E hene, 06.05.2024, 01:18 AM (GMT+1)

Mendime

Ermira Babamusta: Intervistë me Redan Bushatin, Kryetar i K.S.U.SH

E diele, 29.04.2012, 12:29 PM


Redan BUSHATI: Gjendjen e arsimit në Shqipëri e përmirësojnë strehsat dhe vlerat

Intervistoi: Ermira BABAMUSTA, Ph.D.New York

Kryetari i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH), Redan Bushati, flet për këtë strukturë studentore si dhe për problemet më të mprehta që shqetësojnë jetën akademike në Universitetin e Shkodrës. Në këtë intervistë të realizuar nga Dr. Ermira Babamusta, z. Bushati flet edhe në tërësi për reformat e nevojshme në arsimin shqiptar, si dhe tregon shkaqet e gjendjes së tij të rënduar. Gjithashtu, Bushati jep edhe ilaçin, i cili mund të zhvillojë arsimin modern shqiptarë: ulja e vlerave në krye të institucionit të arsimit të lartë.

Për më tepër ndiqeni intervistën e plotë me z. Redan Bushati.

Dr. Ermira Babamusta: Cili është misioni dhe roli i K.S.U.SH-së?

Redan Bushati: Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH) është një organizëm i pavarur i studentëve të Universitetit «Luigj Gurakuqi» të Shkodrës, i cili nuk zhvillon veprimtari politike dhe ekonomike. Kjo strukturë studentore promovon pjesëmarrjen e studentëve dhe koordinon përfaqësimin e tyre në organet drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë.

Ky këshill studentësh shpreh mendime dhe propozime për të gjitha problemet me interes të përgjithshëm në jetën akademike të këtij universiteti. Në mënyrë të konkretizuar do të shtoja se: roli i kësaj strukture studentore, që përfaqëson institucionalisht rreth 12 000 studentë që ndjekin studimet në USH-në «L.Gurakuqi», është përfaqësimi dinjitoz i vlerave më të mira akademike dhe intelektuale. Misioni i K.S.U.SH-së gjen veten në objektivat tanë: rritjen e kapaciteteve mësimnxënëse dhe mësimdhënëse, si dhe në përmirësimin e imazhit të rënduar universitar.

Dr. Ermira Babamusta: Në cilat aspekte të arsimit si dhe jetës së studentëve ka ndikuar më shumë K.S.U.SH?

Redan Bushati: Së bashku me përfaqësuesit e tjerë të këtij këshilli jemi përpjekur të arrijmë marrëdhënie të ndërsjellta me studentët dhe stafet pedagogjike. Kemi arritur, disa herë, të bashkojmë në mjedise të ndryshme akademike dhe sociale, studentët me pedagogët, duke arritur drejt shkëmbimit njerëzor të marrëdhënieve student-pedagog, e duke krijuar kësisoj kushtet në përmirësimin dhe thellimin e marrëdhënieve mes tyre.

Duke filluar nga shërbimet informuese për studentët: njoftimet për regjistrime, njoftimet për provime, njoftimet për bursa, njoftimet për kuota pranimi, njoftimet në vazhdimësi për procesin mësimor, njoftime për konferenca, simpoziume, tryeza të hapura, takime të gjera mes studentëve etj. dhe duke mbërritur deri tek organizimet dhe fushatat e mëdha në ndihmë të komunitetit, janë përpjekjet tona të vazhdueshme që kemi realizuar gjatë veprimtarisë sonë.

Dr. Ermira Babamusta: Cilat hapa duhen marrë për ta zhvilluar arsimin shqiptar në nivele bashkëkohore?

Redan Bushati: Duhet të kuptojmë qartë, njëherë e përgjithmonë, se ndryshimi i ngjyrave qeverisëse në drejtimin e institucioneve të shtetit, si rrjedhojë edhe të institucionit të arsimit të lartë në vend, nuk duhet të jetë kurrsesi ndryshim i platformave zhvilluese dhe i linjës së reformave të nisura, kur ato janë në shërbim të përmirësimit të arsimit në vend. Arsimi, vatra e shpresës së ardhme të një vendi, është më shumë se e pashpresë, kur bie fjala për vendin tonë. Gjendja nuk është aspak e lehtë për t'u përmirësuar. Por, jo e papërmirësueshme. Mundet ta bëjmë arsimin europian, mundet ta zhvillojmë atë, mundet ta fusim në shinat moderne, por ama veçse me njerëz të aftë për t'i dhënë drejtimin punëve, në këtë institucion me përgjegjësi të madhe. Përkundër çdo mohimi shprese qëndrojnë përballë vlerat. Janë pikërisht këto të fundit, të cilat nëse mbizotërojnë në arsimin shqiptar, atëherë vendi ynë mund të ndjekë ritmin dhe standartet e fort kërkuara europiane. Atëherë edhe arsimi ynë do të njohin modernitetin e tij. Arsim modern nuk mund të ketë kurrë me mohsa, por vetëm me strehsa.

Pra, hapi i parë emergjent është ulja në pozicionin e ministrit të arsimit të një njeriu me vlera intelektuale, akademike, kulturore etj. Pas ardhjes së të supozuarit në këtë post, të tjerat vijnë pas tij. Por, bashkë me të duhet të krijohet edhe profili i një institucioni të paprekshëm nga debati politik dhe interesat e tij të ditës. E fundit fare, për ta kuptuar edhe se si mund dhe duhet të jetë arsimi shqiptar, më lejoni t'ju them se: me teneqexhi dhe teseruka partish, largmendsh nuk mund të ketë zhvillim arsimi në Shqipëri. Ai mund të zhvillohet vetëm kur në krye të tij të renditen vlerat reale të shoqërisë sonë.

Dr. Ermira Babamusta: Cilat janë nevojat e studentëve të Universitetit të Shkodrës për vitin 2012?

Redan Bushati: Ashtu si bashkëkombësit e tjerë, kolegë të tyre, edhe studentët e Universitetit të Shkodrës kërkojnë po të njëjtat gjëra në thelbin e tyre: infrastrukturë moderne me hapësira të nevojshme për zhvillimin e procesit mësimor; rritje të kapaciteteve prodhuese dhe mësimdhënëse; respektim të orareve të procesit mësimor, sekretarive mësimore dhe në tërësi respektim të orarit të punës nga pedagogët, shefat e departamenteve, dekanët (ka prej atyre që me vështirësi gjejnë edhe zyrën e tyre) etj. Këto janë kërkesat dhe nevojat e studentëve tanë, për të cilat ka nevojë jeta akademike, por nga të cilat nuk presim përmirësim në masën 100% të tyre, por së paku të njohin hapat e përmirësimit ndaj këtyre kërkesave të studentëve.

Dr. Ermira Babamusta: Diçka mbi veprimtarinë e Këshillit Studentor.

Redan Bushati: Nga aktivitetet sociale vlen të përmenden disa prej tyre, si: kontributi në Shtëpinë e Fëmijës Shkodër 6-14 vjeç, dhurimi i gjakut për nevojat ekzistenciale të talasemikëve, ndihma për pleq e plaka në nevojë humane, ndihma financiare dhe materiale për banorët e zonave të prekura nga përmbytjet në Qarkun e Shkodrës, pastrimi i plazhit të Velipojës turistike dhe mahnitëse për nga vlerat e dhuntitë natyrore, pastrimi i mbeturinave përgjatë Liqenit të Shkodrës apo edhe në lagjen periferike ''Iliria'' të qytetit tonë etj.

Nga aktivitetet tërësisht dhe thellësisht akademike e me nivel të lartë përfaqësimi qytetar-intelektual vlen të theksohen organizimet tona në Bibliotekën Universitare Shkencore, në sallat moderne të konferencave në Grand Hotel Europa dhe Colosseo Hotel apo edhe në Hotel Tirana apo Sheraton. Ndërsa nga bashkëpunimet dhe lidhjet në partneritet reciprok veçojmë mes tyre ato me IOM, GTZ, OSBE, QSHDNJ, EUIC Shkodër etj. Nëpërmes bashkëpunimeve të ndërsjellta apo vetëfinancimit të aktiviteteve akademike, ne kemi arritur të krijojmë një profil qartësisht grup studentësh europian, që kërkojnë për vete dhe jetën e tyre akademike kushte më të pranueshme në transmetimin e dijeve, ndërtimin e infrastrukturës moderne dhe shembuj të meritokracisë së vjeljes së rezultatave, shumëherë të munguara përreth nesh.

Dr. Ermira Babamusta: Cilat organizime ju kanë sjallur më tepër kënaqësi?

Redan Bushati: Për nga emocionet përcjellëse e fryma humane: ndihma që dhamë dhe dita që kaluam me femijët jetimë të qytetit të Shkodrës mbetet më e realizuara, më e bukura dhe e veçanta.

Për nga vlerat akademike, ''Plagët tona'' dhe ''Sfida dhe horizonte në praktikën e këshillimit'' mbesin simpoziumet më përfaqësuese nga niveli intelektual përfshirës dhe shtjellues. Në këtë përmendje të shkurtër të klimaksitetit të aktiviteteve tona, nuk mundet kurrsesi që të mos vëmë në dukje edhe bashkëpunimet e frytshme të herëpashershme me Qendren e Informimit të BE-së në Shkodër.

Dr. Ermira Babamusta: Ju faleminderit për intervistën.

Redan Bushati: Ju faleminderit juve.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora