E shtune, 27.04.2024, 10:04 AM (GMT+1)

Mendime

Sokol Balla: Më mirë në Fyrom, apo në t’ Sat’om?

E enjte, 24.01.2008, 10:32 PM


Më mirë në Fyrom, apo në t’ Sat’om?

Shkruan : Sokol Balla

Kam patur shumë reagime pas shkrimit tim tek Anti-shqiptari në Mapo javën e shkuar. Dikush më tha: “Sikur kishe folur me mendjen time”. Njerëzit e thjeshtë, mendojnë shumica ashtu si unë. Se akti i vendosjes së vizave ishte qesharak, se vinte nga një shtet qesharak, siç është Fyrom – kështu do ta quaj sot e tutje, pasi nuk e meriton të quhet Maqedoni, pasi siç thonë disa letra të ngjitura në doganën e Kapshticës, “Macedonia is Greek”.

Por ndodhën shumë gjëra këtë javë, që më bënë të mendohem se ky shteti ynë, nuk është më pak. Dëgjoja Menduhin (Thaçin) ndërsa fliste në Top Channel dhe megjithëse mungesa e respektit për të shkuarën, vazhdon të jetë më e madhe se respekti për guximin e rrëfimit të tij, gjithsesi nuk mund të mos dalloje së paku përpjekjet për t’u dukur shtetar, të këtij Robin Hudi të Fyrom-it.

Menduhi nuk e shiti qeverinë e tij që në shumicë flet bullgarisht – pasi siç ju thoja javën e kaluar, gjuha maqedone ekziston, aq sa mund të ekzistojë gjuha napoletane, apo anglishtja xhamaikane. Përkundrazi kërkoi që ne shqiptarët e Shqipërisë, të mirëkuptonim faktin se një shtet – qoftë edhe qesharak – që kërkon të anëtarësohet në BE, nuk mund të japë viza në rrugë, siç shiten xhinset tek “çomt” e “Kristoforidhit” – ajo rrugica në qendër të Tiranës, ku gjen të gjithë firmat më të mëdha të rrobave të Milanos, me çmimet e Kabulit. Aty ku “nënës tënde” i thonë “Sat’om”, ose lagjet e tironsve të vjetër.

Në fakt “çomt”, ose banorët e sat’omit, janë thelbi në miniaturë i shtetit tonë. Ose e thënë më saktë, çomtë, jemi ne, qytetarët, shteti është një bluzë Versace fallso, që e blejmë dhe e veshim, jo se nuk e dimë çfarë është po, sepse ose nuk kemi lekë ta blejmë te Blloku, ose nuk kemi zgjedhje tjetër.

Shihni si reagoi shteti ynë. Një thirrje e vonuar e ambasadores së Fyrom, një deklaratë pa shumë kripë e kritikë e Presidentit Topi, dhe deklarata e zëdhënësit të kryeministrit se vizita e Gruevskit do bëhet!

Do bëhet? Si do bëhet? Ku do vijë Gruevski? Në Shqipëri? Jo, po të respektosh dëshirën e së paku 2,999,999 shqiptarëve këtej kufirit. Kryeministri Gruevski nuk ka si vjen në Shqipëri, jo sepse ka faj se do të aplikojë një ligj që ia kërkon Brukseli, por sepse nuk mund të aplikojë këtë ligj kur ka një marrëveshje dypalëshe me Shqipërinë.
Aaaa po ndoshta këtu qëndron problemi. A ka një marrëveshje të tillë? A u tentua të rinovohej kjo marrëveshje pasi Tirana që në qershor vjet thuhet – thonë gojët e liga që nuk e duan ministrin e jashtëm të Sat’omit – u informua nga Shkupi për këtë masë të detyruar nga Bashkimi Europian.

Ndaj Gruevski i Fyromit, nuk do të vijë tek Shqipëria ime, por tek Kryeministri i Sat’omit. Ish-specialisti i kompjuterave që u gdhi befas një ditë kryepolitikan – në Fyrom votat vidhen vetëm tek Menduh-land, ndaj çdokush mund të dalë kryeministër pa hile – nuk do të vijë në Shqipëri, por në t’sat’om, zoti qeveritar i Tiranës.

Në këto kushte nuk më mbetem veçse të reformoj pak respektin për shtetin “kurvë”. Respect që ma shtoi Menduhi, megjithëse ai është shqiptar, si ty dhe si unë. Dhe si shteti ynë. Ndoshta nuk është mirë ta them kështu, por unë kështu e mendoj: më mirë “kurvë” në Fyrom, se legen në t’ sat’om.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora