Kulturë
Flasin djemtë e Grupit B.O.B
E diele, 29.07.2012, 05:01 AM
Flasin djemtë e Grupit B.O.B. fitues të çmimit "Videoklipi më i mirë për vitin 2012"
Grupi i djemve B.O.B. një risi për Durrësin
Tek "Zonë e Lirë" e ndjemë shumë të emocionuar
Nga Albert Zholi
Ata janë tre djem të rinj në moshë dhe si të tillë, si të gjithë moshatarët edhe ata kanë ëndrat dhe dëshirat e moshës rinore. E duan artin, muzikën, këngën dhe, meqenëse ryma hip hop po përhapet edhe në vendin tonë veçanërisht edhe ata tre djem menduan të këndojnë dhe të krijojnë grupin e tyre, që e kanë titulluar: B.O.B. ("Blazed Out Boys")
Dy prej tyre janë vëllezër, Panajoti Simsia, i njohur në grup me pseudonimin BKZ, Odisea Simsia, ODC dhe Emiljano Hoxha, Amilli.
Edhe pse nuk janë lindur në Shqipëri, të rritur në një nga lagjet e Nju Jorkut, vëllezërit Panajoti dhe Odisea Simsia, janë kthyer përkohësisht në Shqipëri, në Durrës, ku edhe vazhdojnë të banojnë, u njohën me shokun e tyre durrsak, Emiljano Hoxha.
Muzikën e kanë në gen, sepse në rininë e tyre edhe baballarët e tre djemve janë marrë me muzikë. Dhe ata, menduan të ecin në rrugën e baballarëve të tyre, por në një ryme tjetër të re, në hip hop.
Kanë patur bashkëpunim edhe me grupin: " Street Doggs"
Edhe pse grupi i tyre është ende i ri, ata kanë arritur suksese; Në Durrës, para 1viti u zhvillua Hip-Hop competition në Pallatin e Sportit Ramazan Njala, dhe grupi i tyre u vlerësua me çmimin e dytë.
Para pak kohësh, po në Durrës u zhvillua spektakli Miss dhe Mister Durrësi. Grupi i djemve B.O.B. ishte i ftuar në atë spektakël, madje edhe bënë hapjen e atij spektakli me një nga këngët e tyre, edhe vidio klipi i pare i tyre, So Fly.
Suksesin më të madh ata e arritën këto kohët e fundit në Festivalin e 11-të të Videoklipit Shqiptar (Netët e Klipit Shqiptar). organizuar nga Televizioni Shqiptar, ku grupi i tyre, në bashkëpunim me grupin Street Doggs fituan çmimin "Videoklipi më i mirë për vitin 2012"
Best Hip-Hop.
Vëllezërit Panajoti dhe Odisea Simsia: Përkatësisht, 19 dhe 17 vjeç. Edhe pse ne nuk jemi lindur në Shqipëri edhe jemi rritur në Nju Jork, ndjehemi krenar që jemi shqiptarë. Babin e kemi me origjinë nga Berati, ndërsa mami me origjinë nga Durrësi. Jemi kthyer nga Nju Jorku përkohësisht para pak vitesh dhe vazhdojmë të jetojmë në apartamentin tonë në Durrës.
Të dy ne vëllezërit jemi tipa të qetë. Respektojmë njerëzit. Ajo më kryesorja për ne është se, si dy vëllezër që jemi, kemi një harmoni, dashuri ndaj njeri tjetrit. Gjithmonë bashkë jemi të pandarë, pra, jemi edhe vëllezër edhe shokë.
Me muzikën, pothuajse jemi rritur qysh fëmijë. Prindërit tanë e ndjejnë shumë muzikën, veçanërisht babi i cili edhe e ka interpretuar.
Emiljan Hoxha: Jam 18 vjeç. Jetojmë në Durrës me familjen. Me origjinë jemi nga Tepelena. Jam tip i qetë, i respektueshëm me njerëzit. Më pëlqen të jem gjithmonë i qeshur me të gjithë njerëzit.
Si ju lindi ideja për të krijuar nje grup muzikor hip hop?
Vëllezërit Simsia: Me shoqërinë tonë në Nju Jork dëgjonim këngë të ndryshme, por ajo që na tërhoqi dhe na pëlqeu më tepër ishte ryma hip hop. "Eminem", "2 pac" edhe "50 cent" i kemi dëgjuar shpesh, madje akoma i kemi CD e ndryshme të tyre. Me ardhjen tonë në Durrës, u njohëm në shkollë me Emiljanin, i cili edhe ai si neve e pëlqente atë rymë jo vetëm për ta dëgjuar, por edhe për ta kënduar. Biseduam dhe menduam të krijojmë edhe ne grupin tonë.
Emiljani: Ideja ishte diçka spontane por e rëndësishmja është se ne të tre e ndjejmë shumë muzikën, jo vetëm për ta dëgjuar, por edhe për ta interpretuar atë.
Grupi juaj quhet B.O.B. Pse ky titull dhe cfarë do të thotë?
B.O.B. që në gjuhën angleze thuhet Bi. Ou, Bi. janë shkronjat e para: "Blazed Out Boys" dhe që do të thotë pak a shumë: Djemtë e hedhur, Çunat që shpërthejnë...
Menduam ta quajmë me këtë emër grupin tonë, sepse siç është edhe vetë titulli edhe ne menduam t'i përshtatemi, pra të jemi të hedhur, t'i kalojmë limitet, të shpërthejmë pra edhe ne në talentin tonë...
Si i krijoni këngët dhe me kë bashkpunoni?
Vëllezërit Simsia: Në fillim duam t'ju themi për bashkëpuntorin tonë. Ky ishte edhe meraku jonë, më kë do bashkpunonim për këngët? Rastësisht, në lokalin e kushërinjve tanë në Durrës erdhi një djalë për të pirë kafe, që për neve ishte i panjohur. Kushërinjtë tanë iu kujtua menjëherë që ai djali ishte muzikant, madje shumë i talentuar. Na prezantuan me muzikantin. Ai duke parë interesimin dhe dëshirën tonë, na ftoi në studion e tij diskografike "Doggs records". Quhet Erti dhe që ka edhe ai grupin e tij: " Street Doggs" Na provoi dhe mendoi se mund të ecnim në rrugën tonë të artit që ne e kishim menduar. Erti është producenti dhe menaxheri ynë gjithashtu.
Emiljani: Këngët i krijojmë në këtë mënyrë. Kompozitor Erti krijon vijën muzikore dhe na thërret neve për ta dëgjuar. Neve, nëse na pëlqen, vendosim që të krijojmë vetë tekstin e këngës që t'i përshtatet vijës melodike. Meqenëse për vëllezërit Simsia, mund të ketë vështirësi në rrjedhshmërinë e fjalëve dhe shprehje në gjuhën shqipe, ata i krijojnë tekstin në gjuhën angleze, ku edhe i këndojnë anglisht, ndërsa Emiljani i krijon dhe i këndon në shqip.
Me grupin "Doggs Records" kemi patur bashkëpunim ku edhe kemi realizuar një videoklip se bashku.
Në familjet tuaja, ka ndonjë pjesëtar që merret me muzikë?
Vëllezërit Simsia: Me muzikën, pothuajse jemi rritur qysh fëmijë. Babi ynë, jo vetëm që e ka kënduar muzikën shqiptare, por edhe e ka interpretuar në instrumentin e trombës. Kështu që edhe ne dy djemtë e tij nuk kishte pse të ishim ndryshe. Vetëm në rymën tonë hip hop në të kënduar jemi ndryshe nga ai.
Emiljani: Edhe ne në familjen tonë e djejmë muzikën. Ashtu edhe unë jam rritur me muzikën në shtëpi, sepse edhe babi im ka qenë muzikant dhe ka patur edhe ai grupin e tij, por në një rrymë tjetër Pra, edhe unë pak a shumë e kam të trashëguar.
Është i njohur grupi juaj dhe muzika që ju interpretoni?
Si fillim grupi jonë u bë i njohur në shoqërinë tonë, në shkollë, në lagje ku banojmë. Na kanë ndihmuar shumë aktivitetet e ndryshme familjare të miqve dhe shokëve, ditlindjet e ndryshme, ku neve na është dhënë mundësia të këndojmë. Gjithashtu edhe shpërndarja e këngëve në web site në you tube në Internet. Këto edhe ndikuan që para nje viti u zhvillua në Pallatin e Sportit konkursi "Hip-Hop competition". Dhe në atë aktivitet u vlerësuam me çmim të dytë. (Best flow) Sigurisht, u ndjemë të lumtur e të gëzuar, sepse marja e atij çmimi ishte edhe një nxitje për ne që të krijonim dhe të këndonim edhe në të ardhmen.
Keni qenë të ftuar në emisionin Zonë e Lirë në Televizionin KLAN që drejtohet nga Arian Çani.
Emiljani: Po, kemi qenë tek emisioni "Zonë e Lirë" që e drejton Arjan Çani. Ishte mënyra më e mirë për të perfomuar videoklipin tonë. Edhe atje u ndjemë shumë të emocionuar dhe të gëzuar, jo sepse ne atje prezantuam klipin tonë, por ishte një emision i drejtpërsëdrejti dhe për ne, ishte dalja e parë në televizor.
Vëllezërit Simsia: Tek "Zonë e Lirë" kishte shumë të papritura të këndshme për neve, por ne (Panajoti dhe Odisea Simsia) e papritura e madhe ishte, sepse në atë mbrëmje atje ishte i ftuar edhe këngëtari i mirënjohur, Frederik Ndoci, mik i babit dhe i familjes sonë, që ne e kemi njohur që të vegjël në Nju Jork dhe e takuam atë pas disa vitesh. Sigurisht, jo vetëm që u gëzuam, por edhe u emocionuam shumë...