Mendime
Elsa Ballauri: Lustracioni…. Domosdo
E shtune, 10.09.2011, 02:57 PM
Lustracioni…. Domosdo
Nga ELSA BALLAURI
Ju shqiptarët duhet të pastroni Pastrimin” (You Albanians should lustrate the Lustration). Kështu më tha Peter Weiss, një nga juristët më të njohur të të drejtave të njeriut në SHBA, kur mori pjesë në konferencën rajonale mbi lustracionin, që u organizua nga organizata që unë drejtoj, në vitin 2004, në Tiranë. E kujtoj këtë shprehje shpesh e më shpesh sepse gjithmonë e më shumë po përpiqemi të aplikojmë atë që në ish-vendet komuniste u mundua të realizohej apo u realizua në fillim të viteve 1990: ligjin e lustracionit dhe implementimin e tij. Por, a mundemi vërtet ne shqiptarët të kemi sukses mbi një temë që së pari kemi frikë të hapim debat; së dyti, nuk bëjmë asnjë përpjekje për ta zbatuar; së treti, gjithmonë e trajtojmë si një filozofi virtuale, ose që u takon të tjerëve dhe shprehim mosbesimin për realizimin e saj; së katërti, që bëjmë rezistencë të fortë shoqërore dhe institucionale për ta penguar… Ka edhe shumë shkaqe të tjera, por ato që më interesojnë më shumë të trajtoj këtu janë:
Pse kemi frikë të flasim mbi lustracionin? Pse ka një rezistencë kaq të fortë sociale dhe institucionale që e pengon hapjen e këtij procesi?
Frika ndaj lustracionit
Frika ndaj lustracionit nuk është vetëm një hamendje, përkundrazi, sa më shumë kalon koha, frika është kthyer në një psikozë reale që justifikon vendimin e të gjithëve që lustracioni më shumë mund ta dëmtojë shoqërinë, sesa ta ndihmojë atë. Gjithsesi, me të gjitha llojet dhe format, ajo ndjenjë e mohimit ndaj aktit të pastrimit, mendoj se është kthyer tashmë në një fobi të trashëgueshme. Duke u nisur nga një frikë reale e shumë njerëzve që e kanë parë veten pjesë aktive të mekanizmit komunist, rezistenca antilustracion ka ardhur duke u rritur dhe duke krijuar një bazë arsyetuese dhe shpjeguese për t’u “admiruar”. Kjo është mbështetur mbi disa mendësi: Indiferentizmi: të qenit indiferent në një situatë të tillë ka bërë që koha të ecë dhe krimi i komunizmit të zbehet. Qëllimi është që ai të zbehet derisa të harrohet. Në rastin e Shqipërisë, nuk po ndodh thjesht një zbehje apo harrim, përkundrazi, po ndodh një transformim negativ që mund të quhet “ana e mirë, idealistike, interesante e komunizmit”. Kjo është e dukshme në psikologjinë e të rinjve. Ata janë rritur midis indiferencës së prindërve (shpesh edhe arsyetimit të tyre në mbrojtje të kauzës komuniste), mungesës totale të edukimit në shkollë mbi ngjarjet e periudhës komuniste, shembujve realë të politikës dhe psikologjisë sociale ku diktatura dhe demokracia ushqehen me të njëjtin përshesh. Prindërit thonë: më mirë pa pyetje adoleshente të bezdisshme. E përse duhet të përjetojnë të njëjtën dramë të prindërve gjermanë të pas Luftës së Dytë Botërore, që ishin të detyruar t’u shpjegoheshin fëmijëve se sa kishin dhe si kishin bashkëpunuar me nazizmin? Nëse shembulli gjerman do të na bënte pak më të ndërgjegjshëm, në vazhdim të analizës duhet të kuptojmë edhe se pikërisht ai shpjegim dhe ai debat i madh prindër-fëmijë në Gjermani i hapi rrugë më vonë shërimit dhe forcimit të shoqërisë gjermane me virtytet e humanizmit, ndershmërisë, përgjegjësisë dhe suksesit. Por, prindërit shqiptarë nuk e duan atë informacion të Gjermanisë së dikurshme. Vetëm se ata, për fat të keq, nuk dinë se edhe Gjermania e tanishme vazhdon të ndjekë dhe të dënojë edhe hijet e ish-nazistëve.
Frika ndaj lustracionit është gjithashtu frikë ndaj vetvetes. Nëse ne do të arrijmë ta kryejmë këtë akt, do të jetë mirë jo vetëm vënia në vend e shumë padrejtësive, por edhe një hap përpara i shoqërisë drejt guximit të nevojshëm për të pasur sukses në të ardhmen e saj.
Historia jonë e deritanishme nuk na ndihmon t’i dalim zot çështjes së lustracionit me guxim dhe dinjitet. Përpjekjet qesharake të qeverive, angazhimet sporadike dhe të paorganizuara të intelektualëve, lodhja dhe monologu i njerëzve që jetuan nën vuajtje dhe padrejtësi, dëshmitë e viktimave (në këtë aspekt edhe të përndjekurve duhet t’u hiqet fjalëza “ish”), të gjitha këto janë thjesht gjëra që ndodhin dhe nuk bëjnë përshtypje. Ato nuk kanë peshë. Ato nuk dëgjohen nga të rinjtë. Të rinjtë nuk e asimilojnë dot atë lloj historie. Ata u mësuan të kenë përpara tyre modelet e qeveritarëve që “bëjnë sikur”, të politikanëve të ngatërruar me krime të vjetra dhe të reja, që i mohojnë pa iu dridhur qerpiku… Për të rinjtë, lustracioni duket ose si i dalë mode, ose abstrakt.
Duke qenë se jemi në këtë situatë ku ka mungesë dëshire dhe vullneti, mohim, indiferencë dhe kundërshtim, dua të ngre një pyetje: A ka vlerë hartimi i një ligji për lustracionin?
Ligji që duhet bërë domosdo
Frika e ligjit mbi lustracionin është akoma më e madhe sesa e folura mbi të kaluarën. Ka dy aspekte në të cilat shprehet frika: nga njëra anë është grupi i njerëzve të përzierë me të kaluarën, që duhet të detyrohen të lënë disa privilegje (në rastin e personave politikëbërës) dhe të tjerë që mendojnë se ligji mund të keqpërdoret duke u kthyer në një luftë personale inatesh apo interesash. Janë bërë përpjekje disa herë për të pasur një ligj të tillë. Përpjekje pa vullnet dhe të sipërfaqshme sepse gjithmonë propozimi ka ardhur nga ana e qeverive…
Aktualisht, sa mund të jetë i aprovueshëm një ligj i ri mbi lustracionin? Jo një ligj antikushtetues. Vërtet Shqipëria do të mbetet i vetmi vend pa një ligj të tillë, i veçantë dhe i vetmuar edhe në këtë aspekt, siç e kishte të veçantë edhe diktaturën e saj?
Aktualisht po punohet për një ligj nga shoqëria civile, një ligj që do t’iu paraqitet shumë shpejt institucioneve shqiptare dhe që do të përqendrohet në pastrimin e figurave të përfshira në mëkate gjatë regjimit komunist. Qëllimi i ligjit do të shtrihet edhe në nevojën e hapjes së dosjeve sipas kërkesave të çdo qytetari dhe të drejtës së tyre për këtë lloj aksesi, si edhe në domosdoshmërinë institucionale të së kaluarës. Jehona që ligji merr përsipër të realizojë është që ai të bëhet një barrierë e fortë dhe kontrolluese për çdo lloj krimi dhe shkelje që mund të kenë bërë individët edhe gjatë 20 viteve të tranzicionit dhe filtri në të cilin ata do të kalojnë të jetë i detyrueshëm dhe rigoroz.
Ndofta kjo do të jetë edhe mënyra se si ne do të pastrojmë lustracionin, merakun që z. Weiss kishte për Shqipërinë….
P. S.: Shpresoj që jo shumë lexues të nënqeshin me mosbesim kur t’i lexojnë këto radhë. Ligji do të bëhet domosdo. Më besoni, nëse të gjithë do të bashkohemi për ta mbështetur iniciativën, do t’ia dalim. Le t’i kujtojmë disa fraza të harruara, si “bashkimi bën fuqinë”….