E hene, 05.05.2025, 10:13 AM (GMT+1)

Speciale

Ryzhdi Baloku: Çfarë ndodhi në trojet shqiptare, në prag të Pavarësisë në vitin 1912

E diele, 27.11.2011, 09:00 PM


ÇFARË NDODHI NË TROJET SHQIPTARE, NË PRAG TË PAVARËSISË NË VITIN 1912

 

Nga Ryzhdi Baloku

 

Pas humbjes së luftës nga Rusia, Perandoria Osmane kishte filluar të kalbej. Duke e vërejtur këtë, nën pretekstin se po i kthejnë tokat e veta shtetet e reja ballkanike sllavo-ortodokse dhe ai grek, filluan t’ia shkëpusin Perandorisë trojet njërin pas tjetrit si hienat në gjahun e ngordhur, e për të cilat Perandoria jo vetëm që nuk reagonte, por në një formë u përgjigjej atyre kërkesave, sepse siç thotë një fjalë e urtë: ” Djersa dhe malli i huaj nuk dhimbsen ”, prandaj nën diktatin e Rusisë dhe nga frika e saj, Turqia duke u munduar ta ruajë shtetin e vet nga shkapërderdhja totale, i lëshonte tokat shqiptare njërën pas tjetrës pa kurrfarë dhimbjeje.

Forcat grabitqare të shteteve fqinje i kishin ndarë zonat e sulmeve për gllabërim të tokave dhe i koordinonin sulmet kundër shqiptarëve.

Në ato vende për të cilat pretendohej sulmi prej fqinjëve, në formë vullnetarësh popullsia shqiptare ishte vetorganizuar në mbrojtje të trojeve të veta.

Shqiptarët e armatosur dobët, me armatim të lehtë e pa municion të mjaftueshëm dhe pa aleat që do t’iu mundësonte armatosje me armë të rëndë e të lehtë artilerie, detyrohen të luftojnë duke e përdorur taktikën luftarake të zënies së pritave kundër armikut, apo të luftës në mbrojtje të pragut të shtëpisë.

 

Nën inkurajimin dhe ndihmën e Rusisë, si dhe me bekimin e disa fuqive të mëdha të asaj kohe, solldateska pushtuese serbe, malazeze, bullgare e greke zakonisht i sulmonte banorët e paarmatosur civilë shqiptarë, me djegie të shtëpive e pasurive si dhe bënte masakrime të papara, përmes ushtrisë, xhandarmërisë dhe bandave paramilitare të organizuara nga ata.

I tërë vendi digjej, në çdo anë ndihej era e tymit dhe shkrumbit nga luftërat e përgjakshme që zhvilloheshin.

Pushtetarët turq nga njëra anë i pengonte vetorganizimi i shqiptarëve për mbrojtje të trojeve që sulmoheshin nga grabitqarët fqinj nga droja e armatosjes së tyre, mirëpo edhe në anën tjetër nuk vërehej ndonjë interesim i ushtrisë turke në mbrojtje të këtyre trojeve. Duke e vërejtur këtë neglizhencë dhe dezorganizim të ushtrisë turke, shqiptarët nuk i përfillën sugjerimet e tyre dhe filluan të vetorganizohen.

Ky vetorganizim në mbrojtje të vendit posaçërisht vërehet në Pejë me fshatrat e Rugovës dhe fshatrat tjera për rreth, në mënyrë që ta pengonin depërtimin e mëtutjeshëm të trupave malazeze në këto troje, e që në atë kohë ky vend gjendej në pozicion kufiri.

 

Forcat malazeze sulmojnë në drejtim të Pejës, ndërsa ato serbe në drejtim të Llapit dhe Gollakut

 

Në këtë kohë Mytesarif dhe Komandant i Pejës ishte Xhafer Tajari.

Ushtria turke me një moral të dobët lufte që ishte krijuar nga presioni i fuqive evropiane pas luftës ruso-turke, përkundër ndihmës nga një numër bashibozukësh, ofensivën malazeze e përballon dobët. Pa u bërë muaji, ushtria turke në territorin e Pejës shpartallohet përfundimisht.

Grekët në këtë kohë hyjnë deri në Edrene, por më vonë ato territore çlirohen nga ushtria turke.

Përkundër luftës shumëvjeçare të malazezëve kundër shqiptarëve për pushtimin e nahijes së Plavës e Gucisë për rreth të cilave ishin edhe shumë fshatra shqiptare, që i takonin Sanxhakut të Pejës, Mali i Zi kishte bërë përgatitjet edhe më tutje në të gjitha sferat për pushtimin e tyre.

Forcat malazeze sulmojnë në drejtim të Pejës, ndërsa ato serbe në drejtim të Llapit dhe Gollakut.

Armata e I. serbe marshon në drejtim të Bujanocit dhe Vrajës, armata e II. serbe në drejtim të Kriva Pallankës, ndërsa armata e III. serbe në drejtim të Llapit për në Fushë Kosovë dhe me 20 tetor të vitit 1912 forcat serbe hyjnë në Prishtinë, ndërsa me datën 22 të atij muaji në Fushë Kosovë do ta paraqesin triumfin te tyrbja e Sulltan Muratit, për të vazhduar me pushtime pas pak ditësh edhe në qytetet: Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë, Prilep, Resne, Ohër, Elbasan etj.

 

Derisa Kumanova pushtohet nga serbët po në tetor të 1912, bullgarët hyjnë në Koçanë e Shtip, në të cilat vende do të takohen ushtria serbe e malazeze me atë bullgare.

Forcat ushtarake serbe në krye me gjeneralin Jankoviq marshojnë në drejtim të Prizrenit për t’u takuar me ushtrinë malazeze, kah Gjakova për Pejë.

Shqiptarët me një numër jo të mjaftueshëm luftëtarësh dhe të pajisur dobët me armatim, nuk qenë në gjendje t’i rezistonin gjatë sulmeve malazeze, që ishin të pajisur me armatim modern artilerie. Më 22 tetor të vitit 1912 forcat malazeze përmes maleve të Peklenës dhe të Zhlebit hyjnë në qytetin e Pejës, pasi që më parë i kishin pushtuar Plavën e Gucinë.

Në krye të armatës malazeze qëndronte gjenerali Vukotiq, i cili pas pushtimit të Pejës e vazhdon marshimin për Gjakovë e Prizren.

Malazezët kishin hyrë në luftë me 35.600 ushtarë, me 106 topa, 12 mitraloza e 35.482 pushkë, derisa shqiptarët e kësaj ane posedonin vetëm 2 topa të vjetër.

Në nëntor të vitit 1912 serbët i vazhdojnë pushtimet me qytetet: Manastir, Lezhë, Krujë, Tiranë e Durrës, derisa grekët në anën tjetër e pushtojnë, Prevezën e Selanikun.

 

Pushtimi i trojeve shqiptare nga grabitqaret fqinj do të vazhdojë edhe gjatë vitit 1913. Malazezët do të hyjnë në Shkodër, derisa grekët në këtë periudhë do ta pushtojnë Janinën e Gjirokastrën.

Pasi që vullnetarët shqiptarë kishin hyrë në Shkup dhe kishin çliruar Shkupin që ishte qendër e vilajetit të Kosovës, serbët do të hyjnë pas tyre dhe e pushtojnë këtë qytet shqiptar.

 

Pavarësia e shtetit shqiptar shpallet mu në vlugun e luftërave

 

Duke qenë se Turqia, vazhdimisht po i lëshonte tokat në dëm të shqiptarëve, e posaçërisht pasi që këto troje ishin sulmuar nga të gjitha anët e vendit prej lakmitarëve grabitqarë fqinj, me pretendime që ta fshijnë nga faqja e dheut këtë popull autokton, shqiptarët u detyruan të vetorganizohen për mbrojtjen e trojeve të veta, duke i ngjeshur radhët bashkërisht, gegë e toskë, rrafsh e malësi, myslimanë, katolikë e ortodoksë, mu siç kishte thënë Vaso Pashë Shkodrani ... se feja e shqiptarit është shqiptaria.

Intelektualët, diplomatët dhe strategët luftarakë shqiptarë të asaj kohe, hartuan strategjinë diplomatike dhe ushtarake për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe vendosën ta shpallin botërisht shtetin shqiptar.

Në nëntor të vitit 1912 Ismail Qemali viziton Vjenën për ta takuar ministrin e punëve të jashtme të Austro-Hungarisë, më të cilin rast do ta takojë njëherësh edhe ambasadorin e Italisë në këtë vend e nga të cilët do të marrë përkrahje.

 

Pas këtij takimi me 28 nëntor të vitit 1912 shqiptarët në Vlorë ngritën flamurin kombëtar dhe e shpallën pavarësinë e Shqipërisë duke ia bërë me dije botës ekzistimin e kombit dhe të shtetit shqiptar, derisa pas dy ditësh nga shpallja e pavarësisë do të pushtohet Durrësi .

Pavarësia e shtetit shqiptar shpallet mu në vlugun e luftërave, në kohën kur ishte sulmuar nga katër anët e vendit.

Fuqitë e mëdha të kohës do ta njohin pavarësinë e Shqipërisë në dhjetor të vitit 1912, por jo edhe shtetet ballkanike të cilat nuk prajtën me sulmet ndaj këtij vendi.

Lidhur me përcaktimin e kufijve të shteteve ballkanike në dhjetor të vitit 1912 fillon Konferenca e Ambasadorëve në Londër, ndërsa përcaktimi i kufijve u bë në fund të marsit të vitit 1913, mirëpo Konferenca i përfundoi punët tek në fund të korrikut të atij viti.

Konferencën e udhëhiqte ministri i jashtëm i Britanisë së Madhe Z. Edward Grey. Në konferencë morën pjesë edhe ambasadorët e Austro-Hungarisë, Italisë, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë. Konferenca i përfundoi punimet me vendime në dëm të shqiptarëve.



(Vota: 43 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Ryzhdi Baloku: Kush e organizoi plojën me rastin e inksenimit të thyerjes së burgut famëkeq të Kullës së Sheremetit në Pejë Tefik R. Qarri: Si u denua Kroati, Ilija Perkoviç me 40 ditë burg, për Kosovën Republikë Sabile Keçmezi-Basha: Përpjekjet e gazetës “Përpjekja Kosovare” në mërgim (II) Fritz Radovani: Edhe Zef Bardhoku më ka tregue si... Tefik R. Qarri: Lam Breznica dhe lufta e Ushit – Përkujtim me rastin e 67 vjetorit të luftës së Ushit Avzi Mustafa: Në kujtim të mësuesit Syreja Imami Ilmi Veliu: Nga ilirishtja deri te Kongresi i Manastirit Sabile Keçmezi-Basha: Përpjekjet e gazetës “Përpjekja Kosovare” në mërgim (I) Hilmi Saraçi: Arsimtarët, punëtorët e shkollave, studentët dhe nxënësit që u vranë gjatë luftës (1998-1999) në komunën e Vushtrrisë Arben Llalla: Çamët nuk kanë bashkëpunuar me gjermanët, por Qeveria greke, partizanët grekë dhe Napolon Zerva Ryzhdi Baloku: Si u stacionuan kolonët malazezë në regjionin e Pejës Neki Babamusta: Kontributi i Popullit të Kavajës në Luftën e Shkodrës Fotaq Andrea: “Orientalet” e Viktor Hygoit dhe figura e Ali Pashë Tepelenës Shefki Ollomani: Vendosja e sllavëve në Iliri dhe Maqedoni Fotaq Andrea - Një thirrje nga zemra e Faik Konicës: “Muhamedanë shqiptarë, bashkohuni me vëllezërit e krishterë, bashkohuni për të mirën e kombit tonë!” Brahim Avdyli: Uniteti i kombit shqiptar dhe përçarja sistematike e tij Ryzhdi Baloku: Miku i mirë shihet në ditë të vështira Ilmi Veliu: Shqiptarët janë pasardhës të Ilirëve dhe Kërcovarët janë pasardhës të fisit Ilir - Penestët Aristotel Mici: Presidenti Washington dhe Revolucioni Amerikan Fotaq Andrea: Zoja e Këshillit të Mirë - Pajtore e Shqipërisë

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx