E premte, 02.05.2025, 12:55 AM (GMT+1)

Editorial

Ilir Çumani: Më shumë humanizëm, respekt dhe dinjitet për njeriun në nevojë

E diele, 12.02.2012, 06:04 PM


ILIR ÇUMANI: - “ Ngjarja e ditëve të fundit me 15 familje rome që jetonin në qiell të hapur në mes të këtij të ftohti të acartë, nga ana tjetër hezitimi dhe indiferenca e pushtetit lokal dhe e autoriteteve zyrtare shtetërorë përgjegjëse  për të zgjidhur çështjen e strehimit të tyre, përbën një lajm tronditës që ka tërhequr vëmendjen e shtypit të huaj dhe të institucioneve ndërkombëtare. Ndaj Apelojmë: Më shumë respekt dhe dinjitet për Njeriun në nevojë....“

 

MË SHUMË HUMANIZËM, RESPEKT DHE DINJITET  PËR NJERIUN NË NEVOJË

 

-  M E S A Z H  -

 

Nga ILIR ÇUMANI

Drejtor i Përgjithshëm

i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë

 

Të nderuar Kryebashkiakë, Kryekomunarë dhe Anëtarë të Këshillave Komunalë të Pushtetit Vendor!

 

Instituti Kombëtar për Integrimin e Jetimëve Shqiptarë  Apelon të zgjedhurit  në krye të Komunave dhe Bashkive të vendit që të kenë sukses në punën e tyre në përgjegjësitë që kanë marrë mbi vete në qeverisjen lokale.

Ajo  që duam  t´ju themi drejtuesve  lokal, është se  asnjëherë dhe në asnjë rast  nuk duhet  t´i  lejojnë vetes të jenë indiferent,  pa i hedhur sytë te numri i madh i njerëzve, veçanërisht  tek  fëmijët që dergjen në varfëri e anafalbetizëm, në luftën e përditshme për të mbijetuar.

Nuk duhet harruar asnjëherë dhe për asnjë moment se tranzicioni  shqiptar i vonuar dhe  i pamotivuar,  ka  ardhur si pasojë e mohimit të atyre që quhen njerëz që nuk kanë patur dhe nuk kanë asnjë mbështetje nga shteti; pra i njerëzve më në nevojë, fëmijëve jetimë të mbetur nga fatkeqësitë natyrore, fëmijë jetimë të policëve të rënë në detyrë, fëmijë jetimë  romë dhe të mbetur  të tillë nga fenomeni i gjakmarrjes, njerëzit me aftësi të kufizuara, ata që nuk shikojnë dhe nuk dëgjojnë, të moshuarit e vetmuar, para dhe tetraplegjikët, invalidët e luftës dhe të punës, etj.

 

Familjes  së madhe të kësaj pjese të margjinalizuar të shoqërisë, i janë shtuar dhe po i shtohen dita - ditës qindra fëmijë të braktisur nga prindër të divorcuar, qindra të tjerë të mbetur jetimë nga krimi brenda familjes, ku si shkak kryesor ka qënë dhe është papunësia, varfëria dhe pamundësia e tyre për t´i  rritur këta fëmijë.

Sot, institucioni i  Shërbimit Social Shtetëror mbulon me ndihmë sociale  65- 67 %  të njerëzve që  janë në nevojë,  numri i të cilëve arrin në 464.800, ose  14% të numrit të përgjithshëm të  popullsisë  që është 3.320.000 banorë. Realisht numri i atyre që kanë nevojë për dorën  e shtetit dhe asistencë sociale është afërsisht 697.000.

Nga këta, 184.000 janë fëmijë, ku më shumë se 2/3  e tyre jeton  nën minimumin jetik dhe përballen me ekstremin e varfërisë në luftë me mbijetesën. Afro 100.000 persona janë me aftësi të kufizuara,  32.000 është numri i fëmijë jetimë në mbarë vendin, ku 400 prej tyre trajtohen sot në  10 qëndra rezidenciale shtetërore që janë nën juridiksionin e shtetit dhe 360 të tjerë në 16 qëndra rezidenciale joqeveritare, (OJF).

Në këtë shërbim,   vepron rrjeti i shërbimit social me   12 zyra rajonale në të gjithë vendin, i cili,   për hir  të së vërtetës,  nuk ka  funksionuar si duhet në gjithë këto vite të tranzicionit në Shqipëri.

Në të shumtën e rasteve,  ky rrjet shërbimi  ka qenë informal,  duke i sjellë shtetit dhe imazhit të vendit dëme të konsiderueshme në aspektin  social dhe ekonomik,  ashtu edhe në planin moral dhe në çështjet e integrimit në përgjithësi.

Kjo ka bërë  që vitet e fundit,  partnerët ndërkombëtarë të jenë skeptik ndaj institucioneve tona të shërbimit social, pasi ata kanë qenë rregullisht edhe donatorët kryesorë në implementimin e  programeve sociale në favor të shtresave në nevojë.

 

Edhe pse në vendin tonë veprojnë 140 operatorë  të Shoqërisë Civile (OJF)  që merren me trajtimin e shtresave të varfëra dhe  fëmijëve në nevojë, ky fakt,  nuk ka mundur aspak të ndikoj në mënyrë të ndjeshme në zbutjen e fenomeneve sociale që prekin këto shtresa, pasi këto të fundit, në disa raste  nuk shihen nga institucionet shtetërore si partnerë serioz,  por konsiderohen  si konkurrent në një garë pa fund, duke i prerë rrugën  bashkëpunimit, koordinimit dhe bashkërendimit të punëve mes partnerëve social - joqeveritar dhe atyre institucionalë.

Nisur nga kapacitetet e pamjaftueshme profesionale të një pjesë të konsiderueshme punonjësish që ndodhen në mënyrë të pamerituar në këto institucione, duke llogaritur edhe mungesën e vizioneve për të paraqitur një performancë  virtuale në realizimin e objektivave të qeverisë në kuadrin e luftës kundër varfërisë,  nga kjo  pikpamje, ky lloj shërbimi rezulton sot i dështuar dhe  aspak produktiv si në tipologji e modalitete, ashtu edhe   në formë e përmbajtje  sipas  standarteve   që kërkohen nga Bashkimi Evropian.

Në kuadrin e decentralizimit të institucioneve të përkujdesit social  dhe kalimit të kompetencave  nga strukturat e Shërbimit Social Shtetëror në Komuna dhe Bashkitë e vendit, lypset nga këto të fundit,  që të marrin përsipër me shumë seriozitet të gjitha përgjegjësitë dhe sfidat që kanë të bëjnë me  politikat e  zhvillimit për integrimin sa më shpejtë që të jetë e mundur të shtresave në nevojë dhe atyre  të pambrojtura.

 

Për çdo Bashki e Komunë në të gjithë vendin,  është imperative kërkesa për  një veprim më agresiv  në sipërmarrjen e një programi të  gjërë zhvillimi në fushën e shërbimeve sociale me synimin e vetëm:   zbutjen e pasojave të  rënda sociale që kanë prekur shumë familje shqiptare, veçanërisht në zonat fshatare dhe ato më të thella në mbarë vendin, si një kusht i domosdoshëm për përmbushjen e standarteve që kërkon Marrëveshja e Stabilizim  Associmit dhe marrja e Statusit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Skamja dhe uria,    shkaktuara  nga korrupsioni tradicional i 21 vjetëve të fundit, ka pllakosur në mjerim të thellë  shumë familje shqiptare dhe ka sjellë për pasojë viktimizimin e shtresave të pambrojtura.

Burokracia dhe demagogjia sociale,  tashmë e kthyer në  sistem  me ngjyra përkatësie partiake, s´ka treguar gjë tjetër,  veçse,  ka dëshmuar qartë në gjithë këto vite  plot tensione sociale dhe kriza të ricikluara, kanë qenë një njollë e zezë  e turpit  dhe e krimit institucional.

Me keqardhje  mund të themi se në gjithë këto vite përpjekje për integrim dhe përparim shoqëror është mohuar ideali demokratik, dinjiteti i njeriut, shanset e barabarta  dhe  respekti  për individin, për njeriun në nevojë.

Ndaj është e domosdoshme që pushtetarët lokal të  bashkive dhe komunave të mos e tolerojnë më mjerimin, urinë, vuajtjet  e  dhjetra mijëra njerëzve pa përkrahje, të mijëra familjeve dhe fëmijëve që enden  rrugëve pa strehë e pa shpresë.

 

Në ditët tona, në mbarë botën, sidoqofshin rrethanat dhe veçoritë e çdo kulture apo demokracie, të drejtat  e njeriut i përkasin  trashëgimisë së përbashkët  të njerëzimit  dhe duhet të vazhdojnë  të shërbejnë si bazë mbi të cilin  të mbështetet solidariteti - kusht i domosdoshëm për realizimin e plotë të fatit të çdo individi.

Për shembull,  solidaritet me ata që janë më nevojtarë, me invalidët, të moshuarit e braktisur dhe pa përkrahje, të sëmurët, fëmiët jetimë dhe ata pa kujdesin prindëror, të cilët janë të përjashtuar nga përfshirja e programeve mbëtetëse sociale dhe i nënshtrohen  një diskriminimi permanent dhe indiference të patolerueshme që manifestohet dukshëm nga institucionet përgjegjëse.

Mjafton të marrim si shembull rrethet Tiranë, Shkodër, Sarandë, Durrës, Berat, Korçë, Fier, Elbasan, Gjirokastër, ku nëpër konviktet e shkollave te mesme në këto  qytete,  të cilat  kanë të vetmin destinacion strehimin e nxënësve konviktorë  të ardhur nga rrethet,  ndodhen sot të strehuar me qindra të rinj jetimë të papunë në kushtet e getove, ku nuk u sigurohet as minimumi jetik dhe s´kanë asnjë shpresë  për të ardhmen e tyre.

Të mbetur dyfish në gjendje mjerane e në mëshirën e fatit, mes nëpërkëmbjes së dinjitetit njerëzor dhe shpresës së premtimeve boshe e demagogjisë pafund prej  ministrave dhe ish-ministrave, deputetëve dhe ish-deputetëve, qeveritarëve lokalë e nënpunësve të administratës që përgjigjen për ta,  këta të rinj, sot janë kontigjenti më vulnerabël i shoqërisë shqiptare.  Ky realitet i hidhur,  vjen  si një dëshmi e gjallë  dhe  akuzë e rëndë për papërgjegjshmërinë e një klase të tërë politike me frymë   antihumane.

 

Prej gjashtë vjetësh, Amnesty International, ka bërë publike raportin vjetor çdo fundviti mbi gjëndjen e mjerueshme të jetimëve në Shqipëri. Ky raport i është bërë prezent çdo vit qeverisë shqiptare, institucioneve ndërkombëtare dhe parlamentit evropian duke vënë theksin se këtyre jetimëve prej 20 vjetësh të tranzicionit në Shqipëri, u janë shkelur dhe mohuar në mënyrë flagrante liritë dhe të drejtat themelore për një jetë të dinjitetshme. Atyre u është mohuar e drejta e strehimit, e punësimit, e asistencës shëndetësore dhe shumë të drejta të tjera të cilat i kanë pozicionuar si shtresa më e margjinalizuar dhe më e pashpresë e shoqërisë.

Në fazën në të cilat ndodhen të gjitha strukturat e pushtetit lokal, të cilat në procesin e decentralizimit të shërbimeve sociale,  kanë të gjitha tagrat dhe instrumentat ligjorë të nevojshëm për të vepruar në përmirësimin e kushteve sociale të komunitetit, është koha  t´ju sugjerojmë  këshillave bashkiakë dhe atyre komunalë në të gjithë vendin, të shfrytëzojnë të gjitha rezervat, hapësirat ligjore dhe administrative për hartimin e një pakete  të plotë ligjore në  hartimin dhe implementimin  e  një statusi  të avancuar social në mbrojtje  të fëmijëve jetimë dhe të rinjve jetimë të papunë  e të pastrehë.

Nuk duhet harruar  nga ana tjetër, se për shkak të ngujimit të 900 familjeve në rrethet  Shkodër, Malësi e Madhe, Lezhë,  Tiranë,  dhe në periferitë e Durrësit, Elbasanit, Lushnjës, Fierit dhe Vlorës, si shkak i gjakmarrjes,  sot 400 fëmijë jetimë të mbetur nga ky fenomen janë të izoluar  dhe nuk shkojnë në shkollë, me shpresë se edhe dita e sotme u´a  kurseu jetën e tyre nga gryka e pushkës vrastare të hasmit, por  në të njëjtën kohë,  me shpresën  se  shteti duhet të vërë dorë sa më shpejtë mbi ta.

Janë  afro  530  fëmijë jetimë të policëve të rënë në detyrë, të cilët nuk e kanë ndjerë realisht dorën e ngrohtë të shtetit, të paktën si një obligim moral dhe shenjë respekti edhe  për 322 baballarët - Dëshmorë të Atdheut,  që dhanë jetën në këtë tranzicion të dhimbshëm në mbrojtje të rendit e qetësisë,  lirisë dhe vlerave të saj.

 

Janë plotë 1.300 fëmijë jetimë të mitur nga komuniteti romë, që i kemi  përditë në sytë tanë,  që shihen  me përbuzje e përçmim tek lypin buzë Lanës, në bulevardet plotë  shkëlqim të kryeqytetit tonë dhe luksit të pa masë të pjesës tjetër aristokrate  e indiferente, që ndoshta disave prej tyre nuk u luan asnjë shqisë kur i shohin në mbrëmje nga ekranet e televizioneve se si trafikohen matanë vendit fqinjë.

Nga varfëria, kequshqyerja dhe braktisja e shkollës, janë me dhjetra – qindra  fëmijë jetimë që nuk kanë mundësi për të realizuar ëndërrat e tyre, për të shfrytëzuar dhe shpalosur aftësitë e tyre, për të marrë pjesë  në jetën demokratike.

Ngjarja e ditëve të fundit me 15 familje rome që jetojnë në qiell të hapur në mes të këtij të ftohti të acartë, dhe nga ana tjetër indiferenca e pushtetit lokal dhe e autoriteteve zyrtare shtetërorë përgjegjëse  për të zgjidhur çështjen e strehimit të tyre, përbën një lajm tronditës që ka tërhequr vëmendjen e shtypit të huaj dhe të institucioneve ndërkombëtare.

Është ende e freskët në memorien e të gjithë shqiptarëve tragjedia  tejet e dhimbshme  e  familjes Xheka,  në fshatin Sukth të Durrësit,  ku  4  vocërrakë  u kallën nëpër flakët e territ të natës, brenda  një kasolle pa dritë, në mes të të ftohtit  dhe mjerimit të pa anë, të rënë në gjumë të urritur dhe me barkun bosh, mbase duke parë edhe ëndërra për gjëra të bukura që ata kurrë si kishin parë dhe provuar në jetë.   Roberti, 13 vjeç, Vilsoni, 11 vjeç, Kasandra 9 vjeçe dhe Nertila  6 vjeçe, ishin fëmijë  që s’këronin shumë,  veçse  ëndërronin dhe dëshironin t’a jetonin jetën në botën e  tyre si të gjithë bashkëmoshatarët e tjerë. Si shumë fëmijë që kanë patur fatin e tyre të keq,  këta engjëj të pafajshëm,  ishin të përjashtuar nga vëmendja e të gjithëve, larg syrit indiferent  dhe mbështetjes sociale me ndihmë ekonomike nga shteti dhe  pushteti lokal atje në Sukth.

Të zgjedhurit  lokal duhet të kenë një vizion  më të qartë se si duhet të funksionojë demokracia në shkallë lokale, duke dalë përpara situatave të vështira.

Pjesëmarrja e shtresave në nevojë dhe grupeve të interesit që i përfaqësojnë ato, veçanërisht  e jetimëve në jetën demokratike po pakësohet,  dhe kjo është alarmante, e patolerueshme, sepse ata kanë rëndësi në jetën e kombit.

Askush nuk duhet  t´i shmangë apo  përjashtojë jetimët për asnjë lloj arsyeje. Ata duhet të respektohen, të ushqehen,  të vishen  e të strehohen, të gëzojnë  të drejtën e diturisë dhe të kulturës, nevoja këto jetike dhe të domosdoshme për ushtrimin e të drejtave qytetare, e jo vetëm të votojnë.

Mënjanimi apo përjashtimi nga kujdesi ynë i jetimëve,  i kësaj  bashkësie të madhe dhe grupimi  shoqëror të rëndësishëm, mund të sjellë  pasoja afatgjata  mbi fatin e përparimit të të gjithëve.

Fati i secilit  prej jetimëve është i pandashëm nga ai i të gjithëve. Prandaj, i bëjmë thirrje të zgjedhurve lokalë të ndihmojnë dhe kontribuojnë në “thyerjen e murit” të indiferencës egoiste pas të cilit askush më, në ditët tona, nuk mund të fshihet. Me programe trainimi dhe ndihme emergjente për punësim, ushqim, strehim e shkollim,  t´i përgatisim jetimët  të marrin përsipër  përgjegjësitë e tyre si qytetarë me të drejta të barabarta. Energjia dhe fondet  që do u kushtohen jetimëve, mirërritjes, edukimit themelor të tyre dhe integrimit në shoqëri, përbëjnë investimin më njerëzor dhe përcaktues për të ardhmen e vendit.

Për këtë qëllim është e domsdoshme të mobilizohen  burime të reja  financiare, përveç atyre  që kanë egzistuar në mënyrë simbolike.

Zgjerimi i financimit  publik për kategoritë e njerëzve në nevojë e veçanërisht për  jetimët,  nënkupton marrjen e këtyre burimeve nga të gjitha administratat shtetërore e lokale, të cilat përgjigjen drejtpërsëdrejti për politikat e zhvillimin  njerëzor.

Tashmë, Shqipëria nuk mund të konsiderohet më si vend i krizave dhe emergjencave, pasi ajo ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit shoqëror,  drejt  përparimit dhe integrimit në strukturat euroatlantike.

Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë ashtu si edhe më parë,  edhe tani,  e konsideron  veten një operator dhe partner social serioz me të gjithë operatorët,  aktorët dhe faktorët që do të realizojnë lidhjen  mes institucioneve  të ndihmës  për të shfrytëzuar  sa më shumë  mekanizma institucionalë në plotësimin e nevojave për jetimët në të gjithë Shqipërinë.

Shpresojmë dhe dëshirojmë që qeveritë vendore të nisin maratonën e promovimit të shumë individëve profesionistë dhe të  përkushtuar që do të dinë të udhëheqin  me profesionalizëm, dinjitet dhe shumë humanizëm bashkitë dhe komunat tona,  duke patur në qendër të vëmenjdes  të të gjitha  zhvillimeve  NJERIUN.

Ky realitet,  do të ishte  një ogur i mbarë për realizimin e ëndërrës  së madhe të të gjithë shqiptarëve për liri, drejtësi dhe shanse të barabarta, për të arritur standartet e kërkuara nga partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, me  objektin dhe synimin madhor drejt anëtarësimit të Shqipërisë në familjen e përbashkët evropiane.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx