Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Në kujtim të Dom Simon Filipaj
E diele, 16.10.2011, 06:06 PM
NË KUJTIM TË DOM SIMON FILIPAJ
Nga Frank Shkreli
Disa ditë më parë, më ra në dorë me mirësinë e Dedë Filipaj, vëllait të Dom Simon Filipaj – ‘’Shën Jeronimit të ditëve tona’’ -- libëri ‘’BIBLA SHQIP DHE FILIPAJ’’, që përmbledhë materiale studimore-shkencore nga dy konferenca mbajtur në Tiranë, vitet e fundit, nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Këto studime të përmbledhura në këtë libër për veprën e Dom Simon Filipaj, kanë rëndësi të veçantë për studimet shqiptare, dhe japin një kontribut të shënueshëm në historinë kombëtare. Libri, githashtu me dha shkas që të kujtoja këtë burr të fesë e të fjalës, të cilin e kisha njohur që në fëmijëri, gjë që e ndjejë si detyrim. Fatbardhsisht, sot vepra e Dom Filipajt kujtohet dhe nderohet nga shumë, natyrisht nga Kisha Katolike, por edhe nga individë, akademi e shoqata të ndryshme, përfshirë edhe Shoqatën ‘’Dom Simon Filipaj’’, e cila organizon aktvitete të ndryshme në Ulqin dhe në Amerikë, ku si çdo vit, në fund të kësaj jave do të zhvillohet darka përvjetore kushtuar Dom Simon Filipajt dhe kontributit të tij.
Botimi i parë i Besëlidhjes së Re u bë më 1980, në një periudhë pra kurë përpjekjet, për shtrembërimin e historisë fetare, letrare dhe politike të kombit shqiptar nga ana e sllavo-komunizmit ndërkombëtar dhe të regjimit të Enver Hoxhës, kishin arritur kulmin. Ishte këjo, jo vetëm, një periudhë padrejtësishë të mëdha ndaj kontributit të klerit katolik për kombin dhe kulturën shqiptare, por në të njëjtën kohë, përpjekjet e regjimit komunist shqiptar për të zhdukur fizikisht dhe moralisht veprat e klerit katolik shqiptar ishte edhe një cenim i pafalshëm i së vërtetës historike. Me përkëthimin e Biblës dhe veprave të tjera në gjuhën shqipe, Dom Simon Filipaj u radhitë me më të mëdhejt klerikë që i shërbyen kombit dhe kulturës shqiptare, duke punuar natë e ditë nën rrethana jashtzakonisht të vështira, për të lavruar gjuhën shqipe dhe duke ruajtur si sytë e ballit virtytet dhe traditat autoktone të racës sonë të lashtë.
Me 1980, unë isha i punësuar në seksionin shqip të Zërit të Amerikës, dhe nuk më kujtohet se si në atë kohë më ra në dorë një kopje e ‘’Besëlidhjes së Re’’, të posa botuar, por më kujtohet mirë gëzimi me të cilin e priti stafi i vogël i atëherëshëm i seksionit shqip, pasi në atë kohë, pothuaj as nuk merrnin botime as libra nga trojet shqitare në Ballkan. Pasi me krenari u thashë kolegëve se përkëthyesin e Besëlidhjes së Re, Dom Simon Filipaj e njihja mirë pasi ai kishte qenë famullitari i im në Shën Gjergj të Bregut të Bunës, dhe si seminarist në moshë të re që isha, përpiqej të më inkurajonte dhe të më frymëzonte për ndjekjen e studimeve dhe për dashurinë për gjuhën, kulturën dhe traditat e kombit tonë. Me të marrë vesh për njoohurinë time me Dom Simon Filipaj, shefi i atëhershëm i seksionit shqip të Zërit të Amerikës, Talat Karagjozi nga Gjirokastra më kërkoi që të përgatisja disa shënime të shkurtëra mbi këtë botim të ri për dëgjuesit e Zërit të Amerikës, pasi falë censurës së atëhershme, pothuaj askush, me përjatshtim të disa qarqeve kishtare, nuk kishte dëgjuar as lexuar për ‘’Besëlidhjen e Re’’ shqip. Unë, me kënaqësi iu përgjigja kërkesës së shefit dhe Zëri i Amerikës transmetoi lajmin më 1980, mbi veprën e Dom Simon Filipaj:
''Kohët e fundit na ra në dorë Besëlidhja e Re, ose Testamenti i Ri i Biblës, i përkëthyer shqip nga prifti katolik shqiptar i Arkipeshkvisë së Tivarit, i Përndershmi Dom Simon Filipaj, famullitar i Kishës Shën Gjergji, në Bregun e Bunës afër Ulqinit. Mbi këtë vepër të madhe të përkëthyer shqip, ju sjellim disa shënime të përgatitura nga bashkpuntori i Zërit të Amerikës, Z. Frank Shkreli.
--Këshilli i Dytë i Vatikanit me nxitjen dhe largpamjen e Papës Gjonit të 23-të vendosi që Dhjata e Re, ose Besëlidhja e Re të përkëthehet në gjuhë të ndryshme të botës për t’ua bërë të mundur dhe më të lehtë besimtarëve leximin e Shkrimit të Shënjtë. Menjëherë pas Këshillit të Dytë të Vatikanit, në fillim të 1960-ave, dukej se ishte një gjë e pamundur që porosia dhe dëshira e Kishës të zbatohej për të përkëthyer Dhjatën e Re në gjuhën shqipe. Përkëthimi i Besëlidhjes së Re në gjuhën e sotme shqipe nuk është përkëthimi i parë e shpresojmë as i fundit i të Përndershmit Dom Simon Filipaj. Përveç kësaj vepre, ndër përkëthimet biblike të Përndershmit Filipaj përfshihen edhe librat liturgjikë, një seri lutjesh e leximesh bibliko-liturgjike, Katekizmi i Vogël, Bibla e Ilustruar për të Rinjtë dhe Ungjilli i Shën Mateut.
Pa dashur tua ulim vlerën veprave të lartëpërmendura, mund të thuhet lirisht se me veprën madhështore që ka bërë me përkëthimin e Besëlidhjes së Re në gjuhën e sotëme shqipe, Dom Simon Filipaj pasuroi kulturën dhe letërsinë e kombit shqipëtar, gjë që sipas arkipeshkvit të Tivarit, Imzot Pjetër Përkolaj dhe Ipeshkvit të Ferizajt, Imzot Nik Prëla, vepra e Dom Simonit është një traditë që filloi me Formulën e Pagëzimit dhe e cila , në të njëjtën kohë ripërtritë traditat e larta dhe të lashta dymijë vjeçare, kur trevat shqiptare hynë në tekstin e Shkrimit të Shënjtë, e ku citohen fjalët e Shën Palit apostull, i cili thotë vetë se ai predikoi në Iliri. Sipas Biblës, Shën Pali ka thënë këto: ‘’Ashtu e kreva plotësisht detyrën time të predikimit të lajmit të gëzueshëm mbi Krishtin, prej Jeruzalemit e deri në Iliri.’’
I përndershmi Filipaj e përkëtheu Besëlidhjen e Re nga origjinali greqisht e latinisht. Duke marrë parasyshë rrethanat që edhe vetë Dom Filipaj i ve në dukje në parathënje, --nën të cilat ai është detyruar të punojë larg çdo qëndre konsultimi -- këjo ndërmarrje ka kërkuar dhe nevojitë guxim dhe vullnet të fortë nga ana e Dom Simonit. Besëlidhja e Re është përkëthyer, si thamë më sipër, në gjuhën e sotëme shqipe dhe në bazë të rregullave drejtëshkrimore të sajë.
Pasi jep arsyet për një gjë të tillë duke thënë se nuk duhet të mbetemi fise në shekullin e 20-tët, ai në mënyrë modeste i kërkon falje lexuesit se nëqoftëse aty këtu, rrjedha e fjalisë është pakëz e vrazhdtë dhe në të njëjtën kohë i bën thirrje lexuesit që Dhjata e Re të lexohet me atë dashuri me të cilën u përkëthye.
Nuk ka asnjë dyshim se me përkëthimin e Besëlidhjes së Re, Dom Simon Filipaj zhdukë një boshllëk të madh në letërsinë dhe në kulturën shqiptare. Dhe në të njëjtën kohë (këjo vepër) e bën kombin shqiptar të rrjeshtohet krenarisht me letërsinë dhe kulturat e popujve të tjerë modernë.
Libri i Besëlidhjes së Re në gjuhën shqipe ka lartë nga njëmijë faqe dhe mbulesa e saj është ajo e Mesharit të Buzukut. Në fund, lexuesi gjenë tabelën kronologjike me dy shtylla. Në shtyllën e parë është historia e përgjithëshme e njerëzimit, kurse në shtyllën e dytë gjëndet historia biblike e Besëlidhjes së Re që filloi nga viti 31 para Krishtit.
Si edhe shumica e botimeve katolike në Kosovë dhe në viset e tjera të Jugosllavisë të banuara nga shqiptarët, edhe Besëlidhja e Re u botua me 1980, nga revista fetare e kulturore Drita e Ferizajt, me një tirazh prej 10.000 kopjesh.
Kur njeriu merrë parasyshë kontributin që kleri katolik shqiptar i ka dhënë dhe i jep kombit të vet, gjuhës shqipe dhe kulturës, është me vend që përkëthyesi, Dom Simon Filipaj, ua kushton këtë vepër madhështore kujtimit të përherëshëm të Buzukut, të Matrengës, të Budit, të Bardhit, të Bogdanit dhe të mbarë klerit katolik shqiptar, që me dashuri të pa tregueshme ja kushtuan -- Fjalës së Hyut dhe ngritjes së Kombit -- dijen, pendën dhe jetën.''
Për ata që duan të mësojnë më shumë për Dom Simon Filipaj dhe veprën e tij, dhe për kontributin ndaj kulturës dhe letërsisë shqiptare, libri ‘’Bibla Shqip dhe Filipaj’, (Botuar nga Enti Botues ‘’Gjergj Fishta’’, Lezhë) është një burim i shkëlqyeshëm studimesh, nga një numër i madh shkencëtarësh e studjuesish të feve të ndryshme , gjë që ve në dukje edhe ekumenizmin dhe ‘’shpirtin përbashkues’’ të Dom Simonit, njërit prej ‘’Heronjve të Librit’’, nga kontribues dhe studiues të njohur nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Italia.