishte gjëja më e mirë që dinte dhe donte të bënte në jetën e tij. Vetëm kjo e gjallëronte, poezia dhe aspak ato që thuheshin për të. Në njohjet e mia me poetë, i tillë ishte dhe Ndoc Gjetja, telat e shpirtit të të cilit ishin vetëm vargjet. Poetë të tillë donin të mos e përzienin poezinë me asgjë, sikur ajo do të “prishej” nga prozaizmi i shkrimtarisë tjetër. Por kjo do të ishte një temë më vete, poetët që nuk bënin “tradhti” me artin e tyre, por i binin vetëm një tastiere, asaj të poezisë.

Dhe të vijmë tek surpriza e asaj paraditeje me shkrimtarin Ali Podrimja në Rrëshen, që ishte kënga e kompozitorit Mark Gjoka kushtuar ardhjes së Poetit, që për tekst kishte poezinë e sipërthënë timen, “Kitara”. Kënga ishte e bukur, lirike, emocionuese dhe u pëlqye shumë nga publiku. Podrimja më tha: “Në këtë poezi ti, Ndue, ke përmenduar dy miqtë e mi të dashur që nuk rrojnë më, Jusuf Gërvallën dhe Anton Pashkun, me të cilët kishim dhe shtëpitë afër në Prishtinë…” Ai fliste pak, por përjetonte shumë. I dhurova me atë rast romanin “Lule” të Fabian Barkatës, librin “Përmes Mirditës në dimër” të Sravri Frashërit, si dhe dy-tre libra të mitë, këta të fundit jo publikisht, që kishim botuar si shtëpi botuese “Mirdita”. Edhe miqtë e mi krijues e përshëndetën përzemërsisht Poetin, lexuan ese të shkruara me frymëzim për poezinë e tij, si dhe i dhuruan libra. Në atë drekë, me ne dhe drejtuesit vendorë, në një kodër afër Kroit të Shna Premtes, kur po i thoshim Podrimjes se të parët tanë, para Luftës, e bënin me plot mundim rrugën e Kosovës, maleve e grykave, qafave e leqeve që s’mbaronin kurrë, ai na e ktheu: “Të njëjtën gjë më thoshte dhe mua babai, kur kalonte sa herë nga Qafa e Malit, shpateve malore të Mirditës, për në Pukë e Shkodër. Unë jam rritur me kujtimet për këtë vend, prandaj këtu në Mirditë ndjehem si në qytetin tim të Gjakovës.” Për kujtesën e të parëve të tij me këtë trevë ai foli dhe në intervistat që dha për mediat. Është një histori e tërë kujtimesh, e pashkruar, mes vëllezërish të një gjaku, këndej dhe andej kufirit, që fatlumturisht tani jo vetëm ka zënë të rrëfehet, por dhe të rijetohet.

U takuam serish me Podrimjen në Lezhë, dy ditë më vonë, të ftuar nga kryetari i Qarkut, Bardh Rica, ku u shtrua dhe një drekë në Vaìn, te “Diella”, lokal i zgjedhur në breg të detit, ndërsa poetik kishte qëndruar një ditë të tërë dhe mes krijuesve të Kurbinit. Kështu u mbyll veprimtaria triditore “Ditët e Ali Podrimjes në Qarkun e Lezhës”, ku atij iu dha dhe një titull nderi. Tani rri e vështroj një fotografi ku atë ditë në Lezhë kemi dalë me Aliun, Ndocin dhe Viktor Gjikolën. Atëherë këtyre gjërave nuk iu vija rëndësi, por tani do të doja të ishin disa foto si ajo, pasi për një kohë kaq të shkurtër nuk janë më as Alia, as Ndoci.

Ashtu siç rrallë më ndodh, të nisem nga njerëz konkretë, pata shkruar një poezi me atë rast, kushtuar Poetit, që e pata botuar në vëllimin e ardhshëm poetik “Planetare” (Tiranë, 2007), por që nuk ia pata dërguar ndonjëherë Podrimjes, ndoshta ngaqë në mendësinë time kushtime të tilla nuk bëhen për t’u dhuruar individualisht e për ta ditur ai tjetri për “nder”. Poezia titullohet “Ejani të vijmë” dhe mban datën 30. 11. 2004:

Bie shi, shi

Avionit të linjës Prishtinë-Tiranë

Ali Podrimja pritet të mbërrijë.

Pista e lagur pret!

Ejani të vijmë në ardhjen…

E tij.

Kohë më vonë Aliu do të më pyeste në telefon, nëse e kisha lexuar një poezi të re të tijën për Mirditën, por unë i thashë se ajo nuk ishte botuar në Shqipëri. Atëherë ai më premtoi se do t’ma dërgonte prej Kosove. Më pas poezia me titullin “Hija e kodit të maleve”, me datimin “Mirditë 2004”, u përfshi në përmbledhjen e tij poetike “Pikë e zezë në blu”, që u botua nga “Onufri”, Tiranë 2005. Është një poezi e shkurtër, do të thosha hermetike, me 6 vargje:

Kumbarinë do e mbajmë

Të qetë a na lë gjaku

Po gjaku derdhur përrua

Të vdekurit k’in zënë pastaj

Njëri-tjetrin ta kërkojnë

Hije të mos u bëjë kobi

Ka qenë një çast meditativ, një përjetim që e ka përshkuar poetin, si vegim i një tragjikje, ndoshta shekspiriane, që është luajtur në hije të atyre maleve dhe të kodit të tyre.

Zef Ndreka, miku ynë i përbashkët, inxhinieri kimist nga Rubiku, që më pas u bë menaxher shtypi në Tiranë (e që tash rron në Bolonja), me një pasion të dukshëm për poezinë, si admirues i rrallë i saj, m’i dërgonte shpesh poezitë e e reja të Aliut me e-mail, para se t’i botonte në gazetat e kryeqytetit. Ai të njëjtën gjë bën dhe tani, me poetë shqiptarë e të huaj dhe mund të jetë ndër më të fismit që kryen këtë “zeje” (le la quajmë zëdhënie e poezisë), ku pa qenë vetë poet, shpërndan poezitë e të tjerëve, madje shpesh duke i komentuar me finesë e mençuri. Ky duhet të kishte qenë dhe shkaku i “lidhjes” mes një poeti të njohur dhe një inxhinieri metalurgjie.

Ali Podrimja u mbulua me flamurin kuq e zi në qytetin e Ladovës të Francës (gjendej atje në një tubim të poetëve mesdhetarë), ku vdiq buzë një lumi të vogël, teksa tridhjetë vjet më parë, në kryeqytetin francez, ishte shuar i biri, Lumi. Aliu nuk qe parë më qysh nga mesdita e të mërkurës së 18 korrikut 2012, deri sa u gjet tri ditë më vonë, të shtunën. Cila, pra, kishte qenë ora e shuarjes së poetit? Cila do të shënohej tash si ditëvdekja e tij? Apo një poeti do t’i duheshin tri ditë për të vdekur e treqind vjet për të mos vdekur kurrë!…

Jeta e tij ishte rrumbullakosur në 70 vjet, prej të lemit të tij më 1942 në Gjakovë, nga kishte qenë dhe poeti tjetër i shquar, Din Mehmeti, me të cilin po ashtu kishim patur rastin fatlum të takoshim në Tiranë, në një panair libri.

Hija kishte qenë metafora e fillimeve e Ali Podrimjes, nëse kujtojmë poemën e parë “Hija e Tokës”, po dhe e fundit, siç na dëshmon poezia “Hija e kodit të maleve”. Poeti që, pas ikjes së tij të beftë, do të rrijë përtej hijes së moteve.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora