Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Dita Ndërkombëtare e Demokracisë
E hene, 26.09.2011, 07:59 PM
DITA NDËRKOMBËTARE E DEMOKRACISË
Nga Frank Shkreli
Asambleja e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2007 ka shpallur se data 15 Shtator duhet të festohet çdo vit nga e gjithë bota, si Dita Ndërkombëtare e Demokracisë, me qëllim për të theksuar nevojën e vazhdueshme për të promovimin e demokratizimit të shoqërive të ndryshme anë e mbanë botës, si edhe për të theksuar rëndësinë e e zhvillimit dhe të respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të çdo individi kudo.
Me miratimin e rezolutës, Asambleja e Përgjithëshme rithekësoi se ‘’ndërsa demokracitë ndajnë shumë gjëra të përbashkëta, nuk ekziston asnjë model i vetëm i demokracisë (për të gjithë) dhe se demokracia nuk i përket një vendi ose një rajoni.....por demokracia është një vlerë universale, e bazuar në shprehjen e lirë të popujve për të vendosur vetë sistemet e tyre politike, ekonomike, shoqërore e kulturore, si edhe për të vendosur lirisht pjesëmarrjen e tyre në të gjitha aspektet e jetës.’’
Edhe sivjet, Asambleja e Përgjithëshme u bëri thirrje vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, organizatave ndër-qeveritare dhe jo-qeveritare, si edhe individëve dhe medias që të shënojnë këtë ditë në mënyra të përshtatëshme festimi e përkujtimi, ashtuqë të përforcohen dhe të shtohen programet kombëtare për promovimin dhe konsolidimin e demkoracisë. Këjo ditë u përkujtua anë e mbanë botës duke përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosovën. Simbolikisht, në Shqipëri, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u takua me dyzina studentësh shqiptarë dhe në Kosovë, Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi hapi godinën e parlamentit për qytetarët.
Festimi vjetor i Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë shërben si një kujtesë e përherëshme mbi nevojën e vazhdueshme që parlamentet dhe qeveritë të përqendrohen mbi promovimin e demokracisë së vërtetë, përfshirë realizimin e objektivave sç janë, pjesëmarrja aktive e një shoqërie civile, sigurimi i mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të drejta, përkrahja e partive efektive politike, të cilat si prioritet kanë mirëqenjen e popullit dhe jo interesat e tyre personale, si edhe respekti dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, pa marrë parasyshë gjininë, etnicitetin, fenë ose statusin politik ose ekonomik të njerëzve.
Në mesazhin e tij me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë këtë javë, Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon përmendi ngjarjet e këtij viti në Afrikën Veriore si dhe 20-vjetorin e rrëximit të komunizmit në Evropën Lindore. Duke folur për ngjarjet dramatike dhe transformimet masive të 20 vjetëve më parë në Evropën Lindore, Sekretari i Përgjithëshëm, në deklaratën e tijë, u shpreh se ‘’shumica e vendeve të rajonit (të Evropës Lindore) gjënden gjithnjë në fazat fillestare të zhvillimit të tyre demokratik. Ato janë të vetdijshëme për punën e madhe dhe durimin që nevojitet për vendosjen e shtetit të ligjit, për transparencën dhe përgjegjësitë si edhe për nevojën e doemosdoshme për të ndërmarrë një ndryshim të gjithanshëm të sistemeve politike dhe ekonomike të tyre. (Vendet e Evropës Lindore) i njohin mirë dështimet të cilat mundë të prishin shpresat, por në të njëjtën kohë posedojnë edhe pasionin që u nevojitet për të shkuar përpara. Përvoja e tyre është një pasqyrë e rëndësishme mësimesh për të gjithë’’, tha Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.
Sekretari Amerikan i Shtetit për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut, Majkël Posner tha me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, se ‘’Parimet e demokracisë nuk i përkasin asnjë vendi ose grup njerëzish, por ato përbëjnë një të vërtetë universale për të gjitha kohërat. Unë jam i frymëzuar nga vendosmëria e aktivistëve të të drejtave të njeriut, udhëheqësve të shoqërisë civile, gazetarëve dhe qytetarëve të thjeshtë në të gjithë botën, të cilët në mënyrë paqësore, punojnë për të çuar përpara kauzën e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut. Njerëz me kurajo, anë e mbanë botës, marrin qëndrime kundër shtypjeve e padrejtësive – dhe është detyra jonë që këta njerëz t’i ndihmojmë e t’i përkrahim.’’
Udhëheqës e zyrtarë të lartë ane mbanë botës shënuan këtë ditë me deklarata dhe pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme. Ministri i Jashtëm Britank, Uilliam Hague tha se ‘’Ndërkohë që Kombet e Bashkuara festojnë Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, ne duhet të celebrojmë sakrificat e jashtëzakonshme që shumë veta kanë bërë, gjatë dekadave, për të çuar përpara vlerat demokratike anë e mbanë botës.’’
Temë e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë këtë vit ishte , ‘’Ç’presin qytetarët nga parlamenti i tyre?’’ Kryetari i Parlamentit të Evropës Jerzi Buzek, me këtë rast tha se ‘’Parlamentet janë pasqyrë dhe shprehje e drejtë për drejtë e vullnetit demokratik të popullit dhe luajnë rolin kyç në përkrahjen dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike. Parlamenti Evropian, posaçërisht, është në ball të përpjekjeve të diplomacisë parlamentare dhe të mbikqyrjes së zgjedhjeve, ndërkohë që njeh dhe përkrahë kërkesat e lëvizjeve për demokraci, në Tunizi, Egjipt, Libi dhe kudo tjetër në botë.’’
Dita Ndërkombëtare e Demokracisë është një ditë që na kujton se respekti për të drejtat e njeriut dhe për shtetin e ligjit, mbrohen më së miri në shoqëritë demokratike. Kombet e Bashkuara, në këtë ditë, na kujtojnë gjithashtu të vërtetën themelore mbi demokracinë kudo, e që është se demokracia vendoset, ruhet dhe zbatohet më së miri nga një shoqëri civile e fortë, aktive dhe që nuk ka frikë të ngrejë zërin e saj në mbrojtje të interesave të përbashkëta. Na kujton gjithashtu se nuk ka demokraci të vërtetë pa tolerancë.
Sidomos toleranca politike është parimi numër një i demokracisë dhe në shumë vende demokratike, parlamenti konsiderohet si institucioni kryesor i zbatimit të një demokracie të suksesshme. Toleranca politike, fetare, gjinore, etnike e kulturore do të thotë pranim dhe respektim i të drejtave dhe lirive bazë të personave ose grupeve të ndryshme, pikpamjet politike, kulturore,fetare e të cilëve ndryshojnë prej mendimeve e qendrimeve tona. Në thelb, ky është mesazhi i Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë për çdo vend anëtar të Kombeve të Bashkuara dhe për të gjithë botën mbarë.