Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: 20 vjet miqësi
E merkure, 05.10.2011, 08:03 PM
20-vjetë miqësi
Nga Frank Shkreli
Të Djelën më 2 Tetor, ambasada amerikane në Tiranë fillon një numër aktivitetesh për të festuar 20-vjetorin e rivendosjes së miqësisë midis popullit amerikan dhe popullit shqiptar. Ambasada amerikane në Tiranë u ri-hap zyrtarisht më 1 Tetor, 1991 megjithëse marrëdhënjet diplomatike midis dy vendeve ishin ri-vendosur në Mars të vitit 1991.
Ambasadori amerikan në Tiranë, Zoti Aleksandër Arvizu tha për një rrjet televizioni shqiptar se festimet, në partneritet me bashkinë e Tiranës, do të fillojnë më 2 Tetor me një panair në rrugë, me shumë stenda, për fëmijë, për jetën amerikane në përgjithësi si edhe për veprimtaritë në ambasadë. Do të ketë muzikë, ushqime e pije, një festë me të vërtetë argëtuese, sipas ambasadorit Arvizu. Ambasadori amerikan shtoi se festimet për ri-hapjen e ambasadës, do të vazhdojnë të gjithë javën me pritje të ndryshme dhe me një simpozium akademik, ku janë të ftuar gazetarë e akademikë, të cilët sipas ambasadorit ‘’janë filmuar në vitet 1991-1992, gjatë atyre kohërave thuajse shumë revolucionare, në mënyrë që të ofrojnë retrospektivën dhe pikëpamjet e tyre mbi zhvillimet sot.’’
Kur Amerika u ri-këthye në Shqipëri 20-vjetë më parë, kisha nderin dhe privilegjin të isha anëtar i delegacionit të parë diplomatik amerikan në Tiranë. Ishte një periudhë, që për mua dhe tre kolegët diplomatë amerikanë, do të mbetet përgjithmonë e paharrueshme në kujtimet tona. Megjithë propagandën 50-vjeçare anti-amerikane të regjimit të Enver Hoxhës dhe ndonëse regjimi komunist i Ramiz Alisë ishte gjithnjë në fuqi dhe roli i Sigurimit ishte ende shumë i dukshëm, më kujtohet se në të gjitha takimet, sidomos me njerëz të thjeshtë, shprehej një ndjenjë e thellë dhe gjithëpërfshirse pro-amerikane në radhët e të gjitha shtresave të popullësisë. Më kujtohet se pas nja një jave të qendrimit tonë në Shqipëri (Mars/Prill 1991), donim të pushonim nga takimet e shumëta zyrtare dhe jo-zyrtare dhe vendosëm të shkonim për të vizituar varrin e Gjergj Kastriotit-Skendërbe në Lezhë. Mirëpo, kur arritëm në Lezhë, gruaja malësore, që kishte çelsin e portës së Monumentit, kur mësoi se ishim delegacioni i parë diplomatik amerikan në Shqipëri -- sikurë në emër të gjithë Shqipërisë na u drejtua e emociouar, duke na përshëndetur, ‘’Oh, mirë se u ka pru i Shënkolli, mbas 50-vjetësh’’, dhe me kënaqësinë më të madhe na shoqëroi.
20-vjetori i rivendosjes së marrëdhënjeve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe i ri-hapjes së ambasadës amerikane në kryeqytetin shqiptar, është një rast i mirë për të reflektuar dhe festuar miqësinë midis dy kombeve tona. Shtetet e Bashkuara, në rastet me kritike të ekzistencës së kombit shqiptar, u janë gjetur afër shqiptarëve. Për këtë -- ç’prej fillimit të shekullit të kaluar kur presidenti amerikan Vudro Uilson mbrojti pavarësinë e Shqipërisë, e deri tek kohët moderne kur presidenti Bill Klinton shpëtoi shqiptarët e Kosovës nga gjenocidi serb dhe presidenti Xhorxh Bush njoftoi, gjatë një vizite zyrtare në Tiranë, përkrahjen e Shteteve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës -- ndjenjat e kombit shqiptar për Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të forta dhe të sinqerta. Shqiptarët në përgjithësi, janë mirënjohës ndaj angazhimeve të vazhdueshme të qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar Kosovën dhe Shqipërinë si dhe të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve kudo në Ballkan.
Javën që kaloi, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA) shtroi darkën vjetore, gjatë së cilës nderoi ish-Kryeministrin britanik Toni Blerë dhe ish-ambasadorin amerikan Riçard Holbruk për meritat e tyre ndaj kombit shqiptar. KKSHA, në të njëtën kohë, kujtoi edhe 20-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënjeve diplomatike midis Tiranës dhe Uashingtonit. Në këtë darkë këtë morën pjesë udhëheqësit nga Shqipëria, Kosova dhe trojet tjera shqiptare, dhe zyrtarë e ligjvenës amerikanë, duke përfshirë zyrtarin e lartë të Stejt Departmentit, ish-ambasadorin Filip Riker, i cili duke folur mbi 20-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënjeve, në emër të Sekretares së Shtetit Hillari Klinton, u përcolli të pranishmëve dhe gjithë shqiptarëve, përshëndetjet më të përzemërta me këtë rast. Zoti Riker, që tani kryen detyrën e zevëndës-ndihmës sekretarit të shtetit, tha gjatë fjalimit të tij se Zonja Klinton, i kishte kërkuar që në emër të saj të fliste, në atë darkë, për rolin që ka luajtur dhe luan komuniteti shqiptaro-amerikan në marrëdhënjet midis dy vendeve. Në emër të saj, ai vlersoi dhe falenderoi diasporën shqiptare në Amerikë, e cila sipas tij, ka shërbyer me dekada si urë në marrëdhënjet shqiptaro-amerikane.
Me këtë rast, Zoti Riker tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara e kanë të qartë se Amerika ka gjetur tek Shqipëria një mike të vërtetë. Edhe deputeti amerikan, mik dhe mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve për një kohë të gjatë, deklaroi se Amerikanët nuk kanë miq më të mire se shqiptarët dhe se as shqiptarët nuk kanë miqë më të mire se amerikanët.
Gjatë këtyre 20-vjetëve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë luajtur rolin kyç në mbrojtje të interesave shqiptare në Ballkan dhe në konsolidimin e demokracisë në Shqipëri. Ambasadori amerikan në Tiranë, Zoti Arvizu, duke vlerësuar marrëdhënjet midis dy vendeve, tha se ‘’…historia ka qenë fatsjellëse për ne. Mendoj se kemi bërë gjërat e duhura dhe se kemi qenë me shumë fat…’’
Ambasadori Arvizu shprehu kënaqësinë e tij që populli shqiptar është mirënjohës për ato që kanë bërë Shtetet e Bashkuara për Shqipërinë dhe shqiptarët, por ai tha në të njëtën kohë se ‘’këjo është gjithashtu një përgjegjësi e madhe’’, për politikanët shqiptarë dhe shoqërinë në përgjithësi, që jo vetëm marrëdhënjet amerikano-shqiptare por edhe e ardhëmja e integrimit të plotë euro-atlantik e Shqipërisë, të mos lihet në duarë të fatit.
Rivendosja e marrëdhënjeve diplomatike në Mars të vitit 1991 dhe ri-hapja e ambasadës amerikane në Tiranë, Tetorin e këtij viti, përbëjnë një fillim të ri në marrëdhënjet midis dy kombeve, dhe të zhvillimeve demokratike në Shqipëri si dhe në trojet shqiptare --marrëdhënje këto që vlerësohen shumë nga ana e Uashingtonit, dhe Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përkrahin Shqipërinë në rrugën e saj drejtë integrimit të plotë evropian.
Megjithëse ambasadori amerikan në Tiranë, Zoti Arvizu shprehu, me rastin e këtij përvjetori, mirënjohjen e vendit të tij ndaj miqësisë që shqiptarët tregojnë karshi Shteteve të Bashkuara -- për Amerikën nuk do të kishte mirënjohje më të mirë se sa arritja e një konsensusi në radhët e udhëheqjes politike shqiptare për çështjet madhore të vendit dhe të kombit, ashtuqë që arritjet e deri tanishme të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar të konsolidohen.
Falenderimi më i mirë ndaj Amerikës -- nëqoftëse dikush dëshiron të jetë mirënjohës për ato që ka bërë Amerika për kombin shqiptar, jo vetëm gjatë 20 vjetëve të kaluar, por gjatë gjithë historisë – do të ishte angazhimi serioz i shoqërisë dhe i klasës politike shqiptare për një të ardhëme më të mire, më të begatë e më të sigurt, një të ardhëme që ky popull i shumë vuajtur e kërkon dhe e meriton. Le të jetë këjo dëshira e këtij përvjetori të miqësisë shqiptaro-amerikane.