| E diele, 12.02.2012, 06:04 PM |
ILIR ÇUMANI: - “ Ngjarja e ditëve të fundit me 15 familje rome që jetonin në qiell të hapur në mes të këtij të ftohti të acartë, nga ana tjetër hezitimi dhe indiferenca e pushtetit lokal dhe e autoriteteve zyrtare shtetërorë përgjegjëse për të zgjidhur çështjen e strehimit të tyre, përbën një lajm tronditës që ka tërhequr vëmendjen e shtypit të huaj dhe të institucioneve ndërkombëtare. Ndaj Apelojmë: Më shumë respekt dhe dinjitet për Njeriun në nevojë....“
MË SHUMË HUMANIZËM, RESPEKT DHE DINJITET PËR NJERIUN NË NEVOJË
- M E S A Z H -
Drejtor i Përgjithshëm
i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë
Të nderuar Kryebashkiakë, Kryekomunarë dhe Anëtarë të Këshillave Komunalë të Pushtetit Vendor!
Instituti Kombëtar për Integrimin e Jetimëve Shqiptarë Apelon të zgjedhurit në krye të Komunave dhe Bashkive të vendit që të kenë sukses në punën e tyre në përgjegjësitë që kanë marrë mbi vete në qeverisjen lokale.
Ajo që duam t´ju themi drejtuesve lokal, është se asnjëherë dhe në asnjë rast nuk duhet t´i lejojnë vetes të jenë indiferent, pa i hedhur sytë te numri i madh i njerëzve, veçanërisht tek fëmijët që dergjen në varfëri e anafalbetizëm, në luftën e përditshme për të mbijetuar.
Nuk duhet harruar asnjëherë dhe për asnjë moment se tranzicioni shqiptar i vonuar dhe i pamotivuar, ka ardhur si pasojë e mohimit të atyre që quhen njerëz që nuk kanë patur dhe nuk kanë asnjë mbështetje nga shteti; pra i njerëzve më në nevojë, fëmijëve jetimë të mbetur nga fatkeqësitë natyrore, fëmijë jetimë të policëve të rënë në detyrë, fëmijë jetimë romë dhe të mbetur të tillë nga fenomeni i gjakmarrjes, njerëzit me aftësi të kufizuara, ata që nuk shikojnë dhe nuk dëgjojnë, të moshuarit e vetmuar, para dhe tetraplegjikët, invalidët e luftës dhe të punës, etj.
Familjes së madhe të kësaj pjese të margjinalizuar të shoqërisë, i janë shtuar dhe po i shtohen dita - ditës qindra fëmijë të braktisur nga prindër të divorcuar, qindra të tjerë të mbetur jetimë nga krimi brenda familjes, ku si shkak kryesor ka qënë dhe është papunësia, varfëria dhe pamundësia e tyre për t´i rritur këta fëmijë.
Sot, institucioni i Shërbimit Social Shtetëror mbulon me ndihmë sociale 65- 67 % të njerëzve që janë në nevojë, numri i të cilëve arrin në 464.800, ose 14% të numrit të përgjithshëm të popullsisë që është 3.320.000 banorë. Realisht numri i atyre që kanë nevojë për dorën e shtetit dhe asistencë sociale është afërsisht 697.000.
Nga këta, 184.000 janë fëmijë, ku më shumë se 2/3 e tyre jeton nën minimumin jetik dhe përballen me ekstremin e varfërisë në luftë me mbijetesën. Afro 100.000 persona janë me aftësi të kufizuara, 32.000 është numri i fëmijë jetimë në mbarë vendin, ku 400 prej tyre trajtohen sot në 10 qëndra rezidenciale shtetërore që janë nën juridiksionin e shtetit dhe 360 të tjerë në 16 qëndra rezidenciale joqeveritare, (OJF).
Në këtë shërbim, vepron rrjeti i shërbimit social me 12 zyra rajonale në të gjithë vendin, i cili, për hir të së vërtetës, nuk ka funksionuar si duhet në gjithë këto vite të tranzicionit në Shqipëri.
Në të shumtën e rasteve, ky rrjet shërbimi ka qenë informal, duke i sjellë shtetit dhe imazhit të vendit dëme të konsiderueshme në aspektin social dhe ekonomik, ashtu edhe në planin moral dhe në çështjet e integrimit në përgjithësi.
Kjo ka bërë që vitet e fundit, partnerët ndërkombëtarë të jenë skeptik ndaj institucioneve tona të shërbimit social, pasi ata kanë qenë rregullisht edhe donatorët kryesorë në implementimin e programeve sociale në favor të shtresave në nevojë.
Edhe pse në vendin tonë veprojnë 140 operatorë të Shoqërisë Civile (OJF) që merren me trajtimin e shtresave të varfëra dhe fëmijëve në nevojë, ky fakt, nuk ka mundur aspak të ndikoj në mënyrë të ndjeshme në zbutjen e fenomeneve sociale që prekin këto shtresa, pasi këto të fundit, në disa raste nuk shihen nga institucionet shtetërore si partnerë serioz, por konsiderohen si konkurrent në një garë pa fund, duke i prerë rrugën bashkëpunimit, koordinimit dhe bashkërendimit të punëve mes partnerëve social - joqeveritar dhe atyre institucionalë.
Nisur nga kapacitetet e pamjaftueshme profesionale të një pjesë të konsiderueshme punonjësish që ndodhen në mënyrë të pamerituar në këto institucione, duke llogaritur edhe mungesën e vizioneve për të paraqitur një performancë virtuale në realizimin e objektivave të qeverisë në kuadrin e luftës kundër varfërisë, nga kjo pikpamje, ky lloj shërbimi rezulton sot i dështuar dhe aspak produktiv si në tipologji e modalitete, ashtu edhe në formë e përmbajtje sipas standarteve që kërkohen nga Bashkimi Evropian.
Në kuadrin e decentralizimit të institucioneve të përkujdesit social dhe kalimit të kompetencave nga strukturat e Shërbimit Social Shtetëror në Komuna dhe Bashkitë e vendit, lypset nga këto të fundit, që të marrin përsipër me shumë seriozitet të gjitha përgjegjësitë dhe sfidat që kanë të bëjnë me politikat e zhvillimit për integrimin sa më shpejtë që të jetë e mundur të shtresave në nevojë dhe atyre të pambrojtura.
Për çdo Bashki e Komunë në të gjithë vendin, është imperative kërkesa për një veprim më agresiv në sipërmarrjen e një programi të gjërë zhvillimi në fushën e shërbimeve sociale me synimin e vetëm: zbutjen e pasojave të rënda sociale që kanë prekur shumë familje shqiptare, veçanërisht në zonat fshatare dhe ato më të thella në mbarë vendin, si një kusht i domosdoshëm për përmbushjen e standarteve që kërkon Marrëveshja e Stabilizim Associmit dhe marrja e Statusit kandidat për në Bashkimin Evropian.
Skamja dhe uria, të shkaktuara nga korrupsioni tradicional i 21 vjetëve të fundit, ka pllakosur në mjerim të thellë shumë familje shqiptare dhe ka sjellë për pasojë viktimizimin e shtresave të pambrojtura.
Burokracia dhe demagogjia sociale, tashmë e kthyer në sistem me ngjyra përkatësie partiake, s´ka treguar gjë tjetër, veçse, ka dëshmuar qartë në gjithë këto vite plot tensione sociale dhe kriza të ricikluara, kanë qenë një njollë e zezë e turpit dhe e krimit institucional.
Me keqardhje mund të themi se në gjithë këto vite përpjekje për integrim dhe përparim shoqëror është mohuar ideali demokratik, dinjiteti i njeriut, shanset e barabarta dhe respekti për individin, për njeriun në nevojë.
Ndaj është e domosdoshme që pushtetarët lokal të bashkive dhe komunave të mos e tolerojnë më mjerimin, urinë, vuajtjet e dhjetra mijëra njerëzve pa përkrahje, të mijëra familjeve dhe fëmijëve që enden rrugëve pa strehë e pa shpresë.
Në ditët tona, në mbarë botën, sidoqofshin rrethanat dhe veçoritë e çdo kulture apo demokracie, të drejtat e njeriut i përkasin trashëgimisë së përbashkët të njerëzimit dhe duhet të vazhdojnë të shërbejnë si bazë mbi të cilin të mbështetet solidariteti - kusht i domosdoshëm për realizimin e plotë të fatit të çdo individi.
Për shembull, solidaritet me ata që janë më nevojtarë, me invalidët, të moshuarit e braktisur dhe pa përkrahje, të sëmurët, fëmiët jetimë dhe ata pa kujdesin prindëror, të cilët janë të përjashtuar nga përfshirja e programeve mbëtetëse sociale dhe i nënshtrohen një diskriminimi permanent dhe indiference të patolerueshme që manifestohet dukshëm nga institucionet përgjegjëse.
Mjafton të marrim si shembull rrethet Tiranë, Shkodër, Sarandë, Durrës, Berat, Korçë, Fier, Elbasan, Gjirokastër, ku nëpër konviktet e shkollave te mesme në këto qytete, të cilat kanë të vetmin destinacion strehimin e nxënësve konviktorë të ardhur nga rrethet, ndodhen sot të strehuar me qindra të rinj jetimë të papunë në kushtet e getove, ku nuk u sigurohet as minimumi jetik dhe s´kanë asnjë shpresë për të ardhmen e tyre.
Të mbetur dyfish në gjendje mjerane e në mëshirën e fatit, mes nëpërkëmbjes së dinjitetit njerëzor dhe shpresës së premtimeve boshe e demagogjisë pafund prej ministrave dhe ish-ministrave, deputetëve dhe ish-deputetëve, qeveritarëve lokalë e nënpunësve të administratës që përgjigjen për ta, këta të rinj, sot janë kontigjenti më vulnerabël i shoqërisë shqiptare. Ky realitet i hidhur, vjen si një dëshmi e gjallë dhe akuzë e rëndë për papërgjegjshmërinë e një klase të tërë politike me frymë antihumane.
Prej gjashtë vjetësh, Amnesty International, ka bërë publike raportin vjetor çdo fundviti mbi gjëndjen e mjerueshme të jetimëve në Shqipëri. Ky raport i është bërë prezent çdo vit qeverisë shqiptare, institucioneve ndërkombëtare dhe parlamentit evropian duke vënë theksin se këtyre jetimëve prej 20 vjetësh të tranzicionit në Shqipëri, u janë shkelur dhe mohuar në mënyrë flagrante liritë dhe të drejtat themelore për një jetë të dinjitetshme. Atyre u është mohuar e drejta e strehimit, e punësimit, e asistencës shëndetësore dhe shumë të drejta të tjera të cilat i kanë pozicionuar si shtresa më e margjinalizuar dhe më e pashpresë e shoqërisë.
Në fazën në të cilat ndodhen të gjitha strukturat e pushtetit lokal, të cilat në procesin e decentralizimit të shërbimeve sociale, kanë të gjitha tagrat dhe instrumentat ligjorë të nevojshëm për të vepruar në përmirësimin e kushteve sociale të komunitetit, është koha t´ju sugjerojmë këshillave bashkiakë dhe atyre komunalë në të gjithë vendin, të shfrytëzojnë të gjitha rezervat, hapësirat ligjore dhe administrative për hartimin e një pakete të plotë ligjore në hartimin dhe implementimin e një statusi të avancuar social në mbrojtje të fëmijëve jetimë dhe të rinjve jetimë të papunë e të pastrehë.
Nuk duhet harruar nga ana tjetër, se për shkak të ngujimit të 900 familjeve në rrethet Shkodër, Malësi e Madhe, Lezhë, Tiranë, dhe në periferitë e Durrësit, Elbasanit, Lushnjës, Fierit dhe Vlorës, si shkak i gjakmarrjes, sot 400 fëmijë jetimë të mbetur nga ky fenomen janë të izoluar dhe nuk shkojnë në shkollë, me shpresë se edhe dita e sotme u´a kurseu jetën e tyre nga gryka e pushkës vrastare të hasmit, por në të njëjtën kohë, me shpresën se shteti duhet të vërë dorë sa më shpejtë mbi ta.
Janë afro 530 fëmijë jetimë të policëve të rënë në detyrë, të cilët nuk e kanë ndjerë realisht dorën e ngrohtë të shtetit, të paktën si një obligim moral dhe shenjë respekti edhe për 322 baballarët - Dëshmorë të Atdheut, që dhanë jetën në këtë tranzicion të dhimbshëm në mbrojtje të rendit e qetësisë, lirisë dhe vlerave të saj.
Janë plotë 1.300 fëmijë jetimë të mitur nga komuniteti romë, që i kemi përditë në sytë tanë, që shihen me përbuzje e përçmim tek lypin buzë Lanës, në bulevardet plotë shkëlqim të kryeqytetit tonë dhe luksit të pa masë të pjesës tjetër aristokrate e indiferente, që ndoshta disave prej tyre nuk u luan asnjë shqisë kur i shohin në mbrëmje nga ekranet e televizioneve se si trafikohen matanë vendit fqinjë.
Nga varfëria, kequshqyerja dhe braktisja e shkollës, janë me dhjetra – qindra fëmijë jetimë që nuk kanë mundësi për të realizuar ëndërrat e tyre, për të shfrytëzuar dhe shpalosur aftësitë e tyre, për të marrë pjesë në jetën demokratike.
Ngjarja e ditëve të fundit me 15 familje rome që jetojnë në qiell të hapur në mes të këtij të ftohti të acartë, dhe nga ana tjetër indiferenca e pushtetit lokal dhe e autoriteteve zyrtare shtetërorë përgjegjëse për të zgjidhur çështjen e strehimit të tyre, përbën një lajm tronditës që ka tërhequr vëmendjen e shtypit të huaj dhe të institucioneve ndërkombëtare.
Është ende e freskët në memorien e të gjithë shqiptarëve tragjedia tejet e dhimbshme e familjes Xheka, në fshatin Sukth të Durrësit, ku 4 vocërrakë u kallën nëpër flakët e territ të natës, brenda një kasolle pa dritë, në mes të të ftohtit dhe mjerimit të pa anë, të rënë në gjumë të urritur dhe me barkun bosh, mbase duke parë edhe ëndërra për gjëra të bukura që ata kurrë si kishin parë dhe provuar në jetë. Roberti, 13 vjeç, Vilsoni, 11 vjeç, Kasandra 9 vjeçe dhe Nertila 6 vjeçe, ishin fëmijë që s’këronin shumë, veçse ëndërronin dhe dëshironin t’a jetonin jetën në botën e tyre si të gjithë bashkëmoshatarët e tjerë. Si shumë fëmijë që kanë patur fatin e tyre të keq, këta engjëj të pafajshëm, ishin të përjashtuar nga vëmendja e të gjithëve, larg syrit indiferent dhe mbështetjes sociale me ndihmë ekonomike nga shteti dhe pushteti lokal atje në Sukth.
Të zgjedhurit lokal duhet të kenë një vizion më të qartë se si duhet të funksionojë demokracia në shkallë lokale, duke dalë përpara situatave të vështira.
Pjesëmarrja e shtresave në nevojë dhe grupeve të interesit që i përfaqësojnë ato, veçanërisht e jetimëve në jetën demokratike po pakësohet, dhe kjo është alarmante, e patolerueshme, sepse ata kanë rëndësi në jetën e kombit.
Askush nuk duhet t´i shmangë apo përjashtojë jetimët për asnjë lloj arsyeje. Ata duhet të respektohen, të ushqehen, të vishen e të strehohen, të gëzojnë të drejtën e diturisë dhe të kulturës, nevoja këto jetike dhe të domosdoshme për ushtrimin e të drejtave qytetare, e jo vetëm të votojnë.
Mënjanimi apo përjashtimi nga kujdesi ynë i jetimëve, i kësaj bashkësie të madhe dhe grupimi shoqëror të rëndësishëm, mund të sjellë pasoja afatgjata mbi fatin e përparimit të të gjithëve.
Fati i secilit prej jetimëve është i pandashëm nga ai i të gjithëve. Prandaj, i bëjmë thirrje të zgjedhurve lokalë të ndihmojnë dhe kontribuojnë në “thyerjen e murit” të indiferencës egoiste pas të cilit askush më, në ditët tona, nuk mund të fshihet. Me programe trainimi dhe ndihme emergjente për punësim, ushqim, strehim e shkollim, t´i përgatisim jetimët të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre si qytetarë me të drejta të barabarta. Energjia dhe fondet që do u kushtohen jetimëve, mirërritjes, edukimit themelor të tyre dhe integrimit në shoqëri, përbëjnë investimin më njerëzor dhe përcaktues për të ardhmen e vendit.
Për këtë qëllim është e domsdoshme të mobilizohen burime të reja financiare, përveç atyre që kanë egzistuar në mënyrë simbolike.
Zgjerimi i financimit publik për kategoritë e njerëzve në nevojë e veçanërisht për jetimët, nënkupton marrjen e këtyre burimeve nga të gjitha administratat shtetërore e lokale, të cilat përgjigjen drejtpërsëdrejti për politikat e zhvillimin njerëzor.
Tashmë, Shqipëria nuk mund të konsiderohet më si vend i krizave dhe emergjencave, pasi ajo ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit shoqëror, drejt përparimit dhe integrimit në strukturat euroatlantike.
Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë ashtu si edhe më parë, edhe tani, e konsideron veten një operator dhe partner social serioz me të gjithë operatorët, aktorët dhe faktorët që do të realizojnë lidhjen mes institucioneve të ndihmës për të shfrytëzuar sa më shumë mekanizma institucionalë në plotësimin e nevojave për jetimët në të gjithë Shqipërinë.
Shpresojmë dhe dëshirojmë që qeveritë vendore të nisin maratonën e promovimit të shumë individëve profesionistë dhe të përkushtuar që do të dinë të udhëheqin me profesionalizëm, dinjitet dhe shumë humanizëm bashkitë dhe komunat tona, duke patur në qendër të vëmenjdes të të gjitha zhvillimeve NJERIUN.
Ky realitet, do të ishte një ogur i mbarë për realizimin e ëndërrës së madhe të të gjithë shqiptarëve për liri, drejtësi dhe shanse të barabarta, për të arritur standartet e kërkuara nga partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, me objektin dhe synimin madhor drejt anëtarësimit të Shqipërisë në familjen e përbashkët evropiane.