| E diele, 16.09.2012, 07:04 PM |
POET ËNDRRASH
SHQIPTARE ME NJË PROFIL TË VEÇANTË
(Intervistë e Fatmir Mingulit për poetin Adem
Zaplluzha)
Vetmia për poetin është një dhuratë hyjnore,
që mund të konsiderohet si një vetmi morale. Vetminë fizike dhe vetminë morale
e ka përjetuar edhe Shën Pali që e solli në Iliri dashurinë ndaj Jezu Krishtit,
që ka qenë dhe ka mbetur Zoti i të parëve tanë.
Fatmir Minguli: Duke qenë një njohës i thellë i letersise shqiptare,
a mund të jepni një mendim paraprak për poetin kosovar Adem Zaplluzha?
Baki Ymeri: Nga ajo që dimë, Adem Zaplluzha është i vetmi poet
shqiptar që brenda viti (2012), ka botuar 33 vëllime poetike, një rast i rrallë
i letërsisë mondiale që meriton të hyjë në Librin e Rekordeve, nëse jo
botërore, atëherë panalbaneze. Ky mendim preliminar ndërlidhet me faktin se
baci Adem nuk është skriboman, e para, dhe se numrin 33 e ka rrumbullakësuar
duke u bazuar në konotacione biblike, sipas të cilave Jezu Krishti vdiq në
moshën 33 për të mbetur i pavdekshëm, siç mbetet edhe poezia e mirëfilltë.
F. M. Aktiviteti juaj polivalent në fushë publicistikës e të
kultivimit të poezisë shqipe dhe asaj rumune mbështetet edhe në krijimet
tuaja poetike, origjinale dhe bilinguale, pastaj në botimin e revistës
prestigjioze Shqiptari/Albanezul, në përkthimet letrare në të dy gjuhët (shqip
dhe rumanisht), në botimin e disa antologjive letrare dhe në redaktimin e mbarë
të shumë autorëve shqiptarë e të huaj. Si një afirmator i tillë vlerash
shqiptare dhe universlae, si e shpjegoni pjesmarrjen e Adem Zaplluzhës brënda
këtij aktiviteti në Rumani?
B. Y.: Për lirikën e bacit Adem kanë shkruar disa krijues të
mirënjohur (Marius Chelaru, Monica Mureshan etj.), duke qenë prezent edhe në
disa revista letrare e kulturore që dalin në këtë vend (Natiunea, Cronica
etj.). Sipas poetit Mihai Antonescu, “Adem Zaplluzha inkorporohet në rradhën e
luftëtarëve të implikuar me qëndresë historike për rikuperimin e të shkuarës së
famshme të Dardanisë së lashtë. Vargjet e tij janë thesarë përkujtese dhe
mosharrese për ardhmëri. Ato shëmbëllejnë me bukurinë e ashpërsisë lisave që i
përmend në të gjitha shkrimet e tij. Duke u bazuar në parimin se "kush
harron nuk meriton", librat e Adem Zaplluzhës janë kushtrime
luftarake në gjirin e shqetsuar të popullit shqiptar, ngase poeti është
gjithmonë frymëmarrja e pashuar në
krahërorin e kombit të ndodhur gjithmonë në peshoren e një fati tragjik.
Vëllimi Pema e bekuar, për këtë na udhëzon, për ta dëgjuar duke e
lexuar, për trimëri dhe dashuri, për histori dhe tradita. Vargjet e Ademit janë
perla të kristalta që gurgullojnë si krojet e Dardanisë: “Do të shkojmë me
krenari/ Deri në burimin e heshtjes/ Për të trazuar therrat/ Në litarin e
agimeve të mëngjezit”.
F. M.: Në shkrimet tuaja për poezinë e Adem Zaplluzhës keni dhënë
vlerësime pozitive dhe disi të veçanta nga kritika e zakonshme, mos të themi me
konotacione folklorike, patrotike dhe gazetareske, siç shkruajnë disa. Ku
rrotullohen këto veti të poezisë së Adem Zaplluzhës?
B. Y.: Ajo që bie në sy, që në lekturim të parë, është prezenca e
vlerave që gërshetohet me një gamë mendimesh të pashprehura nga homologët e
tij.
F. M.: Nga viti 2005 e këtej, a mendoni se poetika e këtij
ëndërrimtari ka një zhvillim tjetërlloj?
B. Y.: Natyrisht. Pa marrë parasysh faktin se një një fotografi e
gjemë mes dy maskarenjve me biografi të dyshimtë dhe një krijuesi të mirë (Nebi
Bunjaku), Adem Zaplluzha ka një profil të veçantë, sepse ai është poet i
vendlindjes dhe poet i kujtimeve, poeti i ëndrrave shqiptare dhe i një kërcimi
të mbarë nga lirika e rëndomtë në një lirikë vlerash universale, madje, pse jo,
edhe nacionale. Sipas kritikut
Marius Chelaru, “Universi i autorit është i „prekur” nga kjo, por edhe nga
aspekte që ndërlidhen me përditshmërinë e tij. Pra, nga situatat e ndërlikuara
që lindin nga „bashkëjetesa” e konflikteve që e kanë përgjakur zonën e Kosovës,
atje ku „varrezat numërohen në luginë”, por „nuk vritet kujtimi me asnjë
plumb”, e deri te ato që kanë të bëjnë me fakte reale apo imagjinare që
ndërlidhen me këtë zonë, apo me evenimentet që ngjajnë në këto kohë, në vendet
ku gjallëron autori.”
F. M.: Shumë syresh mendojnë apo shprehen se Adem Zaplluzha shkruan
shumë libra në kohë të shkurtër. Duke mos e konsideruar aspak këtë konstatim
diletantësh. Ju ç'mendim keni?
B. Y.: Nën shenjën e një vepre poetike dimensionesh të mirëfillta
estetike, na është bërë shprehi që të shkruajmë pak e për merak. Poeti i mirë
në moshë të pjekurisë nuk ngutet të botojë më shumë se një libër në çdo 3-4
vjet, por kur i afrohet pleqërisë, është e drejtë e tij të botojë disa libra
brenda një viti, për të përkujtuar kohën e shkuar kur ishte e pamundur të
lansosh mendimin e lirë, dhe për të konsoliduar veprën në momentin e duhur.
Poeti mediton për një miqësi të sinqertë me pak dritë e pak ujë, për çastet që
e anashkalojnë pesimizmin, për kallinjtë e arave tona që kapen dorë për dore,
për fillimin që kupton se shpirti është një urë e shëndetshme që e flak
trishtimin në fushat e përmallimit,
sepse të pritja kur “ishte dita e parë e majit”, kur pafajësia me mallin
e lotit tim, degdiset si një qen i lagjes në shtëllungat e mjegullave. Në këtë
kontekst kemi të bëjmë me një univers të plotë mendimesh që reflektohen në varg
e në vargje, në çdo tekst e kontekst të kësaj vepre që përmes filozofisë së
vlerës, mbetet si një kujtim i bukur në memorien tonë.
F.
M.: Vitet e fundit ka patur një shpërthim shkrimesh vlerësuese të
kritikës së specilaizuar letrare sidomos në Shqipëri, Rumani, Amerikë por shumë
pak në Kosovë! Ç'mund të na thoni ju lutem!
B. Y.: Kritika letrare e bën të veten gjithandej në botë. Kosova ka telashet
e saj në aspektin e mbijetesës sociale, një veteran i kulturës shqiptare që i
ka shërbyer kësaj 40 vjet me rradhë, siç është rasti jo vetëm i Ali D. Jasiqit,
duke qenë i shpërblyer me një pension qesharak prej 75 eurosh në muaj, më keq
se në kohën e Titos. Kritika letrare që është shkruar në Rumani, sidomos për
Sali Bashotën (një poet vlerash universale me mbi 25 reçensione për vëllimet
poetike Ekzili i shpirtit dhe Shiu pa Ty) është një kritikë e jashtëzakonshme.
Njësoj siç janë të jashtëzakonshme edhe mendimet kritike të krijuesve tjerë
rumunë për shkrimtarët shqiptarë, Kosova letrare duke qenë në qendër të
vemendjes që nga viti 2004 e këndej.
F. M.: Në shumë shkrime, sidomos për librat e fundit poetikë të tij
konstatohet një modernizëm me kahje perëndimore, sidomos nga brezi i
poetëve “të mallkuar” francezë, Rembo, Bodler etj. A është ky modernizëm i mirfilltë i
poetit tonë Adem Zaplluzha? Mendimi juaj do të kishte shumë vlera, jo vetëm për
Zaplluzhën, por për poezinë kosovare.
B. Y.: Pytjes së fundit,
respektivisht pyetjes së shtatë, më duket se i jam përgjigjur në kuadrin e
gjashtë pyetjeve paraprake. Nuk ka poetë të “mallkuar” por ka mallkimtarë që
vuajnë nga virusi i smirës dhe xhelozisë. Njëri nga dy poetët e përmendur
francezë, punonte deri në ora 3 të natës, dhe flente deri në ora 11-të të
ditës, dhe në ora 12 përsëri ia kriste gjumit, duke servuar drekën në ora 17,
siç vepronte edhe Lasgushi apo autori i këtij shkrimi. Vetmia për poetin është
një dhuratë hyjnore, që mund të konsiderohet si një vetmi morale, sidomos orëve
të mbrëmjes apo natës, pas një serë kontaktesh me familjarët dhe dashamirët
tanë. Vetminë fizike dhe vetminë morale e ka përjetuar edhe Shën Pali që e
solli në Iliri dashurinë ndaj Jezu Krishtit që ka qenë dhe ka mbetur Zoti i të
parëve tanë. Unë jam me kryqin thotë
baci Adem në një vjershë të tij, pa e fyer tjetrin që në vend të kryqit e
preferon hënën. Zoti na ka pajisur me energji hyjnore për ta kuptuar, përkrahur
dhe dashur njëri-tjetrin.
F. M.: Ju falënderoj për përgjigjet intelektuale dhe të goditura profesionalisht! Faleminderit për mirëkuptim!
BOX
NJË TRASHËGIMI E LASHTË PARAHISTORIKE
Poeti dardan na fton: „Ejani të lozim/ Një
valle shqiptare/ Le të dridhen malet/ Le të fluturojnë plisat// Daullja të mos
pushojë/ Për shtatë mote/ Le të lakmojnë/ Edhe zanat në vërri”, një valle
motivacionin e së cilës e kuptojmë madje nga kushtrimi plot elokuencë me të
cilin u drejtohet disa valltarëve të motshëm, kur „Kjo ditë/ Si drita/ Po lind
nga legjenda/ Për të hyrë në gjakun tonë”. Përmes kësaj shprehjeje metaforike,
Adem Zaplluzha ristabilizon urën e lidhjes ndërmjet të shkuarës dhe
aktualitetit, duke i ridhënë hapsirës fizike karakterin e saj të shenjtë, pra,
duke e rishenjtëruar konform urdhërit të natyrës morale, në harmoni me atë
fizike. Ky tip poezie ceremoniale është zgjedhur për të nënvizuar respektin
ndaj stërgjyshërve, madje, më shumë, poeti i gjen raportet në atë gjuhë të
shenjtë ilire („ilirisht”), që frymëmerr gjatë një periudhe bimilenare
(dymijëvjeçare), ngase „Sipas traditës/...// Asnjëherë nuk e kam pyetur veten/
Përse ende gjendemi në bisht”.
Tradita duhet mbrojtur gjithësesi, ngase përndryshe ekziston rreziku që këtu, “kur vriten kujtimet” legjendat të “zgjohen nga e prapa”. Ja se çfarë roli important (të rëndësishëm) i kushton autori memorjes! Poezitë e tij janë një jehonë e asaj bote dhe e asaj kohe primordiale (kryeosre) që ka mbetur në gjuhë, tradita dhe legjenda. Paraqitet poashtu shpesh përfytyrimi i disa gurëve/relikvë, që kanë mbetur si gjurmë dhe forma të paprekshme nga stuhitë e kohës. Interesant është se ato na çojnë me mendimin te një trashëgimi e lashtë e parahistorisë. Në njërin nga këto relikve është i gravuar edhe poeti: “Në lashtësinë e miteve tona/ Ne përsëri heshtim/ Dhe çuditemi/ Përse heshtja jonë nuk na vret”, dhe “Përse ende jemi gjallë”. Ja përse portat e kësaj kështjelle dardane, dhe faqet e këtij libri, së bashku me mesazhin e autorit, mbeten përjetë të hapura! (Monica Mureshan)