E premte, 02.05.2025, 07:57 AM (GMT+1)

Editorial

Pirro Prifti: Klima e urrejtjes politike që dëmton të ardhmen e Shqipërisë

E marte, 07.02.2012, 08:59 PM


Klima e urrejtjes politike që dëmton të ardhmen e Shqipërisë

 

Nga Pirro PRIFTI

priftipirro@hotmail.com

 

Kjo histori e urrejtjeve politike është një histori 100-vjeçare prej koha nga e pavarësisë, por fillesat i ka që në kohën e pushtimit turk. Përpara se të flasim për rrënjët e kësaj urrejtjeje politike për të cilën edhe kancelari austriak në 1997 Vranicki tha se “... në Shqipëri nuk e kuptoj (dalloj) se kush janë engjëjt dhe kush djajtë” (me sa duket në Shqipëri si engjëjt dhe djajtë kanë mësuar për 50 vite të njëjtën retorikë të ekspozimit të urrejtjes apo të dashurisë- retorikën e mjeshtrit dhe demagogut të fjalës E. Hoxha), - mund të analizoj se përse kjo urrejtje e dy grupimeve më të mëdha politike në Shqipërinë e cunguar nga trojet e veta po luan rolin e gotës së vrerit që u jepet shqiptarëve çdo ditë të pas viteve `90, duke u helmuar jetën, shoqërinë, familjet dhe sigurisht po mbush përsëri kupën e derdhur njëherë në 1997-1998.

 

Pra është një urrejtje dhe mllef politik i bartur nga e kaluara edhe si pasojë e mospasjes së një feje të vetme, sepse dihet, një shtet i fortë bazohet tak binomi i saktë FE+ ATDHE. Urrejtja nuk nisi pas viteve `90, qoftë si pasojë e mos eksperiencës në drejtimin e një shteti demokratik qoftë apo nga ana tjetër si pasojë e mos kuptimit të thënies së Churchill-it se “është thënë se demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, përveç të gjithë të tjerave që janë provuar” dhe se argumenti më i mirë kundër demokracisë është një 5 minutësh muhabet me një votues të zakonshëm”- jo; por këto argumenta mbeten edhe sot një fasadë për të fshehur qëllimet e vërteta të klaneve të fuqishëm që drejtojnë politikën shqiptare. Një nga format më të zakonshme të urrejtjes ishte urrejtja e klasave të shtypura e të dëmtuara gjatë regjimit komunist nga shpronësimet, futja në burg, dhe internimet, çka është një urrejtje e ligjshme, e cila po merr fund gradualisht me kalimin e viteve të demokracisë së pas `90. Shembull i kësaj, është dëshira e kësaj klase dikur drejtuese dhe pronare e tokave (që sot quhet me emrin qesharak “ish-pronarët”) e për të mos marrë hak, por vetëm t`ju kthehen pronat dhe dinjiteti bazuar në kartën e lirive dhe të drejtave të njeriut. Përjashtim mund të bëjë ndonjë individ kolaboracionist.

Forma tjetër e urrejtjes ishte dhe mbetet urrejtja midis vetë klasës që bëri revolucionin, brenda saj, kur individët pjesëmarrës në fitoren ndaj nazi-fashizmit filluan të ndajnë postet, ofiqet si dhe pasurinë, duke përjashtuar këtu disa individë të cilët ishin me të vërtetë idealiste apo më mirë e thënë-utopistë). Kjo urrejtje ndoshta ishte dhe ka edhe sot një motiv të ashpër për të luftuar politikisht trashëgimtarët e së majtës sepse sipas tyre ishin ata që e bënë luftën dhe duhet të ishin ata që të gëzonin frytet e posteve, ofiqeve, gradave dhe pasurisë, të cilat në fakt ata i provuan por që për një arsye ose për një tjetër ranë ndesh me interesat e Udhëheqësit dhe përfunduan në burgje.

Forma e tretë e urrejtjes në Shqipëri është një mllef apo urrejtje e cila ka lidhje edhe me faktorin fetar, faktor i cili në Shqipëri pavarësisht nga toleranca e shkëlqyer fetare, ka individë apo grupe të tilla të cilët pavarësisht tolerancës, hedhin shashka si idetë radikaliste dhe ekstremiste thjesht për të helmuar dhe denigruar bashkëjetesën midis komuniteteve dhe në një farë mënyre duke na kujtuar Haxhi Qamilin, personifikimin e ekstremizmit fetar në Shqipëri (çuditërisht shumë i ngjashëm në foton e tij me Mullahun Omar, shikoni fotot). Kjo tip urrejtje e kamufluar dhe e fshehur apo e mbuluar nën petkun e batutave apo talljeve kundër traditave fetare, por e konkretizuar sigurisht me përvetësimin e posteve në të tre pushtetet kryesore në Shqipëri- vazhdon edhe sot e kësaj dite në Shqipëri. Më e theksuar po ndodh në Kosovë, e kryesisht në Maqedoni, formë urrejtje ndaj etnisë tjetër sllave (sepse urrejtja ndaj të njëjtës etni si ajo shqiptare në të cilën bëjnë pjesë të krishterët ortodoksë dhe katolikë nuk ka atë qëllim; ndaj të cilës kundërshtarët përpiqen edhe ta mbulojnë dhe të kufizohen vetëm në etiketime, batuta dhe nofka satirike) e cila ndonëse në Kosovë, urrejtja ndaj serbëve praktikisht përfundoi me fitimin e pavarësisë dhe praktikisht ishte një formë reaksioni mbrojtës dhe survivance, - në shqiptarët e Maqedonisë kjo formë urrejtjeje e derivuar edhe në forma ekstremizmi fetar vazhdon edhe sot e kësaj dite duke gjeneruar antagonizma, të cilat reflektojnë ashpërsimin e kontradiktave politike. Nëse do të mundej të ktheheshim pas në të kaluarën që përpara pavarësisë dhe gjatë viteve të pavarësisë, e deri në çlirimin e Shqipërisë shkurtimisht unë do të vlerësoj dy klane të fuqishme por krejtësisht antagoniste përsa i përket strategjisë dhe politikave për tokat dhe popullatën shqiptare të asaj kohe në raport me qëllimet e fqinjëve, të Europës, dhe Rusisë. Kjo mund të sqarohet fare mirë me dy letra krejtësisht të kundërta të dërguara nga dy komunitete shqiptare me fe të ndryshme: nga njëra anë- lidhja e Prizrenit, e cila përgatiti Kahrarname-në e famshëm me 1 qershor 1878, nëpërmjet të cilës popullata myslimane ballkanike (dhe ajo shqiptare myslimane) i kërkonte ambasadorëve të Europës dhe Rusisë që të linte tokat dhe popullatën myslimane nën varësinë e Turqisë (kjo e fundit, e mundur në luftën e 3-të Ruso-Turke në Mars 1878), ndonëse pastaj patriotët shqiptarë myslimanë përgatitën Lidhjen e dytë të Prizrenit më 14 qershor vetëm për tokat shqiptare (por idea ishte gjithashtu nën varësinë e Sulltanit). Nga ana tjetër mund të kujtoj Letrën e famshme të 24 fshatrave të krishtera shqiptare të Himarës (në të cilën duhet theksuar se më 1870 vetëm 4 familje ishin greke në Himarë në atë kohë), të cilat kërkonin mbrojtjen e Katerinës së Rusisë nga Turqit dhe të huajt e tjerë që kërkonin tokat shqiptare të Himarës (Historia e Shqipërisë volumi i II- III).

Pavarësisht nga qëllimet e kundërta të krahinave shqiptare me fe të ndryshme, ka qenë ravijëzuar dhe mbetet e tillë edhe sot (por me emra dhe lokacione të ndryshme) një urrejtje e fokusuar tek politika shqiptare e kryesuar gjithmonë nga dy grupe kryesore politike antagoniste porsa i përket strategjisë dhe politikave ndaj të ardhmes së Shqipërisë dhe trojeve jashtë saj: nga njëra anë grupi politik që përfaqësonte politikat pro-Turqisë (agallarët dhe pashallarët në kohën e sundimit turk por edhe Ismail Qemali në kohën e pavarësisë), dhe grupi politik që përfaqësonte politikat pro Europës perëndimore (në kohën e sundimit turk ishin katolikët e Mirditës dhe pro-italianët në përgjithësi, por dhe paradoksalisht Esat Pasha si hipokrit që ishte: pro-turk në shpirt dhe anti turk e anti-shqiptar, në praktikat politike). Përsa i përket kohës pas luftës së parë botërore pasi u copëtua Shqipëria pikërisht për shkak të dasive fetare nga njëra anë dhe frikës së fqinjëve ndaj një Shqipërie të madhe myslimane nga ana tjetër, u ravijëzuan dy grupe të tjera politike e pasardhëse të ndarjes antagoniste politike të së kaluarës (pavarësisht idealistëve të rilindjes shqiptare): ajo e Ahmet Zogut (i cili mësoi shqip në moshë të rritur sepse erdhi nga Turqia por u shkollua më vonë në perëndim) pro-turk në shpirt por pragmatist pro-perëndimor për të mbajtur pushtetin nga njëra anë- dhe nga ana tjetër partia e Fan Nolit pro-perëndimore pro republikane, reformatore por anti-feudale (i akuzuar më vonë si pro-ruse për shkak se Noli së bashku me Avni Rustemin mbajtën 5 minuta zi për vdekjen e Leninit sepse Lenini ashtu si presidenti Willson përkrahën vendet e vogla si Shqipërinë).

Pas çlirimit, Partia Komuniste e cila në fillim mbajti atributet e Nolizmit kurse më vonë degjeneroi si një diktaturë konservatore bizantine e zogiste, në dallim nga klasat e shtypura të cilat në fillim kishin atributet e zogizmit dhe ishin konservatorë por që në fillimet e demokracisë mbajtën dhe shpalosën flamurin e të drejtave të njeriut (shikoni se çfarë transformimi dhe shndërrimesh pësuan partitë kryesore për shkak të pragmatizmit politik), - sot mund të shohim se të dy partitë kryesore me emra krejtësisht të kundërt me të kaluarën por në thelb të njëjta në përfaqësimin e pushteteve janë pozicionuar me ambiguitete karakteristike ballkanike: PS pro perëndimit por me të kaluar me mbartjen e përgjegjësive diktatorial dhe PD pro perëndimit por me të kaluar pro lindore. Sot urrejtja politike vazhdon të shtresëzohet porsi ai kanceri që i ha trupin njeriut dhe që vetëm një mjekim modern i kohës mund ta shërojë, dhe “mjekët” e BE e të SHBA po ndikojnë në trajtimin e këtij vendi ekzemplar si Shqipëria, në të cilën jo vetëm ka ndihmuar për keq 5 shekuj sundimi turk por dhe ½ shekulli diktatura e majtë ekstreme të cilat kanë konsoliduar urrejtjet brenda kombit shqiptar, urrejtje të cilat pas pavarësisë kanë formën e klaneve politike, të cilat praktikisht luftojnë sot me format e luftës së klasave kundër njëra tjetrës duke sensibilizuar dhe mos e lënë të qetë popullatën shqiptare në rrjedhën e vet drejt demokracisë, integrimit dhe të një të ardhmeje më të mirë se sa i ofroi e kaluara e hidhur.

Nëse urrejtja e formës politike po shkreh mllefet e veta nëpërmjet antagonizmave që gjeti në shoqërinë shqiptare e dhe sot e kësaj dite, format e ndryshme të urrejtjeve janë të trashëguara dhe në Kosovë e Maqedoni, urrejtje të cilat kanë kryesisht forme etnie dhe religjioze por që janë induktuar qoftë nga pushtimi turk i cili arriti të përçajë kombin nëpërmjet fesë, qoftë nga pushtimi i vendeve fqinjë në formën e shpërblimit që u dhanë shtetet perëndimore, urrejtje e cila mban gjallë në një farë mënyre survivancën e të qënit shqiptar por paradoksalisht përmban dhe elementin anti perëndimor. Shkurtimisht mendoj se përplasjet midis etnive jashtë kufijve aktualë të Shqipërisë do të zgjidhen si gjithmonë nga fuqitë e mëdha, përplasjet brenda Shqipërisë ka gjasa të zgjidhen në pjesën më të madhe nga vetë në sepse kemi një inteligjencë me tradita, por pasi të largohet nga pushteti pinjollët e ish-nomenklaturës komuniste.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx