Kulturë
Ukshin Zajmi: Teatër - Shthuarja e familjes në stilin irlandez
E shtune, 08.10.2011, 05:59 PM
Teatër
Shthuarja e familjes në stilin irlandez
Pas “Togeri i Inishmorit” që u inskenua në Prizren dhe “Sakati nga Inishmani” në Gjilan të Martin McDonagh-it nga trilogjia irlandeze, regjisori Ilir Bokshi realizoi edhe një komedi të këtij autori “Vetmi në Perëndim” nga trilogjia Connemara në Teatrin Profesionist të Mitrovicës. Trupa e këtij Teatri, pas premierës dhe reprizës në Mitrovicë, komedinë e shfaqi në Gjakovë dhe në Gjilan.
Nga Ukshin Zajmi
Martin McDonagh, dramaturg anglez me prejardhje të pastërt irlandeze, në komedinë “Vetmi në Perëndim” (The Lonesome West) paraqet ndodhitë në familjen e varfër irlandeze Connor, menjëherë pas varrimit të babait të dy djemve: Valene (Eshref Durmishi) dhe Coleman (Abdinaser Beka), vashës - grua Girleen (Driada Matoshi) dhe priftit Welsh (Mirsad Ferati). Coleman vret babain e vet, por, më vllain e vet Valene merret vesh që ngjarja të cilësohet incident e si shpërblim të merr tërë pasurinë. Në këtë komedi të zezë inkorporohet edhe prifti, i cili, edhe vet pranon se ka devalvua nga detyra, e këtu Girleen është përsonazhi që paraqet realitetin dhe forcon anomalitë në këtë ngjarje. E gjithë ngjarje komike, në fund përfundon edhe me vrasjen e Colemanit, kuptohet “e rastësishme”, nga se siç thot populli ynë:”Nga një herë pushkën e mbush edhe djalli!”.
Shfaqja në Gjilan
Teatri Profesionist i Mitrovicës aktivitetin e vet si teatër i avancuar e nisi me komedinë e zezë “Vetmi në Perëndim” të autorit Martin McDonagh. Kjo komedi në regji të Ilir Bokshin i diplomuar në Bukuresht, pos Mitrovicës u shfaq edhe në Gjakovë e Gjilan.
Shikuesit në Gjilan, patën rastin që të shohin edhe një komedi të zezë irlandeze, sepse trupa e tyre profesioniste vjet inskenoi “Sakati nga Inishmani”, më të cilin arriti sukses jo vetëm në Gjilan por edhe më gjërë, madje edhe u shpërblye. Regjisori, duke e njohur këtë skenë, publikun dhe për ate se luan edhe Driada Matoshi-gjilanase, solli këtu këtë komedi, që fare lehte mund të cilësohet edhe si tragjikomedi.
Rolet e aktorëve
Katër aktorë në komedinë “Vetmi në perëndim” të Martin McDonagh-it publikut gjilanas i paraqitën një skenë të jetës në fshatin Leenane të krahinës Connemara të Irlandës, në një kohë të afërt, sepse autori është i lindur në vitin 1970, ashtu siç e pa regjisori Ilir Bokshi, e që porosinë e tij te publiku e përcollën Abdinaser Beka, Eshref Durmishi, Mirsad Ferati nga Mitrovica dhe Driada Matoshi, kuptohet, si trupë e Teatrit Profesionist të Mitrovicës.
Coleman interpretuar nga Abdinaser Beka, përson që është i interesuar vetëm për ngrënie dhe pikërisht për këtë merr pjesë nëpër varrime për të marrë ushqime, në këtë rast matija, është impotent dhe për këtë nuk është i lumtur madje edhe gjindoset kur i përmendet vajza më të cilën ka dashur të martohet. Valeri është përsonalitet që interesohet vetëm për figura fetare dhe për pijen e tij të preferuar (poteen) dhe kopracia e tij e bënë që të interesohet edhe për shtëpinë, të cilën, pas vdekjës së babait, me shkrepjen nga pushka e gjuetise e vret Coleman, për ta paraqitur si incident, vrasësi ia jep Varelisë, i cili edhe në çdo send shkruan shkronjën V, për ta paraqitur si pronë të vetën, si dhe gjindoset kur merr vesh se ende ruhen veshët e prerë të qenushit të tij. Prifti Welsh apo Uells, që as ai nuk e din mirë se cili është, në saje të përdorimit të alkoolit dhe gjendjes aktuale shoqërore nuk është në gjendje të kryen ashtu si duhet detyrën e vet në famullin e tij, e, puna nuk i shkon mirë as me drejtimin e një ekipi të futbollit për femra me 12 vajza, në pajtimin e vëllëzërve, pastaj detyrohet të shkruan letër e vet të vetëvritet, përkatësisht të fundoset në liqe. Girleen është i vetmi përsonalitet femër, e cila për të arritur ambicjet e veta vjedh babain e vet për të fituar para, për të blerë dhuratë për përsonin që e don. Naive, por këtë naivitet ia imponon rrethi, koha dhe situata.
Komedia
Marrë në tërësi aktorët në komedinë “Vetmi në perëndim” ishin bindës e real në rolet e tyre, zotëronin skenën dhe përsonazhin, përcillnin mesazhe e merrnin porosi sipas nevojës, krijonin atmosferë e ndiesi sipas rastit, pra realizuan konceptin regjisorial në tërësi.
Pjesët përcjellëse të komedisë
Elementet përcjellëse të shfaqjes “Vetmi në Perëndim” mundësuan që realizimi skenik të jetë më i plotë. Skenografia e Petrit Bakallit ishte modeste për nga elementet, por plotësonte nevojat e skenës në realizimin e së cilës kanë marrë pjesë Rizah Tahiri e Ismailhaki Beqiri. Muzika e Trimor Dhomit harmonizohej me atmosferën e komedisë dhe efektet e zërit të Gazmend Atiqit, ishin të qëlluara, pos që krismat e pushkëve ishin tepër të theksuara. Ndonëse nuk ka pasë shumë mund për të realizuar kostumet, zgjedhja e tyre nga Vesë Kraja ishte e mirë, si dhe dritat funksionale të Murat Kajtazit. Një problem, të thuash aktual në skenën kosovare është gjuha e përdorur në skenë. Teorikisht thuhet se në skenë duhet të përdoret gjuha letrare dhe se pjesët vullgare duhet të eleminohen nga goja e aktorit, këto të fundit, përdorën thuaja në shumicën e shfaqjeve. Sa do që aktorët të flasin gjuhën standarde, përdorimi i fjalëve vullgare (sharjet dhe përdorimi i shprehjeve banale) sikur orientojnë shikuesin në drejtim të gjuhës së rrugës.
Përfundim:
Regjisori Ilir Bokshi, sigurisht duke përcjellë aktualitetin e vendit tonë në tranzicion dhe të gjitha ecuritë aktuale shoqërore në Kosovë, vuri në skenë këtë shfaqje duke dashur të porositë audienceën se vetmia nuk është dukuri e mirë, andaj nuk duhet të lejohet krijimi i saj, pastaj apetitet për pasurim duke e mbrojtur edhe të keqën nuk janë veti humane njerëzore dhe se mbajtja e armës në shtëpi, mundëson që ajo të keqpërdoret për gjithçka, madje duke vrarë edhe më të dashurit. Kështu, kjo komedi e zezë është pasqyrë e një rruge për shthurjen e famljes, në këtë rast në stilin irlandez, çka nuk do të thot se nuk mund të ndodh gjithëkund. Sëkendejmi kjo komedi e autorit irlandez e inskenuarA nga trupa e Teatrit Profesionist të Mitrovicës vlenë të vehët në të gjitha skenat kosovare e më gjërë.