Kulturë
Vilhelme Vranari Haxhiraj: Requiem për Linën
E diele, 16.09.2012, 07:03 PM
Vilhelme
Vranari Haxhiraj
Zhgënjim
-Tregim-
I
nderuar lexues, këtë tregim ia kushtoj shoqes sime të Pedagogjikes "Jani
Minga", vajzës së mrekullueshme, nxënëses shembullore, Lina Rrumbullaku, e
cila u vetëmohua për hirë të dashurisë. Ajo ishte njëra nga qindra -mijëra
viktimat që shkaktoi sistemi i egër komunist që edhe ndjenjën më sublime, e kishte futur në brazdat e moralit komunist,
duke e shndërruar në një dashuri të pamundur, ku si mjet shkatërrues përdorte
luftën e klasave dhe luftën ndaj fesë.
Vivra
Requiem për Linën në 50 vjetorin e vdekjes së saj!
Fundviti 1962.
Atë mbrëmje të tridhjetë dhjetorit Eva ishte tejet e trishtuar. U shtri por pa gjetur qetësi. Një dhembje
koke nuk e linte të mbyllte sytë. Sa herë dëgjonte zilkën e portës, brofte në këmbë
gjithë ankth.
Diçka
priste,...po çfarë...?
Nuk i
kishte mbushur ende të tetëmbëdhjetat, e megjithëatë kishte marrë një vendim të
rëndësishëm. Tek e fundit ishte jeta e saj, e cila ishte e vetmja prone qe
zoteronte. Ndaj donte ta trajtonte atë duke ndjekur zërin e zemrës, këngën e
shpirtit.
Atë buzëmbrëmje
gjithë kohën qëndronte si mbi gjemba. Nga lajmi që priste, varej jeta e saj, që
tani dukej sikur ishte në fije të perit, varur mbi një humnerë që s' kishte
rrugë tjetër, veç vd...
Ndoshta përgjigja
do të ishte zgjidhja e vetme e dashurisë së saj të parë, pasi kurrë nuk i
shkonte ndërmend se do të pranonte që ta kalonte jetën me dikë që nuk e donte,
vetëm për hir të familjes. Ndaj jetonte çaste ankthi, ku mes etheve të pritjes
besonte se do të dëgjonte atë thirrje të shtrenjtë, sinjalin e dashurisë...Por
ai zë joshës, i ëmbël e shpresëdhënës, që e ndryshoi rrjedhën e jetës së saj,
kurrë nuk jehoi përsëri brenda saj. Në gjithë qenien e saj të alarmaur, ndiente
trupin të rrëshqiste drejt greminës, pasi fija e perit ku ishte kalavarur,
tashmë po jepte shenjat e këputjes. Ajo dhe vetëm ajo ndiente me shpirt ndarjen
e perit në dy pjesë. Shtrëngonte fort shishkën që e kishte emrin e tmerrshëm"Vdekje",
derisa dora nisi t'i dhembë. Dukej se ajo masë e vogël, përmes lëkurës së saj
delikate, që ishte shndërruar në një masë të ngrirë akulli, përcillte një ftohtësirë
e cila i shkaktonte rrëqethje në gjithë trupin. Më kot vështronte nga dritarja...Tashmë
pritja ishte e kotë. E vendosur me duart që i dridheshin shkruajti disa rreshta
të dhembshme. Atë letër, ku shprehej një dashuri e madhe, një dashuri e
pamundur, fjalë zemre e gjithë ndjenja të një adoleshenteje, deklarata e
dashurisë së parë, ia adresonte shpirtit të saj binjak...
"I
dashur!
Nuk e di
nëse akoma duhet të të quaj kështu. Kisha shpresuar që këtë Vit të Ri, do të isha
zgjuar në krahët e tu, me ëndrrat e mia të realizuara. Kujtova se pas dimrit do
të vinte pranvera, por si duket qenka akoma shumë larg.
Sa keq,
shpirti im! Pasi unë do të mbaj mend vetëm stinën e akullt të dimrit, që në këto
çaste i ngjan zemrës sime të mardhur... Kujtova se m'u hapën portat e jetës dhe unë e lumtura, vallëzoja
e vallëzoja pa pushim. Kurrë nuk më kishte shkuar ndër mend se qëndronin kaq
pranë njëra -tjetrës e qeshura me të qarën, gëzimi me hidhërimin, lumturia me vuajtjen
dhe jeta me vdekjen. Çuditërisht janë në antitezë me njëra-tjetrën dhe fiton
ajo që është më e fortë, më hileqare dhe më e vendosur.
Kisha
kujtuar dhe isha e bindur se më doje më shumë se gjithçka në botë, ndoshta dhe
më shumë nga sa të dua unë, por e shoh se paskam gabuar rëndë. Kurrë nuk e
kisha menduar, madje as e kam imagjinuar ndonjëherë se"PAJA" ca
rrecka pa vlerë, qëndrokan më lart se ndjenja më e bukur dhe më fisnike, se
dashuria.
Unë të dashurova
sinqerisht me pasionin e rinisë, me besimin e femrës që i rreh zemra për herë të
parë, pa marrë parasysh presionin e njerëzve të mi, të cilët këtë lidhje të bukur
e të magjishme e ndaluan, duke e shndërruar në stinëstuhi, ku dashuria është e
pamundshme. Megjithatë unë iu nënshtrova ndjesive të pagabuara të shpirtit tim,
sespe ti u shndërrove në pasionin tim dhe ishe dashuria ime e parë. Të desha me
gjithë qenien time, se kjo ndjenjë që të rrit, të madhon e të jep krahë, nuk ka
çelës, nuk urdhërohet, nuk njeh moshë,
nuk njeh normë, as ligj e as zakon... Ajo nis tek sytë, pastaj si një valë gjaku
vërshon në fytyrë, në vesh, në buzë, në kraharor e deri sa të përfshinë gjithë kurmin.
Pastaj të rrëmben me krahë engjëlli e të çon fluturimthi atje ku nuk ke shkelur
kurrë më parë, në Parajsë...
Të kujtohen
fjalët e mia dhe dialogu ynë i fundit?
"Nëse
e gjitha kjo është një ëndërr, të lutem mos më zgjo!” " -Nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të dy së bashku
të vazhdojmë ëndrrën.
-I
dashur, çfarëdo që të ndodh në të ardhmen, dëshiroj të më ruash në kujtesë këshu
siç jam tani.
-E
dashur, a s' bëjmë kështu...e nisim qysh tani të ardhmen dhe ecim të dy deri sa
të na dalin thinjat? Në prani të fëmijëve do t'u tregoj nipave dhe mbesave tanë
se kanë pasur gjyshen më të bukur, më magjepsëse dhe më të ëmbël në botë!"
Nisur nga
ky dialog, nga përgjigjet e tua, mendoja se ne të dyve asgjë nuk mund të na
ndante, as paja, as biografia jote, as ikona që mban fshehur nëna ime dhe
askush nuk mund të hynte mes nesh. Shoh se zgjedhja ime ishte më e vendosur,
kurse zgjidhja që po i jap, paçka se jam në moshë shumë të re, tregon se jam më
e fortë se ti , gjë që më bind se dashuria ime është shumë më e madhe.
Unë uk
pyeta askënd...i besova vetëm zemrës sime. Ajo më udhëzoi që të merrja një vendim
të tillë, i cili ishte kundër dëshirës së atyre që më sollën në jetë, e që më kanë
dashur dhe më duan me gjithë shpirt. Me vendimin tim unë hodha poshtë sakrificat
e tyre, mundin, djersën, harrova vetëmohimin e rinisë dhe gëzimit të tyre vetëm
për të më rritur dhe shkolluar...Kurse unë...
Oh,e
mjera unë, e mjera! Në vend që të më vlerësoje, sepse nuk ka gjë më të bukur, më
të shenjtë, nuk ka nder më të madh për një mashkull, se pafajësia e femrës që ai
do. Kurse ti u trete i vesa para diellit.Ç'u bënë ndjenjat, betimet dhe
premtimet e tua? Nuk di , nuk di...Ndoshta i mori tufani i dimrit me vete, ose
i gllabëroi ky vit që po shkon bashkë me mosrealizimet e tij. Kurse dashuria
ime është tjetër, është e fortë e paepur, por mjerisht nuk trokiti atje ku
duhet.
Gjithsesi
sot e kuptoj se prindërit e mi kanë pasur të drejtë. Sepse të marrësh një vendim
të tillë, siç e mora unë, është vërtet një çmenduri...
Më dëgjo
mirë, i dashur...! Deri tani prita një fjalë të vetme nga ti, por... Prita më kot.
Asnjë fjalë, asnjë sinjal..., sikur jam inekzistente. Të dua aq shumë sa larg
teje nuk jetoj dot asnjë çast. Prita përgjigje deri tani, por kur pashë se ka
marrë fund çdo gjë, pësova zhgënjim të jashtëzakonshëm në atë që besoja më shumë,
në dashurinë tonë që s'ishte gjë tjetër veçse një ëndërr e bukur, por tejet e
shkurtër për të qenë e vërtetë. Kur ta marrësh këtë letër, unë për herë të parë
nuk do të të përgjigjem.
Pas pak
qenia ime do t'i takojë asgjës, mosekzistencës. Largimi im mbase do të të dëshpëroj,
por nuk do të të hidhërojë sa ky lëng në këtë shishe! Jam e lumtur që po marr
me vete në pëjetësi ëndrrën më të bukur të jetës që kam përjetuar këto kohë. Ndihem
e lehtësuar që për ty, për njeriun që desha më shumë se veten dhe për ata që e
kanë njohur dashurinë time, do të ngelem ajo Eva e brishtë, e dlirë dhe
gjithmonë e re, lindur vetëm për dashuri, të cilën po e marr me vete. Pasi vetëm
ajo ka qenë reale... dhe e vërteta e kësaj bote të gënjeshtërt.
Të dua ,
të dua vetëm ty. Me fytyrën tënde në sytë e mij po largohem nga kjo botë. Lamtumir
gëzimi e dhembja ime, shpresa dhe zhgënjimi im! Lamtumir!
Të puth
Eva që të do si asgjë tjetër në botë!!!"
...
E ëma e
gjeti ashtu, veshur si nuse me rroba të bardha dhe ende shtrëngonte në dorë shishen
që kishte një emër fatal, "Vdekje".
-Më fal,
mama! Më falni! Ky ishte fati im...- dhe dora iu lëshua në anë të shtratit. Prej
saj u rrëzua shishja, që duke u rrokullisur, si fati dhe jeta e saj, përfundoi
tek këmbët e së ëmës. Ajo e mori rrëmbimthi dhe një "Jooo" rrëqethëse,
e dalë nga shpirti i një nëne, çau qiellin e atij agu që sapo përshëndeste një epokë
të re...
Por Lina
s’ishte më që të përjetonte enigmat që pasuan shuarjen e jetës së saj të porsafilluar.
Një vit
tjetër sapo filloi rrugëtimin e vet!